JO VETËM THIRRJE E KONTROLL

Të dhënat e fundit që bëri të njohur Eurostat nuk patën ndonjë jehonë të madhe në Shqipëri, megjithëse azilin politik mediat e kishin në plan të parë vetëm pak kohë më parë. Temë mjaft aktuale, e lidhur kryesisht me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe reagimeve të vendeve perëndimore pas rritjes së kërkesave për strehim politik nga vende si Shqipëria e Kosova.

azilkerkuesit ne EuropeSipas statistikave të botuara në mars të këtij viti nga Eurostat, gjatë 2014-s në vendet perëndimore janë paraqitur gjithsej 626 mijë kërkesa për azil politik, duke shënuar një rritje prej 44% në krahasim me vitin e mëparshëm. Pjesa më e madhe e kërkesave është bërë në Gjermani (më shumë se 200 mijë), pastaj vijnë Suedia (81mijë), Italia (64 mijë) e Franca (62 mijë).

Por nga cilat vende vijnë azilkërkuesit? Pjesa më e madhe vjen nga Siria, për arsyet e konfliktit që i njohim të gjithë. Siria zë vendin e parë me 20% të kërkesave, por ka shumë kërkesa edhe nga vende të tjera si Afganistani (41.300; 7%) e Kosova (37.900; 6%).

Vihet re një rritje e përgjithshme e kërkesave për azil politik. Në Itali numri i azilkërkuesve është më shumë se dyfishuar, po të mbajmë parasysh të dhënat e 2013. Edhe në vende si Hungaria, Danimarka, etj. janë rritur shumë kërkesat. Në Gjermani e Suedi, objektiva të përhershme të azilkërkuesve, shifrat e rritjes me përqindje janë më të ulëta (përkatësisht 60% e 50%), por ngaqë shifrat absolute janë të larta. Kundërtendencë përbën Franca, ku kërkesat janë ulur me 5%.

Gjithashtu interesante të dhënat për raportin statistikor me popullsinë vendase, meqë vendet e vogla e ndjejnë më shumë peshën demografike të azilkërkuesve. Suedia zë vendin e parë, sepse ka 8,4 azilkërkues për çdo një mijë banorë. Vendet e mëdha e kanë raportin më të ulët.

Porse një gjë është kërkesa, tjetër është pranimi. Jo të gjitha kërkesat për azil pranohen nga komisionet shqyrtuese. Në BE janë pranuar 45% e kërkesave të paraqitura nga qytetarët e huaj: më bujare në këtë pikë janë Gjermania, Suedia dhe Italia.

Po Shqipëria? Gjatë vitit 2014 kanë kërkuar strehim politik 16.805 qytetarë shqiptarë. Një vit më parë ishin më pak. Rritja prej 5.730 kërkesash në krahasim me vitin 2013 është domethënëse, çka tregon se dukuria është bërë më e mprehtë. Rritja e azilkërkuesve nga Kosova është më e madhe në dy drejtime: si shifër absolute e si përqindje.

Prejardhja e azilkërkuesve në BE (28 shtete anëtare) në vitet 2013 e 2014
Prejardhja e azilkërkuesve 2013-2014-ok

 

 

 

 

 

 

Burimi: Eurostat (2015)

 

Siç dihet nga normat ndërkombëtare, strehimi politik është mbrojtja që i jep një shtet qytetarit të huaj duke e strehuar në territorin e vet në bazë të parimit të mosdëbimit dhe duke ia njohur të drejtat e refugjatit politik. Që të pranohet si refugjat duhet që personi të vijë nga një vend jo i sigurtë, pra që ka nevojë për mbrojtje. Sipas Konventës së Gjenevës, statusi i refugjatit i jepet atij që është persekutuar për shkak të racës, fesë, kombësisë, për shkak të përkatisisë në një grup të caktuar shoqëror, ose për shkak të bindjeve politike. Nga fundi i vitit të kaluar, tema e azilkërkuesve u vu në rend të ditës nga politika e mediat shqiptare, sepse disa shtete europiane reaguan ndaj rritjes së numrit të azilkërkuesve që niseshin nga Shqipëria e Kosova.

Në dhjetor të 2014, Ministria e Brendshme shqiptare reagoi pas dyndjes së një grupi qytetarësh drejt Vlorës, që synonin të udhëtonin drejt Gjermanisë për azil. Sipas shtypit, Ministria e Brendshme paralajmëroi të gjithë qytetarët se “do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen”. Ministria e Brendshme shtoi se “është e angazhuar për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende”.

Mediat njoftuan gjithashtu se Policia e Shtetit po ndërmerrte hetime ndaj atyre që organizonin ose ndërmjetësonin udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE. Së fundi, Ministria e Brendshme u rikujtoi shtetasve shqiptarë se tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt, si rrjedhim vendet e BE-së nuk i miratojnë kërkesat për azil.

Shifrat e azilkërkuesve janë vërtet alarmante. Ajo që bën përshtypje është qasja sipërfaqësore që i bëjnë institucionet shqiptare kësaj dukurie. Me këtë duhet të nënkuptojmë vëzhgimin ekskluziv të simptomave, regjistrimin e thatë të dukurisë, rritjen e kontrollit kufitar dhe apelet e ndryshme ndaj qytetarëve, duke u kujtuar se ikja jashtë shtetit për azil është e paligjshme.

Vetë historia e migracionit në Shqipëri, i brendshëm e i jashtëm, tregon qartë se njerëzit nuk ndalen me thirrje e apele mediatike. Lëvizjen e njerëzve e shtyjnë motivacione shumë më serioze e të thella, të tilla që nuk ndërpriten me kontrolle policore e me komunikata shtypi drejtuar opinionit publik. Qytetarët shqiptarë janë në kërkim të mënyrave më efikase për të emigruar e për të qëndruar ligjërisht në vendet e tjera. Kjo nuk e shmang rrezikun e dezinformimit, por na lejon të shohim thelbin e mekanizimit ku ai bazohet, pa u kufizuar me akuza të përgjithshme komplotiste, sa për të larë duart përballë opinionit ndërkombëtar.

Së fundi, migracioni mund të konsiderohet edhe si termometër për të matur ecurinë sociale dhe ekonomike të vendeve që preken prej tij. Mjafton të ndjekësh lëvizjet migratore e mund të kuptosh shumë gjëra për vendet nga ku migrantët largohen e për vendet ku mbërrijnë.

Dukuria e migracionit duhet analizuar duke filluar nga shkaqet që i shtyjnë qytetarët të largohen nga vendi e të dashurit e tyre. Këto shpeshherë futen për komoditet në kategorinë e madhe të motiveve ekonomike, por që kërkojnë hulumtime të mëtejshme, sepse së pari duhet të nyjëtohen më në detaje, së dyti nuk janë vetëm arsyet ngushtësisht ekonomike që i nxisin shqiptarët të emigrojnë. Mund të kujtojmë se shpeshherë më shumë rëndësi ka perceptimi i gjendjes ekonomike se sa gjendja reale, sikurse ka më shumë rëndësi mungesa e perspektivës se sa situata aktuale në të cilën jeton qytetari. E kjo e fundit duhet t’i shqetësojë më tepër institucionet shqiptare, ngaqë ka lidhje me besueshmërinë në të ardhmen e vendit, që nuk mund të ushqehet vetëm me simbole kombëtariste ose me retorikë politike në kufijtë e propagandës.

Nuk ka komente

  1. Me shumë vend kritika ndaj institucioneve shqiptare, që merren me simptomat, që i qasen problemit të emigrimit vetëm me masa shtrënguese, administrative ose shpesh, thjesht me sllogane, por nuk merren me shkaqet e problemit. Vetëm diçka, për arsyet e emigrimit, kur ju shkruani:

    “…së dyti nuk janë vetëm arsyet ngushtësisht ekonomike që i nxisin shqiptarët të emigrojnë. Mund të kujtojmë se shpeshherë më shumë rëndësi ka perceptimi i gjendjes ekonomike se sa gjendja reale, sikurse ka më shumë rëndësi mungesa e perspektivës se sa situata aktuale në të cilën jeton qytetari.”

    Unë nuk jetoj në Shqipëri, që të mund të gjykoj nga afër, si mbi gjendjen reale ekonomike, ashtu dhe për perceptimin saj aty. Por disa shifra të INSTAT mbi papunësinë jane shumë domethënëse, për të mund të gjykuar edhe në distancë:

    18% e popullsisë ishte e rregijstruar e papunë në fund të 2014 (pa llogaritur këtu të papunët e parregjistruar). Edhe më rëndë akoma është situata te të rinjtë nga 15 deri në 29 vjeç: pothuajse 34% e tyre janë të papunë.

    Me një papunësi të tillë, s’duhet të habitemi se nga vijnë ata qindra njerëz, që kapen nga çdo “fije kashte” që u drejtohet dhe u sulen autobuzëve e marrin rrugët për të emigruar në Gjermani.

    Dhe të mendosh që Shqipëria në këto 25 vitet e fundit ka humbur pothuajse një të tretën e popullsisë – me mbi një milion shqiptarë të emigruar – dhe ka ende shifra të tilla papunësie, si ato të vendeve të sapo dala nga lufta apo pas ndonjë kolapsi financiar… (në fakt, nivelet e papunësisë dalin e teprojnë për të vlerësuar “performancën” 25-vjeçare të ekonomisë së tranzicionit në Shqipëri, pa qenë nevoja për të vazhduar me shifra të tjera makro-ekonomike).

    Dua të them që perceptimi, nuk është shumë larg realitetit në Shqipëri, edhe sot, 25 vite pas ikjeve epike drejt Perëndimit. Dhe që, sa kohë që nuk është (ri)ngritur baza ekonomike, është e kotë që të shpresojmë në eliminimin e emigracionit ekonomik, apo të kërkojmë shkaqe të tjera. Në Shqipëri sot vërtet nuk vuan njeri urie, por duhet të ketë shumë shqiptarë që jetojnë në minimum, ose aty afër.

    Papunësia dhe varfëria, besoj unë, janë shkaqet kryesore të dëshirës për t’u larguar. Natyrisht, bashkë me mungesën e perspektivës, sidomos tek të rinjtë.

    http://www.instat.gov.al/al/themes/tregu-i-punës/publications/books/2014/rezultate-të-anketës-së-forcave-të-punës,-t4-2014.aspx

    1. Jam dakord me komentin tuaj. Janë kushtet ekonomike që i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi i tyre. Mirëpo ky pohim, sa i vërtetë aq edhe i përgjithshëm, fsheh motive të tjera që shpjegojnë emigrimin e shqiptarëve.
      A përputhet perceptimi me realitetin në Shqipëri? Pyetja mund të marrë, sipas rastit, përgjigje pozitive e negative. Të dhënat statistikore na tregojnë për situata në kufi të urisë, çka shpjegon edhe lëvizjen e popullsisë në kërkim të jetesës më të mirë. Mirëpo, jo gjithnjë janë më të varfrit që emigrojnë. Janë ata që i kanë mundësitë ekonomike (për të paguar biletën p.sh.), kulturore (njohin një gjuhë të huaj), ose kanë lidhje personale (kanë kushërinj ose të njohur jashtë shtetit). Normalisht, po të respektonim situatën e rëndë ekonomike, fillimisht duhet t’ia mbathnin ata që janë më keq, mirëpo kështu nuk ndodh në realitet.
      Janë pikërisht njohjet e realitetit në Perëndim që e bëjnë jetën e padurueshme. Krahasimin e bëjnë ata që kanë njohje. Me ardhjen e internetit e të saçit kjo është praktikisht në mundësinë e të gjithëve.
      Këtu më duhet të citoj teoremën e famshme të Thomas-it. Është fjala për sociologun amerikan të shkollës së Çikagos, William Thomas, sipas të cilit në qoftë se njerëzit e konsiderojnë reale një gjendje të caktuar, ajo bëhet reale në pasojat e saj; çka do të thotë se veprimet tona varen shpeshherë nga interpretimi i realitetit që mund të jetë krejt subjektiv.
      Me fjalë të tjera e duke pasur parasysh Shqipërinë, mund të themi se fjalët e Thomas-it “If men define situations as real, they are real in their consequences“, mund të përkthehen edhe kështu: “Më qoftë se shqiptarët e konsiderojnë të padurueshme jetën e tyre në vend dhe pa asnjë perspektivë për të ardhmen, atëherë pasoja është ikja në emigracion”. Dikush mund ta konsiderojë të padurueshme situatën, pavarësisht se mund t’i ketë të siguruara nevojat bazë të jetës. Të njëjtin qëndrim do të ketë ai që vuan për bukën e gojës.
      Por këto dukuri nuk përballen duke i bërë apele popullsisë në televizion, nga zyra e ngrohtë e shtypit, pak nga kaloriferët e pak nga dritat e telekamerave.

  2. cfare te beje qeveria? niveli i larte i papunesise ka disa shkaqe: kualifikimi i dobet i te rinjve, mjedisi i biznesit, siguria e munguar per investime te medha, dhe tregu mjaft i vogel per te krijuar incentiva per investime te huaja etj. Edhe nga rajoni ku jemi nuk pikon ndonje gje, greqia ka marre rrokopujen etj. Atehere retorika se dic po behet, eshte shumecka mund te ndermarri qeveria.

    Megjithate, ka nje qasje te gabuar ne keto analizat e largimit. Premisa kryesore eshte qe njeriu eshte bere te lind e vdese ne nje vend. Ne fakt robi eshte bere te jete nomad, te levize e gjezdise derisa te gjej rehati. Keto shtetet kombetare e donin robin te ish aty, se ku robi atje pushteti e legjitimiteti i qeverise. Por tani te ikin, nje ore e me pare, le te boshatiset ai vend, e ndoshta edhe ne do te merremi me tjeter gje.

    Mendoni nje te papune ne Shqiperi, njoh njerin, shkon ne Gjermani, ta provoj he burre, tre muaj azil me ndihme sociale (ja u kane prere edhe parate e thata tani me duket), shkon para gjyqit, i shtyn me apel edhe nja 3 te tjere, e kthehet. Pastaj shkon ne France, 3 muaj plus 3 te tjere, mandej ne Spanje, Belgjike, e i kalon tre-kater vjet sa me ne fund gjen diku rehati, pasi i ka hulumtuar mire kanalet e sistemit te emigrimit te Norvegjise a Suedise. Dhe neper te ka nderruar emer e familje.

    Me hyrjen ne Shenghen vendi yne ka detyrime per ruatjen e kufijve, as kete nuk po e bejme, me mijera kinez e kurde a siriane qyqare po kalojne, neper to edhe shqiptare, sidomos rome e egjyptiane qe mendohet se marrin dokumenta ne vendet e BE-se. P.sh. Romet nuk figurojne ne keto statistika, por kam idene se ne shqiperi kane ngelur shume pak te tille, dhe perbejne pjesen me te madhe te te larguareve, por ne heshtje keta nuk quhen shqiptare, e prandaj merren njerezia me verioret qe falsifikojne dokumente per azil politik apo deshmi gjakmarrjeje.

    Kam qene dikur ne Londer e kam takuar nje familje mirditore, shkulur e gjithe familja me stergjysh, banonin te lumtur ne ate tre katesh diku nga rrethi i shtate i metrose. Keshtu qe edhe pleqeria, jo vetem te rinjte, largohen, se marrin ndonje pension a ndihme sociale qe eshte disa here me shume sesa pensionet e qelbura shqiptare.

    Dhe ketu dalim tek faktori kryesor i largimit, tek niveli i ulet te jeteses – Shqiperia e Kosova eshte integruar kokeposhte ne tregun evropian, pervec qerave, cmimet e ushqimit e te veshmbathjes jane disa here me te larta se ato ne evrope, edhe pa marre parasysh fuqine blerese. Ne Gjermani kam takuar njerez qe jetonin me ndihme sociale dhe madje kursenin nga keto per te derguar ne shtepi. Edhe tani njerezit i ngujojne pleqte neper shtepite e tyre ne perendim, nuk dergojne para si brezi i pare i emigranteve. Lidhjet familjare pastaj bejne te veten, vellai sjell vellain, nipin e me rradhe, si palafiqte.

    1. Ka studiues që e kanë konsideruar qenien njerëzore si “specie migratore”, pra e kanë cilësuar migrimin si pjesë e Adn-së së njeriut. Në fakt, migrimi ka lindur së bashku me njeriun. Kjo nuk do të thotë se migrimi nuk ka kosto njerëzore. Institucionet e një vendi duhet të punojnë në mënyrë që opsioni i ikjes nga vendlindja të jetë zgjedhje me dëshirë jo detyrim nga kushtet.

  3. Në shtypin e sotëm shqiptar lexoj se Ministria e Brendshme paska forcuar kontrollet kufitare. Vetëm në 72 orët e fundit janë bllokuar rreth 750 shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët donin të udhëtonin në vendet e zonës Shengen. Ja edhe titulli i gazetës: Azili, “forcohet” kufiri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin