CATALANO MES KATALLANËVE

Rreth incidentit me kishën e shën Thanasit që ka ndodhur në Dhërmi është ngritur një debat ku kanë marrë pjesë specialistë të fushës, por edhe amatorë dhe militantë politikë të ngazëllyer, pa llogaritur pisqollat.

Kështu konfuzioni dhe zallahia për këtë çështje e kanë kaluar masën.

Artikullin më të mirë, informativ, të qetë dhe sqarues, e ka shkruar Sokol Çunga: Flirtet e Himarës me Rusinë, Venedikun e Vatikanin.

Për Nilo Catalano-n misionar bazilian kanë folur dhe shkruar gjerë akademikët arbëreshë Matteo Mandalà dhe Francesco Altimari, të cilët e njohin mirë fushën dhe personazhin në fjalë; sikurse ka shkruar edhe Moikom Zeqoja.

Mes ndërhyrjeve të tjera, do të veçoja ato të Koço Kokëdhimës nga njëra anë, dhe të Panajot Barkës nga ana tjetër.

Megjithatë, është vendi për të bërë nja dy-tre distinguo, pa u hyrë natyrisht në meritë të diturve.

Së pari, nuk ka dyshim që siciliani Nilo Catalano, si misionar bazilian, kish ardhur në Shqipëri për të prozelituar ndaj ortodoksëve dhe për t’i kaluar disa nga këta në anën e Vatikanit si katolikë të ritit bizantin (grek); jo me misionin për të përhapur shkrimin shqip, për ta përdorur shqipen në shërbesat dhe për t’u mësuar shkrim e këndim vendësve në gjuhën shqipe.

Megjithatë, që këta misionarë të ardhur nga përtej-detit guxuan dhe vendosën të përdorin gjuhën shqipe në katekizëm dhe në shërbesat fetare, si dhe të japin mësim në gjuhën vendëse – pavarësisht nga motivet e tyre – ka rëndësi kritike për historinë e shkrimit shqip, të arsimit shqip dhe të kombit shqiptar.

Në kontekste të tilla, të larguara në kohë, motivet specifike e humbin peshën, përkundrejt efekteve afatgjata që kanë pasur.

Vitet e fundit janë bërë një numër zbulimesh të rëndësishme arkivore, në lidhje me veprimtarinë e misionarëve bazilianë dhe të klerikëve dijetarë arbëreshë, gjatë shekullit XVII, në të dy brigjet e Adriatikut. Këto zbulime që mbushin një zbrazëti në historinë e krijimit të kombit shqiptar modern dhe të përgatitjes së Rilindjes kombëtare, i duhen përcjellë njëfarësoj edhe publikut të paspecializuar.

Nga kjo pikëpamje, vepra e Nilo Catalano-s meriton vëmendje më të madhe nga institucionet laike të shtetit shqiptar, përfshi këtu edhe nderimin e tij simbolik ose përkujtimor.

Së dyti, që ky bazilian i shquar ka dhënë kontribut të madh në fillimet e kombit tonë, nuk do të thotë se shteti ynë dhe institucionet publike duhet të favorizojnë në ndonjë farë mënyre Uniatizmin dhe Kishën Uniate në Shqipëri, qoftë edhe për të kundërpeshuar ndikimin dhe tutelën e Greqisë fqinje ndaj KOASH-it. Kjo është punë delikate, të cilën duhet ta rregullojnë mes tyre kishat përkatëse, pa ndërhyrje të shtetit.

Së treti, çështja e varrit të këtij misionari bazilian nuk ka lidhje me përpjekjet e tij për katekizmin, shkollën dhe shkrimin shqip. Ka një farë kurioziteti historik të gjendet se ku është varrosur Catalano-ja dhe të sqarohet nëse eshtrat e tij janë transferuar apo jo më pas dhe pse; por kjo mund t’u interesojë vetëm disa specialistëve të fushës. Përndryshe, le ta themi hapur, eshtrat e këtij baziliani të nderuar nuk i hyjnë në punë kujt; dhe diskursi nekrofilik që ndeshim tani në mediat i ka rrënjët në politikë. Nëse Catalano-ja u varros në kishën e Shën Thanasit, fakt është se kisha ortodokse e zonës, objektivisht armiqësore ndaj misionit të tij, nuk ia preku eshtrat për disa shekuj; dhe nëse varri i tij është hapur dhe përdhosur tani vonë, kjo do të jetë bërë për motive të dobëta.

Së katërti, ajo çfarë ndodhi tani me ndërtesën e kishës së Shën Thanasit nuk ka lidhje me veprimtarinë kulturore (dhe aq më pak ungjillëzuese) të Nilo Catalanos në Himarë. Ishte një veprim administrativ, i cili duhet gjykuar ashtu – jo duke sjellë në tryezë argumente kulturore-historike. Besoj se ka rregulla dhe procedura të cilat qeverisin veprime të tilla; dhe duhet parë si dhe sa janë zbatuar ato, në rastin specifik; larg retorikës kombëtariste dhe rapsodive.

Së pesti, asgjë nga çfarë është thënë këto ditë për Catalano-n nuk është e re; njëlloj mund të ish thënë edhe para se të prishej kisha; edhe para dy-tre muajsh, edhe para dy-tre vjetësh. Popullarizimin e kësaj figure në kulturën shqiptare nuk e ka penguar as Ortodoksia, as një ndërtesë e ngritur – me ose pa leje – mbi varrin e tij të supozuar.

Dhe nëse është kështu, më tingëllojnë keq fjalët e mëposhtme të K. Kokëdhimës, në artikullin e lartcituar:

Tashmë besohet në mënyrë të sigurtë që eshtrat e Katalanit u gjetën dhe konservuan nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe Bashkia e Himarës ka rënë dakord me një plan për ta rindërtuar kishën e vjetër të Shën Thanasit dhe për ta rivarrosur me nderim këtë figurë të ndritur me origjinë siçiliane, por të arbëreshizuar, të shqiptarizuar. Pjesë e këtij plani është vendosja e shenjave të kujtesës këtë vjeshtë për të gjithë murgjit bazilianë në Himarë dhe në bregdetin shqiptar. Më 10 nëntor, më shumë se 20 akademikë shqiptarë do të referojnë kumtesat e tyre për këtë periudhë aq të rëndësishme të historisë të Himarës e të Shqipërisë dhe për gjithë orientimin properëndimor që zgjodhi e ndoqi Himara në shekujt 16-19. Për këtë kanë punuar me një përkushtim të pashoq gjithë profesorati i Universitetit të Vlorës, koordinuar nga prof. Roland Zisi. Po nuk mund të lë pa përmendur shkencëtarët arbëreshë Francesko Altimari (akademik) dhe Mateo Mandala; studiuesit e mirënjohur italianë Stefano Parenti e Giovanni Cimbalo; si dhe studiues të tjerë aq të vlerësuar nga vendet fqinje e nga vendi ynë, si Dhori Qiriazi, Pëllumb Xhufi, Anila Omari e Shaban Sinani. Kjo konferencë do të zhvillohet me kujdestarinë morale e intelektuale të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sepse tingëllon e paka pa vend, që të vendosen në një kontekst prishja e një kishëze me mobilizimin e albanologëve nga qeveria, “nën kujdestarinë morale dhe intelektuale të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama”. Është punë e akademikëve të nderuar në fjalë, nëse dëshirojnë të nderojnë kujtimin e “murgjve bazilianë” dhe të shtjellojnë “orientimin pro-perëndimor të Himarës” në shekujt XVI-XIX; por albanologjia nuk ka nevojë për kujdestari morale dhe aq më pak intelektuale, që t’i dëgjohet zëri i vet.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit ose të një administratori të blogut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin