FJALËT E KRIJOJNË PEIZAZHIN

Ka plot shkrime që komentohen vetë, nuk kanë nevojë as për shpjegime e as për reagime. Janë si të thuash të vetëmjaftueshme, pasi janë shumë të qarta në sytë e publikut për mesazhin që bartin. Nga ana tjetër, me natyrën e tyre bllokojnë e neutralizojnë çdo lloj hapësire për diskutim e dialog.

Një prej tyre është pa dyshim edhe shkrimi “Ardian Vehbiu si kurbetçiu i akçihaneve”, me autor Agron Gjekmarkaj, botuar sot (27 tetor 2015) në gazetën “Panorama”, sipas gjasës pas shkrimit të Vehbiut, me titull “Si të protestosh” në Peizazhe të fjalës, ku ngrinte disa probleme të rënda të mediave shqiptare.

Artikulli ta heq dëshirën e komentit, ose të replikës, sepse është një sulm i ashpër ad hominem, duke e skualifikuar veten thjesht ngaqë nuk i përmbahet temës e, për më tepër, nuk përmban asnjë argument. Pa përmendur fyerjet e rënda dhe epitetet denigruese, për të cilat është e vështirë të jepen shembuj se janë të shumtë, ngaqë i tërë editoriali është i mbushur plot e përplot, madje me një crescendo të frikshme. Por nuk mund të sillen gjithashtu, pasi do të përsërisnim aq shumë pështymë e vrer fjalësh saqë do të na vinte ndot prej vetes. Ndërkohë, çdo lloj përgjigjeje me të njëjtën monedhë do të konsiderohej si tradhti ndaj etikës profesionale dhe edukatës qytetare.

Por nuk ishte kjo arsyeja që më bëri të shkruaj këto radhë, sepse Vehbiut i këndon pena vetë dhe nuk ka nevojë për mbrojtje, aq më tepër në raste të tilla, kur zelli i tepërt i akuzuesit dëmton kauzën e vet; u detyrova të hedh dy mendime sepse në editorialin e mësipërm u përbaltua edhe blogu Peizazhe të fjalës. Në një pasazh të editorialit lexohet se Vehbiu lëshon anatemat si ‘rrufe zhgjetare’ nga akçihania e tij virtuale”; në një vend tjetër doza shtohet: “Çdokush mund ta shohë blogun e tij, i cili ngjan me një makinë fekalesh të azdisura”; e diku tjetër shkruhet ironikisht “blogu i tij zulmëmadh…” . Duket qartë se blogu Peizazhe të fjalës është në qendër të sulmit.

Tani, pikë së pari, në blog shkruajnë disa autorë, që janë shtuar me kalimin e kohës, sikurse janë rritur autorët e ftuar dhe kolegët që komentojnë rregullisht prej vitesh. Sipas logjikës së shkrimit të lartcituar, të gjithë këta, përfshirë mua, bëjnë pjesë në një “akçihane virtuale” dhe ndezin një “makinë fekalesh të azdisura”. E nuk janë jashtë loje as mijëra lexuesit e dashamirësit që e vizitojnë rregullisht.

Projekti i Peizazhe të fjalës lindi me idenë e krijimit të një hapësire të lirë dhe qytetare, ku të lëvrohej mendimi dhe diskutimi i kulturuar, edhe kur ky i fundit merr tonet e debatit. Liria e mendimit dhe e shprehjes kërkon së pari respektin ndaj Tjetrit, njohjen e tij si palë në debat, jo denigrimin totalitarist dhe asgjësimin e fjalës së tij duke e sulmuar me emër e mbiemër. Të gjitha format e argumentum ad hominem janë në thelb fashistoide, sepse synojnë mbylljen e gojës duke përdorur sharje dhe fyerje personale. Në fakt, një nga rregullat më të rrepta që ka ky log virtual është pikërisht bllokimi i çdo sulmi ad hominem, që në realitet dëshmon për dështimin e dialogut, por edhe për mungesën e forcës bindëse.

Edhe pse pa reklama dhe grante, blogu është përpjekur t’i japë një shembull tjetër modelit mediatik që është instauruar pjesërisht në Shqipëri, ku banaliteti vulgar prek shpesh shëmtinë pornografike, ku përbaltja e kundërshtarit merr trajtat e dhunës, çka krijon përzierje helmuese dhe mjedis asfiksues për komunikimin publik dhe fjalën e lirë. Në fakt, edhe në polemikat më të ashpra, në shkrimet e blogut nuk do të gjeni kurrë fyerje personale, sepse fjala e lirë ruhet e kultivohet gjithashtu duke ia pastruar vendin nga barishtet e këqija.

Nga ana tjetër, blogu është karakterizuar si një nga hapësirat virtuale shqiptare ku komentet cilësore jo vetëm respektohen dhe nxiten, por edhe vlerësohen. Një palestër e vërtetë demokracie dhe dialogu. Në asnjë rast nuk janë hequr komente që shprehin mendime të kundërta me autorin e shkrimit, sikundër ndodh sot e kësaj dite në mediat shqiptare, por janë vënë disa rregulla të përbashkëta për ta mbrojtur blogun nga trollët dhe rrugaçët. Arsyeja është se këta e kthejnë hapësirën e komunikimit të qytetëruar në mure të nevojtores publike, ku shkruajnë pisllëqe nga më të ndyrat. Ndërsa peizazhin e bukur të fjalës e ndotin me gjithfarë mbeturinash toksike. Për respekt të lexuesit të qytetëruar i duhen treguar rregullat e mirësjelljes dhe më pas pasojat e mungesës së saj.

Sa për cilësinë e shkrimeve, pavarësisht nga idetë që shprehin, nuk ka shumë diskutime. Përjashto shkrimet e autorit të këtyre radhëve, të gjitha të tjerat janë të një niveli shumë të lartë, çka pranohet pothuajse nga të gjithë ata që nuk kanë paragjykime. E nuk është mister që materialet e blogut kanë qenë minierë ari në qiell të hapur për lexues, studiues dhe media, çka ia rrit vlerën kësaj hapësire, edhe pse ndonjëherë ia nëpërkëmb të drejtat e autorit.

Ka qenë pikërisht kjo hapësirë virtuale, pra Peizazhe të Fjalës, e cila që në fillesat e veta parapëlqeu dhe zgjodhi argumentin e bazuar ndaj emrit të përveçëm, temën e trajtuar ndaj biografisë së autorit, arsyetimin ndaj akuzës, dialogun ndaj përbaltjes, respektin ndaj urrejtjes, edukatën ndaj rrugaçërisë, kulturën ndaj injorancës, ballafaqimin ndaj përplasjes. Këto kanë qenë arsyet e suksesit në rritje të vetë blogut, sikurse ka ndikuar liria që shpreh me mendimet veta, çka nuk do të thotë paanshmëri, por angazhim qytetar e të ndershëm për të mirën publike.

Sfida është e stërmadhe, sepse vështirë të qëndrosh përballë një ventilatori që ushqehet herë me baltë e herë me indiferencë, por është e vetmja rrugë për të rimëkëmbur hapësirën e ligjërimit publik në Shqipëri, qoftë duke dhënë një shembull tejet modest. E meritojnë rastet pozitive që nuk mungojnë as në media, por mbi të gjitha e kërkon Shqipëria e së nesërmes.

Nuk ka komente

  1. Edhe une ngela i shokuar nga artikulli i lartcituar. Edhe nese mund te kuptoj xhelozite apo cmiren e autorit Gjekmarkaj, artikulli me ka lene pa fjale. Respekti per tjetrin eshte paresor ne marredhenjet publike perfshire edhe botimet, parim qe eshte shkelur pa asnje kompromis ne kete shkrim – gje qe me duket teper e ulet.
    Pejsazhe te Fjales gjate tere ketyre dhe duhet thene jo pak viteve, ka pasur si dimension cilesor, pikerisht kete respekt per tjetrin perfshire edhe kundershtarin ne ide, si ne shkrime dhe ne moderimet e bera. Ndaj nuk ishte nje sulm i pershtatshem , qe ne vetvehte eshte nje tregues per autorin e shkrimit, nje note negative per reputacionin e Gjekmarkaj, tanime i demtuar.

  2. Pishak, duke parë shkrimin tënd, pyeta veten nëse ia vlen t’i kushtohet vëmendje individëve të tillë. Çakërdisja e tij shkonte deri në turbullirë mendore sa fliste vetë… Pastaj e gjithë kjo histori më kujtoi në shkrim të një psikiatri të ri polak, që kishte bërë një specializim të mirë në aromaterapi. Dhe tregon ai se në një rast një pacient, ndërsa psikiatri ynë kërkonte të ngjitej deri në fëmininë e tij (për të kuptuar personalitetin e tij) duke i propozuar t’u merrte erë parfumeve të fushave, luleve të kopshteve etj, ai vërente se pacienti vetëm se acarohej. Psikiatri ndërpriste seancën se ai tjetri bëhej i rrezikshëm. Ndodhte që gjatë këtyre ndërprerjeve pacienti të shkonte në tualet për nevojat e tij. Kur vinte prej andej ishte njeri krejt tjetër. I qetë, komunikues, i gatshëm të bashkëpunonte me mjekun e tij.
    Kjo e habiste psikiatrin që nisi të kërkojë në këtë drejtim. Dhe diku zbuloi se pacienti i tij e kishte kaluar fëmijërinë diku në të dalë të një qyteti, atje ku derdheshin kanalet e urave të zeza. Aty kishte shtëpinë dhe me ato erëra ishte mësuar e rritur që tre orë pas lindjes. Ato ishin mjaft familjare dhe ngushëlluese për të. Cdo erë tjetër, çdo parfum erëmirë e irritonte.
    Tani me shkrimin e tij, Vehbiu tërheq vëmendjen për sasinë e madhe të, ekskrementeve që i serviren publikut nëpërmjet shtypit. Një gjë e tillë është pritur mirë nga qindra vetë, me sa po shoh. Kjo duhej pritur se të gjithë janë të prirur më fort ndaj erës së mirë gjatë një komunikim intelektual se ndaj asaj të fekaleve.
    Tani, të gjithë them unë. Por me sa duket jo të gjithë. Ka kultivarë që kjo i acaron, ka që vetëm duke futur kokën në zbrazjet trupore ndihem mirë. Si në fëmijërinë e tyre. Duhet te pranojmë se bota kështu është, pa dashur të shprehem se kjo është e mirë a e keqe.

  3. Une kete robin, edhe perpara ketij shk(a)r(k)imit te fundit, e kisha pare ne petkat e Salierit, te pakten ashtu sikunder e pershkruan Milos Forman tek “Amadeus”, nje pucer e mbarsur plot smire…
    Ardian Vehbiu nuk do te kalbet mbi dhe, por emri dhe vepra te tij do te jetojne edhe vite pasi ai te lere kete bote.
    Blogu “Peizazhe te fjales” qe sot e ka nje impakt


    1. Mund t’a them nga eksperienca personale se, me dhjetra studente nder vite, jane inspiruar nga postimet dhe/ose komentet e ketij blogu per esete e tyre universitare. Per te mos folur per kenaqesine intelektuale qe fal leximi i shkrimeve te blogut.
      Vras mendjen perse do te kujtohet tjeter ky Gjekmarkaj, pervecse si njeriu qe gjemonte pas Vehbiun dhe shkarraviste nderkohe qe ky i fundit “pikturonte” peizazhe te fjales.
      Dereziu a diteziu, por fundja, kur nuk ia ndjen ate qe do te kujtohet, perse duhet te ma ndjeje mua?

  4. A nuk mund te jete qe Gjekmarkaj shkruan se do qe te bjere ne sy, t’ia varin, te kuptojne qe edhe ai ekziston. Jo ne menyre te vetedijshme natyrisht, por thelle thelle, me duket mua, ky eksitimi histerik me te cilin ai nuk humbet shans qe te denigroje Vehbiun dhe Peisazhet, nuk eshte gje tjeter vecse identifikimi i qenies se tij me konfliktet, cicmicet dhe thashethemet keqadashese te lagjeve te qemotshme. Keshtu qe, i lutem ketu Ardianit, po dhe te tjereve, qe te mundohen ta injorojne. Te mos te vazhdojme te bejme pikerisht ate qe ai (e te tjere) do: reagimin tone. Dhe e njejta gje vlen edhe per artikullin shkaktues te gjithe kesaj “ndodhie”… Injorojini, ju lutem. Mendoj se, ne afate te gjata, do te ishte e vetmja arme efikase.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin