ÇEZMA, FONTANA, VESPA

Në një skenë të filmit “La grande bellezza”, personazhi kryesor, Jep Gambardella, gjendet duke shëtitur në kodrën Aventino të Romës. Freskohet në çezmën tipike romane, diku afër një vaske, me ujin që del nga goja e një maske gjigante. Ndërsa një grup vajzash të vogla qeshin me zë të lartë. Murgesha e veshur me të bardha u tërheq vëmendjen dhe i fton të futen brenda. Mbetet vetëm njëra prej tyre, bukuri fëmijënore, autentike, mahnitëse në kundërdritë, që shikon me kureshtje nga kisha përballë, por që thërritet menjëherë nga murgesha.

M’u kujtua kjo skenë e bukur e filmit[1] kur u gjenda në të njëjtin shesh të Romës, saktësisht në Pietro d’Illiria. Nxora celularin dhe bëra një foto, me fat për mendimin tim, sepse me një shkrepje përmblodhi shumë aspekte të romanitetit të djeshëm e të sotëm.

skenën e lartpërmendur, Jep Gambardella i kalon afër bazilikës së Shën Sabinës, dhe e shoqëron me sy vargun e vajzave që kalojnë nga portiku i kishës. Kisha është shumë e njohur, pavarësisht se nuk bën pjesë në bazilikat e famshme turistike. U ndërtua nga Pietro i Illirisë në vitet 422 – 432 mbi një domus-in e një matrone romake, pra të Sabinës, që më pas u shpall e shenjtë. Pësoi ndryshime arkitektonike të ndryshme gjatë shekujve dhe u restaurua nga artistë me emër[2]. Është e njohur edhe për faktin se bujti një konklavë, e cila zgjodhi një Papë gjatë epidemisë së kolerës.

foto-Pietro d'Illiria-Aventino-Rando-DevoleSyri im kapi fontanën e ngjitur në një nikia të murit të Parkut Savello, i njohur ndryshe si Kopshti i Portokajve. Fontana u ndërtua në vitin 1936 sipas projektit të Antonio Munõz. Përbëhet nga mermer i bardhë, granit, travertin. Dy pjesët e saj kanë prejardhje të ndryshme. Vaska termale ka origjinë të lashtë romake. Prej graniti egjiptian, ka përballë dy doreza të mëdha, të gdhendura për zbukurim.

Maska e madhe e ngjitur në mur, nga ku del uji, është gdhendur në mermer për të zbukuruar një fontanë të ndërtuar në vitin 1593 në Campo Vaccino sipas projektit të arkitektit e skulptorit Giacomo della Porta. Mbështetet në një guaskë, me vetulla të ngrysura e mustaqe të dendura. Skulptura ka histori të gjatë dhe është zhvendosur vazhdimisht në vende të ndryshme të kryeqytetit italian[3].

Afër njëra tjetrës rrinë karshi dy lloje fontanash romane. E para, siç e thamë, i përket Romës antike, të ndërtuara me gurë e mermer. E dyta është prej gize. Pikërisht atje ku aktori i “La grande bellezza” u freskua gjatë shëtitjes së tij. Me çezma të tilla është e mbushur e tërë Roma. Të dytat janë realizuar në fund të viteve tetëqind, nga bashkiaku i parë i kryeqytetit. Gjithnjë prej gize, në formë cilindrike, të gjata rreth 120 cm, të pajisura me tre koka dragoi zbukuruese, nga ku dilte uji i freskët.

Me kalimin e kohës kokat e dragoit u zhdukën dhe u zëvendësuan nga tubi metalik i sotëm. Kjo bëri që romakët ta quajnë “nasone” (hundëmadh). Për ata që nuk kanë pirë ndonjëherë ujë nga çezmat e Romës, kujtojmë se tubi në formë “hunde” ka një vrimë sipër, çka e ndihmon udhëtarin të pijë rehat e në mënyrë higjienike, duke vënë gishtin poshtë për t’i krijuar trysni ujit e për ta nxjerrë nga sipër në trajtë currili.

Po ta zgjerosh pak shikimin, duke bërë një foto tjetër, dalin në pah pishat tipike të Romës, që karakterizojnë një pjesë të madhe të panoramave të këtij qyteti. Jo pa të drejtë u kanë kushtuar poemë simfonike. Sfondi pa to nuk do të kishte kuptim.

Nuk e kuptoj arsyen se përse në shesh, pranë historisë mijëvjeçare romake, gjendeshin dy motoçikleta Vespa. Të parkuara afër, krejt të vetmuara. Ndoshta ndodheshin aty krejt rastësisht, ndoshta për ndonjë arsye të pakapshme nga mendja ime.

Motoçikletat e famshme ma tërhoqën vëmendjen për dy arsye. E para lidhet me identitetin që evokojnë e transmetojnë. Sikurse thotë një shkrimtar italian, Vespa, motoçikleta e shpikur pas luftës së dytë botërore, ishte për të rinjtë mjet i vërtetë lirie, për të shkuar në plazh, për të udhëtuar lirisht. Ishte shenja e rilindjes, pas humbjes në luftë, bombardimeve, pushtimit…[4]

foto-Pietro d'Illiria-Aventino-Rando-Devole-2Vespa ishte më shumë se motoçikletë, ishte produkt kulturor. Ajo hyri vrullshëm në imagjinarin kolektiv italian e botëror gjatë viteve të “dolce vita“, por edhe më vonë. Së bashku me aktorë të famshëm, ajo hyri në kinematografi si yll i vërtetë. Mjafton të kujtohen filma si Vacanze romane (1953), Poveri ma belli (1956), Caccia al ladro (1958), I soliti ignoti (1958), La dolce vita (1959) etj.[5]

Por Vespa vlente edhe si mjet udhëtimi. Ishte ekonomike, jo shumë e kushtueshme në krahasim me veturat. E thjeshtë, praktike, qetësuese. Pastaj, kishte një dozë të madhe novacioni e paraqitej si antitradicionaliste, si risi totale[6].

Por “vespat e mia” lidhen me Romën jo vetëm nga mitet e kinemasë së pas luftës. Janë edhe ngjyrat e tyre: njëra e verdhë, tjetra e kuqe. Pavarësisht nga nuancat kromatike, janë dy ngjyrat karakterizuese të qytetit të Romës, që dallohen edhe në stemën zyrtare të saj. Simboli i vjetër ka ngjyrë të purpurt, shkronjat e famshme latine S.P.Q.R. (Senatus Populusque Romanus) dhe një kurorë me gjethe (fioroni) ngjyrë ari[7]. Thuhet se dy ngjyrat evokojnë mantelin e perandorëve romakë: i purpurt me qëndisje ari. E tepërt të kujtojmë lojtarët e skuadrës së sotme të Romës që quhen giallorossi.

Ja pra, në një fotografi kaq shumë histori. Kurse unë, sikurse protagonisti i filmit të Sorrentino-s, vijova shëtitjen time i mrekulluar nga bukuria e madhe.

 


 

[1] La grande bellezza, film realizuar më 2013, me regjizor Paolo Sorrentino. Ka marrë çmimin Oscar si filmi më i mirë i huaj.

[2] Për hollësi të mëtejshme mund të konsultohen faqet https://en.wikipedia.org/wiki/Santa_Sabina dhe http://www.arte.it/luogo/basilica-di-santa-sabina-roma-158

[3] Fontana in Piazza Pietro D’Illiria, http://www.sovraintendenzaroma.it/i_luoghi/roma_medioevale_e_moderna/fontane/fontana_in_piazza_pietro_d_illiria

[4] Corrado Augias, cituar në Fabio Ruggiano, 1946 · Vespa, http://www.treccani.it/90anni/parole/1946-vespa.html

[5] Fabio Ruggiano, 1946 – Vespa, http://www.treccani.it/90anni/parole/1946-vespa.html

[6] Vespa. Un’avventura italiana nel mondo, përg. Davide Mazzanti, Giunti, 2010.

[7] Massimo Giacomozzi,  C’era una volta e c’è ancora lo stemma del Comune, http://www.iloveroma.it/articoli%20iloveRoma/lostemmadelcomune.htm

2 Komente

  1. Ka gjetiu objekte jo pa interes, por qe nuk datojne me shume se shekulli i kaluar dhe ruhen me fanatizem. Nuk eshte keq, secili ruan ate qe ka. Por qe te ecesh ne rrugen e nje qyteti dhe aty te ndeshesh objekte te periudhes romake sikunder kjo vaske monumentale, vertet te duket e pabesueshme, gati si enderr. Pa folur per shansin e mrekullueshem te shetisesh midis veprash te tilla, t’i kundrosh, t’i prekesh dhe te vazhdosh tutje, pastaj te kujtohesh per nje detaj, te kthehsh e ta shohesh perseri, pa u merakosur se me kete ke ngjallur dyshimin e dikuj… Historia e artit eshte shtrire te kembet e tua!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin