KUR QENI KA LAKRA NË KOKË

Viti 2016 nuk filloi mirë për kritikun e njohur të artit, Vittorio Sgarbi, i cili mori vesh se ishte denoncuar në prokurorinë e qytetit Ferrara, për fyerje të rënda ndaj dhive.

Denoncimi u paraqit nga presidenti i Shoqatës italiane për mbrojtjen e kafshëve dhe mjedisit (Aidaa), që u kërkoi prokurorëve që të verifikonin nëse përdorimi përçmues i termit “dhi”, që kritiku italian i artit përdor me vend e pa vend, është nxitje për keqtrajtimin e kafshëve, sipas nenit 544-ter të kodit penal italian, përveç përdorim i pasaktë i gjuhës italiane.

Presidenti i shoqatës së animalistëve shpjegoi se dhia është një nga kafshët më inteligjente dhe ftoi Sgarbin të mos e përdorte më epitetin “dhi” e të shkonte të jetonte disa ditë me barinjtë për të mësuar, duke i kullotur, se sa inteligjente janë këto kafshë.

Përgjigja e të denoncuarit erdhi shumë shpejt, në mënyrë ironike fillimisht. Sgarbi u shpreh se ishte dakord me animalistët dhe se me fjalën “dhi” ai nënkuptonte një kompliment, ngaqë shumë njerëz i konsideronte si më inferiorë se kafsha e përmendur. I sugjeroi gjithashtu shoqatës se duhet të denonconin edhe Jezu Krishtin, meqë duke u identifikuar si “bari i mirë”, pa tek njerëzit dhentë e veta.

Përgjigjja e dytë e Sgarbit erdhi nëpërmjet rrjeteve sociale. Në video, pasi u përpoq të shpjegojë diçka, iu drejtua denoncuesve duke u thënë: “Meqenëse nuk jeni dhi, atëherë po ju quaj qenë, se qenë jeni”. Në një vend tjetër, i ftuar në një emision televiziv,  theksoi se dhia nuk ka deleguar asnjë që të flasë në emër të saj.

Kjo ngjarje më erdhi në mend kur lexova shkrimin e këndshëm e stimulues të Presjes (Mizoqenë?) për vendin e qenve në gjuhën shqipe.

Nuk kam ndër mend të bëhem gjykatës në çështjen Sgarbi, për më tepër duket se tashmë denoncimi është tërhequr, por do të jap disa mendime të shpupuritura për temën.

Prania e kafshëve në gjuhën tonë rrjedh nga bashkëjetesa që kemi pasur me ta, që nga njeriu parahistorik e deri më sot. Faji, në qoftë se për faj mund të flitet, është i procesit të personifikimit, sepse u japim kafshëve cilësi që i projektojmë nga bota njerëzore. Kjo nuk do të thotë se ajo që shohim nuk është e vërtetë, nga pikëpamja e njeriut e kam fjalën. Megjithatë, kafshët kanë hyrë thellë në jetën e në perceptimin tonë ndaj botës që na rrethon. Gjenden tashmë edhe në gjuhë, për mirë e për keq. Kanë zënë rrënjë e shfaqen rregullisht në metafora, similituda, sharje, epitete, simbole, frazeologji, proverba…

Animal-Farm-1954-film

Animal Farm (1954 film)

Kështu, kur i themi dikujt “qen”, ose “derr”, nënkuptojmë sharje të rëndë. Kur flasim për një femër dhe e quajmë “nepërkë”, i kemi dhënë disa cilësi negative, kurse kur e përkufizojmë si “dhelpër” mund të tingëllojë në mënyrë të dyfishtë, si lavdërim, ose si sharje; varet nga konteksti. Po i thamë “gomar” dikujt, e kemi fyer rëndë, ngaqë e kemi quajtur injorant veshgjatë; por jo aq shumë, nëse e qortojmë me fjalën “mushkë”, që i referohet kokëfortësisë. Pale po i thamë “derr i fëlliqur”, “lopë e madhe”, “tru peshk”, “mi gjirizi”, “tru laraskë”, “majmun”, “papagall”, “gjarpër me helm”, ose “gjuhë gjarpri”. Në mënyrë të përgjithshme: “Je kafshë!”.

Është e qartë se qeni, derri, dhelpra, lopa, peshku, miu, papagalli, e të tjerë miq të njeriut, nuk kanë ndonjë faj në këtë mes. Në fakt, sikur ua vëmë pak nderin në vend, kur themi “qen i punës”, “durim qeni”, “vullnet derri” … Por nuk mjafton, se ia fusim kot kur flasim për “strucin”, që fut me demek kokën në rërë, ose për lotët e krokodilit. Megjithatë, kafshët nuk kanë vetëm cilësi negative. Mjafton të kujtojmë shqiponjën krenare, të paepur, të lirë. Por edhe kali që është punëtor i madh, qeni besnik, luani trim, bleta punëtore, pëllumbi i paqes, e kështu me radhë.

Për kameleonin mund të diskutohet, po na bindën se e bën nga halli ndryshimin e ngjyrës. Edhe për ariun babaxhan, nëse e takojmë vetëm për vetëm në pyll. Po kështu për kërmillin dhe breshkën, pasi të lexojmë me vëmendje relativitetin e Ajnshtajnit. Por për qimen e ujkut dhe zakonet e tij të forta, kemi prova?

Kush beson tek metempsikoza, duhet të presë, herët a vonë, që shpirti t’i përfundojë në ndonjë trup kafshe. Tek e fundit, ka plot që janë të bindur se çdo fytyrë njeriu ka ngjashmëri me një kafshë të caktuar, sikurse karakteri i tij, që mund të ketë, zemrën e luanit, dinakërinë e dhelprës, frikën e lepurit. A nuk janë shkruar edhe libra seriozë për shpirtin e kafshëve? Pyetja nuk është naive, as e thjeshtë për t’u përgjigjur. Teologët kanë debatuar gjatë. Po perënditë me shembëllesë prej kafshe? Ndoshta shprehja më e lartë e respektit…

A mund të flasim politically correct edhe për kafshët? Për shembull, “dhi e zgjebosur, bishtin përpjetë”, “qen bir qeni”, “bir bushtre”, “plesht i keq”, janë të rënda. Por për kë? Se për cjapin era e dhisë është e mrekullueshme. E në botën e pleshtave ka edhe obezë. Nejse. Në këtë diskutim, nuk mund të marrin pjesë qenë e mace. Jo për gjë, por u bëmë si këmbët e dhisë.

Po shprehjet që përdorin botën bimore janë pozitive? Jo edhe aq po të të thonë: “kastravec (trangull)”, “kungull”, “spec”, “karabush”, “fluturon me presh në b…”… Po lakrat, e dinë që ndonjëherë mbijnë në kokën time? Druri është material ekologjik dhe mjaft elastik, po pse më quajnë “dru”, kur duan të më thonë se jam i trashë? Po selvia e ka për nder që ka shtatin e vajzës së bukur? Lisi e di që është simboli i fortësisë?

Kafshët i përdorim në gjuhë më shumë se sa bimët. Me siguri ngaqë janë më të ngjashëm me ne, kanë gjymtyrë, organe shqisore, lëvizin, hanë, pak a shumë si ne gjitarët me dy këmbë. Ndaj edhe u biem në qafë më tepër. E ndoshta qenin e rëndojmë më tepër, pikërisht se e kemi pasur më pranë gjatë historisë njerëzore e të zbutjes (së njeriut). Në fakt, sipas një thënieje të famshme “Qeni është i vetmi gjitar në gjendje për të jetuar realisht me ne, e jo thjesht pranë nesh” (Irenaus Eibl-Eibesfeldt). Gjithsesi, shpresoj që bimët të mos bëhet xheloze. Ose e kundërta.

Ndërkohë, sa të zgjidhim problemin e përdorimit gjuhësor të kafshëve, le të reflektojmë rreth disa nga qindra thëniet e famshme për qentë: “Qeni im, si qen është katastrofë fare, por si person është i pazëvendësueshëm” (Johannes Rau), “Qeni është arritja më e madhe dhe e plotë që njeriu ka bërë në historinë e vet” (Charles Cuvier), “Qentë kanë vetëm një të metë: u besojnë njerëzve” (Elian J. Finbert), “Që qeni është mik i njeriut, këtë e thotë njeriu” (Roberto Gervaso), “Dikush mendon se e çon qenin jashtë që të bëjë nevojat në mesditë e në darkë. Gabim i rëndë: janë qentë që na ftojnë dy herë në ditë për të medituar” (Daniel Pennac), “Qeni është xhentëlmen; shpresoj të shkoj në parajsën e tij, jo në atë të qenieve njerëzore” (Mark Twain), “Mirënjohja është sëmundje e qenit që nuk u transmetohet njerëzve” (Antoine Bernheim).

Bujarë siç janë, qentë dhe kafshët e tjera, na e falin përdorimin negativ që i bëjmë në gjuhë. E dinë se, në të vërtetë, nuk flasim për ta. Megjithatë, kushedi, do të vijë ajo kohë kur njeriu të mësojë gjuhët e kafshëve. E ndoshta, jo pa habi, do të zbulojë shprehje si: “njeri e bir njeriu”, “i trashë si njeriu”, “injorant me dy këmbë”, “mizor si njerëzit”, “njeriu armiku më i madh i kafshëve”,  “tru njeri”, “ujku për ujkun njeri”, e kështu me radhë. E do të marrë vesh se ka pasur një dhi, që ka çuar në gjyq shoqen, ngaqë e ka krahasuar me njeriun. E do t’i japë të drejtë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin