GISHTI MBI FLLUSKËN E SAPUNIT

Në ditën e fillimit të aksionit kundër informalitetit, nuk kishte si të mos binte në sy deklarata e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për uljen e çmimeve të shtëpive.

Veliaj e bëri deklaratën me rastin e një nisme të lavdërueshme, siç është ajo e dorëzimit të banesave sociale në kompleksin e Shkozës në favor të 30 familjeve në nevojë. Sipas mediave, janë këto fjalët e kryebashkiakut:

Nevojat për strehim në Tiranë janë më të mëdha ndaj i kam bërë apel shoqatës së ndërtuesve që të ulin çmimet e apartamenteve të pashitura. Është e pamundur që disa njerëz në mënyrë kapriçoze disa njerëz nuk i binden rregullave të tregut dhe nuk i ulin çmimet. Unë e di që jetojmë në kapitalizëm dhe di që shteti nuk mund t’ia përcaktojë çmimet privatit por ka disa gjëra që shteti mund t’i bëjë që t’i detyrojë privatet ti binden shtetit. Kjo është arsyeja pse ne do të propozojmë edhe në këshillin bashkiak që, taksat e pronës ta paguajnë edhe ndërtuesit e apartamenteve të pashitur. Në momentin që ai nuk paguan taksën e pronës ai mund ta mbajë apartamentin pa shitur edhe 10, 20 apo 30 vjet dhe asnjëherë të mos e uli çmimin.

Deklarata e Erjon Veliaj (videon e të cilës mund ta gjeni këtu) më duket shumë e rëndësishme për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Prej saj mësojmë zyrtarisht se: a) Tirana ka nevoja të mëdha strehimi; b) Në kryeqytet gjenden shumë apartamente të pashitura; c) Çmimet e banesave janë shumë të larta; ç) Ka njerëz që nuk u binden rregullave të tregut; d) Shteti mund të ndërhyjë për ta rregulluar ecurinë e tregut; e) Së shpejti në Këshillin bashkiak të Tiranës do të propozohet taksa e pronës edhe për ndërtuesit e apartamenteve të pashitur.

Më duket se fjalët e kryebashkiakut janë mjaft të qarta, edhe pse në media tingëllojnë sikur janë një farë kërcënimi ndaj ndërtuesve. Veliaj, i cili përmend edhe lejet e ndërtimit, duket se e ka marrë seriozisht tregun e ndërtimeve në Kryeqytet.

Që tregu i ndërtimeve, me leje e pa leje qofshin, kërkon veprim energjik e konstant – pra jo aksione – është e padiskutueshme. Mirëpo ky veprim kërkon kujdes të veçantë, sepse ekonomia shqiptare, mirë a keq, varet në një masë të madhe pikërisht nga ky sektor. Edhe apeli i sjellshëm i Veliaj – që mund të duket edhe i tepërt, sepse shteti vepron sipas ligjit dhe politikave e nuk bën apele prej xhentëlmeni – duhet parë e kuptuar në këtë këndvështrim. Kjo është aq e vërtetë, sa deklarata ka edhe një premisë ku thuhet se në çmimet e tregut kapitalist nuk varen nga shteti.

Hipoteza ime (aspak origjinale apo e re, ngaqë mendohet nga shumë vetë) është se sektori i ndërtimeve në Shqipëri përbën një flluskë ekonomike. Për fat të keq nuk mund ta provoj këtë hipoteze – ndaj do të mbetet e tillë – nëpërmjet shifrave dhe grafikëve. Fakti është se ende nuk kemi një numër të saktë të ndërtimeve me leje e pa leje në Tiranë, çka edhe përcakton tregun imobiliar. As kemi të dhëna të sakta për kërkesat e deritanishme e ato të supozuara për të ardhmen. Por nga ana tjetër, dihet nga të gjithë prej kohësh, por tani kemi si mbështetje edhe fjalët me autoritet të Kryetarit të Bashkisë, se në Tiranë ka shumë apartamente bosh e të pashitura.

Sipas dëshmive të ndryshme, këto vite krize plot kontradikta, ndërtimi nuk është ndalur, por ka ecur përpara për disa arsye, midis të cilave fakti se furnizuesit shpeshherë paguhen në natyrë, duke i dhënë një ose dy apartamente. Në këtë mënyrë pesha e humbjes shtrihet më gjerë, ndërkohë që apartamentet e pashitura shtohen dita ditës, sepse ka njerëz që duan të zhvendosen më në qendër dhe lëshojnë apartamentet e dikurshme; por ka edhe nga ata që ikin përfundimisht në emigracion; sikurse ka plot që nuk kanë mundësi ta blejnë një apartament. Ndërkohë që kërkesa nga emigracioni nuk do të jetë pafundësisht e madhe. Të gjitha këto tregojnë se ka diçka që nuk shkon në puqjen e kërkesës me ofertën.

Veliaj ka të drejtë kur thotë se një person, ose ndërmarrje, që nuk paguan taksë për një pasuri të palëvizshme siç është banesa, mund ta mbajë atë edhe për vite me radhë, sepse pret të vijë momenti i duhur për ta shitur. Nuk ka ngut, e ndërkohë vijon të ndërtojë pallate të tjera, duke e fryrë flluskën edhe më shumë. Deri kur mund të zgjasë kjo? Natyrisht, derisa të bëhet e paleverdishme që ta mbajë pronën të pashfrytëzuar.

E këtu duhet të ndërfutet veprimi i politikës. Në rast se masa është inteligjente, ajo e nxit lëvizjen e tregut, duke bërë që çmimet të ulen, pa e shkatërruar sektorin. Mirëpo në kushtet e hipertrofisë kryeqytetase, rreziku është që flluska të pëlcasë në çastin e vënies së taksës së pronësisë, duke krijuar një efekt zinxhir.

Mirëpo, që ta themi këtë, duhet të sqarohet mirë se çdo të thotë taksë e pronësisë për banesa bosh, sikundër duhen përcaktuar mirë sasitë e tyre. Nuk ka kuptim që një ndërtues të ketë me dhjetëra e qindra apartamente e të mos paguajë asnjë kacidhe si taksë. Por jo të gjitha banesat janë në duart e ndërtuesve (shpeshherë i kanë ndërmarrjet që kanë bërë punimet elektrike ose hidraulike, ose pronari i tokës) dhe jo të gjitha figurojnë në emrin e ndërmarrjes. Problemi është edhe si do të zbulohet që është apartament bosh dhe jo në emër, ta zëmë, të një emigranti. Në një vend ku po vijojnë legalizimet e banesave edhe sot e kësaj dite kjo nuk është e thjeshtë.

Por edhe të besojmë se ndërtuesit do ta dëgjojnë apelin e sjellshëm të Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit më duket pak utopike, sepse po të kishin dashur, e po ta kishin parë të leverdishme, do ta kishin bërë prej kohësh këtë veprim, pra uljen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Si do të sillen në rast se vihet taksa? Ndërmarrjet e ndërtimit do të falimentojnë? Apo do të dinë të ndryshojnë drejt aktiviteteve të tjera, p.sh. mirëmbajtje të ndërtimeve ekzistuese dhe krijimin e hapësirave të gjelbërta? Flluska, nëse ekziston, do të shfryhet ngadalë, pa pasoja, apo do të plasë menjëherë? Njerësit pa banesë do të rendin të blejnë apartamente më afër xhepit të tyre, duke krijuar një rreth virtuoz ekonomik, apo kërkesa është shteruar prej kohësh? Kemi shumë të panjohura.

Por nëse flluska e ndërtimeve në Shqipëri pëlcet – se me Tiranën mund të nënkuptojmë të gjithë Shqipërinë – zhurma nuk është e paperceptueshme, si ajo e sapunit, sepse në këtë rast po flasim për shpërthimin e një bombe socio-ekonomike.

Nuk ka komente

  1. Nuk ka kuptim që një ndërtues të ketë me dhjetëra e qindra apartamente e të mos paguajë asnjë kacidhe si taksë.

    Qe ai te paguaje me shume takse, duhet te pushohet nga puna gjysma e administrates te Bashkise te Tiranes (thone te disa zera)

      1. Disa ketu, me Arben Malajn ne krye, e quajne kete aksion te deshtuar pasi nuk punohet me administrate te korruptuar. Dmth pergjysmo administraten, ritrajno ato qe mbeten e pastaj nisja punes. Dmth ky aksion behet vetem pas 25 vjetesh te tjere.

  2. Ndersa une nuk e kuptoj se perse deri me tani shteti nepermjet pushtetit lokal (pasi mbledhja e takses mbi pasurine/pronen eshte kopetence/detyre e pushtetit lokal) nuk e ka bere nje gje te tille?! Me perfundimin e ndertimit te nje godine dhe mbasi investitori ka plotesuar te gjitha kerkesat konform ligjeve shkon dhe ben regjistrimin e godines tek zyra e regjistrimit te pasurise sugurisht ne emer te tij. Qe ne kete moment atij i fillon detyrimi per te paguar taksen mbi kete prone. Ne rastin kur shet nje apartament nje te treti, dhe mbasi regjistrohet tek ZRP, atehere i takon bleresit/pronarit te ri qe te paguaje kete takse. Niveli i kesaj takse eshte kopetence e pushtetit lokal/bashkise dhe vendoset nga keshilli bashkiak.
    Ndoshta, Veliaj e ka pas fjalen per ndonje takse plus, pasi kjo mbi pasurine, ne momentin qe behet fakt i kryer (pra regjistrohet) ka ekzistuar me kohe, te pakten nja 10 vjet e kusur.

    1. Taksa për banesat ka mbi një vit që është caktuar qartë, madje me zona. Mund të lexoni shkrimin këtu. Por me sa duket, niveli lokal i pushtetit ka mundësi që ta shtojë këtë taksë. E ndoshta Veliaj këtë synon të bëjë.

  3. Ideja se masat e Veliajt do ndikojnë vërtet çmimet nuk ka asnjë bazë reale.

    Ai duket kontradiktor kur thotë se nuk do japi leje ndërtimi pa u ulur cmimet nga ndërtuesit. Llogjika ta do që sa më pak ndërtime aq më i lartë cmimi. Kjo tregon që ose Veliaj ia fut kot, ose që industria e ndërtimit në Tiranë nuk funksionon me llogjikën e tregut. Kjo e fundit nuk është fare pa bazë.

    Ndërtuesit janë oligarkët më të mëdhenj në Shqipëri. Këta oligark nuk janë të interesuar për liquiditet, sepse nuk kanë aktivitete që funksionojnë me llogjikën e qarkullimit të parasë dhe investimeve të vazhdueshme. Këta vetëm akumulojnë çfarë zhvasin. Për të mos folur pastaj për paret e drogës dhe të krimit që investohen në ndërtim.

    Por mungesa e nevojës për liquiditet rrëzon edhe hamendjen e Pishakut se mos kjo është flluskë(bubble). Por mund edhe ta kem gabim sepse nuk e di se sa është përqindja e shtëpive me kredi të blear nga konsumatorët dhe ende të papaguara.

    Megjithatë, ka një mënyrë të thjeshtë që taksimi i pronës të mos ndikojë tregun (sikur të kishim një të tillë): pronat e shtrenjta të taksohen më shumë se pronat e lira, që do të thotë zona të ndryshme të kenë taksa të ndryshme.

    1. Kam mendimin se tregu imobiliar në Shqipëri është i droguar. Bëhen më shumë ndërtime seç duhet. E mos harroni pjesën bregdetare të Shqipërisë, ndërtimet me leje e pa leje. Nuk jam i bindur aspak se taksat vilen siç duhet, ja nga korrupsioni, ja nga mungesa e evidencave.
      Ka ndërtues që ndërtojnë vetëm po i dhe paradhënie. Në rast se një apartament në Tiranë kushton 80 mijë euro, fillimisht ai të kërkon një pjesë, pastaj këstet e tjera. Pallati mbaron së bashku me pagesën. Por ndërtuesit i kushton shumë më pak, ndaj edhe ndërton ndonjë kat më shumë. Dhe mund t’i mbeten apartamente për të shitur. E nuk po flas për apartamente brenda unazës, se për ato ka kërkesa, por ato nga unaza e madhe dhe Yzberishi nuk dihet nëse do të shiten ndonjëherë.

  4. kjo ishte nje ide qe eshte zbatuar edhe ne disa vende perendimore, por Veliaj nuk permendi se cmimet e apartamenteve kushtezohen nga cmimet reference te vendosura nga keshilli i ministrave per hir te tatimit. p.sh. ne qender eshte 1000 euro/m2 dhe kuptohet qe ndertuesit nuk mund te shesin gjithekohes me humbje.

    jo vetem ne shitje, por edhe ne vleresimin e qerave qeveria ka vendosur cmime reference sipas zonave, duke nderhyre arbitrarisht ne treg. P.sh. a ka nje studim tregu mbi vleresimin e ketyre qerave? ku kufizohet ndikimi i qeverise dhe drejtorise se tatimeve ndaj ketij cmimi?
    http://www.panorama.com.al/cmimet-e-reja-te-qirave-ja-sa-behet-tatimi-ne-tirane/

    problemi tjeter eshte se nje pjese e apartamenteve nuk kane hipoteka, jane pa leje ose nuk kane paguar detyrimet (p.sh. 4% te vleres per qeverine vendore) se nuk kane likuiditet.

    1. Edhe përsa i përket qirave ka informalitet të llahtarshëm. Sa vetë e paguajnë tatimin mbi qiranë? Besoj pak. Ndërkohë, kjo ndërhyrje krej arbitrare, në kuptimin që nuk bazohet në ndonjë studim realistik, mbi tregun e ndërtimeve nuk më duket i arsyeshëm.
      Pastaj, pavarësisht se nuk e thashë më lart në shkrim, ngaqë nuk ishte vendi, por në çmimet e apartamenteve ndikon edhe KORRUPSIONI.

  5. Sa per ilustrim…
    Me rrefente nje miku im, djali i nje prej ndertuesve me te medhenj ne vend se firma e tij (e te atit) ka perafersisht 1080 apartamente pa shitur. Me shume se sa vete numri, mua me beri pershtypje fakti qe nuk e dinin ekzakt se sa apartamente kishin, por ky eshte problem i imi:).
    Kur e pyeta se perse nuk shisnin me lire, me tha se, se pari nuk kishin asnje nevoje te shisnin per te siguruar likujditet, se kishin plot, pasi nder vite kishin ndertuar kryesisht me leket e bleresve dhe vec kishin akumuluar fitumet dhe, se dyti, kostoja per nje apartament ne zonat perkatese (me se shumti Yzberisht, por edhe Dajt) ishte diku tek 350 euro/m2 dhe ata i mbanin me 500 euro/m2 qe ti hiqin me 450 euro/m2 se, “robt kenaqen kur bejne pazar”. Me pak se 100 euro/m2 fitim – sipas rrefyesit – nuk ka kuptim.
    Pa koment.

    1. Pra me sa duket shqetësimi im e paska një bazë… Numrat që jepje e konfirmojnë. Ndërtuesit (por jo të gjithë, se nuk janë kaq të mëdhenj sa shembulli i sjellë) vërtet mund të mos kenë problem për likuiditet monetar, por po t’i vësh taksë, ato 1000 e kusur apartamente do të bëhen të papërballueshme nga pikëpamja ekonomike. Si rrjedhim, do ta ulnin medoemos çmimin. Në mos urgjen, pas një farë kohe. E kjo i ka pasojat e veta.
      Po ku ta dijë i gjori Kryetar i Bashkisë se sa apartamente janë bosh, kur vetë pronarët nuk e kanë idenë se sa kanë në xhep?

      1. Meqe me yshte ne diskutim dhe, meqe e nisa me eksperienca personale …
        Dy ceshtje qe meritojne vemendje:
        1) kostoja e ndertimeve te cilave iu referohet Erioni por edhe ne ketu eshte 350-390 euro/m2 nderkohe qe cmimet e shitjes variojne nga 450 ne 600 euro/m2 (keto kur jane buze rruges dhe jane te lidhura me rrjetet e kanalizimeve e ujesjellesit; kujtoj qe nje pjese e mire e pallateve ne zonat e Yzberisht e Dajt jane ende me gropa septike!!!). Pra, behet fjale per cmime me nivel jo te larte fitimi per ndertuesit. Pyes, nqs tregu nuk ka kerkese (vecanerisht per ato ndertesa te ngritura ne ekstremitetet e periferive dhe te palidhura me ujesjelles kanalizimet), sa do te mund t’i ulin cmimet ndertuesit? Po sikur te mos iu shiten per kohe shuuume te gjate (ka nder to qe kane mbi 6 vjet pa shitur), e madje as te mos i kerkoje kush me qera, si i behet?
        2) problem eshte se edhe pallatet e rinj (te pas ’90) por te palegalizuar ende (pasi jane me shkelje te lejes se ndertimit, keyesisht) vijojne te jene ne emrin e ndertuesit, i cili do detyrohet te paguaje per dicka qe de jure figuron e tij por de facto posejdohet e gezohet (pa titull) nga dikush tjeter, i cili gjithashtu nga ana e tij i ka shlyer detyrimet. Pra, do krijojet nje detyrim i ri, ne thelb i paqene por ligjerisht korrekt, krejtesisht i padrejte. Kush do ta paguaje? Ndertuesi? Banori? Akoma me tej, po detyrimet ne lidhje me apartamente te pashitura apo te shitura e te palegalizuara ndertuesi i te cilave eshte zhdukur realisht (vdekur/larguar) apo ligjerisht (ka falimentuar sh.p.k.-ja), si do vilen?

      2. ku ta dijë i gjori Kryetar i Bashkisë se sa apartamente janë bosh, kur vetë pronarët nuk e kanë idenë se sa kanë në xhep?

        Kam pershtypjen se, ne ate sistem te ndertuar atje, politikani e di me mire sa para(inventar) ka ne xhep biznesmeni.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin