SI TË PROTESTOSH

Këto ditë, kush ka pasur oreks, do të ketë ndjekur sherret në “Panorama” dhe gjetiu, që nisën kur një kantautor, Gjergj Leka, dha një intervistë me karakterizime të diskutueshme për disa kolege të tijat.

Ja si e prezantoi “Panorama” këtë material.

Gjergj Leka

Sherri vazhdoi më pas, duke infektuar edhe media të tjera; një argument sa i pahijshëm aq edhe banal, të cilin as edhe tabloidi më i vdekur urie nuk duhej ta kish vënë në faqe të parë.

Nuk e njoh Gjergj Lekën dhe muzikën e tij, nuk e kam vrarë ndonjëherë mendjen për qëndrimin “moral” të këngëtarëve pop, të cilët zakonisht i vlerësoj për zërin e bukur, mjeshtërinë skenike dhe shijen.

Nuk them dot asgjë për vërtetësinë e çfarë ka thënë ai zotëri në intervistë, as më intereson të merrem me thashetheme.

Por më vjen keq që shtypi shqiptar është katandisur në këtë nivel dhe i flet publikut me gjuhën e vulgut; teksa asnjë nga kolegët dhe miqtë e mi nuk proteston.

Edhe ata që ndërhynë këto ditë, më tepër e bënë për të vënë në vend “nderin” e këngëtareve të përgojuara nga Leka, dhe shumë më pak për kontekstin ku i detyron të bëjnë debat “Panorama.”

Mu ngjitur me muhabetet për kurvat dhe kurvllëqet e tridhjetë vjetëve të shkuara, botonte sot kolegu im dhe albanologu i njohur Matteo Mandalà një opinion për Nilo Catalano-n dhe Kishën e Shën Thanasit.

Dje dhe pardje, sërish përbri lapërdhive për këngëtaret, kishin botuar opinione dhe artikuj Fatos Lubonja dhe Preç Zogaj dhe kushedi kush tjetër.

“Panorama” ka arritur të tërheqë në faqe protagonistë të rëndësishëm të diskursit publik në Shqipëri – të cilët, mes të tjerash, kanë shprehur jo rrallë shqetësimin e tyre për degradimin e mediave dhe, në veçanti, të shtypit të shkruar.

Nuk besoj t’u duket normale, këtyre kolegëve dhe miqve të mi, që fjala e tyre të infektohet nga kontakti me sherrin rreth kurvave, në vitrinën e faqes së gazetës “Panorama”.

Di që ka në Shqipëri edhe një organ a këshill që mbikëqyr etikën e mediave; por e kam dëgjuar të ndërhyjë vetëm për të mbrojtur këtë apo atë gazetar nga ndonjë sulm a akuzë; jo për të mbrojtur publikun.

Sikurse di që ka edhe institucione të posaçme të shoqërisë civile, të cilat duhej të kujdeseshin për etikën e mediave para se përdhosja e gjithkujt dhe gjithçkaje dhe shkelja e çdo lloj kriteri të privatësisë dhe të mbrojtjes së individit nga përgojimi të jenë normalizuar.

Mirëpo alibitë e këtyre institucioneve dhe forumeve që kanë dështuar në misionin e tyre nuk duhet t’i bëjmë tonat; sepse këtu nuk është fjala për të gjetur fajtorë dhe për t’i ndëshkuar, por për të shpëtuar një pasuri publike aq të vyer, sa ç’është komunikimi nëpërmjet mediave.

Shpresoj që kolegët e mi, që botojnë rregullisht në “Panorama”, t’i lexojnë këto radhë dhe të protestojnë ndaj faqes së cilën e nderojnë me shkrimet e tyre; madje edhe duke u tërhequr përkohësisht nga bashkëpunimi, derisa kjo gazetë të ndryshojë politikën e vet editoriale.

Shqetësimi im nuk ka të bëjë vetëm me “Panoramën”, por edhe me media të tjera, që nuk mbeten mbrapa, kur është fjala për të mbuluar me të pëgëra njerëz që nuk kanë mundësi të mbrohen; ose për t’u shkatërruar reputacionin personave publikë, të cilët ai reputacion i mban gjallë.

Pak ditë më parë, e njëjta gjuhë kutërbuese u përdor edhe ndaj dy motrave të përfshira në një ngjarje të kronikës së zezë.

Nuk kam më shpresë se kjo këllirë mund të pastrohet me rrugë institucionale dhe autoritare; vetëm distancimi, protesta dhe bojkotimi nga të gjithë ata autorë, që i ushqejnë këto faqe dhe lexuesit e tyre me shkrime, do të mund të ndryshojnë diçka.

Përballë situatës të krijuar, çdo kundërargument që citon “lirinë e të shprehurit” do të skualifikohej vetvetiu: nuk mund të ketë liri të të shprehurit, pa siguruar një mjedis ku subjektet e komunikimit të ndihen të lira dhe të tuteluara në dinjitetin e tyre.

Nuk ka komente

  1. Po aty ku intelektuali N.K ngrinte shqetesimin per krizen shpirterore ne kulture shfaqej nje karusel striptize me Tunen, Encen, Irinen, Kim, Olten, Ciljeten, Moniken e Stefanine. Kur do ta kuptojne keta intelektuale se sa boshe i kane perpjekjet kur pranojne qe mendimet e tyre te botohen ne keto hale mediatike?

  2. behet qartesisht fjale per tabloide. te cilesise se dobet madje. autoret serioze, ne qofshin te tille, e dine paraprakisht qe po botojne ne tabloide. nuk ka mundesi mos ta dine.

  3. Nje seri portalesh mediatike (TeMA, Lapsi, NewsBomb, Syri) kane marre pa leje shkrimin SI TE PROTESTOSH duke e pozicionuar keshtu autorin ne nje ambient nga ku ai ka vite qe eshte terhequr; e qe per me teper permes ketij shkrimi u ben apel kolegeve qe gjithashtu te terhiqen nga ambiente te tilla toksike. Jane kaq te zellshem te bejne me gisht Panoramen, Lubonjen e Zogaj sa ndoshta nuk e kuptojne se po riprodhojne pikerisht ate cka eshte sot problematike ne mediat shqip dhe ishte shtyse per thirrjen per proteste.

    Pa asnje perjashtim te gjitha keto media, e shume te tjera, percollen artikullin e Gjergj Lekes, pra nuk i ndan asgje nga Panorama. Keshtu apeli vlen dhe per koleget qe botojne ne keto media, koka me peshe po aq sa Lubonja e Zogaj e Mandala. Pra me mire le te kualifikohet apeli per te gjithe koleget qe botojne ne keto media me deshire e vetdije se po flasin krahas prapanicave.

    Temahttp://www.gazetatema.net/web/2015/08/23/intervista-gjergj-leka-kengetaret-qe-kishin-lidhje-intime-me-sigurimin-e-shtetit/
    Syrihttp://syri.net/index.php/2015/08/23/gjergj-leka-tregon-bemat-e-parashqevi-simakut-e-lindita-theodhorit-ja-artistet-qe-kishin-lidhje-intime-me-kreret-e-sigurimit-001/
    Newsbombhttp://www.newsbomb.al/index.php/kulture-art/item/18966-gjergj-leka-ja-artistet-qe-kishin-lidhje-intime-me-kreret-e-sigurimit-ne-liste-parashqevi-simaku-dhe-lindita-theodhori
    Lapsihttp://www.lapsi.al/paparazzi/2015/08/23/rr%C3%ABfimi-pa-doreza-i-gjergj-lek%C3%ABs-k%C3%ABng%C3%ABtaret-q%C3%AB-kishin-t%C3%AB-dashur-n%C3%AB-sigurimin-e

  4. Shkrimi i Gjergj Lekës duhet parë si një reflektim ndaj të kaluarës në diktaturë i buruar nga një mendësi mysogjine, qëndrim ky i ndeshur shpesh ndër meshkuj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Diku tjetër, qëndrime të tilla nuk ndeshen të afishuara publikisht nëpër faqe të gazetave, e para ngaqë shumëkush që mendon në këtë formë, turpërohet të shprehet publikisht. Opinioni i “të mbarëve” është aq mbizotërues, saqë mendimtarë të tillë i marrin për leckash e i nxjerrin përjashta për t’i flakur në rrugë; atje ku e kanë vendin; njësoj si ata pijanecë (cilësi për të cilën autori vetëkonfirmohet me një farë koketësie) që fillojnë e kryejnë publikisht vepra obshene. Unë shkrimin e xhaxhai e shikoj si një thirrje për të përqafuar një sjellje të tillë; pra, për hatër të Zotit, kujt sillet në mënyrë të turpshme, mos i hapni dyert e ambienteve, ku kultivohet komunikimi në mënyrë civile; kupto kopertinat dhe faqet e brendshme të gazetave. Gazeta “Panorama” nuk e ka këtë synim, pra nxitjen e komunikimit publik civil, gjë që personalisht, ndryshe nga autori, do ta merrja në konsideratë duke aplikuar në mënyrë analoge rregullat e sjelljes kur ndeshesh në hapësirën urbane me të pëgërat e kafshëve me apo pazot lënë mbi trotuare.
    Arsyeja e dytë por jo detyrimisht dytësore është se shkrime si ai i Lekës nëpër shoqëritë e civilizuara shkaktojnë detyrimisht reagimin e organeve të drejtësisë, për shkak se shpifja dhe fyerja e bërë publikisht ka prekur më shumë se vetëm një interes privat, por nxit hapur urrejtjen për shkak të gjinisë, dhe këto organe fillojnë ndjekjen penale kryesisht. Nxitja e urrejtjes për shkak të gjinisë është një vepër penale, për të cilën diku tjetër; atje ku shteti ligjor funksionon, e cila nuk lihet kështu në hapësirën publike pa u ndjekur penalisht, duke u marrë në konsideratë me një shkelje simpatike të syrit.
    Unë e gjeta shumë të mirë një reagim qe kishte publikuar Flutura Açka.
    Ndërkohë duket sikur gazeta “Panorama” nuk luan nga instikami. Në editorialin e sotshëm që lëxohet këtu: http://www.panorama.com.al/ardian-vehbiu-si-kurbetciu-i-akcihaneve/ Agron Gjekmarkaj i jep hakun në stilin e tij Vehbiut, duke mos harruar t’i turret këtij për t’i përmendur… kë do thoni ju?! Natyrisht: Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Kadarenë.
    Para ca kohësh, tek lexoja kujtimet e Helena Kadaresë (mbi 700 faqe, qe i lexova deri në 20 faqet e fundit!!!) nuk u çudita gjë, kur pashë se me sa konsideratë shkruante kjo për Gjekmarkajt. Më erdhi pak turp për dikë tjetër, por u sqarova disi se nga cilat motive njerëz të caktuar mendojnë në mënyrë të caktuar.

  5. Arsye për të mos botuar në një shumicë faqesh gazetash a portalesh, kolegët i kanë pasur vite me rradhë, që kur kolegë të tjerë, në vijimësi, janë poshtëruar në ato faqe – qoftë dhe sikur vetëm nga komentet e pamoderuara të lexuesve. Dhe kur nuk ka solidaritet as kaq të ngushtë, bazuar tek minimumi i fantazisë apo instinktit mbi mbijetesën e llojit, hajde kërko pastaj solidaritet kundër maskilizmit e lapërdhisë nga një klub gati ekskluzivisht mashkullor që e ushtron privilegjin pikërisht pse lundron pa u lagur mbi këtë maskilizëm e lapërdhi.

    Tek e fundit, në një moment duhet kuptuar se ndoshta barbaria që shohim të mbizotërojë në mediat tona është më shumë e qëllimshme se ç’shpresohet. Ka pasur një zakon ndër kalamaj dikur: pështyrja mbi fetën së bukës, me qëllim që neveria të pengojë shokët të të kërkojnë ndonjë kafshatë, gjatë në pushimit të madh.

    Kështu dhe markimi i territorit të medias me fëlliqësi garanton vijueshmërinë e kontrollit të këtij pushteti brenda një rrethi që ia arrin të kapërdijë, qoftë dhe pështymën e vet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin