TË LASH DUART

Ka pasur reagime dhe polemika, pas lajmeve – besoj qëllimisht konfuze dhe të mbytura në opinion – për videon e përfolur dhe sidomos të qarkulluar të Sokol Ballës.

Akuzës se pse e ka bërë publik gazeta Express këtë lajm që në thelb cenon privatësinë e një kolegu gazetar, Berat Buzhala – sipas gazetës MAPO – i qenka përgjigjur mes të tjerash kështu [theksimi im 2Xh]:

Pra lajm është kur videot erotike të personave publik[ë] dalin sheshit. Se kush është përgjegjës legalisht duhet të merret policia. Mediat raportojnë atë që publiku dëshiron ta lexojë.

Buzhala hyn mes gazetarëve të rëndësishëm në hapësirën shqiptare, prandaj fjala e tij të paktën pasqyron edhe vizionin edhe misionin e kësaj gazetarie sot.

Employees-Must-Wash-HandsPrandaj më bëri përshtypje kjo fjali e fundit: “mediat raportojnë atë që publiku dëshiron ta lexojë”, sepse aty përcillet e koncentruar, besoj unë, pikërisht çfarë nuk shkon në mendësinë e aktorëve të mediave shqiptare sot.

Duke u nisur nga ky koncept i debatueshëm i “asaj që publiku dëshiron ta lexojë.” Çfarë është kjo pikërisht, dhe sidomos, ku e mësuan mediat këtë?

Se çfarë dëshiron dhe pret publiku nga mediat, kjo varet dhe përcaktohet nga shumë faktorë; por një gjë nuk mund të vihet në dyshim: dëshirat e publikut karshi mediave nuk mund të ndahen nga roli dhe ndikimi i mediave vetë.

Para se këto media t’i japin publikut atë që “publiku dëshiron ta lexojë”, ato e kanë formuar këtë publik, duke e ushqyer përditë me atë çfarë jo aq publiku, sa mediat vetë dhe sidomos sponsorët e tyre politikë, financiarë dhe kulturorë dëshirojnë që publiku të dëshirojë të lexojë.

Publiku nuk zbret në skenën e komunikimit publik me parashutë nga një qiell tjetër – por është produkt i kësaj skene po aq sa edhe media. Duke u ushqyer përditë me një lloj të caktuar informacioni – për shembull për mollaqe këngëtaresh dhe balerinash të patalentuara ose “puthje lesbike me gjuhë” – ky publik fillon të mësohet me këtë informacion, të kujtojë se pikërisht ky është roli i mediave, madje të krijojë vartësi ndaj tij dhe tek e fundit ta dëshirojë.

Një media që ofron pornografi në faqen e parë nuk mund ta përligjë këtë me argumentin prej tregtari shëtitës, se vetëm ashtu mund ta tërheqë publikun; sepse njëlloj i vlershëm do të ishte edhe argumenti i kundërt: duke ofruar pornografi në faqen e parë, kjo media jo vetëm ka tërhequr një publik të cilit i intereson veçanërisht pornografia (efekti përzgjedhës i informacionit), por edhe e ka krijuar, edukuar dhe riprodhuar këtë publik, duke e mësuar si ta shijojë informacionin në fjalë.

Kështu në vija të përgjithshme do të pranojmë se publiku kërkon prej mediave të informohet, të zbavitet dhe të edukohet; por orientimi dhe natyra e këtyre kërkesave varet nga mediat vetë po aq sa edhe nga shkolla, mjedisi social dhe familja.

Prandaj do të konsideroj së paku të shpejtuar pohimin e Buzhalës më lart; sepse një profesionist si ai duhet ta dijë mirë se si publiku, ashtu edhe media që komunikon me të, nuk janë veçse dy skaje të së njëjtit proces – të cilat përftohen dhe riprodhohen së bashku.

Ka pastaj edhe një anë tjetër të deklaratës më sipër: edhe sikur një media e caktuar të hynte në skenë dhe ta gjente publikun vërtet të gatshëm, si do ta merrte vesh se çfarë dëshiron publiku vërtet?

Do të më thonë: duke numëruar kliket që u bëhen lajmeve me natyrë pornografike ose skandalistike; ose duke parë shitjet e atyre numrave të gazetës ose revistës që kanë nxjerrë një bythë të rastit në kopertinë; ose duke mësuar nga përvoja e mediave të tjera të suksesshme jashtë Shqipërisë, etj.

E megjithatë, kam frikë se hapësirës shqiptare i mungojnë mjetet, nëmos edhe vetë specialistët, për t’u angazhuar në njohjen e mirëfilltë të dëshirave të publikut; sepse mungon ende angazhimi i mirëfilltë, serioz dhe i dyanshëm me këtë publik.

Në qoftë se media, së paku ajo media që i referohet më lart Buzhala, vërtet beson se publiku i saj kërkon skandal, pornografi dhe përbaltje personazhesh publike, atëherë ajo vetvetiu e ka kornizuar funksionin e saj në media skandalistike dhe pornografike, përveçse e ka padronizuar lexuesin e saj potencial, nëpërmjet supozimeve që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për të.

Është një media që beson se lexuesi i saj i afrohet, ngaqë pret prej saj t’i ofrojë pleh. Një media që i thotë lexuesit: ja ku e ke këtë lajm për një gazetar që masturbohet në privat, sepse ti kaq meriton, ky është niveli yt, kaq e ke metrin. Unë nuk synoj gjë të të informoj, as të të edukoj, por thjesht të të kruaj bishtin, ose të të masturboj edhe unë ty.

Por a mund të jetë ky mision i një gazete, ose thjesht edhe i një fletushke a një faqeje online, që pretendon të jetë shprehje e lirisë së fjalës dhe të mendimit?

Nuk ka komente

  1. kaq sa per rolin edukativ te medias – por me c’duket ky rol eshte vetem perqendruar ne aspektin negativ, te manipulimit e brocukllitjes per te fshehur lajmet e verteta, ne pamundesine e paaftesine per te hetuar e hulumtuar nje ngjarje a problem social. Prandaj edhe ky Bushkala merr penen e zhgarravit c’ti vej ndoresh.

    Mire e ke Xhaxha, kane ushqyer nje publik me mish njeriu, e tani po i hedhin mish nga i tyri.

  2. E verteta e hidhur eshte se publiku dhe mendia bashkejtojne ne nje raport simbiotik ndervaresie aq sa mund te themi se çdo publik meriton median qe ka.

  3. Per mendimin tim Balles i ngriten kurth spiunet e serbit si ndeshkim per akuzen e tij te paradokohshme ndaj Baton Haxhiut. Jo per te bere kac myftarajn e radhes po kjo histori i ka te dhenat, perfshire edhe viziten e Vucicit ne Tirane. Po te ishte muhabet lekesh s’ do ishte bere fare publike, do shantazhohej privatisht e do ishte mbyllur me pagesen e kerkuar. Baton Haxhiu u hodh i pari ne mbrojtje, gje anormale pas te sharave qe u leshuan para ca muajve. Buzhala nga ana tjeter eshte pisqolle mediatike si Merua kur ishte me Salen. Ka akuza jo te pakta per udbashizem (megjithese ne Prishtine duket sikur ka vetem udbashe, si tek ne sigurimsa e spiune). Publiku eshte i manipuluari, i shari, i leqendisuri ne nje kohe qe askujt ne publik nuk i kercet realisht se ca ben Balla me hallatet e tij. I vetmi interes eshte akrobacia politike, po kjo eshte normale ne Shqiperi, kur Balla perceptohet si i majte dhe Fevziu si i djathte. Cuditem qe i jane qepur te gjithe publikut me buke ne traste.

    1. Thote Hyllin : “Baton Haxhiu u hodh i pari ne mbrojtje, gje anormale pas te sharave qe u leshuan para ca muajve.”

      Ne fakt shkrimi i Batonit ishte interesant shume. Duket sikur del ne mbrojtje, por jo dhe aq sipas meje. Dhe ja pse :

      “[..]dashakëqijtë në faqet e internetit janë të pafytyrë dhe të pandjeshëm ndaj kënaqësisë së perversitetit në doza të kuptueshme të një mashkulli, apo femre, në një ambient të mbyllur, privat dhe intim.”

      “Më kujtohet gjithë ai perversitet shkronjash që ishte shigjetuar ndaj Inis Gjonit dikur, në një moment intimiteti me të dashurin e saj.”

      “[..]pak a shumë të gjithë kemi doza perversiteti dhe shfaqja e tyre varet nga faktorë të ndryshëm subjektivë dhe objektivë.”

      “Pse një perversitet që është brenda kornizave të zakonshmërisë njerëzore, sapo del në publik, në web faqe apo në media, bën që ai ta marrë trajtën e një çmendurie?”

      “Dhe, pastaj, menjëherë vjen një heshtje e të gjithëve ndaj një “perversiteti”, të cilin shumë prej tyre e kanë imagjinuar apo realizuar.”

      “Të një kolegu gazetar, të cilit i është keqpërdoruar besimi nga një femër dhe i është publikuar në internet një moment perversiteti.”

      “Të gjithë ata që e morën vendimin për përjashtim, por edhe ata që heshtin duke mos e mbrojtur Ballën nga abuzuesit spiunë, mund të kenë momente perversiteti më të dallueshme dhe më të rënda”

      Kur e mbaron njeriu se lexuari shkrimin, fjala perversitet e ka goditur kaq shume si cekic, sa e ka te pamundur te kete si ndjesi te pare empatine ndaj dikujt qe i eshte thyer privatesia, por perversitetin.

  4. “Mediat raportojnë atë që publiku dëshiron ta lexojë” tha!
    Po mirë se u mësuam me histori filmimesh dhe videosh. Një deputet madje thotë se ka një videotekë të tërë në shtëpi apo brenda në çantë. Problemi është se gjithë procesi i regjistrimit të zyrtarëve – ndërsa vjedhin/korruptohen etj – është pak a shumë i kuptueshëm. Këto video shërbejnë për shantazhe, për të siguruar mbrojtje në konfliktet mes agjentëve të politikës, drejtësisë, etj.
    Por për të rregjistruar këtë gazetar përse u munduan? Nuk duhet të ketë qenë e lehtë, ma merr mendja. Dhe pasi e rregjistruan, më tej nuk kuptohet, ky çfarë u ka bërë (apo nuk u ka bërë) që ia nxorën videon? Në fakt nuk e ndjek fare emisionin e z. Balla (më qëllon ndonjëherë që të ndalem mes ndërrimit të kanaleve, por jo më shumë) dhe nuk e kuptoj rëndësinë e këtij akti dhe shtysat që i çuan ndërrmarësit të vepronin, – por meqë paska interes t’i jepet publikut ajo çka dëshiron, do të dëshiroja vërtetë ta kuptoja se përse u krye e gjithë kjo “punë”?
    Të shpresojmë se do të na sqarojnë; mbase do të na sqarojë vetë i sulmuari!

  5. Mediat nuk duan ta pranojnë por duhet të zbatojnë edhe etikën e përgjegjësisë. Kjo për faktin se ndikimi i tyre ndaj publikut është i padiskutueshëm, ndërsa mund të flitet gjatë për peshën dhe ndërveprimin e këtij ndikimi ndaj opinionit publik. Mediat nuk e duan barrën e përgjegjësisë, si rrjedhim sillet sikur të ishin në pazar, duke i dhënë konsumatorit çfarë dëshiron; ndërkohë që dihet se massmediat e “plazmojnë” publikun me ushqimin kulturor që i ofrojnë. Përmasa edukative e mediave nuk përmendet asnjëherë, sepse i vë ato me shpatulla pas muri, por ky aspekt duhet të theksohet pavarësisht se nuk mund ta absolutizojmë, në kuptimin që mediat nuk janë i vetmi aktor në përpunimin e opinionit publik. Mediat shqiptare nuk kanë këllqe ta pranojnë përgjegjësinë e tyre, sepse kjo nënkupton adoptimin e një etike profesionale.

  6. Në çdo vend gjysmëserioz të botës Balla do kishte fluturuar nga vendi i punës, ndaj nuk bën asnjë sens të justifikohet lapërdhia e njerëzve publikë me funksion edukues dhe për pasojë edhe me funksion shëmbëlltyre për shikuesin me lapërdhinë e medias për të cilën ai punon.
    Me një fjalë, nëse Top Channel, siç edhe të tjerë kanale televizivë e lëtyra mediatike, është i bjerrur prej ca vlerash etike, kjo nuk do të thotë që akti i Ballës – në funksionin e tij si njeri publik dhe jo si i tillë privat – është më pak i turpshëm.
    Çfarë i ndodhi Ballës mund t’i kishte ndodhur apo t’i ndodhë edhe shkruesit të këtyre radhëve, mirëpo gjithkush e di e nuk ka pse habitet se vende të caktuara pune kërkojnë një kod etik të mirëpranuar gjithkund, ndaj nuk i kuptoj kolegët e Ballës dhe atë vetë që revoltohen kur pushohen nga puna se masturbojnë publikisht, aq më tepër që vërejnë ashklën në syrin e Top Channelit, duke qenë njëkohësisht po ata vetë eksponentët më të shquar të medias.
    Top Channel është Balla dhe Balla është Top Channel; kjo vlen edhe për emra të tjerë, të njohur a jo, që “masturbuan” edhe ata verbalisht “opinionet” e tyre provonciale, gjysmëanalfabete, çoroditëse, me të cilat prej një çerek shekulli po verbojnë konsumatorin fatkeq të çorbës së tyre.
    Balla natyrisht që duhet pezulluar prej punës që bën; por jo vetëm kaq: e gjithë media duhet reformuar e nëse nuk e bëjnë dot këtë ata që e bëjnë vetë atë, kush i bie ta bëjë?

    1. Për mendimin tim, gabimi i Ballës nuk ishte se u masturbua në një video chat, por sepse u kap duke e bërë këtë. He got caught.

      Për ta shtjelluar më tej: disa figura me dukshmëri publike të ekzagjeruar, si Balla, janë të detyruar të sillen në privat ndryshe nga vdekatarët që nuk i njeh kush në rrugë.

      Madje, dhe kjo më duket një pikë me rëndësi të madhe që nuk është vënë në dukje deri më tash, Balla paguhet jashtëzakonisht mirë për atë që bën; dhe paguhet jo vetëm për çfarë bën, por edhe për t’u kujdesur për personin e vet publik.

      Mjaft të kujtoj se si sportistët e super-paguar, p.sh. futbollistët ose, në rrethana të tjera, çiklistët profesionistë, ndjekin regjime disiplinore jashtëzakonisht të rrepta, ku përfshihen – mes të tjerash – edhe abstinenca seksuale në periudha aktivitetesh të rëndësishme.

      E sjell këtë shembull jo për të argumentuar se një komentator televiziv nuk duhet të bëjë seks, por vetëm e vetëm se një figurë publike e mirëpaguar është praktikisht i detyruar që të mirëmbajë dhe disiplinojë edhe jetën e vet private në funksion të figurës së vet publike – dhe nëse nuk e bën këtë, atëherë punëdhënësi mund ta ndëshkojë: jo për çfarë ka bërë (se, sinqerisht, kujt i bëhet vonë për jetën seksuale të një mashkulli 40-vjeçar), por pse nuk ka marrë masat e nevojshme për të shmangur ekspozimin – të tijin dhe të kanalit televiziv përkatës, ndaj ridicule-s.

      Dëgjoj që janë sjellë krahasime me rastin e Pangos – por më duket se dinamikat kanë qenë të ndryshme: incidenti me Pangon u provokua (u inskenua) ndërsa ai me Ballën vetëm sa u përgjua (hacked?).

      Dëgjoj edhe se, të gjitha peshat e rënda që i kanë dalë Ballës në krah gjatë këtyre ditëve, kanë protestuar ndaj “linçimit të tij mediatik.” Nuk kam parë që të linçohet gjëkundi – por kushedi nuk jam informuar mirë.

      1. Personi në fjalë nuk ka qenë në jetën e tij private, por në publik, në internet.
        Ka gjëra që i bëjnë të tërë, por që, për arsye etike, nuk lejohen në publik. Nuk është e këshillueshme p.sh. të urinosh, të bësh ujët e trashë, por edhe të masturbosh në vende publike, dhe Skype është një i tillë.
        Pavarësisht se Balla e ka kujtuar veten në një situatë private, ai duhej të kishte bërë kujdes se me kë e kujt po i mirëbesohej. Me një fjalë, ia ka bërë vetes dhe nuk ka pse bën të revoltuarin për këtë.
        Kujtoj këtu se skandale të tilla të ngjashme kanë tronditur ekzistenca e njerëz ku e ku më ilustrë (e pse jo, edhe më me karizmë) se Balla; kujtoj skandalin e Klintonit p.sh. me Lewinskin, skandalin e Hugh Grant me një prostitutë, të Xhorxh Majkëllit që u kap në një nevojtore publike dhe u dënua, dhe arsyeja është gjithnjë e njëjte: të gjithë e bëjnë, por nuk i sheh njeri; të gjithë e dimë që e bëjmë të gjithë, por unë nuk kam dëshirë të përballem me hallatet e Ballës në vende publike si interneti. E ndaj mirë t’i bëhet nëse e kanë zënë…

  7. E pushuan a jo Ballën, kjo nuk është çështja: çështja është relativizimi i frikshëm i ca vlerave etike dhe edukuese nga të ashtuquajturit “intelektualë” në Mëmëdhe. Në çdo lëtyrë mediatike që të hedhësh sytë (nëse ia bën vetes këtë, kuptohet) përballesh me mollaqe femrash të përçudura e sixpack-sa meshkujsh vulgarë, më së shpeshti drejt e nën titull. Bota i ka edhe këto, por ka edhe seriozitetin, ndërsa ne po marrim prej Perëndimit anën më skarco, më lapërdhare, më pornografike të tij. E më e keqja është se po përpiqemi ta relativizojmë atë, dmth. po përpiqemi të justifikojmë kurvërimin shoqëror.

  8. Lexoni se c’figure percjell nje personazh publik si Balla tek publiku. http://www.panorama.com.al/arrestohet-avokati-perndiqte-me-sms-te-vazhdueshme-gazetarin-sokol-balla/

    Personazhi mediatik perballet me nje avokat, dukshem i rrjedhur nga trute, gjate emisionit te tij dhe me pas konflikti pershkallezohet, nga vete gazetari, deri ne bezdisje apo “stalking” te avokatit ndaj gazetarit.

    Ky rasti deshmon se keta gazetare kane nje arrogance ne komunikimin me publikun, qe vjen kryesisht jo se ata preferohen se shumti nga publiku, por se jane vendosur aty ne saj te meritave te tjera, qe ja u njeh nje audience tjeter, ajo qe vendos se kush do te ike e kush do te rrije ne televizionet partiake. Nese Maradones do i lejohej te zinte me grushta apo kripe bytheve gazetaret, se fundja sporti ate nivel komunikimi kerkon, te vjen habi qe nje gazetar – shembull i komunikimit per publikun – te perdore nje gjuhe skandaloze ndaj ndjekesve te tij.

    Megjithese arrij ta kuptoj Ballen deri diku. Ne Shqiperi te acarojne disa persona, sikur e acarojne disa Xhaxhain ketu ne blog. Por cila do te ishte etika e komunikimit me ta? Sidomos kur te tille tipa nuk dallojne jeten publike nga ajo private.

    Nga ana tjeter, si Balla apo M. Nano, edhe se fundmi Pango, kane botuar libra ku rrefehen mbi gjera personale, te tyre apo te te tjereve. Pra keta e kane nxjerre jeten e tyre private ne shitje, e presin qe te tjere ti respektojne, a thua se vendosja e kufirit eshte vetem ceshtje momenti, por jo hapesire (sot domate, neser presh). E ky eshte problemi me keta individe. Qe pasi e shnderrojne jeten e tyre ne sensacion, nuk kane me c’ti ofrojne publikut pervetem se te zihen e grinden me te.

    1. Durim,

      Nga sms-te qe lexova, mua ne del se i rrjedhuri nga trute eshte Balla, jo avokati.
      Paska vertet nevoje per ndihme mjekesore.

      Mire kane bere qe e kane hequr. Tipa si ky nuk mund te kryejne funksione publike.

      1. nuk rri dot robi mbi 5 vjete ne nje pune, digjet, bezdiset e i hyp vedi ne qejf – prandaj parimi duhet te jete: minimalisht cdo 3-5 te nderrosh vend pune.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin