KAFSHA USHTARE

Gazetat njoftuan, mes lajmeve për viktimat dhe operacionet anti-terror pas atentateve në Paris, edhe për vrasjen në krye të detyrës të qenit Diesel, teksa policia po bastiste një apartament në Saint-Denis.

Njëlloj si në filmat klishe me policë, i ziu Diesel paskësh qenë në prag të pensionit.

Detyra e tij, siç e shpjegoi i zoti për mediat, ishte që “të hapë rrugën për ne të tjerët. Ai i përdor të gjitha shqisat për të dalluar nëse ka njeri në dhomë, dhe nëse ai mund t’i arrijë këta, të hidhet dhe t’i kafshojë.”

Që prej vdekjes së këtij qeni “hero” (Daily Mail), i cili “dha jetën për Francën,” në Twitter u krijua hashtag-u #JeSuisChien, që u shërbeu cicëruesve për të lëvduar trimërinë dhe besnikërinë e Diesel-it.

Kjo rrëmbushje pas vrasjes – së trishtuar – të një qeni nuk u duk krejt e rastit dhe as produkt i budallallepsjes që shoqëron frikën masive.

Natyrisht, Diesel-i nuk e kish idenë se çfarë po bënte në Saint-Denis dhe as që ishte pjesë e një lufte tashmë të së mirës kundër së keqes.

Atje ku tabloidët panë heroizmin e një qeni, mendje më gjakftohta mund të kishin parë thjesht abuzim me kafshët.

Një qen i stërvitur për të sulmuar dhe kafshuar njerëz – por pa e kuptuar pse – duhej normalisht të ndihmonte për të përftuar hashtag-un #JeNeSuisPasChien, aq më tepër menjëherë pas një sulmi terrorist prej DAESH-it, një entitet që thuhet se nuk i duron dot liritë tona këndej.

DieselE megjithatë, nuk mbeti burim lajmesh pa llapur me të madhe për Diesel-in, kushedi edhe ngaqë është më e lehtë, në momente tensioni të papërshkruar, që të shprehësh dhimbjen për vrasjen e një kafshe.

“Ky qen kishte pa dyshim më shumë njerëzillëk se këta barbarë,” shkroi në Twitter një Paola Caliari; e cila përndryshe e përkufizon veten si “anëtare të Komitetit të atyre që nuk kanë qejf t’u thuash se çfarë të bëjnë.”

#JeSuisUneContradictionVivante

Por një qen policie nuk më duket simboli më i mirë për viktimat e terrorizmit dhe as pafajësinë.

Një qen i stërvitur për të zbatuar verbërisht urdhrat e padronit, qoftë edhe duke sulmuar dhe kafshuar njerëz çfarëdo: a nuk është ky qytetari ideal i ideologjisë totalitare?

As më duket rastësi që qenit i lëvdojmë besnikërinë ndaj të zotit, ose pikërisht atë virtyt që liderët politikë – totalitarë por jo vetëm – do të donin me çdo kusht, madje do të investonin, që t’ia kultivonin Tjetrit.

Që këtej, hashtagu #JeSuisChien merr kuptime të tjera, ngjethëse.

Regjimi totalitar në Shqipëri, në vitet e mbylljes izolimit autarkisë së vendit, i ftonte rëndom gazetarët, madje shkrimtarët, t’u këndonin qenve të kufirit.

Kafshë të mirushqyera dhe të stërvitura, të cilat përdoreshin nga forcat e Kufirit për të pikasur, gjurmuar, kapur dhe neutralizuar shkelësit, të cilët në të shumtën e rasteve do të ishin thjesht qyqarë që kërkonin të arratiseshin.

Nga ç’mijëra rreziqe imagjinare e shpëtuan këto shtazë heroike Shqipërinë, dhe socializmin që ndërtohej atje!

Qen ujk quhej, në ligjërimin e folur, raca përkatëse e këtyre kaninëve, të ardhur në Shqipëri pas gjase nëpërmjet sovjetikëve, por që e kishin prejardhjen te famëkeqi – ose famëmadhi – German shepherd dog (it. pastore tedesco) – i njohur edhe si qeni “arian.”

Gjermania Naziste thuhet se kish trajnuar gati 200,000 të tillë, një pjesë e të cilëve gjetën pastaj punë në kampet e përqendrimit.

Studiuesit e Reich-ut të Tretë dhe të Nazizmit kanë vënë në dukje se pasioni i atij regjimi për qenin kish lidhje sa me identifikimin e vetë Nazizmit me “bishën” që do të bënte zap Europën e degjeneruar, duke ia imponuar disiplinën si qeni kopesë së dhenve; ashtu edhe me virtytet e bindjes dhe të besnikërisë, që vlerësoheshin në kohë militarizimesh të shfrenuara.

Në duart e aparatit policor, ose edhe të vetë shtetit, qeni shndërrohet në një vegël e cila shpie në vend, verbërisht, një udhëzim a komandë të thjeshtë – njëlloj si, të themi, plumbi i pushkës ose raketa ndërkontinentale.

Madje, meqë jemi në kontekstin e një diskursi patetik për terrorizmin, le të kujtojmë edhe qentë vetëvrasës, të trajnuar nga ushtarakët sovjetikë: këta i ngarkonin me eksplozivë dhe pastaj i dërgonin atje ku ngarkesa duhej shpërthyer.

#JeSuisChien?

Me gatishmërinë për t’iu bindur urdhrit; ose paaftësinë për ta vënë atë në diskutim, qeni – aq më tepër qeni i militarizuar – ka më shumë ngjashmëri me terroristin, që hedh veten në erë i bindur se po zbaton një porosi hyjnore; sesa me luftëtarin për liberté, egalité, fraternité.

Ky virtyt semiotik i kafshës besnike per antonomasia, ose aftësia për të shënjuar bindjen dhe disiplinën totale, ose nënshtrimin absolut ndaj vullnetit të së zotit, shpjegon edhe pse liderët botërorë – të së gjitha ngjyrave dhe kredove – kanë aq qejf t’i tregohen publikut në shoqëri gjithfarë qensh e langonjsh, të cilët për shumë prej nesh simbolizojnë nënshtetasit, në mos shtetasit vetë.

Me një gjest tipik nga ato me të cilët na kish mësuar dikur regjimi diktatorial, vendin që la bosh qeni Diesel do ta zërë së shpejti vëllai i tij i vogël simbolik, Dobrynya – një këlysh i dhuruar nga Ministria e Brendshme e Rusisë; njëlloj siç ua zinin dikur vendin të vrarëve në krye të detyrës familjarët e tyre të mitur.

 

5 Komente

  1. Perse kam nje ide qe autore te perendimit e kane te veshtire te arrijne te shkruajne nje shkrim te tille? Ndoshta ngaqe mendoj se kush u rrit e u formua ne diktaturen komuniste ka nje marsh me shume per te kuptuar realitetin. Ndoshta…

  2. Tek filmi “Tomka dhe shokët e tij“, siç e patëm vënë re dikur, lufta simbolike midis të mirës e së keqes kalon edhe nga përdorimi i qenve. Në qoftë se ju kujtohet, qeni gjerman (me pasaportë e racë) i quajtur Gof, i kundërvihej qenit të fëmijëve me emrin Luli. I pari ishte i keq, i ashpër, i zi, tinzar, i sertë; i dyti ishte i mirë, i butë, me pulla të bardha, i lezetshëm, lozonjar. Për të hedhur në erë kampin nazist, fëmijët e eliminojnë Gofin me mish të helmuar.
    Qeni, si të thuash, merr vetitë e padronit, i keq kur u shërben të këqinjve, i mirë kur u shërben të mirëve. Edhe dhurata e rusëve, këlyshi Dobrynya, duhet parë edhe si kumt: ne jemi nga ana e të mirëve, se po riprodhojmë të mirën.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin