KUTIA E SHKREPËSES

Ishte prezantim libri por u shndërrua në moment refleksioni për kohën e totalitarizmit shqiptar, pasojat e tij deri në ditët e sotme dhe rolin e kulturës në Shqipërinë aktuale. Në librarinë Fandango të Romës erdhën plot dashamirës të letërsisë shqiptare për të dëgjuar fjalët e Fatos Kongolit, autorit të romanit “Jetë në një kuti shkrepësesh”, që tani vjen në duart e lexuesit italian, me përkthim të Caterina Zuccaro, me titullin “La vita in una scatola di fiammiferi” (Rubbettino Editore).

Presidenti i shoqatës Occhio Blu, Mario Bova, që mori përsipër prezantimin e librit, foli për veprimtarinë e shoqatës së tij për njohjen e kulturës shqiptare në Itali e në veçanti të asaj që flet për tranzicionin. Përveç kuadrit të përgjithshëm, e disa mendime për librin e Kongolit, Bova bëri edhe një pyetje me “P” të madhe: “Çfarë funksioni luan, ose mund të luajë, kultura shqiptare në procesin e rindërtimit të vendit?”.

Ambasadori shqiptar në Romë, Neritan Ceka, nuk i bëri bisht pyetjes, madje dha disa përgjigje përtej rolit të tij institucional, duke shfrytëzuar përvojën e tij si protagonist i periudhës së tranzicionit e si njeri i kulturës. “Kam qenë një nga promotorët, së bashku me studentët, për t’i nxjerrë shqiptarët nga kutitë e shkrepëseve”, kujtoi Ceka, ndërsa për raportin e sotëm midis letërsisë e mediave nuk kishte dyshim për ndikimin më të madh të këtyre të fundit, veçanërisht ato elektronike. “Më përpara letërsia kishte një impakt të drejtpërdrejtë. Sot shkrimtarët nuk e kanë kohezionin që kishin dikur. Elita ekziston, por mungon ndërveprimi midis lexuesve e shkrimtarëve”. E më tej shtoi: “Mungon interpretimi artistik i tranzicionit, mungon lidhja direkte midis letërsisë e realitetit”. E pasi foli për librin e Kongolit, për botën e gjeometrizuar ku jetonin shqiptarët, për parafabrikatet e tyre sociale, për dramën e madhe që kalonin mes indiferencës së vendeve fqinjë, rrëfeu se Shqipëria sot është ndryshe nga ajo që dëshironim dikur.

prezantimi-KongoliPërkthyesja dhe shkrimtarja arbëreshe, Caterina Zuccaro, u ndal kryesisht tek romani i Kongolit. “Ky roman, si edhe të tjerë, përshkruan periudhën e totalitarizmit. E përshkruan pikërisht kur kjo periudhë ka mbaruar tashmë. Kongoli nuk ka shkruar shumë gjatë komunizmit. Shpërthen më vonë e përmbledh periudhën e fundit të komunizmit”. Interesante u duk analiza e ikonës zyrtare, fotografisë së Enver Hoxhës (i cili nuk përmendet me emër në libër), që gjendej në çdo shtëpi si për të larguar të paudhin. Ikonë që më pas u zëvendësua, por ruajti të njëjtin qëllim.

Edhe analiza e stilit të Kongolit ngjalli interes në sallë. Në këtë roman, sipas Zuccaro, autori luan me rrëfyes të ndryshëm e me flash-back, duke realizuar një vepër që luhatet midis romanit noir e atij psikologjik. “Kongoli ka një mjeshtëri të jashtëzakonshme për të rrëfyer personazhet” e di ta “përfshijë lexuesin në fluksin e mendimeve të personazhit”. Personazhi kryesor i romanit, Bledi Terziu, nuk zgjedh asnjëherë, përveç një rasti të vetëm, që rezulton katastrofal. “Në këtë libër – tha Zuccaro – shikojmë Shqipërinë siç ishte dhe siç është. Ndryshon, por nuk përmirësohet. Marrëdhëniet njerëzore të prishura nga regjimi, zëvendësohen nga marrëdhëniet e prishura nga arroganca dhe korrupsioni”.

Autori i romanit “La vita in una scatola di fiammiferi“, Fatos Kongoli, u ndal tek ideja kryesore që gjendet në një libër dhe se si nga një ide e vetme merr jetë një roman i tërë. Kongoli dha dy shembuj të ideve që kishin qenë shkëndija e romaneve të mëpasshme. Në qendër të romanit në fjalë ishte pikërisht vëzhgimi i zonës ku jetonte e se si degradoi dhe u prish gradualisht. Kjo u ndodhi edhe shtëpive. “Kështu lindi ideja – tha Kongoli – që është thelbi kryesor i romanit. Pastaj duhet të kesh personazhin, por këtë e kisha. Librat i shkruaj relativisht ngadalë, më duhen të paktën dy vjet për një roman, por librin I humburi e shkrova për gjashtë muaj. Kështu lindin idetë e kështu krijohet libri, faqe pas faqe. Libri zhvillohet përditë, por duhet të jetosh me të”.

Në fund, pasi shpjegoi edhe metaforën e krimbave që gjendet në roman, shkrimtari Fatos Kongoli, me modestinë e veçantë, rrëfeu se “Kënaqësia më e madhe është pikërisht ky takim. Në raste të tilla nuk pendohem që kam braktisur matematikën për letërsinë”.

Gazetari e shkrimtari italian Alessandro Leogrande, i mirënjohur për publikun shqiptar, i dha nismës vështrimin e lexuesit italian ndaj realitetit shqiptar e romanit vetë. Për Leogrande-n, këto 25 vjet është përkthyer pak nga shqipja. Pra ekziston një deficit njohjeje të vendit përballë nesh, megjithëse Shqipëria ka prodhuar shumë. “Personazhi i romanit të Kongolit më kujton Të huajin e Camus, i cili vret një njeri por nuk provon brejtje ndërgjegjeje. E këtu bie në sy mosveprimi i personazhit”.

Pa dyshim interesante përsiatjet që bëri për periudhën totalitare. “Totalitarizmi shqiptar ishte çnjerëzor e i vështirë për t’u kuptuar nga italianët e nga njëzetvjeçarët shqiptarë. I vështirë, gjithashtu, për t’u komunikuar. Pikërisht këtu ndërhyn letërsia. Kjo nuk tregon drama shekspiriane, Bllokun, qytetin brenda qytetit, por rrëfen njerëzit e zakonshëm. Kjo është detyra e letërsisë, të japë çka nuk gjejmë në librat e historisë. Përshkrimin e detajuar të jetës në lagje”.

Gazetari italian nuk ishte dakord me fjalën “tranzicion”, fjalë që “duhet ta çmontojmë, sepse Shqipëria e vitit 1997 nuk është ajo e 2004-s. E sot Shqipëria është ndryshe”. Shqipëria e tranzicionit është kaotike. Më parë kishte vetëm qetësi. Pastaj erdhën dyert e blinduara, individualizmi i dëshpëruar, që shpjegohet shumë mirë nga romani i Kongolit. Leogrande shprehu bindjen se do të duhen shumë vite të tjera që shqiptarët ta shikojnë të kaluarën të historicizuar, sepse 25 vjet janë pak.

Personazhi kryesor i romanit të Kongolit është gazetar. Që këtej edhe mendimet e Leogrande-s për shtypin e sotëm shqiptar. “Pati një shpërthim të gazetarisë shqiptare dhe kjo është e kuptueshme, por si shpjegohet ekzistenca e gjithë këtyre mediave? Nga libri del një dëshirë për liri dhe përdorim i shtrembëruar i shtypit nga ana e të fuqishmëve. Letërsia bën që të shohim gjëra që normalisht nuk i shikojmë dot”.

Nisma u pasurua nga leximet e disa pjesëve nga ana e Mauro Geraci-t dhe u mbyll me një pyetje nga salla, sa inteligjente aq edhe problematike, të prof. Italo Fortino: “A mund ta konsiderojmë si katarsis letërsinë e tranzicionit?”. Shkrimtari Fatos Kongoli u përgjigj me sinqeritet të plotë: “Nuk do të doja të jepja gjykime për letërsinë nga 1990 e këtej. Por mund t’ju them se gjithçka kam shkruar unë vetë në këtë periudhë, nga I humburi deri tek Gjemia e mbytur, ka qenë një katarsis për mua. Ka qenë katarsis nëpërmjet romaneve, por e kam bërë edhe më hapur, sepse kam shkruar një libër që e kapërcen atë që mund ta quajmë katarsis letrar”. Kongoli foli për historinë e familjes së tij, për iluzionet e të atit, që dikur kishte besuar tek komunizmi, por edhe për iluzionet e zhgënjimet e veta: “Pas rënies së komunizmit, ajo që erdhi nuk ishte ajo që kishim ëndërruar”.

Nuk ka komente

  1. Sa zili. Kongoli jeton prej vitesh ne Amerike por komuniteti i diaspores ketu ne pergjithesi e ka lene ne harrese Kongolin e shume figura te kalibrit te tij. Ndoshta Italia, duke qene me afer me Shqiperine, ka arritur te krijoje nje skene kulturore me te gjalleruar se kjo e U.S.A qe akoma sillet si te ishte ne kohen e Nolit. Eshte fatkeqsi te shohesh aktivitete kulturore pa fund qe nisim e mbarojne me frymen e ciftelise e valvitjes se flamurit. Ata qe kane marre ne dore aktivitetet kulturore jane ne pergjithesi te frymezuar ose nga patriotizmi (i cili nuk eshte kusht i mjaftueshem) ose nga opotunizmi. C’fatkeqsi!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin