KOPSHTET E NDRYSHKUT

Para disa ditësh, u fol në shtyp për një projekt për ta shndërruar Kantierin e Ndërtimit të Anijeve në bazën e Pasha Limanit në kantier për prerjen e anijeve të dala jashtë përdorimit.

Vjetërsirat nga Mesdheu dhe nga bota mbarë, që do t’i sillnin për t’i kanibalizuar në gjirin e Vlorës erdhën e iu kundërvunë sakaq, si imazh, mitit modern të Pasha Limanit bazë ushtarake-detare me katër nëndetëse, të glorifikuar në vetëdijen tonë kombëtare që nga vitet e konfliktit shqiptaro-sovjetik të fundviteve 1950.

Nga nëndetëset që do të kafshonin nga poshtë Italinë, si ujku pelën, te rrangallet që rrjedhin ndryshk e që do të rrezikojnë të qelbin dynjanë, kërcënim sërish vdekjeprurës në mos drejtpërdrejt për njerëzit së paku për mjedisin dhe peizazhin. Vdekje sërish, por në kah të kundërt.

Dhe kështu më erdhi në mend edhe një argument që kam shtjelluar te një kapitull i librit Sende që nxirrte deti, në lidhje me faktin (dhe fatin) e trishtuar që Shqipërisë, edhe gjatë fundit të periudhës totalitare edhe pas rënies së regjimit në 1990, i ofrohen rregullisht këto shanse – si t’i quash ndryshe? – për të hyrë në marrëdhënie, me Perëndimin, në nivelin ekskremental.

Dikur, në fillim të viteve 2000, u bë zhurmë e politizuar në mediat, për një projekt të ndërtimit të një impianti për shkrumbimin e plehrave që do të vinin nga Italia; sot e njëjta ide rimerret në formën e një varreze të anijeve, mu në një nga gjiret e Mesdheut në mos më të bukura, të paktën me potencial turistik më të pashfrytëzuar.

Dhe nuk bëhet fjalë për përjashtime.

kepuceNë Tiranë, tregjet më të gjalla dhe më popullore të mallrave të konsumit (GABI dhe “Çamët”) janë krejt të varura nga malli i përdorur një herë ose i nxjerrë jashtë përdorimi në Perëndim – që tani u ofrohet qytetarëve së bashku me modën e dikurshme dhe afshet e balsamosura të pronarëve të djeshëm.

Edhe tregu ushqimor, i rregullti dhe informali, haptazi është denoncuar për falsifikime etiketash dhe datash skadimi; pa folur për akuza dhe insinuata të tjera, si ajo e miellit të bukës, që vikësh nga rezervat e shtetit të Serbisë, edhe ai produkt i kalbëzuar, në mbyllje të ciklit dhe ekskremental.

Të njëjtat dyshime dhe paranoja qarkullojnë edhe për barnat: të skaduara ose të falsifikuara, produkte të skartuara, mbeturina, mall stok i padëshiruar më prej të tjerëve; vlera përdorimi për ne, me kusht që të mos jenë më të tilla për ata.

Në rrugët e republikës vijojnë të qarkullojnë me dhjetëra mijëra makina të vjetra e të amortizuara, përfshi këtu edhe autobusët e sistemit të transportit publik; të cilat edhe kur të japin shpirt një ditë, do të mbeten pjesë e peizazhit shqiptar.

Duket sikur një pjesë e mirë e marrëdhënieve tona të importit me Perëndimin mbështeten në konceptin e riciklimit; çka do të thotë se Perëndimi po depoziton në Shqipëri mbeturinat e metabolizmit të vet ekonomik, ose ekskrementet e veta.

Të vjen keq ta shohësh vendin tënd si një truall që nuk prodhon edhe në kuptimin e mirëfilltë, edhe në atë simbolik ose metaforik – ose si një kënd të mbetur djerrë në mes të Europës, ku veç mund të hidhen plehurinat e përftuara gjetiu.

Por që Perëndimi, ose bota e zhvilluar, tundohet ta përdorë Shqipërinë gjeografike si vend për dhembushje (landfill), kjo nuk vjen nga ndonjë dashakeqësi antishqiptare, as nga ndonjë projekt për ta lënë Shqipërinë të pazhvilluar.

Përkundrazi, është më shumë efekt i modelit parazitar, të mbështetur mbi free-loading dhe plaçkitjen, që tundon, nga ana e vet, homo economicus brenda Shqipërisë – të cilit nuk po i intereson të nxjerrë fitim dhe të pasurohet duke i shtuar punë pronësisë mbi truallin, por vetëm ta japë këtë truall me qira, në të gjitha kuptimet; në një kohë që vlerën e punës dhe të mundimit ta investojë në veprimtari të jashtëligjshme ose të kundërligjshme, të cilat janë më fitimprurëse.

Kësisoj trualli kombëtar përfundon në një zonë e cila mund të përdoret për gjithçka që, gjetiu, mbetet off-limits ose shumë e kushtueshme për t’u arritur: dje plehrat e sjella nga Italia, sot parku i automjeteve të amortizuara, nesër anijet e kështu me radhë.

Çfarë ndodhi me armët kimike të Sirisë, kur Shqipëria refuzoi kërkesën që iu bë për të strehuar impiantet e asgjësimit, do konsideruar në këtë rast si një mrekulli, edhe sikur të mungojnë argumentet e nevojshme për ta konsideruar si precedent.

Qeveria e tanishme nuk ndalet së përpjekuri për të sjellë investues në Shqipëri, me synimin edhe të hapjes së vendeve të punës; por në Shqipëri mungon infrastruktura moderne (rrugë, hekurudha, porte), sikurse mungon stabiliteti ekonomik; sikurse mungon edhe krahu i kualifikuar i punës.

Edhe përpjekjet e autoriteteve për të eksportuar krah pune, siç ishte një muhabet i paradokohshëm për të çuar punëtorë ndërtimi nga Shqipëria në kantieret e stadiumeve të kampionatit botëror të futbollit 2022 në Katar, tregojnë nivelin e dëshpërimit të autoriteteve, përballë krizës së punësimit në Shqipëri (mjaft të kujtoj se plani ishte për t’i dërguar punëtorët të punonin në kushte mjedisore kaq të vështira, sa në vitet 2012-2013 në ato kantiere kanë vdekur gati 1000 punëtorë vetëm nga Nepali, India dhe Bangladeshi).

Përndryshe, dëshpërimi vetëm sa e konfirmon imazhin e Shqipërisë, në ekonominë botërore, si vend me të cilin mund të kryhen shkëmbime kryesisht në nivel ekskremental – duke përfshirë këtu edhe popullsinë “e tepërt” që kërkon të mbijetojë, edhe kriminalitetin ekonomik – p.sh. tregtinë e drogës – që ka nevojë për zona ligjërisht “djerrë”, për t’i përdorur si kryeura.

Dhe nëse vazhdohet kështu, Shqipëria do të perceptohet gjithnjë e më fort si një vend që edhe thith toksicitet nga vendet përreth – në trajtë mbeturinash, vjetërsirash dhe plehrash; edhe emeton toksicitet, në trajtë veprimtarish ekonomike të kundërligjshme, përfshi trafikun e drogës dhe të njerëzve, pastrimin e parave të pista dhe gatishmërinë për t’u ofruar si bazë gjeografike për operacione ndërkombëtare të pashijshme ose të padëshirueshme nga vendet e qytetëruara.

Një Çernobyl social – që kombinon elemente të krizës mjedisore, shkatërrimit të natyrës dhe të cilësisë së ajrit, të ujit e të ushqimit; me elemente të paligjshmërisë dhe të krizës së besimit, e cila krizë nuk është vetëm problem etik (çfarë nuk do të ishte pak) por edhe prek drejtpërdrejt ekonominë dhe tregtinë, duke i vështirësuar shumë transaksionet në të gjitha nivelet; dhe me elemente të paqëndrueshmërisë demografike dhe të një popullsie duke u analfabetizuar funksionalisht, për shkak të degradimit të sistemit arsimor dhe të mediave.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një ekonomi dhe një tregti dhe një mjedis të dëmtuar – meqë dëmet edhe mund të kufizohen dhe pastaj pjesërisht edhe të riparohen; por më tepër për një truall, ose hapësirë të perceptuar si jashtë parametrave të prodhimtarisë ekonomike, sociale dhe kulturore, e cila pranon ekskremente dhe përfton ekskremente; duke u shndërruar kështu në utility ekskrementale planetare, të llojit të vet; madje edhe njëfarësoj të vyer, në rrethanat kur bota po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme ndaj nevojës për të ruajtur mjedisin.

Natyrisht, kjo nuk mund të ndodhë pa bashkëfajësinë e politikës; ose pa gatishmërinë e klasës politike për t’u shitur ata vetë dhe për të shitur pasurinë publike, përkundrejt iluzionit të stabilitetit ekonomik dhe social, që do t’i mbante akoma në fuqi. Prandaj refuzimi i armëve kimike të Sirisë, që u shoqërua edhe me entuziazmin sado të përkohshëm të shoqërisë civile dhe forcimin e vetëdijes publike për mjedisin, mund të shërbejë si farë, model ose pikënisje për një qasje të re ndaj marrëdhënieve tona me botën.

Për t’u kthyer tani te kantieri i copëtimit të anijeve të amortizuara, që u përsiat se do të ngrihej në Pasha Liman: nuk ka nevojë të jesh specialist i mjedisit, besoj, për ta kuptuar se bëhet fjalë për diçka tmerrësisht negative dhe ndotëse, një ftesë për t’ia hapur dyert e Shqipërisë nënprodukteve të kalbëzimit dhe të vdekjes teknologjike; dhe që do të konkurronte, për nga toksiciteti kimik, me çfarë po ndodh sot në zonat naftëmbajtëse në Marinzë e gjetiu; ose me dëmet që do t’i shkaktojë mjedisit ndërtimi i gazsjellësit TAP – për të cilin kam dëgjuar se nuk do t’i sillka kurrfarë përfitimi Shqipërisë.

Ironikisht, dhe meqë flasim për Bazën e Vlorës si mit dhe realitet, ndoshta ka ardhur koha ta harrojmë atë punën e çelësave të Otrantos dhe të ndjekim këshillën që dha Hrushovi në 1959, për ta shndërruar Shqipërinë në një kopsht me ullinj dhe agrume; literalisht, ka më shumë logjikë ekonomike dhe premtim mirëqenieje kapilare te kjo batutë, se te të gjitha programet grandioze në mos megalomane, që ia kanë kundërvënë për gjysmë shekulli e kusur.

Zgjidhja në këtë rast nuk mund të vijë vetëm nga Tirana dhe aq më pak nga shkrime si ky imi; është absolutisht i nevojshëm mobilizimi i komuniteteve dhe imponimi i tyre në nivelin e pushtetit lokal – tek e fundit, nëpërmjet betejave të tilla, do të përftohen edhe komunitetet vetë, si faktorë jo vetëm të organizimit social, por edhe në politikë-bërjen ekonomike në rang kombëtar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin