TURQ TË PAPRITUR

Jacques Attali, ekonomist i njohur, intelektual dhe këshilltar i disa presidentëve francezë, shpreh mendime të çuditshme për Turqinë, në një intervistë që i ka dhënë Furrxhiut, në “Kapital” (Vizion Plus). Thotë:

[F]akti që Turqia zhvillohet në Ballkan nuk është keq pasi, për mua, Turqia është një vend europian. Atë që ne quajmë kulturë greke dhe filozofë grekë, në të shumtën e rasteve janë filozofë turq. Milet është një qytet i Turqisë dhe të gjithë filozofët para Sokratit ishin nga Joni, nuk ishin nga Athina apo ndonjë qytet grek.

Filozofë turq? Qytetet e Azisë së Vogël dhe qytete të tjera greke të vjetra anembanë Mesdheut (si ato në Magna Grecia) mund të kenë pasur edhe popullsi vendëse jo-greke, por kjo me turqit nuk ka të bëjë asfare. Turqit – ose më mirë fise të ndryshme turkike – i janë afruar Europës pas fundit të mijëvjeçarit të parë të erës sonë, duke u zhvendosur nga Azia Qendrore e më tej.

Teatri grek në Miletus, shek. IV p.e.s.

Teatri grek në Miletos, shek. IV p.e.s.

Natyrisht, shumë nga viset dikur të banuara prej grekëve të lashtë në Azinë e Vogël dhe ku lulëzonte kultura helenike, sot gjenden brenda kufijve territorialë të Turqisë; por kjo nuk i bën gjë “turq” banorët e tyre të hershëm. Në përgjithësi, është anakronike të flasësh për “turq” në antikitet, dhe aq më pak në një kontekst europian ose mesdhetar dhe aq më pak akoma duke iu referuar shkollës joniane.

Tani, Attali është burrë me një barrë mend dhe me siguri i di këto më mirë se unë; çështja është se sa i dinë dhe si do t’i marrin vesh ata që nuk i dinin.

Që Turqia është apo jo “vend europian” për këtë mund të diskutohet; sa kohë që një pjesë e madhe e këtij vendi shtrihet në Azi, dhe sa kohë kultura turke, si e tillë (etnike), si trashëgimi osmane (historike) dhe si e një vendi islamik (fetare), nuk ka shumë pika të përbashkëta me atë europianen. Më mirë të thuhet se Turqia dëshiron të bëhet vend europian, duke iu larguar ose së paku duke e problematizuar trashëgiminë e vet (po sa e vërtetë është kjo?).

I njëjti diskurs vlen edhe për Rusinë; pse edhe kjo ka një hapësirë të madhe në Azi – pa çka se kultura ruse i ka dhënë qytetërimit botëror, dhe atij Perëndimor në veçanti, kontribute nga më të shkëlqyerat: në letërsi, në art, në shkencë dhe në filozofi. Është qesharake të lësh Rusinë jashtë Europës – Rusinë e Dostojevskit, Mendelejevit, Lomonosovit, Pushkinit, Lermontovit, Tolstojt, Çehovit, Turgenjevit, Çajkovskit, Stravinskit, Rahmaninovit, Kandinskit, Maleviçit, Shagalit, Zamjatinit, Nabokovit, Bulgakovit, Ajzenshtajnit; dhe të pranosh në Europë krahëhapur Lituaninë ose Estoninë ose Finlandën…

Por gjeografia është një gjë, dhe historia një gjë tjetër. Që Miletos-i të quhej një ditë “turk” nga një intelektual frëng si Attali-ja, nuk e kisha pritur; sepse tabelat pranë gërmadhave të qytetit sot vërtet mund të jenë shkruar turqisht, por në fakt krejt pasuria intelektuale e përftuar në atë zonë, gjatë lashtësisë, nuk ka fare, po fare lidhje me Turqinë, kulturën turke dhe historinë e popujve turkikë.

Kur dëgjoja Attali-në të fliste për filozofët turq të shkollës joniane, m’u kujtuan menjëherë pretendimet e fqinjëve tanë, sllavëve të Maqedonisë, për trashëgiminë e tyre aleksandrine dhe uzurpimi prej tyre i asaj historie të Ballkanit antik, që lidhet me trojet ku jetojnë këta sllavë sot. Më thonë edhe që Shkupi, për shkak të këtij deliri kolektiv, është shndërruar në një luna park fantazmagorik të kombëtarizmit maqedonas. Por prej Attali-së nuk e prisja.

Në fakt, tani që kam kohë ta mendoj më hollë, nuk më duket dhe kaq ide e keqe që turqit e sotëm ta bënin të vetën shkollën joniane të filozofisë; dhe të fillonin të studionin pasionalisht Talesin, Anaksimandrin, Anaksimenin dhe të tjerë filozofë nga Miletos-i dhe vise të tjera, që i bashkëlidhen kësaj shkolle. Madje sikur të ndodhte kjo, kushedi edhe vetë Turqia do të ndihej më shumë europiane edhe në kulturë, jo vetëm në gjeografi.

Nga ana tjetër, në qoftë se Attali-ja ngrihet dhe thotë, në mes të Tiranës, se filozofët jonianë ishin “turq” dhe Miletosi është “qytet i Turqisë”, atëherë mund të ngrihet edhe ndonjë grek dhe të thotë se Ataturku i përket Greqisë, meqë ka lindur në qytetin sot absolutisht grek të Selanikut. Por ç’do të thoshin vallë turqit vetë, për këtë lloj argumenti, pasi u është dashur të luftojnë, për dekada me radhë, me hipotezat se themeluesi i Turqisë moderne ka qenë, sipas rastit, me prejardhje sllave, shqiptare ose hebraike (dönme)?

Tani, përballë këtyre fjalëve të Attali-së, shpjegimi i parë që më shkon ndërmend është gabimi në përkthim; teksti që kam cituar më sipër i përket intervistës së transkriptuar nga Panorama, por edhe në intervistën origjinale, të transmetuar në TV, pohohen të njëjtat gjëra. Për fat të keq, mbi-zëri i përkthyesit nuk më lë të dëgjoj se çfarë ka thënë Attali-ja tamam në frëngjishte.

Nuk ka komente

  1. Bera kujdes ne interviste te degjoja zerin tek momenti ne fjale dhe po, Attali thote : “filozofe turq”, pra perkthimi eshte i sakte.

    Njesoj do fliste Attali, edhe nese do ta jepte kete interviste per nje kanal tv francez. Dhe keshtu do te fliste cilido filozof apo opinionist ne nje interviste ‘normale’ (pra jo shkencore) : permenden emrat e vendeve aktualë dhe jo ato te dikurshem. Per shembull, ai nuk perdori termin ‘athinas’ ose ‘spartane’, por thjesht greke (qe ne fakt, do te thote shume gjera njeresh!). Ndaj dhe perdori turk (fjale qe po ashtu, me te drejte mund te shprehe disa gjera njeheresh!).
    Une personalisht jam dakort me Attali-ne kur thote se shume filozofe greke ishin turq. Sigurisht, popullata e asaj kohe ne territoret e Azise se Vogel nuk ishte turke ne kuptimin e etnicitetit turkik, por dhe greke (athinase), nuk ishte ! Po si ta quajme atehere ??

    Po e emerojme “popullata X” (sepse bizantine -qe ne fakt s’do te thote asgje etnikisht- eshte ca me vone, pra ne shek IV). Tani: kjo popullate X (keto popullata, me sakt, por po ruajme njejesin per ta lehtesuar punen), pra kjo popullate e dikurshme ne territorin e Turqise aktuale, nuk avulloi ( per kaq jemi dakort besoj) dhe sigurisht qe u perzie me turqit (fiset turkike) te ardhura ne fund te mijevjecarit te pare. Per rrjedhoje, nje vendali ne Azine e Vogel ne shek e X, edhe pse filloi te perzihej me fiset e reja te ardhura, besoj se kulturalisht, vazhdonte ta konsideronte veten trashegimtar te njerit prej ketyre filozofeve te cilet, etnikisht, NUK ishin athinas. Dhe as spartane. Por ishin te “popullates X”.
    Fakti qe po kjo popullate me vone u quajt turke, nuk i mohon asaj te drejten te revendikoje kete trashegimi. Dhe sot, ashtu sikurse nuk flasim më per popullate ‘athinase’ ose ‘spartane’ (por themi shkurt greke, edhe pse nuk jemi te sakte shkencerisht), ashtu edhe nuk themi “popullata X”, duke perdorur per simetri, turke.

    1. Më shumë se debat për “turqësinë”, ky duhet të ishte debat për “grekësinë.”

      Në fakt, nuk ka arsye që grekësinë në lashtësi ta reduktojmë me kontinentalitetin e supozuar të Athinës ose të Spartës.

      Greqia e Lashtë ishte e vendosur në det, jo në stere. Ishujt e Egjeut ishin njëlloj “greke” sa edhe zonat e brendatokës në Atikë ose në Thesali.
      Në mos më tepër.

      Njëlloj sa ç’ishin grekë banorët e ngulimeve greke në Sicili dhe gjetiu.

      Filozofët e Miletosit flisnin dhe, sidomos, mendonin greqisht. Arkitektura dhe kultura e qytetit ishin greke.

      T’i heqësh “grekësinë” shkollës joniane është njëlloj si të mohosh që ka pasur grekë në lashtësi.

      Turqia nuk hyn fare, po fare në këtë mes, as si kulturë, as si gjuhë (turqishte), as si etnicitet, as si gjeografi. Thjesht nuk ekzistonte në atë kohë.

      Gabimi që po bëjmë, besoj, është se grekët e vjetër i mendojmë sikur të ishin këta të sotmit, por të shtyrë 2500 vjet në kohë.

      Duhet të bëhej në fakt e kundërta: të përpiqemi të kuptojmë se si ndodhi që Greqia e sotme është EDHE produkt i asaj të vjetrës.

      1. Pikerisht, perderisa bejme gabimin qe greket e vjeter i mendojme sikur te ishin keta te sotmit, le ta çojme gabimin deri ne fund e ti quajme ‘turke’ popullatat qe banonin asokohe ne Azine e Vogel. Une jam koshient qe gjuha shqipe e ka te ngarkuar emocionalisht fjalen ‘turk’ (ajo deri dhe fjalen ‘kinez’ e ka te ngarkuar!), por gjuha frenge nuk e ka! Kjo eshte arsyeja pse Attali dukej aq i qete ne perdorimin e termave te tille.

        1. Jo, nuk besoj se ka lidhje me ngarkesën emocionale të fjalës ‘turk’ në shqipe. Provo ta quash Arkimedin italian – për ta kuptuar sa i pasaktë është cilësimi i Attali-së për jonianët (tek e fundit, Arkimedi ka jetuar në Sirakuzë, Sicili). Dhe kur them ‘i pasaktë’, e bëj për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër.

          1. Po mendoja edhe këtë: supozojmë se ka pasur një grek të shquar nga Khersonezi, koloni greke në Detin e Zi, në Krimenë e Sotme. A do të guxonim ta quanim vallë “ukrainas”, pa i shqyer njerëzit në gaz?

          2. Duhet të ketë lidhje me mendimin francez mbi etnogjenezën e tyre. Francezët e mendojnë veten së pari si trashëgimtarë të galëve, apo keltëve, të ciët jetonin në të njëjtin vend në Antikitet. Mesa kuptohet Attali ka ekstrapoluar këtë përqasje. Dmth: ne jemi trashëgimtarë të galëve, ndaj edhe turqit janë trashëgimtarë të banorëve të atyshëm të Antikitetit.
            Në të gjithë temat për të cilat ka folur Attali nuk ka shprehur vetëm mendimin e tij, por atë të përgjithshëm në vendin e tij. Edhe në çështjen e përparimit më të shpejtë ekonomik të Europës (ose të paktën Francës) në raport me Shqipërinë, Attali mendon në vlera reale dhe jo në përqindje. Për shembull: nëse Franca ka një rritje ekonomike 1 % të PBB dhe ne kemi 5 %, – ata konsiderojnë se kanë rritje më të madhe dhe po ecin më shpejt ndaj nuk kemi për ti arritur dot. Pasi (me hamendje, pa i verifikuar shifrat) nëse PBB/person në Francë është 40 mijë euro dhe e jona 4 mijë, rritja e tyre në vlera reale është 400 euro, dhe e jona 200. Sigurisht nuk e ka krejtësisht saktë, por nuk po i hyj kësaj çështje të komplikuar më tej; dua të them vetëm se ky është mendimi i ekonomistëve francezë për këtë çështje.
            Gjithsesi intervistë shumë interesante, që duhet dëgjuar nëse ka interes për të kuptuar sadopak Francën. Për ata që jetojnë në Shqipëri, dhe që një në tre fjalë të përdorura e kanë “Evropa”; është për tu mbajtur mend edhe fraza “duhet ti bëni gjërat vetë, mos prisni nga të tjerët”!

  2. Ndersa sa per europianitetin e Turqise, une mendoj se turqit nuk jane më shume fetare (islamike) se sa jane fetare (ortodokse) greket ose fetare (katolike) irlandezet, sikurse rezultojne te jene shume shume here më moderne se keta te fundit, meqe ligjin e abortit turqit e kane miratuar qe ne 1983, nderkohe qe ne Irlande (por edhe ne Malte), aborti vazhdon te jete i ndaluar! Per te mos folur pastaj per divorcin, i cili ne Irlande, eshte legalizuar veçse ne vitin… 1995! (e ku fitoi, pas disa referendumesh, veçse me rezultatin 50.03% ndaj 49.7)

    Europianitetin e nje vendi nuk e percakton detyrimisht Erdogani apo Ciprasi. Ata vijne e shkojne. E percaktojne popujt. Shembujt e melartem provojne e kemi jo pak cliché ne mendje…

  3. Diskutim vrakohes, si pasoje e vithisjes se konceptit te etnise. Banoret e Miletit ishin dore sa edhe spartanet apo korintasit. Doret mund te kene qene ne origjine nga stoku iliro-trak apo me gjeresisht ballkanik, mbase edhe greke apo perzierje e dy paleve te mesiperme, po te flasesh per turq ne Miletin e lashte eshte skandalozisht skandaloze.

  4. Attali mendoj se ka arsyet e veta per perdorimin e termave turq dhe grek ne lidhje me trashegimine filozofike e kulturore.

    Grekerit e mocem e quanin veten helene; me vone atyre i ngjiti emri grek qe mendohet se ishte nje huazim romak i mesuar nga menyra se si iliret i quanin komshinjte e tyre jugore: grecia(ne). E habiteshme, por keshtu mendohet se eshte.

    Megjithate te ndalojme tek termi helen, helenist, helenistik. Helenet mbaruan dominimin etnik me Aleksandrin e Madh(?), i cili bere transformimin nga polis ne kozmopolis.

    Me kete vdes te shikuarit e heleneve si grup etnik qe dominonte qytetet e vogla. Tani flitet me teper per dominim kulture, dominim helenistik me nje shtrirje shume me te madhe. Greqia klasike vdiq midis shekujve te 6te dhe te 4rt PES. Me pas flitet per nje bote helenistike ku identitetet jane shume me komplekse dhe fluide, duke i shtuan edhe me shume konfliktet brenda kesaj bote multietnike, ne te shumten kulturalisht greqishtfolese.

    Imagjino se cfare pastice etnike eshte bere pas me shume se nje mileniumi, pas dyndjeve dhe zhdukjeve etnike te parreshtura.

    Te ndalemi tek filozofet ta zeme. E fillojme me Talesin e Miletit, themeluesin e filozofise parasokratike dhe nje nga shtate te urtet e Greqise antike. Herodoti besonte se ai ishte me origjine fenikase dhe ishte barbar, pavarsisht se Plutarku ashtu sic orvatej me filozofet e tjere te shtateshes, u perpoq t’i nxirrte te gjithe si helene etnike.

    Nominimet dhe denominimet entike dhe kulturore jane ceshtje jo fort te lehta. Per me teper, si ta ndajme kete trashegimine qe ka arritur ne ditet tona, te quajtur helenistike, ku duket sikur perset, fenikasit, egjyptianet, apo barbaret e tjere, nuk kane ekzistuar fare.

    Atehere na bie qe kultura dhe historia fillon me grekerit e ilireve; egjyptianet, fenikasit nuk kishin mendimtaret e tyre, babilonasit, indianet dhe asiret nuk kishin magjistaret dhe chaldeanet e tyre, skocezet, keltet, gaulet, latinet nuk kishen te shenjtet dhe mendimtaret e tyre. Bota fillon dhe mbaron me greket, helenet, tha ai. 🙂

    1. Mirë i ke thënë të gjitha këto. Tani të ftoj të vish në temë dhe të sqarosh – nëse ke kohë natyrisht – se ku hyjnë turqit në këtë mes. Thua se Attali ka arsyet e veta, por ky nuk është argument: ne pikërisht këto arsye “të veta” të Attalisë po duam të kuptojmë. Më thuaj edhe nëse, sipas mendimit tënd, ky Attali-ja do ta kish quajtur Arkimedin gjë italian, po të kish rënë muhabeti.

      1. Cilen jane arsyet e Attalit? Po ja une i mendoj fare thjeshte. Njelloj sic mund te perdorim per analogji konceptin helene dhe greke, kur helenet vdiqen, u zevendesuan me greket(!). Kur osmanet vdiqen, u zevendesuan me turqit(!). Mendoj se ketu Attali nuk e ka humbur koherencen me duket. 🙂

        Ne periudhen fluide qe zgjati disa shekuj, qe me fillimin e dyndjeve te osmaneve ne Anatoli deri sa u stabilizua perandoria osmane, a mund te themi se njerezia qe popullonin ato vise ishte greke, apo eskluzivisht greke? Nuk e besoj; ishte nje mishmash kulturash e etnise, nderkohe qe Bizanti vazhdonte te tatepjeten, shkermoqej rreth e perqark Konstandinopolit.

        Mos duhet te pretendojme se historia e kontributeve kulturore dhe filozofike vazhdonte te ishte helene, greke, nderkohe qe shumica e literatures dhe trashegimise helene kishte mbetur ne harrese te plote? Bizanti nuk ishte helen, helenizmi kishte vdekur shekuj me pare. Bizanti ishte kthyer ne nje perandori kristiane ku perandori ishte edhe kryetari i kishes.

        A nuk e kemi thene edhe me pare qe shume te urte te botes arabe dhe osmane ne vazhdim, nxorren nga harresa greket(helenizmin me filozofine para dhe pas Sokratit ) e bile “padashje” ia refllektuan Europes qe ishte kthyer ne nje Brake kulturore para Rilindjes. Bile ka episode, ku sulltane dhe sulltanate(te vegjel dhe te medhenj) te ndritur shpetuan artin helen dhe mbajten ne oborret e tyre me buke filozofet, matematicienet, shkencetaret e kohes. Ata qe benin e merreshin me filozofi, shkence, etj. nen hijen e perandorise osmane, nuk mund te quheshin greke me duket?

        A nuk kemi te drejte per analogji qe ata qe ishin nen hijen e perandorise osmane, kultures dhe influences osmane si nje amalgame kulturore te quheshin osmane apo sot me emertimin turq?

        Per te gjitha keto te permendura me siper dhe ne komentin e meparshem timin, te shprehurit e Attalit se ata “nuk ishin greke por turq” nuk mund te vuloset si inkoherence historike, por si nje kendveshtrim qe i pergjigjet emerimeve te sotme, turq e greke.

        Dhe ne fund, mendoj se Attali ka dashur te thote, se Europa e krijuar si entitetit kulturor sot, eshte pasoje e nje teresi kontributesh dhe nuk eshte krijuar nga trashegimia eskluzive greke, helene sic pretendohet. Ka qene nje proces i tere kompleks, ku kane marre pjese shume mamije, nder to edhe Turqia me trashegimine e saj njerezore, historike dhe kulturore. Ka qene nje lloj stafete, ku nder maratonomaket kulturore, kane qene edhe turqit.

        Kjo ka ndodhur edhe me helenizmin, helenet, grekerit mbi dy mije vjete te shkuara, ku nder ta ka qene edhe Talesi, Arkimedi, Pithagora, etj.

        Per diskutime te tilla e gjej gjithmone kohen. 🙂

        1. Falemnderit, gjithsesi unë nuk mendoj kështu. Edhe arabët e kanë ruajtur Aristotelin duke e përkthyer, por kjo nuk e bën gjë Aristotelin arab. Ata që e shpëtuan artin helen me siguri nuk e bënë që pastaj ky art të ndërronte identitet. Dhe, doemos, për të krijuar idenë e Europës kanë kontribuuar një larmi identitetesh; por kjo nuk na lejon t’i përziejmë këto identitete për shkak të mbivendosjes gjeografike.

  5. Ne kete mes (ne menyren se si flasim ne nje interviste jo detyrimisht shkencore), eshte dhe nje cike edhe ajo puna e fiksimit qe kemi ne shqiptaret me idene qe, filan fqinj “erdhi ne shek VI” (sllavet psh) dhe fistek fqinj “erdhi ne shek. X” (turqit). Ne France te pakten, po fillove me fol keshtu, ta nderpresin intervisten.
    Psh, bullgaret i quajme te tille nga emri i fiseve qe banonin ne ate territor PARA se te vinin sllavët aktuale, por askush nuk aveturohet te thote qe filan artist, shkencetar apo filozof i lindur ne territorin aktual te Bullgarise eshte proto-bullgar dhe jo sllav.
    Shkurt, pak më me karar dhe ne shqiptaret, me kete punen e ‘origjines’…

    1. Stalker, meqë i përmende bullgarët – unë gjithnjë pres të thotë kush, që Spartaku paska qenë bullgar. Qoftë ky kush edhe francez, qoftë edhe bankier intelektual me kredenciale të pashembullta, si algjeriani Jacques Attali.

      1. Organizatat politike came e perfshijne Pirron e Epirit si figure te tyren. Pra te komunitetit cam. Si te jete valle e verteta pas Attalise, meqenese sot Cameria ndodhet ne Greqi, kurse para dy shekujsh ne Perandorine Otomane?

  6. Attali nuk eshte historian i qyteterimeve te lashta, por ekonomist dhe politikan. Deklaratat e tij duhen lexuar politikisht dhe duhen kontekstualizuar.

    Sot Europes i duhet te merret me andrallat e medha financiare qe po i shkakton Greqia dhe t’u mbushe mendjen politikaneve dhe qytetareve greke te mos qurraviten me, por t’i vene gishtin kokes, te shtrengojne rripin, dhe t’i shtrohen punes.

    Pse u dashka qe Europa te mbaje mbi shpatulla barren e pertacise, korrupsionit, mashtrimeve dhe qurravitjeve greke?
    Po ja, per hir te borxhit te vjeter qe i ka qyteterimit te lashte grek, – duan te thone disa.

    Boll më me keto broçkulla – thote Attali. – Greket e sotem nuk jane ata te lashtet. Madje as ata te lashtet nuk ishin greke. Te mbledhin mendjen dhe te punojne si gjithe te tjeret e te mos pretendojne me te jetojne ne kurrizin tone si kane bere deri me sot.

    Te njejtin mesazh jep ai edhe per shqiptaret: – Nese deshironi te hyni ne BE, duhet qe me pare te beheni si ne. S’jua kemi borxh as juve t’ju mbajme ne kurriz.

    Keshtu i kuptoj une deklaratat e Attali-se.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin