PSE UNË PSE TI

Nuk di sa e keni ndjekur debatin që ka pushtuar faqet e të përditshmeve të Tiranës këto, mu ngjitur e përbri vitheve lakuriqe dhe kapjeve mat dhe mbathjeve me vrima dhe të kaluara dora-dorës nga një tabloid në tjetrin, midis dy akademikëve dhe intelektualëve – Artan Fugës dhe Pëllumb Xhufit.

Unë e kam ndjekur nga një çikë dhe kur kam pasur kohë, sepse kam pritur prej këtyre të dyve ndriçime për situatën e mjeruar të mendimit dhe të veprimit akademik shqiptar, në këtë Shqipëri të sotme të pushtuar nga universitetet private si fabrika të papunësisë, konferencat shkencore me 500 kumtesa, botimet me pagesë në revista peer reviewed” në Indi ose Guinenë e Re, dhe doktorata që nuk vlejnë as për të ushqyer cjepërit.

E kam ndjekur, por vetëm për të konstatuar se përplasjet dhe debatet televizive e kanë dëmtuar rëndë kulturën e dialogut dhe shkëmbimit të mendimeve në publik; dhe këta dy zotërinj polemizojnë me njëri-tjetrin a thua se i kanë ftuar në ndonjë studio për të bërë spektakël para publikut që kërkon argëtim dhe argalisje.

dyTë gjitha ato që s’duhet, i gjen në këto shkëmbime: sulmet ad hominem, shtrembërimet, insinuatat, shfryrjet, psherëtimat, turfullimat, perëndimet e syve, driblimet, gjysmë-të vërtetat, gjysmë-gënjeshtrat; dhe veçanërisht, këtë zakon të pahijshëm për të folur për veten, “unë kështu”, “unë ashtu” – në monologje që herë tingëllojnë si shfajësime të mërzitshme para një trupi gjykues imagjinar dhe herë si vetëmburrje po aq të mërzitshme, por falas. I gjen të gjitha këto dhe e ndien menjëherë mungesën e një Blendi Fevziu a të një Arian Çani.

Nga kjo kërleshje “titanësh”, lexuesi ndoshta priste të mësonte më shumë për fatin e Akademisë dhe në përgjithësi të intelektit publik në Shqipëri; por në fakt doli i pasuruar me informacion sa të imtë aq edhe të kotë për biografitë madje edhe ato politike të ndërluftuesve.

Të nisur për të sqaruar mes tyre dhe për të tjerët, se çfarë pikërisht nuk shkon me Akademinë sot dhe si mund të përmirësohen punët, të dy këta zotërinj në thelb e dëshmuan madje konfirmuan krizën e këtij institucioni të kërkimit shkencor dhe impotencën e mendimit të sotëm akademik, përballë atij publiku që ndoshta ende pret më tepër prej intelektualëve të vet.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin