MUSHKONJA TË DROGUARA

Gazetat do të botojnë së shpejti transkriptimin e një përgjimi telefonik të regjistruar pak kohë më parë midis dy shqiptarëve, të cilët do të akuzohen, sipas rastit, për trafik droge, shkelje të të drejtave të autorit, shpërdorim detyre ose shpërdorim kohe.

Ja teksti, sipas gjasës apokrif por i certifikuar, i përgjimit:

Subjekti A: Si je?

Subjekti B: Mirë. Na grinë mushkonjat.

Subjekti A: Ku je?

Subjekti B: Tek vendi, si gjithnjë.

Subjekti A: Ka shumë mushkonja?

Subjekti B: Po dhe janë të mëdha si avionë. Kurse zhurmën e bëjnë si helikopter.

Subjekti A: Po përse ka kaq shumë dreqin?

Subjekti B: Jemi buzë detit. Ka edhe pyll këtu afër. Habitat ideal.

Subjekti A: Mos duhen spërkatur?

Subjekti B: Spërkatur me çfarë?

Subjekti A: Me lëndë, me çfarë kujton ti.

Subjekti B: Ah, e kuptova. Ide e bukur.

Subjekti A: Çfarë ideje? Që t’i dezinfektojnë, them.

Subjekti B: E kuptova, e kuptova. Se janë edhe shumë.

Subjekti A: Shumë apo pak, duhen larguar.

Subjekti B: Patjetër, i spërkasim dhe t’i largojmë larg përtej detit, përtej kufirit.

Subjekti A: Le të shkojnë nga të duan, boll të flemë rehat. Se po rrimë pa gjumë.

Subjekti B: Madje, po të kthehen, i spërkasim prapë. Asnjë rrezik për njerëzit tanë.

Subjekti A: Po u spërkatën një herë morën fund ato, ngordhën.

Subjekti B: Nuk besoj, mund trullosen pak, por ideja është e mirë. E pa shfrytëzuar më parë. Ideas wanted, siç thonë.

Subjekti A: Nuk të marr vesh. E ke fjalën për filmin me gruan e Pitt-it?

Subjekti B: Që ta bëjmë rrugë, them. Pa rrezik për plazhistët dhe banorët. Fitojnë të gjithë.

Subjekti A: Ti thua të shtrojmë rrugë? T’i futemi ndërtimit? Jemi mirë në pastrim.

Subjekti B: E lëmë për herë tjetër, se më duket se pashë një mi që sapo kaloi… T’i them shefit.

 

Sipas Prokurorisë për përgjimet e fshehta, ky dialog tregon përgatitjet e keqbërësve për trafikun e drogës. Akuza mendon se aspirantët trafikantë po studiojnë një mënyrë të paparë trafiku, të kopjuar nga filmi “Wanted“, me Angelina Jolie, ku dikush përdor minjtë si mbajtës të eksplozivit për të hedhur në erë një ndërtesë. Në rastin tonë, pas idesë fillestare të avionit e të nëndetëses, tani duan të përdorin mushkonjat si transportues droge, duke i spërkatur fillimisht me drogë e duke i dërguar përtej detit, ku lahen dhe u merret droga mbi flatra. Punë e pastër, pa asnjë lloj rreziku dhe me rendiment të lartë.

Ky përfundim doli nga studimi leksikologjik e semiotik i fjalëve të përdorura në telefon: jo vetëm përdorimi i fjalëve avion, helikopter, mushkonja, lëndë, spërkatje, kufi, rrugë, fitim, pastrim (parash d.m.th.), por edhe renditja e denduria e tyre nuk lënë shteg për dyshime.

Madje, gjithnjë sipas akuzuesve, kjo ide nuk është e re, sepse është hedhur me shaka e ironi në mbledhjen e Komisionit parlamentar shqiptar për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë. Shkrimi “Debati në komision: Mushkonjat me drogë kanë kaluar kufirin me avion” (Shqiptarja, 15 Shtator 2015) e rrëfen qartë, duke dhënë edhe pjesë nga diskutimi.

Po në rast së është kështu, atëherë ata duhet të procedohen për shkelje të të drejtave të autorit. Këtë po thonë avokatët sulmues të të pandehurve në kërkim e sipër, duke nënvizuar se dialogët surrealë janë bërë me shaka. Natyrisht duhet të pezullojmë proverbin: Shakaja është gjysma e së vërtetës.

Mirëpo, debati po vijon i ashpër. Hetuesit nuk janë të sigurtë ende për identitetin e dy personave të përgjuar, kurse avokatët janë të bindur se bëhet fjalë për dy pastrues në një zonë plazhi ende të paidentifikuar.

Ka gjasa që akuza fillestare për trafik droge të degradohet në akuzë për shpërdorim detyre ose aq më keq për shpërdorim kohe. Edhe për këto vepra penale ka dënime të rrepta. Por këtu duhet të sqarohet nëse pastruesit ishin apo jo me fshesë në dorë.

Hetimet e përgjimet vazhdojnë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin