I FUNDMI I MOHIKANËVE

[Përcjellim në vijim këtë material që na dërgoi nga miku ynë dhe qytetari i Tiranës Teodor Gadeshi.]

Edhe pse ky shkrim e merr titullin nga një roman i njohur i James Fenimore Cooper i vitit 1826, në fakt ai bën fjalë për fatin e shtëpisë së fundit që ka ngelur në këmbë në lagjen e Vllehëve të Tironës përbri hotel “Tiranës” (15-katëshit), dhe që me shumë gjasa do të shembet e gjitha nga forcat e specializuara të bashkisë së kryeqytetit këtë të premte të fundit të prillit (e cila qëllon të jetë edhe e premtja e zezë e Pashkëve Ortodokse).

Dënimi me vdekje i shtëpisë zë fill në shkurt të këtij viti, kur u u miratua projekti për ndërtimin e Unazës së Vogël të Tiranës. Sipas këtij projekti, pjesa fundore e trotuarit me gjerësi 3.5 metra në zonën mbrapa 15-katëshit do të prekte pak cepin lindor të shtëpisë, në një sipërfaqe prej 4 m2 nga rreth 160 m2 që kap shtëpia plus 24 m2 oborr/truall. U njoftuam zyrtarisht, sipas ligjit, për këtë shpronësim prej 4 m2 objekt; dhe po zyrtarisht brënda afateve ligjore, krahas të tjerave, kërkuam të njihemi me  hartën treguese të prishjeve për pronën tonë; dhe më konkretisht të pjesëve që do të na shpronësoheshin, në mënyrë që të mernim vetë masat e duhura për ndërhyrje ndaj banesës dhe për të hequr pjesën/cepin prej 4 m2 pa dëmtuar pjesën tjetër të shtëpisë.

DSCN5315Nuk morëm asnjë përgjigje per kërkesën tonë, çfarë na bëri të shpresojmë se mos investitori (Bashkia Tiranë) do të hiqte dorë nga prishja e 4 m2 të kësaj shtëpie; edhe për faktin se kjo banesë e ndërtuar në fillim të viteve 30 të shekullit të kaluar jo vetëm që ruan edhe sot tiparet më karakteristike të ndertimeve të asaj kohe, por edhe sepse në korrik të vitit 2015 ishte shpallur monument kulture i kategorisë së dytë nga Ministria e Kulturës.

Kjo shpresë nuk zgjati më tej ditës kur, nga Bashkia Tiranë, sektori i Inspektimit dhe Mbrojtjes së Territorit, na erdhi kërkesa me shkrim për lirimin e shtëpisë, pasi do të prishej e gjitha?! Nëse, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.236, datë 30 mars 2016, do të shpronësoheshin vetëm 4 m2 për të cilat edhe do të shpërbleheshim, tani doli që Bashkia e kërkonte krejt pronën.

Dhe ja pse.

Loti nr.3 i ndërtimit të Unazës së Vogël, që përkon me segmentin nga Bulevardi në drejtim mbrapa 15-katëshit dhe përmes godinës së INSIG-ut me dalje te kryqëzimi i rrugës së Dibrës me atë të Barikadave, përmban mu në mes të tij, edhe sot që po shkruaj, nënstacionin elektrik funksional 110 kv, me një shtrirje prej rreth 600 – 700 m2. Ky nënstacion nuk mund të qëndrojë më aty ku është tani meqë, sipas angazhimeve/premtimeve të Kryebashkiakut, Unaza e Vogël duhet të përfundojë brenda muajit maj. E vetmja zgjidhje e shpejtë dhe shpëtimtare është spostimi disa metra më tutje (deri te pjesa fundore e trotuarit të unazës në krahun e 15-katëshit) i aparaturave dhe pajisjeve të tjera ndihmëse të këtij nënstacioni elektrik.

Pengesë për këtë zhvendosje sipërfaqësore është pikërisht shtëpia e ndërtuar nga stërgjyshi im Theofan Zoga Niça, e cila duhet sakrifikuar për “mbrojtjen e territorit”. Me këtë rast dua t’i ftoj të gjithë kureshtarët apo edhe dashamirësit e “Mohikanit të fundit” të marrin pjesë, këtë të premte, në ekzekutimin e kurbanit.

Teodor Gadeshi

 

5 Komente

  1. Zgjidhje tipike shqip-tranzitokratike. Vlera e njerzve, vendit, trashegemise, etj, zhvleresohet krejt kur has tek nje kaprico zyrtari a polit-pelivani (njohur ndryshe si politikani dhe polit-mafiozi). Perfytyroj ngerdheshjet dhe inatin e kolltuk-okupuesve qe kane marre kerkesen tuaj per te pare planet. O bon kta, dashka dhe planet!

    Pse duhet te perfundonte pikerisht ne maj projekti, moret vesh gje, apo thjesht se ishte bere gati foto oportuniteti i prerjes se shiritit te inagurimit?

  2. veliaj flet per investimin me demokratik?!!! Eshte thjeshte nje tallje me familjet qe ka nxjerre dhe kerkon te nxjerre ne mes te kater rrugeve,padrejtesisht.

    1. pse pushtojne pronen private nderkohe qe hapesirat shteterore ne zone jane te shumta?!Valle keto siperfaqe i duhen per qellimet e tyre matrapaze. TURP!!!!! KRIM!!!!!ZOTI I NDERSHKOFTE.

  3. Po mos u habit fare ti PATI se keto pune i kane ndare ne kete menyre qeveritaret tane : Ne hapesirat shteterore kane vendosur te ndertojne dhe pronat private i pervetesojne…. keshtu qe nga njera ane i kane duart plot se nuk e ndajne torten me pjesetare te tjere nga ana tjeter tregojne se po punojne per nje Tirane “bashkekohore” dhe “funksionale” per te gjithe…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin