ARTI I PUBLIC RELATIONS NË KOHËN E PATATES ME BOLLËK

Kur duan të ilustrojnë absurditetin me të cilin persekutoheshin njerëzit, nën totalitarizëm, për një fjalë goje, të sjellin zakonisht shembullin e atij që kish përfunduar në burg pse kish thënë që “nuk ka patate.”

Aq më i efektshëm bëhet ky ilustrim, po të kujtojmë se si po reagohet zakonisht sot, ndaj atyre që ankohen, në parim, për mungesën e patateve; sepse sot vërtet nuk të futin më në burg, por mund të të futin ndonjëherë në kllapë.

  1. Informohu, pastaj hape gojën të flasësh

Si ore nuk paska patate? Nga e ke dëgjuar ti këtë, që nuk ka patate? Ta kanë thënë gabim, o i shkretë, sepse tregu është plot me patate. Të kanë gënjyer. Dil nga kulla ku je vetë-ngujuar, folë me bashkëqytetarët, verifikoje me sytë e tu.

  1. Patate ka sa të duash, por je ti që nuk di t’i kërkosh

Ka ikur koha, kur mjaftonte të shkoje në pazar, dhe i blije patatet në dyqan. Sot nga të gjithë ne kërkohet zotësi dhe kompetencë, për t’u orientuar profesionalisht në tregun e patates.

  1. Shihemi në gjyq

Unë jam monopolisti i shitjes me pakicë të patates për ultësirën bregdetare dhe unë të hedh në gjyq, sepse më ke prishur imazhin e kompanisë dhe perspektivën e produktit.

  1. Vetëm vrer di të vjellësh

E çë pastaj se nuk ka patate? Pse fiksohesh te gjërat që momentalisht edhe mund të mungojnë, në vend që të shquash dhe të shijosh të gjitha ato gjëra që gjenden kudo me bollëk?

  1. Saliu

Kaq shpejt harrove, o derëzi, se ç’i bëri Saliu kultivimit të patates në Shqipëri?

  1. Kosova ka përparësi

Si shpjegohet, që sa herë që acarohet situata në Kosovë, do të dalë dikush në Shqipëri dhe do të ankohet se patatja nuk gjendet në treg?

  1. Le ta festojmë, pra

Sot do të kremtohet, anembanë Shqipërisë, dita pa patate në treg. Bashkohu edhe ti me ne!

  1. Po krijon panik

Mungesa e patates në treg është vetëm koniunkturale. Ftojmë qytetarët ta zëvendësojnë pataten me një shëtitje me biçikletë, në ajër të pastër.

  1. Të mbjellim patate, shokë

S’ka patate? Sa kollaj ta thuash këtë. Pse nuk provon të marrësh një lopatë dhe të mbjellësh një patate ti vetë?

  1. Drejtohu tek organet përkatëse

Nëse mendon se vërtet mungon patatja, atëherë depozito një ankesë me shkrim, te zyra për dëgjimin e qytetarëve; ose plotëso formularin online, në www.skapatate.com, ose dërgo një SMS në numrin 003130.

  1. Nuk i bihet murit me kokë

Nuk na lë Europa, që të shtojmë prodhimin e patates. Ja që u dashkan plotësuar kriteret, o njeri. Vetë e kërkuat Bashkimin Europian!

  1. Kush të paguan?

Kaq poshtë ka rënë kjo opozitë, sa tani vë njerëz në rrugë, që të përhapin fjalë se nuk ka patate.

  1. Duhet të mbash dietë

Po nuk e sheh që je trashur si hipopotam? Akoma kërkon të hash? Karbohidratet komplekse që përmban patatja janë tejet të dëmshme për shëndetin.

  1. Luaj vendit

Në qoftë se nuk vjen patatja tek ti, atëherë duhet të shkosh ti te patatja.

  1. Anti-Enver

Patatja nuk është as bukë, as gjellë.

  1. Argumenti demografik

S’ka patate? Pse nuk ia thua këtë komshiut tënd, që ka emigruar nga fshati në qytet? Po ikën të gjithë nga fshati, kush do t’i rritë patatet?

  1. Teori komplotesh

Pataten tonë e paska blerë të gjithën zinxhiri i restoranteve MacDonald; janë detyrime që duhen përmbushur, për shkak të anëtarësimit në NATO dhe kërcënimit rus në rritje.

  1. Censurë me mbingopje

Vërtet s’ka patate, por s’ka as angjinare Jerusalemi, as jicama, as shpargull, as tartuf, as hithra të Sardenjës, as bishta qershie për çaj, as lëpjetë, as açai, as stika pishe, as xenxefil, as arra Brazili, as bajame të hidhura, as lakra Brukseli, as palcë shtogu, as panxhar të verdhë, as mollçina, as fara liri.

  1. Sonte

Sonte do të ketë debat për këtë mungesë patatesh në talk-show-n SHPULLA. I ftuar në studio edhe një buburrec autentik i patates.

  1. Ç’na the

Që s’ka patate, e dimë. Na thuaj ndonjë gjë që nuk e dimë.

  1. Unë të filmoj

A je gati ta përsëritësh këtë, që s’ka patate, para kamerave?

  1. Ke gojë?

Si guxon të përmendësh mungesën e patateve në treg, ti që deri dje nuk lije gazetë pa shkruar e televizion pa shkuar, për të na bindur se tregu i patates në Shqipëri nuk ishte rentabël?

  1. Rimë e puthur

Vërtet s’ka patate
Por ama ka pallate
Me shumë kate

  1. Ky brez parazitësh

Këta të rinjtë sot e kalojnë gjithë ditën online, me sytë ngjitur tek ekrani i celularit, dhe pastaj kur shkojnë ndonjëherë në pazar, as pataten nuk dinë ta gjejnë se ku shitet.

  1. Gota gjysmë plot

Në analizë të fundit, më mirë të mos ketë patate, se të mungojë ndonjë gjë tjetër, më jetike.

  1. Fjala e ekspertit

Kemi konstatuar një phase shift, ose çndërmjetësim, në marrëdhënien midis blerësve të patates dhe shitësve të saj; për shkak të desinkronizimit të tregut.

  1. Non sequitur

S’ka patate? Po shko ore hap ndonjë libër!

  1. Mos thuaj

Mos thuaj s’ka patate. Thuaj: çfarë mund të bëj unë, që të kthehet patatja?

  1. Ja, më në fund, edhe viktima që kërkon karron e vet në këtë karnaval

S’ka patate? Ça thua, o vlla! Patate ka sa të hanë qentë!

8 Komente

  1. 30. S’ka patate? Po ka rrepa o njeri, rrepa me shumice, rrepa per sallate, rrepa per gjelle, rrepa per turshi, madje edhe rrepa per gliko…e kujt i hyn ne pune patatja…

  2. Shumë e bukur! Përgëzime Castigat! Aq e bukur sa më frymëzoi edhe mua për të shtuar tri reagime të tjera:

    Konflikt interesi
    – S’ka patate? Mos ke ndër mend të hapësh ndonjë biznes për vete?

    Vlera juridike
    – Ti thua që s’ka patate? Atëherë fjala ime kundër fjalës tënde. Të dyja vlejnë njëlloj përballë drejtësisë.

    Maria Antoneta për patatet
    – Nuk ka patate për popullin? Le t’i hanë të skuqura, të ziera, ose të pjekura.

  3. Ja dhe një nga unë:

    Mos harro parimet
    – Po ç’i do patatet ti, o burrë i dheut… E harrove barin? Ja ku e ke – të bëftë mirë!

  4. Përplasje dialektore
    – Fakti që s’ka patate lidhet me përdorimin e gabuar të emrit “patate”. Po të ishte përdorur emri “kumpir” ose “kërtollë” tregu do të ishte i mbytur plot e përplot.

  5. Pak psikoanalizë
    – Fakti që personi në fjalë përqëndrohet te mungesa e patates tregon një kompleks Edipi akoma të pazgjidhur që nga fëmijëria. Në këtë rast “patatja” përfaqëson “gjirin” e nënës dhe dëshirën latente të personit për të qenë akoma i “lidhur” seksualisht me nënën. Nuk është aspak për t’u habitur në se së shpejti do të vihet në dukje mungesa e trangullit në treg…

  6. FANTASTIKE. Une e perfytyrova te gjithen ne skene. Pjese e ideale per teatrin kontemporan ( ndjese autorit nese e ka vene deja ne skene)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin