MREKULLIA E TAKSAVE

Dje kishte një intervistë të Arben Malajt tek gazeta Dita, që mendoj se duhet lexuar për elokuencën në trajtimin e problemit të ekonomisë dhe politikës. (Arben Malaj: Me shifrat luhet kollaj, me realitetin jo).

Në intervistë të bën përshtypje niveli i gazetarit, i cili ndërsa interviston një ekonomist për ekonominë, duket se nuk e njeh edhe aq subjektin.

Kundrejt pyetjes së gazetarit se:

A ka funksionuar vendosja e taksës progresive për përmirësimin e situatës ekonomike, apo duhet t’i rikthehemi debatit për taksën e sheshtë? (Vini re bindjen në aftësitë mrekullibërëse të taksave në ekonomi!)

Malaj me të drejtë shpjegohet se:

Taksat nuk janë shkopi magjik i qeverive për ta ndryshuar menjëherë situatën ekonomike. Po të ishte kështu disa vende të zhvilluara nuk do të kalonin kriza buxhetore, sociale, ekonomike e politike. Taksat kanë lindur bashkë me shtetin, por edhe pse kjo është një bashkëjetesë disa qindra vjeçare, nuk gjenden raste që taksa të caktuara kanë sjellë “parajsën e premtuar”. Ka faktorë shumë më jetikë për nxitjen e konsumit, investimit, produktivitetit dhe eksporteve për të mbështetur një rritje ekonomike më të lartë, si parakusht për stabilitet të financave publike, sesa çdo taksë e veçantë. – thotë Malaj

Më tutje gazetari kalon në një tjetër pjesë të rendit të ditës së debatit ekonomik në Shqipëri që janë doganat dhe tatimet.

Tatimet dhe doganat janë dy sektorë strategjikë të ekonomisë. Si ka qenë performanca e kësaj qeverie në këta sektorë? – pyet gazetari

Përsëri Malajt i duhet të korrigjojë drejtimin e pyetjes:

Tatimet dhe doganat nuk mund të jenë asnjëherë sektorë strategjikë të një vendi.’ – thotë Malaj. ‘Ato janë agjensi qeveritare që kanë si mision të lehtësojnë biznesin dhe të mbledhin taksat (puplat) pa i “rrjepur edhe lëkurën patës/takspaguesit”. Lehtësimi i biznesit, lehtëson rritjen e rritjes ekonomike. Ato, tatimet dhe doganat, lehtësojnë rritjen e të ardhurave buxhetore duke rritur burimet potenciale për më shumë investime publike për shkolla, spitale, rrugë, sidomos rrugët rurale që kanë efekte të konsiderueshme në luftën kundër varfërisë. Ato janë agjensi implementuese dhe jo hartuese të politikave fiskale, ndaj vlerësimi i tyre behet lidhur me cilësinë e implementimit të politikave të taksave, cilësinë e mbledhjes së taksave dhe efektivitetin e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit. Studiuesit e politikave fiskale e barazojnë impaktin e taksave të mira ose të këqija me impaktin e administrimit të mirë ose të keq, duke paralajmëruar që edhe një taksë e mirë me administrim të keq prodhon rezultate të këqija, sepse dëmton biznesin. Nuk besoj se duhen këshilltarë të huaj të përkthejnë apo implementojnë parimet bazë të taksimit, të shkruara aq qartë nga Adam Smith.  Parimet e taksimit të Smithit (http://www.yourarticlelibrary.com/economics/taxation/top-4-principles-or-canons-of-a-good-tax-system/38120/) është mirë të jenë në tavolinën e çdo punonjësi të administratës fiskale, pse jo edhe të disa politik-bërësve dhe të ballafaqohen me aksionet për mbledhjen e sforcuar të taksave apo të reduktimit të informalitetit me aksion.’

Këto që thotë Malaj janë të drejta. Por në kakofoninë e opinionit të ministrave, drejtorëve, opozitës dhe gazetarëve të çoroditur, është e tepërt të thuash që zëra të tillë të arsyeshëm e llogjikë në trajtimin e porblemeve ekonomike dhe politike humbasin. Në psikikën e gjithëkujt që debaton për problemet e krizës ekonomike në Shqipëri, termat ‘dogana’ dhe ‘tatime’ zënë vendin kryesor dhe barazohen me të ardhura dhe rritje ekonomike. Dhe askush nuk guxon t’ua vërë në diskutim meritat këtyre argumenteve.

Çështja është se si mund t’i kërkohet llogari, apo bëhet presion për ekonominë një qeverie, një grupi politikanësh, apo akoma më keq si në rastin e Shqipërisë një grupi oligarkësh, ndërsa gazetarët që besohet se formulojnë opinionin publik as nuk e dinë, dhe përtojnë të dinë, se cilat janë problemet e ekonomisë; por edhe i marrin termat dhe konceptet shabllon nga politika pa i përtypur dhe pa asnjë lloj sensi kritik? Vajmedet pastaj opozita, e cila ka dalë me formulën e taksës së sheshtë 9% si zgjidhja e padiskutueshme e problemeve ekonomike.

Kështu debati mbi ekonominë ka hyrë në një rrugë pa krye, që Malaj e quan ‘populizëm’.

Por vështirë të besohet se të gjithë ata që flasin kështu – që kërkojnë rritjen e ekonomisë tek ‘doganat’ dhe ‘politika fiskale’ – e bëjnë këtë për populizëm. Por edhe sepse problem i doganave dhe tatimeve rroken më lehtë si koncepte sesa problemet reale të rritjes ekonomike që i përmend edhe Malaj, siç janë:

  • Përmirësimi i klimës së besimit nëpërmjet institucioneve të rendit, drejtësisë dhe stabilitetit në politikat fiskale dhe monetare nga ana e shtetit.
  • Tërheqja e investimeve nëpërmjet planifikimit dhe zhvillimit të sektorëve strategjikë të qëndrueshëm.

Mbi shumicën e atyre që flasin me gjuhën shabllone zyrtare, ndikon gjithashtu edhe mungesa e eksperiencës ndaj problemeve ekonomike në një shoqëri të lire në Shqipëri. Por jo vetëm mungesa e experiencës, por edhe interesi i ulët që ushqehet në opinionin publik për probleme kaq jetësore nga një media që gjakon me tabloid-et.

Shqipëria është sot në krizën ekonomike më të thellë dhe më serioze qysh prej 1997-ës. Dhe nëse ka ndonjë mësim të vetëm që vjen prej asaj kohe, është se problemet ekonomike nuk zgjidhen as me kokëfortësi dhe as me konflikt politik. Kurse ata që i kanë zgjidhur, thonë se zgjidhen mirë vetëm me arsye dhe njohje.

Fatkeqësisht, shembuj prej tyre po marrim shumë pak.

Nuk ka komente

  1. Ju thoni se: “Shqipëria është sot në krizën ekonomike më të thellë dhe më serioze qysh prej 1997-ës.” Pra, nese tani jemi ne krize, do te thote qe me perpara ishim ne bollek ekonomik (nese mund ta quaj keshtu). A mund te me thoni se kur ishim ne bollek pervec viteve 1995 – 1996 kur lulezuan piramidad. 🙂

    1. E pranoj që nuk e njoh gjëndjen në Shqipëri. Mund ta kem gabim, dhe shpresoj ta kem gabim. Por duke parë shifrat, duket se ka një përsëritje të një rënie të nisur qysh më 2010-ën dhe që u duk sikur e mbylli ciklin me rritjen e 2014-ës. Por nëse vërtet do kemi një rënie nga viti i kaluar (sikurse po flitet me gjysëm zëri), dhe duke pasur parasysh nivelin e borxhit të rritur (dyfishuar tashmë) dhe uljen e investimeve, me siguri do ta bëjë këtë rënie më të vështirën.

      Siç thatshë uroj ta kem gabim!

      Gjithësesi, ndonëse me humor pyetja juaj prek mbi krizën permanente të ekonomisë Shqiptare, me një ritëm: krizë e madhe / krizë e vogël. Dhe këtë nuk mund t’ia faturojmë veçse menaxhimit politik (oligarkik) të ekonomisë.

      1. Shqiperia i dashur Ujk, qe pas shembjes se diktatures, ekonomikisht ra ne fund te detit, pra shkoj ne tabanin e tij. E nuk ka levizur akoma qe andej. Po levizi dihet se vetem per lart do shkoje dhe une kete uroj! 🙂

      2. Nuk e ke aspak gabim. Shqipëria ka njohur pa dyshim një hov ekonomik në dekadën që kaloi, edhe pse e krahasuar me një nivel të ulët pikënisjeje. Këtë zhvillim e tregojnë shifrat ekonomike të asaj periudhe – rritja vjetore e PBB-se mbi 5%, ulja e papunësisë dhe emigracionit, rritja e shpejtë e rrogave, investimeve, edhe pse modeste, në infrastrukturë, borxhi publik relativisht i ulët – por edhe optimizmi i atëhershëm i shoqërisë. Shumë shqiptarë që kanë punuar aty atë periudhë ose dhe nga ata që e kanë vizituar Shqipërinë para 2009, mund ta vërtetojnë këtë atmosferë optimizmi, ndonjëherë ndoshta dhe euforike, të atyre viteve.

        Gjërat ndryshuan komplet pas 2010: rritja e ekonomisë anemike më poshtë se 3% në vit, deficite gjithandej, borxhe pa masë, papunësi në rritje, emigracioni gjithashtu.

        Problemi, te paktën ai që shoh unë si të tillë, është se ato vite të mbara ekonomike të dekadës së kaluar dhe ato kapitale masive që hynë në vend atëhere – të paktën 15 miliardë dollarë, në total, nga emigracioni dhe nga kreditë private të sektorit bankar – nuk u përdorën për të hedhur fundamentet e një ekonomie të brendshme të shëndetshme, por u bënë rrush-e-kumbulla në ndërtime pallatesh të shpifura, dyqanesh cep-më-cep dhe për konsum mallrash importi: nga specat e domatet, tek brekët e kanatieret dhe deri te benz-at grotesk rrugëve të Shqipërisë.

  2. Kur gishti tregon hënën, torrollaku shikon gishtin. Kështu dhe puna e fiksimit të mediave dhe opozitës te lloji i taksës, progresive apo e sheshtë. Se ç’kuptim ka të merresh me llojin e taksës në një vend ku, jo vetëm niveli i taksave është qesharak, por dhe ku asnjë biznes nuk deklaron as xhiron dhe as fitimin real, këtë vetëm ato mund ta dinë. Apo të mos e dinë.

    Taksat mbi fitimin në Shqipëri janë:

    250 dollarë fiks në vit për sipërmarrjet e vogla.
    7.5% mbi fitimin për ato të mesme dhe
    15% mbi fitimin për ato të mëdha.

    Kujt i duken të larta këto nivele taksash, ai nuk jeton në këtë botë!

    Më kryesorja, bizneset që deklarojnë xhiron e plotë dhe që paguajnë nivelin e taksës që u takon, në Shqipëri numërohen me gishta. Duhet të jenë me qindra sipërmarrjet, në fakt të mesme, që deklarojnë xhiro më të ulët se niveli 2 mio Lekë në vit dhe që paguajnë kështu vetëm taksën fikse të biznesit të vogël. Edhe ato biznese të mesme që janë rregjistruar si të tilla, deklarojnë xhiron vetëm pak më lartë se 2 mio, duke llogaritur kështu vetëm fitime minimale të taksueshme.

    E njëjta gjë praktikohet masivisht dhe nga sipërmarrjet e mëdha, që deklarojnë xhiro vjetore sa për një biznes të mesëm, duke paguar vetëm 7.5% në vend të 15%. Marifeti më popullor i biznesit të madh, përveç deklarimit të xhiros së ulët, është shpikja dhe fryrja e shpenzimeve të sajuara, duke minimizuar kështu fitimin e llogaritur dhe taksat e paguara. Bankers Pertoleum Albania, prodhuesi më i madh i naftës në vend, mban “vendin e nderit” në këtë drejtim, duke mos dal me fitim asnjëherë që prej fillimit të aktivitetit në Shqipëri, 10 vite më parë, dhe duke paguar zero taksë fitimi çdo vit. Zero!

    Që mediat fiksohen te “mrekullia” e taksës së sheshtë – kjo ose është e qëllimshme, në shërbim të oligarkëve pas tyre, ose është thjesht një tregues tjetër i “profesionalizmit” të mediave në Shqipëri.

    Se ç’bëri taksa 10% apo 15%, kur asnjë s’e paguan, këtë ngelet të na e shpjegoj ndoshta opozita, që ka javë që u bie trumpetave për rikthim te taksa e sheshtë. A thua se, kur taksa ishte 10% punët ekonomike të Shqipërisë dhe gjendja e buxhetit shtetëror ecnin më mirë. Të ishte kështu, nuk e kishte çuar borxhin qeveria e atëhershme dhe opozita e sotshme në 67% të PBB-së, nga 56% që e gjeti kur erdhi në pushtet. Se të ardhurat asaj qeverie do t’ia sillte medemek taksa e sheshtë, po të kishte qenë aq e suksesshme. Që opozita tashmë seriozisht propozon si shpëtim 9% taksë të sheshtë, kjo hynë në kategorinë e kurioziteteve ekonomike të tipit “të pabesueshme, por të vërteta”!

    Në vend që mediat të merren me shkaqet e rënies së të ardhurave nga doganat dhe tatimet – rënies së konsumit, investimeve, importeve, flukseve hyrëse dhe dalëse të kapitalit – kapen vetëm pas evazionit, a thua se evazioni dhe vjedhja kanë lindur vetëm këto 6 muajt e fundit në Shqipëri.

    Në vend që të kërkojnë pengesat e vërteta të investimeve të huaja dhe të brendshme në Shqipëri dhe të ngren zërin për zgjidhjen e tyre – korrupsioni, katrahura me titujt e pronësisë, pasiguria ligjore, infrastruktura e dobët dhe vështirësitë në gjetjen e personelit të kualifikuar – shtypi dhe televizionet kapen pas taksës së sheshtë, a thua se ky është shkopi magjik që bën atraktive Shqipërinë te investorët.

    Në vend që të analizojnë zhvillimet ekonomike të dy dekadave të fundit, sektorët përbërës të ekonomisë dhe raportet mes tyre, ekuilibrat dhe disekuilibrat makroekonomik dhe ato financiare, shkaqet e dobësisë së prodhimit vendas e të eksportit dhe të kërkojnë rrugët për nxitjen e tyre, për ribalancimin e ekonomisë, për sektorë të rinj me potencial zhvillimi etj – ato presin mrekullira nga politikat fiskale.

    Në intervistën e Malajt do të kisha dashur që të lexoja dhe propozimet e tij konkrete – nisur nga përvoja e tij e mëparshme në ekonomi dhe si ministër i Financave – se si mund të stabilizohen financat e shtetit në këtë kohë krize dhe, në një vështrim më afatgjatë, disa ide se në ç’drejtim mund apo duhet të zhvillohet ekonomia shqiptare në të ardhmen. Por për këtë duhet që gazetari intervistues ta njoh pak më shumë materien dhe të dijë se ç’pyetje të bëj. Përndryshe “shkon dëm” dhe eksperti më i mirë… : )

    1. Ketu ka nje debat per ceshtjen e taksave. Autori qe mbron taksen e sheshte perdor nje argument qe e perdori edhe FMN kur dha kredine: taksa progresive, pra suksesi i saj lidhet me performancen e administrates tatimore. Vetem ky faky nuk pranohet nga qeveria e cila po mendon te aplikoje parimin e grupit te gatshem edhe ne mbledhje taksash. Pse nuk cenohet znj. e Tatimeve, apo disa drejtore aty qe mbajne bilancet e bizneseve? Kush e di, nuk e thote se nuk do ta besoje as vete. Kjo eshte gjendja.

    2. Marifeti më popullor i biznesit të madh, përveç deklarimit të xhiros së ulët, është shpikja dhe fryrja e shpenzimeve të sajuara, duke minimizuar kështu fitimin e llogaritur dhe taksat e paguara. Bankers Pertoleum Albania, prodhuesi më i madh i naftës në vend, mban “vendin e nderit” në këtë drejtim

      Pa na trego nje here se ku e si paskan sajuar shpenzime ata. Jo per gje, por ngelen duke shpu e rahbilitu puse (rreth 400 syresh), e duke ble tuba e diluent.

      1. Urdhëro, meqë e ke merak:

        “Bankers”, AKBN nuk i njeh 303 milionë USD shpenzime
        Nga Gazeta Shqip – 11 Gusht 2015
        http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/08/11/bankers-akbn-nuk-i-njeh-303-milione-usd-shpenzime/

        Mes të tjerave:

        “Pak ditë më parë, Dael Dervishi, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) ka pohuar për “Monitor” se AKBN ka konstatuar një nivel shumë të lartë të kostove që i konsideron të parregullta, pra të kryera jo në përputhje me licencë-marrëveshjen nga auditimet e kryera për 10 kompani hidrokarbure në kërkim dhe prodhim. Vlera e këtyre kostove është tepër e lartë, mbi 500 milionë dollarë llogariten kostot e parregullta, që janë shpenzime të parregullta (të fryra dhe të pajustifikuara). Për shembull për disa shërbime, që duhet të kryhen duke bërë më parë me tender të hapur, AKBN ka konstatuar që këto procedura janë evituar. Ka pasur dhe raste të tjera të ngjashme, ndërsa nuk ka pasur asnjë mekanizëm që rregullonte eficencën e kostove.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin