LETËRSI, GAZETARI DHE FOLKLOR

Me rastin e botimit të tre romaneve të I. Kadaresë në suedisht nga Modernista (Dimri i madh, Pallati i ëndrrave dhe Kronikë në gur), Victor Malm shkruan një recension të shkurtër në Expressen.se, me titullin “Närbild Kadaré” (“Kadareja nga afër”).

Recensioni m’u duk me interes jo aq në vetvete – meqë nuk pres nga Victor Malm që të më prezantojë tre nga romanet më të njohura të I.K.-së – por për çfarë thotë në lidhje me kontekstin socio-kulturor ku përkthehen dhe lexohen sot në Perëndim vepra të tilla.

gazeta Kadarenë shpesh e paraqitin si kronikan të Shqipërisë komuniste, thotë Malm; një këndvështrim ky i themeluar mbi konceptin e letërsisë botërore (världslitteratur), që ai vetë e ka origjinën në kritikën e kolonializmit dhe të eurocentrizmit dhe te dëshira për ta shpërthyer kanonin Perëndimor duke inkorporuar atje botën mbarë.

Dhe ç’të keqe ka këtu? Shumëçka, thotë Malm. Vetë koncepti e kornizon pritjen e veprave të tilla si të ishin “dritare drejt botës” (window on the world) – p.sh., thuhet se vepra e nobelistit Mo Yan “hap një dritare që na mundëson të shohim se si është jeta në Kinë.” Por ky farë kornizimi nuk është veçse eurocentrizëm dhe kolonializëm kulturor i llojit më të keq, vëren Malm.

Autori citon pastaj kritiken Viola Bao, e cila pat shkruar se, kur Mo Yan fitoi Çmimin Nobel, atë e qortuan veçanërisht për mungesë të një pozicionimi të qartë politik – a thua se kësaj lloj letërsie, që vjen nga jashtë Perëndimit, i kërkohet ekskluzivisht që të jetë shoqërisht e angazhuar. Por, pat vërejtur atëherë Bao, kur këtë çmim e fitoi Tomas Tranströmer, vallë u ngrit kush ta kritikonte për angazhim social të pamjaftueshëm?

Premisa e kornizimeve të tilla, thotë Malm, është se “këtu në Europën Perëndimore dhe në ShBA ne kemi letërsi universale dhe pretendime estetike;” ndërsa nga pjesa tjetër e botës, ku jetohet më keq, presim të na vijë një lloj letërsie “autentike” që të kritikojë realitetin social; nga shkrimtarë që të na tregojnë se çfarë ndodh vërtet atje larg.

Nuk ka nevojë të vrasësh shumë mendjen, vëren ai, që të kuptosh sa e deformuar dhe fetishiste është kjo.

Duke iu kthyer pastaj tri veprave të I.K.-së të përkthyera tani në suedisht, Malm i kundërvihet haptazi prirjes, jo doemos keqdashëse, për ta paraqitur autorin e tyre si një lloj reporteri nga Shqipëria Socialiste (e atëhershme), pa çka se vetë “Dimri i madh” i referohet haptazi historisë së Shqipërisë komuniste.

Në parathënien e veprës, Kajsa Ekis Ekman shkruan se “ne duhet ta lexojmë atë si një roman për komunizmin që nuk është as idealizues, as demonizues” dhe ku jeta e përditshme në Shqipërinë komuniste paraqitet nga kaq afër, dhe kaq thjesht e natyrshëm (okonstlat), sa ne lexuesve të na duket sikur “kemi qenë atje”; ndryshe nga, bie fjala, “Pallati i ëndrrave”, që është sendërgjuar në tavolinë (skrivbordskonstruktioner).

Malm e quan krejtësisht të gabuar këtë qasje – sepse edhe “Dimri,” vëren ai, si çdo roman tjetër, është njëlloj i “projektuar në tavolinë” dhe se, Kadareja në fakt ka dështuar në përpjekjet e tij për të paraqitur, letrarisht, jetën e përditshme (kjo çështje e dytë nuk përbën objekt të shkrimit tonë). Për Malm, “Pallati i ëndrrave” është artistikisht mjaft më e realizuar; edhe pse ai nuk entuziazmohet nga ideja për ta lexuar këtë roman të mëvonshëm të I.K.-së si një alegori të burokracisë së korruptuar komuniste; ashtu nuk do t’i bënim ndonjë favor, thotë ai, as letërsisë as I.K.-së, duke sugjeruar se idetë filozofike të këtij romani i kapërcejnë caqet historike dhe sociale të jetës nën totalitarizëm.

Romanet e Kadaresë nuk janë “dritare në botë”, përfundon Malm, por diçka tjetër. Prandaj le të mos i reduktojmë në një raport informativ për historinë e Shqipërisë. Kjo do të ishte kaq… e mjerueshme (ynkligt)!

Dhe këtu ai ka patjetër të drejtë; aq më tepër ngaqë ky konfeksionim i shkrimtarit jo-Perëndimor, që i ofrohet publikut si të ishte ndonjë produkt ekzotik, në një panair etno-folklorik, jo vetëm e dëmton sistematikisht leximin që i bëhet I.K.-së në Perëndim, por edhe ka infektuar trajtimin që i jepet rregullisht shkrimtarit nga kultura shqiptare – sa herë që kjo ngutet ta quajë atë “ambasador të Shqipërisë në botë”.

A ka vërtet një konflikt midis nevojës për ta parë veprën e I.K.-së si thjesht letërsi bashkëkohore, ose në një raft librarie me Pynchon-in, Grass-in, DeLillo-n, Kunderën, Amis-in, Roth-in dhe Houellebecq-un; dhe nevojës tjetër, këtë herë shtetërisht të sponsorizuar, për ta parë këtë vepër si përfaqësim të Shqipërisë në qendrën e Perandorisë, e cila çuditërisht hyn në sinergji me vizionet eurocentriste të kritikës Perëndimore?

Mendoj se konflikti ekziston dhe ka një natyrë të tillë që, në analizë të fundit, e minon statusin e veprës letrare të I.K.-së në Perëndim – pa çka se mund ta ketë favorizuar në krye. Mund ta përfytyroj si dhe pse “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” t’i jetë reklamuar lexuesit francez të viteve 1970 si “roman nga gulag-u stalinist i Shqipërisë” dhe të ketë përfituar nga ekzoticizimi i detyruar; por kjo nuk e bën një qasje të tillë më pak padronizuese, eurocentrike dhe, në thelb, poshtëruese, sikurse e thekson edhe Malm në recensionin e tij.

Pse pikërisht padronizuese? Sepse ta lëvdosh një vepër letrare thjesht për besnikërinë me të cilën ajo “raporton” ose “pasqyron” realitetin e një vendi të largët dhe, çka është më me rëndësi, të jashtëm për Perëndimin, është njëlloj sikur të thuash se kjo farë letërsie nuk ka vlerë si e tillë, në vetvete ose si art; por vetëm për fuqinë e saj dokumentare ose dëshmi e një realiteti tjetër; në kuptimin që e meriton statusin e saj si letërsi e përkthyer në Perëndim vetëm ngaqë na lejon t’i hedhim një sy botës përtej.

Argumenti i tejkalon caqet e veprës së I.K.-së dhe statusit të saj në Perëndim, duke fituar veçanërisht mprehtësi në kontekstin më të gjerë të komunikimit kulturor bashkëkohor të shqiptarëve me botën; ku shpesh dhe pa nevojë u jepet përparësi temave ekzotike ose folklorike, duke ekzagjeruar të veçantën “shqiptare” dhe duke i prezantuar veprat madje edhe autorët e tyre si të ishin specie të rralla kafshësh në një zoo. Duke vepruar kështu, ne bëhemi vetë pjesë e qasjes eurocentrike dhe orientaliste ndaj kulturës sonë, madje përpiqemi ta shfrytëzojmë, me përfitime shpesh të natyrës thjesht politike, “inferioritetin” tonë të supozuar.

Shënim: recensionin e Malm-it ia ka prezantuar lexuesit shqiptar Dhurata Hamzai në shqiptarja.com (“Tre vepra të Ismail Kadaresë përkthehen në atdheun e Nobelit”).

[Ky material origjinal është pronë e autorit dhe e blogut Peizazhe të Fjalës. Çdo riprodhim i tij në mediat elektronike dhe tradicionale është i ndaluar.]

Nuk ka komente

  1. Shume qasje interesante dhe e drejte… Por c’mund te themi per ata artiste shqiptare, te cilet e kerkojne ethshem ekzotizmin… dhe shpesh here edhe sforcueshem, duke e vendosur ate ne ballinen e artit te tyre si e vetmja pasaporte per te patur sukses ne perendim?
    (Me respekt flokenaja… pa llastiqe…)

  2. Malm-it i del e i tepron koncepti i eurocentrizmit, meqe ka parasysh letersine boterore e cila detyrimisht perfshin letersine perendimore dhe ate jugore, por e kam te pamundur te bej ndonje dallim te forte mes eurocentrizmit dhe orientalizmit kur flitet per Kadarene, ndoshta ngaqe pikerisht ky autor i ka kaq per zemer keto dy koncepte. Mjafton t’u hedhesh nje sy kopertinave te librave botuar ne Suedi per ta kuptuar se eurocentrizmi ne kete rast fare natyrshem ushqehet nga orientalizimi qe i behet Tjetrit edhe kur tjetri eshte ne zemer te Europes. Nuk me duket rastesi qe kopertina e te tre librave eshte ilustruar me nje tantelle te zeze qe njekohesisht te josh me sensualitetin e mistershem.


    Sic shkruan Doan Dani per vete vepren e Kadarese, keshtu ndertohet e perforcohet “imazhi pervers i Tjetrit përmes një lloj “burse të seksit”. Kopertina si imazh sherben si nje sinjal (cue) vizual per te deshifruar librin dhe narrativat entocentrike qe ai i ofron lexuesit europian, i cili eshte programuar mire tashme qe t’i dalloje keto sinjale sado te lehta te te zbehta te jene ato. Shume prej librave te Kadarese po keshtu jane kornizuar edhe ne te kaluaren, si pershembull kjo e Palace of Dreams, The Pyramid, The Siege. Keto te Modernistes jane te pakten me estetiket prej tyre, gjithmone sipas shijes time.



    Ketu kemi nje orientalizem te dyfishte: Kadarene qe jo rralle nderton narrativa te strereotipizuara dhe Europa i kornizon ato (kam pershtypjen se perzgjedhja e kopertinave eshte vendim i shtepise botuese qe ska te bej direkt me Kadarene) e lexon pikerisht per te ushqyer e mbajtur gjalle eurocentrizmin e saj. Pra, siç pohon Malm, jo vetem qe kerkohet qe keto libra te jene “nje dritare drejt botes” por dritare qe kerkojne te konfirmojne boten ashtu siç e ka perfytyruar ate imagjinata eurocentrike/orientaliste.

    Shenjat e (vete)ekzotizimit i has kudo ne muziken, artin, teatrin qe po zhvillohet sot ne Shqiperi e Kosove, e me gjere ne Ballkan. Per muziken mjafton te lexoni shkrimin e Maro Perhitures dhe do ta kuptoni se pertej krenarise qe buron natyrshem tek ne, duhet te analizojme si percillet muzika jone tek i huaji. Shkruan Maroja:

    “Pavarësisht faktit që tema kyçe ishte muzika tradicionale shqiptare, kjo mbetej ‘gjëja’ së cilës i kushtohej më pak vëmendje. Mund të ngjajë si paradoks, por ja që është kështu. Muzika aty paraqitej si ‘send’, si ‘diçka’ që duhej vlerësuar, mburrur e lavdëruar.”

    Te njejten gje pak a shume shpreh dhe Malm ne kritiken e tij. Letersia e Kadarese paraqitet, por edhe mund te jete shkruar, qellimisht ndoshta, si nje “send”, artifakt besnik i kesaj botes pertej. E gjej me vend t’i rikujtoj lexuesit menyren si u prezantuar Doli dy vite me pare ne Koncertin e Vjenes: me nje pjese orientale. Ndryshe nga shume te tjere qe shqetesohen sa here qe “orientalja” prezantohet ne kulturen shqiptare si “autentike” dhe e shohin ate si mish te huaj, une veç shqetesohem kur ajo perdoret si nje kartoline ekzotike qe i nisim Europes ose per qellime politike e strategjike brenda per brenda.

    Per artin nuk do te flas me gjere sepse eshte dokumentuar me mire ky argument ne ate skene (nje shembull ketu), por do te permend ekspoziten Blood & Honey: The Future’s in the Balkans kuruar nga Harald Szeemann ne vitin 2003. Nje nga pyetjet qe u be atehere ishte “pse pritet qe nje artist ballkanas te (ri)prodhoje nje realitet entocentrist ne “artin” e vete nderkohe qe nje artisti zviceran nuk do t’i kerkohej kurre te beje art qe ka ne qender te vemendjes çokollaten, lopet apo oret.” Pas kesaj ekspozite te Szeemann shume artiste kane flirtuar me pritshmerine e madhe te tregut te artit per “art ballkanas” sa tani edhe po te duan te bejne dicka te re e shumta, do kene sukses nese mjelin trashegimine komuniste. Ka plot lexues te ketij blogu qe jane ne gjende te flasin me shume kompetence mbi kete subjekt dhe uroj qe te sjellin ketu mendimet e tyre.

    Per shume prej nesh edhe parakalimi i kater klerikeve ne Paris flirtonte me po te njejtin binom: eurocentrizem/orientalizem. Harmonine fetare po e shesim ne pazar si nje “produkt” te zhveshur nga historia.

    Dhe meqe jemi tek produkti dhe tek paketimi dua te ve ne dukje kornizimin ose me mire keqperkthimin e Dhurata Hamzait. Edhe Google Translate te kish perdorur nuk do ta kishte shtremberuar kaq keq mendimin e Malm (problem qe meriton shkrim me vete).

  3. Maria Todorova ka “Imagining the Balkans” ku paraqet orientalizmin dhe balkanizmin si i njejti fenomen drejtuar ne dy hapesira te ndryshme. Dhe qe te dy perqasjet kane ne themel pikerisht eurocentrizmin. Problemi eshte se lexuesi i zakonshem perendimor, sado i edukuar, eshte mesuar (e kane mesuar duke e ushqyer me kete vlere) qe ta shohe kete lloj letersie me syze eurocentriste. Por u gezova qe pashe kete shikim qe i ben Mal dhe XhaXhai.

  4. Mbase jashtë teme, po sinqerisht nuk e kuptoj me ç’motivim janë bërë ato kopertina dhe pse paska qenë kaq bindës ai motivim për autorin. Edhe me një përqasje krejt bashkëkohore ndaj anës vizuale të një libri, nuk gjej asnjë lidhje si pamore, ashtu konceptuale të secilit libër me kopertinën e vet, le pastaj të tre nën këtë temën dantelleske. Në qoftë thjesht lojë për ekzotizëm, ufff çfarë soj goditjeje e ulët! I shteruam ciganët alla-Kosturica? Dolëm në “trashëgiminë” tonë hem-turke-hem-greke-hem-shqiptare-hem-ku-di-unë tani? Në e pastë kuptuar njeri, lutem të ma shpjegojë edhe mua…

    1. Mendoj se pjeserisht eshte per shkak te lojes me ekzotiken. Arsye tjeter e forte eshte se, sepaku ne Perendim, shtepite botuese tentojne te unifikojne ballinat kur behet fjale per nje kolane apo nje sere veprash te te njejtit autor. Ne kete rast, meqe veprat kane dale te treja njekohesisht, dikujt i ka shkuar ndermend qe t’i perngjasoje edhe ne balline. Se pse i ka vajtur mendja tek centrot nje zot e di. Mesa duket dikush, ne mendjen e tij ka identifikuar centrot si karakteristike e zones ballkanike edhe pse une dyshoj nese ato centro te paraqitura aty jane ballkanike ne dizajn.
      I njejti koncept eshte ndjekur edhe me tre librat e shkrimtarit kenian Ngũgĩ wa Thiong’o (me poshte tek faqja e linkut) http://www.modernista.se/
      Edhe aty dominon koncepti i ekzotikes, por ne kete rast meqe autori eshte afrikan, ne qender eshte bota shtazore.

      Dhe ne vazhdim edhe te komentit te Parrulles, pyetja eshte po pse valle? Ka disa arsye, por une me teper dua te ndalem tek boshti komercial. Komercialja ka arritur gradualisht te marre terren aq sa te behet si pa u ndier formesuesi kryesor sot ne te gjitha fushat. Ajo ka bere qe cdo gje te shihet me syrin e nje produkti i cili duhet ambalazhuar, reklamuar e shitur. Mirepo ne kushtet e sotme, shkembimi eshte mjaft i madh ne numer. Ka shume produkte qe “konkurojne” me njera-tjetren. Tani ne kete situate si mund te shitet fjala vjen nje liber qe vjen nga nje autor i panjohur? Si do ta gjej ai rrugen tek lexuesi? Pergjigja me e thjeshte eshte; produkti i panjohur shitet me kollaj nese e ben te duket e vecante, ndryshe nga te tjeret. Dhe kjo e ndryshmje duhet te jete edhe ne planin vizual (ballina) por edhe ne planin konceptual (menyra se si duhet ta lexojme librin). Ajo qe dua te them eshte se keto jane me teper “kurthe” te komerciales sesa te kultures. Komercialja pastaj perdor kulturen (prirjen e lexuesit perendimor psh) ne funksion te saj pra te konsumit. Ne rastin konkret ambalazhon produktin me centro apo art animalesk per te dhene idene e te vecantes (ekzotikes) ne menyre qe te terheqi vemendjen e konsumuesit.

  5. Kopertinat bardhë e zi me dantellë duken të pamotivuara. Duke menduar çmendinë pas dantellës (engl. lace, ger. Spitze) në shek. e 17-të e 18-të, por edhe sot në passarelat e Valentinos, Oscar de la Renta, Dolce Gabbana, etj. them se ekzotikja nuk është kripa e kopertinave. Historikisht dantella lidhet kryesisht me Brukselin (fr. point ose dentelle de Bruxelles) dhe krahinës fleminge, Flandres. Madje Flandres shënjonte në anglisht dantellën kontrabandë që vinte nga kjo krahinë në Angli, prej ku mendohet Daniel Defoe ka huazuar emrin e heroinës së tij prostitutë, hajdute e mjeshtre mbijetese, Moll Flanders. Për këtë aresye nuk mendoj që kopertinat rrezatojnë apo ngacmojnë urinë për ekzotiken apo orientalen. Por sigurisht urinë për sensualen, dhe po të mendosh që para “Fifty Shades of Grey”, bëri bujë “Lace 1 dhe 2″ e Shirley Conran, këto kopertina nxisin pritshmëri pornografike.

    Ajo që më bën përshtypje pastaj në lidhje me këndvështrimin e Malm-it rreth letërsisë botërore, është që në planin akademik, katedra apo insitute për studimin e ‘world-literature’ janë krijuar si përgjigje e etnocentrizmit dhe oksidentocentrizmit, pra vetë përkufizimi dhe nevoja për këtë kategori lind në terrenin e një mendësie shoqërisht e politikisht të angazhuar. Një shembull i besueshëm është Institute for World Literature në Harvard të cilët e përmbledhin kështu misionin e tyre: “world literature” has expanded beyond the classic canon of European masterpieces and entered a far-reaching inquiry into the variety of the world’s literary cultures and their distinctive reflections and refractions of the political, economic, and religious forces sweeping the globe.” http://iwl.fas.harvard.edu/ Pra, qëkur nisim të shohim përmes dritares së letërsisë botërore jemi duke operuar me një mjet etnocentrik. Sa dhe si mund të dalë ky nga vetja, të jetë siç thotë Gayatri Spivak “outside in the teaching machine”, është tjetër temë. Me sa kuptoj unë Malm sugjeron mënyra për atë arritur këtë.

    Por them se krahasimet që bën kërkojnë hulumtim, sepse, pa çka se shembulli i Tomas Tranströmer tregon të kundërtën, perëndimi nuk më duket të ketë arritur në vlerat universale estetike që përmend Malm-i, të cilat sipas tij i aplikon rregullisht për veprat perëndimore, por jo për ato jo-perëndimore. Mua më duket se roli i artistit dhe poetit nuk është skalitur në gurët e trashegimisë kulturore perëndimore, përkundrazi ky rol negociohet çdo ditë. Dhe në fakt edhe ato rryma që kanë predikuar l’art pour l’art, deshën s’deshën u angazhuan shoqëririsht nëpërmjet kundërshtimit të një model prevalent, dhe bën punë kulturore.

    Duke menduar pastaj për punën e shkrimtarëve shqiptarë, këta shpesh shfaqen mes ekstremeve të folklorizmit vendas dhe avantgardizmit të importuar. Duket sikur njëra anë përpiqet të amortizojë tjetrën. Madje do shtoja se romani si xhanër është ai që vuan më fort nga këto eksese. Porse kjo është e kuptueshme për një letërsi me pak traditë dhe shumë rrokopuja ideologjike e kulturore. E mira është të paktën të jemi të vetëdijshëm për influencat e udhëkryqet që hasim.

  6. E mira është të paktën të jemi të vetëdijshëm për influencat e udhëkryqet që hasim.

    Po e nis nga fundi sepse pikerisht kjo vetedije me duket se mungon ose te pakten, gjithemone nga perspektiva ime, nuk eshte aq i zhvilluar sa do donim. Te pakten jo dhe aq meqe pikerisht sot KM, me rastin e cejles se nje ekspozite te Pavionit Shqiptar ne Venecia ne Architectural Association ne Londer, u shpreh nepermjet FB:

    “Shqiperia do te flase perseri me gjuhen e kultures europiane ne zemren e nje metropoli EU ku shpesh shqiptaret jane paragjykuar si keqberes!”

    “Se bashku me Edi Hilen e Ardian Pacin per te rrefyer perseri, me fjale e me vepra, Shqiperine qe ka nisur te njihet e shihet me sy tjeter.”

    Kam nje problem me kete “perdorim” qe i behet artit si menyra e vetme per te korrigjuar mendimin e Europes per shqiptaret. A do clirohet ndonjehere artisit, shkrimtari, kengetari shqiptar nga kjo barre qe i vihet mbi kurriz? Ka plot te tille qe me iniciative personale angazhohen qe permes veprimtarise artistike te kontribuojne ne permiresimin e imazhit te vendit: nje grup angazhimin e ka ne DNA te vete vepres dhe keshtu problemet sociale, kulturore e ekonomike te shqiptarit i perdor si lende te pare dhe permes artit mundohet te ndikoje disi ne perceptimin, ne mos permiresimin, e vete problematikes qe shtrohet. Deri diku keshtu do mund ta shikonim serine e Edi Hiles qe u prezantua ne Venecia. Por nuk e di qe vete Hila te kete nje synim angazhues ne punen e tij, si per syrin lokal edhe per ate te huaj qe permes pikturave te tij do te permiresoj disi mendimin qe ka per shqiptaret. Sometimes a painting is just a painting.

    Kornizimi qe i ben Rama, e jo vetem, ndertohet mbi nje premise e cila kerkon te thote: Shqiperia ka kriminele e hajdute e varferi por ka edhe piktore te kalibrit boteror! Nuk e di si tingellon kjo tek ju por per mua eshte nje shprehje autoracizmi sepse disi e merr te mireqene supozimin se shqiptaret jane nje popull i deshtuar. Me kujton injorancen dhe racizmin qe shprehet shpesh kur dikush te pergezon se sa mire e flet anglishten. Pas ketij pergezimi fshihet nje surprize qe i huaji e paska kete aftesi. Duke luajtur keshtu me pritshmerine e Tjetrit ka nje perpjekje per te treguar dicka teper normale si anormale. Nuk e di perse por eshte fyerje qe arritjet e Pacit dhe Hiles (per te cilet kam nje respekt te vecante) te nxirren ne pah jo si arrtije artistike por si arritje te kombit… “Ja kemi dhe ne artiste”. Ketu ka nje besim teper naiv per Tjetrin si lehtesisht te manipulueshem e qe mahnitet kollaj. Po ashtu ka nje besim te tepruar ne aftesite tona artistike per te krijuar dicka qe le vertete mbresa, mahnit dhe thyen cdo stereotip. Keshtu artistet tane i konsiderojme jo vetem si me te talentuarit (realisht mund te jene por kjo nuk varet aspak nga vleresimi yne) por edhe si ambasadore tanet te diplomacise kulturore. Nuk dua te nenvleftesoj nevojen per nje diplomaci te tille por ajo qe me bezdis eshte se ushqehet njekohesisht nga komplekse inferioriteti dhe delire madheshtie dhe propagande. Eshte per te vene re se si Anri Sala e ka tejkaluar perkufizimin “artist shqiptar”. Pothuajse e gjithe veprimtaria dhe tematika e tij e ka kapercyer nevojen te merret me “shqiperine” aq sa tani eshte cliruar nga cdo kompleks dhe po gezon majat e artit boteror. Te mos harrojme se po ky Anri u be “i njohur” me punen INTERVISTA e DAMNI I COLORI ky spikaste tematika shqiptare.

    Tani, per kopertinat e Kadarese ndaj te njejtin mendim me trekendeshin. Jane prezantim kolane dhe prandaj paraqiten me nje njejtin motiv por ky nuk me bind. Meqe Trekendeshi e paska vene re prezencen e kafsheve ne kopertinen e shkrimtarit kenian po permend dhe nje aspekt tjeter te kornizimit eurocentrist qe shkon pertej shembullit te Kadarese. Para disa kohesh, blogu Africa is a Country (emri ironizon perceptimet infantile te Afrikes ne mediat perendimore) publikoi nje kolazh te kopertinave te 30 librave mbi Afriken ose nga Afrika qe ilustroheshin me pemen acacia ose nga perendimet e diellit.
    Kopertina Afrikane

    Pas kesaj lexues te blogut publikuan kolazhe kopertinash nga Asia Jugore e te librave me ilustrime te perces.
    Kopertina Asiatike

    Kopertina me perce

    Shih si shprehet nje dizenjues kopertinash i shtepise botuese Knopf ne nje artikull te Washingon Post qe u frymezua nga blogu Africa is a Country:

    “prirja qe shihet ne memet e mesiperme eshte nje simptome e “pertacise, individuale apo e institucionalizuar ”
    “Ne jemi rehat me kete imazh vizual te Afrikes sepse eshte i parrezikshem (safe). E paraqet ‘Tjetersine’ ne nje menyre qe eshte e lehte per tu kuptuar.”

    Për këtë aresye nuk mendoj që kopertinat rrezatojnë apo ngacmojnë urinë për ekzotiken apo orientalen. Por sigurisht urinë për sensualen, dhe po të mendosh që para “Fifty Shades of Grey”, bëri bujë “Lace 1 dhe 2″ e Shirley Conran, këto kopertina nxisin pritshmëri pornografike.

    Kjo do te qendronte nese ne keto tre libra do te kishte elemente sensuale por kush i ka lexuar e di mire qe aty mungon cdo element i tille prandaj tantella kurrsesi nuk sinjalizon permbajtjen. E nese botuesi mes tantelles ne kopertine do te perdore suksesin e Fifty Shades per te shitur Kadarene kjo eshte edhe me problematike se kornizimi i vepres se Kadarese si nje dritare boten shqiptare. Kjo po qe eshte fyerje!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin