Menjëherë pas përmbysjeve të fillimviteve 1990, institucionet ndërkombëtare dhe palë të tjera të treta derdhën miliona euro dhe dollarë, në Shqipëri, për të formuar një klasë politike cilësisht të ndryshme nga ajo e trashëguara prej viteve të regjimit totalitar. E bënë këtë tërthorazi, duke nxitur zhvillimin e OJQ-ve dhe formave të tjera të shoqërisë civile, çka dashur pa dashur ndikoi pastaj në kalimin e shumë profesionistëve të fushës nga shoqëria civile në politikën aktive. Deri para një dekade, e pata konsideruar këtë lloj zhvendosjeje si fatkeqësi për vetë shoqërinë civile, e cila nuk do të arrinte dot të konsolidohej kurrë, në qoftë se më të mirët e vet, më të zotët dhe më të hedhurit i iknin për duarsh, për të migruar në politikë. Mirëpo vitet e fundit po përvijohet një problem tjetër: kuadrot që kalojnë në politikë, dhe sidomos në pushtetin ekzekutiv, drejtpërdrejt nga shoqëria civile dhe OJQ-të, nuk i përshtaten mirë ose nuk duan t’i përshtaten mjedisit të ri, duke ruajtur dhe praktikuar instinktet e vjetra. Kësisoj, jo vetëm shoqëria civile rrezikon të funksionojë si paradhomë e politikës dhe të harrojë misionin e vet themelor qytetar, por edhe vetë politika, në radhë të parë pushteti, nis të sillet si një OJQ e madhe, me pasoja potencialisht serioze për shtetin dhe krejt shoqërinë. Mes atyre simptomave që më shtyjnë ta dyshoj këtë, shquhet vështirësia e pushtetarëve për të themeluar dhe mirëmbajtur një raport besimi dhe mirëkuptimi me qytetarët dhe një shpërfillje gati arrogante të mekanizmit dhe të vetë konceptit të përfaqësimit; sikurse shquhet edhe gatishmëria e këtyre profesionistëve, gjithnjë në tranzicion nga një pozicion në tjetrin brenda pushtetit, për t’i kushtuar vëmendje me përparësi donatorëve – ose burimeve financiare që u duhen për të përligjur pushtetin që kanë dhe për të ushqyer fushatën elektorale permanente; dhe më në fund, prirja e këtyre, e shndërruar deri në obsesion, për ta zëvendësuar veprimin politik të mirëfilltë me gjeste, metafora, harta, coups de théâtre, festivale, performance art, prezantime në Power Point, manipulime të mediave tradicionale & elektronike, dhe zhargon teknokratik. Traditës së vjetër të sundimtarëve shqiptarë, për ta ushtruar pushtetin e tyre dhe për ta marrë autoritetin e nevojshëm si mëkëmbës të një fuqie të jashtme, eprore dhe moralisht të pagabueshme vjen dhe i shtohet tani instinkti i ish OJQ-istëve dhe profesionistëve të aplikacioneve, projekteve, vizioneve dhe misioneve për ta kthyer fytyrën gjithnjë andej nga mund t’u vijnë paratë, të cilat i perceptojnë si legjitimim ku e ku më të fortë se vota dhe taksa. (A.V.)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin