KUPONI TATIMOR

Qëkurse filloi lufta kundër informalitetit, dhe kuponi tatimor u bë mjeti kryesor i luftës kundër ekonomisë informale, Shqipëria është bërë shembull i shquar në botë. Jo vetëm që u pranua me të drejta të plota në OBRL (Organizata Botërore për Respektimin e Ligjit), por ka filluar procesi i asocimit në BVL (Bashkimin e Vendeve të Lumtura).

U bënë tashmë vite, madje kanë ndryshuar shumë qeveri, që kur institucionet shqiptare nisën betejën pa kompromis ndaj bizneseve që nuk paguanin taksat. Rezultatet pozitive janë përpara syve të të gjithëve. Tashmë nuk ka transaksion ekonomik, që të mos regjistrohet nga kuponi, ose vërtetimi përkatës, si fatura ose urdhërpagesa.

Ekonomia informale është reduktuar jashtëzakonisht dhe po shkon drejt shifrës zero. Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë rritur në mënyrë progresive.

Një nga masat më efikase ka qenë vënia e kuponit ndaj trafiqeve të ndryshme. Ka kohë që trafikantët e drogës janë të detyruar ta japin kuponin për shitblerjen e mallit. Cilado qoftë mënyra e transportit, në rrugë ajrore, detare ose të nëndheshme, cilido qoftë malli, hashash apo kokainë, trafikantët duhet të lëshojnë vërtetimin e duhur për mallin e shitur. Në rast kontrolli të policisë, shitësit dhe blerësit janë të detyruar ta tregojnë kuponin ose faturën, përndryshe rrezikojnë sekuestrimin e mallit.

Kjo formulë e suksesshme vjen nga arsyetimi i thjeshtë se është më mirë ta taksosh aktivitetin e paligjshëm, se sa të bëhet nën hundën e shtetit, ndërkohë që komuniteti nuk fiton asgjë. Sepse siç dihet, me buxhetin e shtetit paguhen gjithashtu forcat e rendit dhe mjetet e tyre. Juristët e konstitucionalistët e mbështetën masën e qeverisë me argumentimin se më mirë të shkelet një se sa dy ligje, dhe më mirë të kemi keqbërës që e respektojnë ligjin pjesërisht, se sa keqbërës që e shkelin ligjin me të dyja këmbët.

Nga ana tjetër, prurjet në arkat e shtetit janë rritur shumë falë deklaratave të gjykatësve. Këta janë tashmë të detyruar të tregojnë sa ryshfete marrin nga të pandehurit dhe familjarët e tyre, madje duhet t’u lëshojnë edhe kuponin tatimor, duke i derdhur shtetit pjesën e vet. Përndryshe, ligji i ri (i ashtuquajtur dekriminalizimi i dekriminalizimit), i dënon ata për dy vepra penale njëkohësisht: për ryshfet dhe për mos deklarimin e të ardhurave.

Nuk mund të mos përfshihej në reformën e re edhe shëndetësia me arsimin. Çdo mjek, infermier, pastruese, sipas udhëzimeve të reja, duhet t’u lëshojë vërtetim familjarëve të pacientëve, kur u merr parà në dorë. Për këtë arsye, spitalet janë pajisur me kasa moderne, që lëshojnë kuponë tatimorë për çdo veprim financiar, sidomos para sallave të operacionit.

Po kështu shkollat dhe universitetet, ku të ardhurat e shtetit rriten kryesisht në periudha provimesh, janë pajisur me kasa të shumta për të përballuar ryshfetet nga ana e studentëve. Këta të fundit, bënë edhe një manifestim publik kundër asaj pjese të trupit mësimor, që nuk i jep kuponët, duke mos respektuar ligjin dhe etikën, por edhe duke dëmtuar arkën e shtetit nga e cila ata paguhen rregullisht si të punësuar.

Senati i Republikës shqiptare ka votuar së fundi edhe në favor të lëshimit të kuponëve nga ana e politikanëve, shtresa e fundit që i kishte shpëtuar ende ligjit, meqë pjesa dërmuese e tyre ishin sipërmarrës të pasur e profesorë akademikë, pra që hynin në kategori të tjera me kuponë të konsoliduar. Mirëpo, kohët e fundit janë verifikuar tre raste të veçanta, tre deputetë të rinj (fshatar, punëtor, i papunë), që nuk taksoheshin në aktivitete të tjera, çka i detyroi ligjvënësit ta respektonin barazinë përballë ligjit, pra edhe kuponit. Sepse, siç dihet, edhe parlamentarët e marrin rrogën nga arka e shtetit.

Mbetet ende për të zgjidhur me ekspertë juristë, ose me juristë ekspertë, rastet e transaksioneve të dyfishta dhe/ose të dyshimta. Neni X thotë se “prostituta duhet t’i lëshojë klientit ose klientes kupon tatimor”. Tani, në rastin kur një politikan shkon tek një femër për seks me pagesë, kush nga këta konsiderohet prostitutë? Ose kur një biznesmen i jep ryshfet politikanit, quhet korrupsion apo mitmarrje? Po më rastin kur biznesmeni është edhe politikan njëkohësisht dhe paratë kalojnë nga një xhep në tjetrin të së njëjtës xhaketë?

1 Koment

  1. Shkëlqim,

    ti je mo? Apo ke lënë Brisidën edhe për të shkruar tani? Se për të folur, shihe vetë te video më poshtë, se ç’punon.

    Nejse. Dy fjalë të miat për aksionin, pardon, për operacionin e kuponit. Më bën shumë përshtypje aftësia juaj për të nxjerrë dhjam nga pleshti. Si the? Nga ferra e vogël del lepuri i madh? Tamam. 30 mijë e kusur lepuj që dolën nga ferrat e informalitetit në katër muaj. Shumë bukur. Dhe 73 mijë vende pune të shkurtuara vetëm në shtator-tetor, në dy muajt e parë të sulmit. Hm. Alamet bilanci, jo shaka.

    Po ata, arinjtë e mëdhenjë, kur e kanë radhën? Ata të doganave, të tenderave, të koncesioneve, të televizioneve… Me ata nuk kërruhet, the? Po ai, ariu i madh, është në listë ai? Për kë e kam fjalën? Joo, jo për atë të Madhin fare. (Me atë s’ka burrë nëne në Shqipëri që ta kërruaj – ai ta heq ballit! Aq më tepër tani që po afron prapë data 21…) Unë e kam fjalën për atë tjetrin. Për atë që e po e kthen Jugun në çiflikun e tij… Si? E di Shefi atë punë? Ah. Mos e ngacmo ariun kur fle gjumë. Edhe unë bëj gabim që pyes? Ok. E kuptova. Po kthehem prapë te myshkonjat.

    Sa mirë ua bëtë atyre berberëve që i arrestuat dhe i futet në burg për mosprerje kuponi. Berberët i kam inat! Ngelën duke na qethur, nga koka dhe nga xhepi. Por tani kemi ju. Ata na qethin ne, ju qethni ata. Fair enough!

    Edhe atyre katundarëve mirë ua bëtë, që u ngelën mollët pa shitur dhe iu kalbën e ua hodhën derrave pastaj. Fshatarë dembela. Përtojnë të hidhen deri në Tiranë, të kalojnë shkurt nga QKR, të mbajnë pak radhë aty, të rregjistrohen takfuck – ups, takfak – të presin tre, fundja katër javë e të marrin NIPT-in. Molla pret. Derri s’pret!

    [Po ti, Xhaxhai, e ke të rregjistuar me QKR-në këtë veprimtarinë tënde këtu, në PTF, hë? Tatim-fitimin ne ta bëjmë zero pastaj, por pa NIPT nuk bëhet! Të lutem shumë! Kije parasysh këtë, kur të nisesh herën tjetër për Tiranë. Se ti e di, edhe Al Caponen për evazion fiskal e gozhduan…]

    Shkëlqim (ose Brisida),

    Jam shumë i impresionuar nga të “dhënat drithëruese për nivelin e vërtetë të informalitetit” (Alo, Rama?). Sa pare mblodhët? 330 milionë dollaro? 89 milionë dollaro për 2016-ën? Si? Operacioni dështoi?! Ah. Nuk e dini. S’ka gjë. Po pres atëherë deri në dhjetor që t’i marrë vesh shifrat e buxhetit. Nëse begenisni që t’i publikoni, natyrisht.

    Deri atëhere, suksese me aksionin, pardon prapë, me operacionin (se mos lini ndonjë plesht të gjallë!) dhe po nuk eci kështu, futjani dhe anti-evazionit me një koncesion te privati, siç bëtë me doganat, skanimet, parkimet, dializat, checkup-et… Po koncesion për 30 vitet e ardhshme, ama!

    Të fala Shefit.

    [youtube https://www.youtube.com/watch?v=KsTC_BDdKfI&w=560&h=315%5D

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin