TË ZHVESHËSH ARTIN – NGA VETËCENSURA

Nga Erion Gjatolli

Nuk po shuhet polemika e fundit që shkundi shtetin italian me rastin e vizitës së Presidentit të Iranit Hassan Rouhani në Romë, e në veçanti ndalesa në Musei Capitolini, ku gjenia e punonjësve të ceremonialit të Kryeministrisë, për arsye ende të pasqaruara, e padyshim te pakuptueshme, vendosi të mbulojë me kuti të bardha lakuriqësitë e disa statujave duke lënë padashur cullak dinjitetin e mbarë vendit.

Shumë hollësi të incidentit tashmë ndërkombëtar ndoshta nuk do të sqarohen kurrë, cili debat mes nëpunësve të pallatit mund të ketë sjellë vendimin e palavdishëm, por pasi udhëheqësit e dy  shteteve mohuan të kishin njohuri paraprake mbi kutitë censuruese, vëmendja u kthye te përgjegjësja e ceremonialit në Palazzo Chigi, llva Sapora, e përfolur për një tjetër figurë të keqe të Italisë përtej perëndimit, në nëntor të vitit të shkuar, me delegacionin që shoqëronte Kryeministrin Renzi gjatë vizitës zyrtare në Arabinë Saudite. Mikpritja arabe në atë rast nuk përshkoi rrugët e tërthorta të censurës së artit, por shtegun e shtruar me dhurata të arta të mbështjella me fjongo elegante me emrat e anëtarëve të delegacionit.

Për miqtë italianë, qeveria e Riadit kishte zgjedhur orë futuristike të prodhuara në Dubai me vlerë 3-4 mijë Euro për disa dhe orë më të vyera Rolex me vlerë dhjetëra mijëra Euro për disa të tjerë. Por kur njëri nga delegatët u pikas ndërsa ndërronte pakon e tij me Rolex-in më të lakmuar, paçka se sipas ligjit zyrtarët nuk mund të pranojnë dhurata me vlerë mbi 150 Euro, për të sheshuar pakënaqësitë e për të shuar grindjet mes tyre u desh ndërhyrja e eskortës së Kryeministrit, që ndau pretendentët dhe sekuestroi dhuratat deri në kthimin në Romë. Në atë periudhë, pasi vëzhguan më kot kyçet e Kryeministrit dhe njerëzve të tij për të hamendësuar shpërndarjen e orëve, gazetarët iu drejtuan pikërisht zonjës së ceremonialit, por shpjegime nuk morën. Ilva Sapora nuk kishte njohuri mbi përmbajtjen e pakove, kujtesën ia kishte dobësuar temperatura e lartë.

Kështu edhe këtë herë gjasat janë se vendimi do të qëndrojë në hije. Vizita u mbyll me sukses, marrëveshjet u nënshkruan dhe Rouhani  falënderoi autoritetet italiane për mikpritjen e ngrohtë.  Por pasojat e incidentit do të mbeten më gjatë për të na kujtuar një farë provincializmi italian, por ndoshta edhe evropian, se përtej detit përfundon civilizimi. Më fyes se lakuriqësia e statujave të Campidoglio-s është mendimi se kryetari i një shteti si Irani mund ta gjykojë rilindjen italiane vetëm me kategori të ngurta fetare ose nxitje hormonale. E më lart se përulja ndaj kontratave shumëmiliardëshe të partnerëve ndërkombëtare, qëndroi mania vetëcensuruese italiane.

Brekëtarët e djeshëm si Daniele da Volterra kanë trashëgimtarë të denjë në Italinë e sotme. Në rrjedhën e akteve censuruese, në vitin 2008, do ta kishte radhën La verità svelata nel tempo, piktura e Gian Battista Tiepolo-s që u përzgjodh nga vetë Kryeministri i atëhershëm Silivio Berlusconi si sfond për konferencat e shtypit me ministrat e kabinetit qeveritar. Por shumë shpejt u gjet mënyra që lakuriqësitë e së Vërtetës, qëllimisht të zbuluar nga Tiepolo, të mbuloheshin. Me sa duket qeveria e atëhershme mendoi se thithat e saj mund ta tronditnin ndjeshmërinë e teleshikuesve më fort se mollaqet e zbuluara prej vitesh në skenat e shfaqjeve te televizioneve italiane.

Së fundmi, vetëm shtatë muaj më parë, afishet e ekspozitës së piktores Tamara de Lempicka u mbuluan përkohësisht me të zezë, në shenjë respekti për Papën gjatë vizitës në Torinon “laike”. Madje debate kish pasur edhe përpara vizitës së Papës, për arsye se nudot sensuale të artistes polake do të vendoseshin shumë afër katedrales ku në të njëjtën periudhë do të ekspozohej Sindoni i shenjtë, veli që besimi do që të ketë mbështjellë trupin e Krishtit.

Përtej peripecive diplomatike e fetare, Italia u gjend këto ditë sërish në pozitë të vështirë edhe përballë artit bashkëkohor. Është pikërisht i këtyre ditëve lajmi se artisti amerikan Jeff Koons vendosi të marrë përfundimisht mbrapsht skulpturën Pluto e Prosperina, prej shtatorit e ekspozuar në Piazza della Signoria, përpara ndërtesës mesjetare të bashkisë, në krah (të riprodhimit)  të Davidit të Michelangelo-s. Prania e skulpturës së artë kishte bërë shumë bujë e shumë buzë të rrudheshin në Firence, aq sa dukej sikur bashkia u zu ngushtë kur artisti dha pëlqimin për një hua afatgjatë të veprës në “djepin e Rilindjes”. Kryetari dhe përgjegjësit e kulturës hartuan një listë me pozicione të mundshme ku mund të vendosej vepra, por në asnjë rast nuk u diskutua sheshi ku ishte vendosur fillimisht. Në dukje i pakënaqur, si nga kritikat ashtu edhe nga ngurrimi i autoriteteve vendore, artisti u tërhoq dhe një statujë më shumë u paketua, këtë herë prej vërteti, për t’iu kthyer krijuesit të saj.

Me provokimin e tij me një vepër ultra-bashkëkohore riprodhuar nga një skulpturë anonime, me sipërfaqe të artë e pasqyruese, Koons mund të ketë vërtetuar se Firence, e ndoshta e tërë Italia, po e mbyllin dialogun me artin, duke e vënë në një plan me marrëveshjet e bashkëpunimit, duke e parë,  pra, vetëm si burim vezullues fitimi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin