PSE SHTATË?

Në 1610 Galileu botoi një libër ku njoftonte se e kish drejtuar teleskopin nga Jupiteri dhe kish parë që ai planet kish katër satelitë (“hëna”).

Disa nga kolegët e tij të shquar nuk e pritën mirë këtë zbulim. Francis Bacon argumentoi aso kohe se çfarë kish parë Galileu nuk mund të kishin qenë satelitë; meqë kozmosi dihej se kish shtatë “planetë” (në kuptimin trupa qiellorë: Dielli dhe Hëna, Merkuri, Venusi, Marsi, Jupiteri dhe Saturni); me gjithë satelitët që kish parë Galileu, numri do të rritej në njëmbëdhjetë.

Dhe ja si e mbështeti Bacon-i argumentin e tij:

Gjallesave u janë dhënë shtatë dritare në shtëpinë e kokës, mes të cilave ajri hyn në tabernakulin e trupit, për ta ndriçuar, ngrohur dhe ushqyer. Dhe këto pjesë të mikrokozmosit janë: dy flegrat e hundës, dy sytë, dy veshët dhe goja. Ashtu edhe në qiell, që është makrokozmos, ka dy yje të favorshme, dy të pafavorshme, dy që lëshojnë dritë dhe Merkuri, i pavendosur dhe indiferent. Që këtej dhe në bazë të shumë ngjashmërive të tjera në natyrë, të tilla si shtatë metalet etj., të cilat do të ishte e mërzitshme që t’i rreshtoja këtu, nxjerrim përfundimin se numri i planetëve është detyrimisht shtatë.

Robert M. Martin, nga i cili e kam marrë këtë shembull, pyet: po sikur të kishim tre flegra në hundë, a do të kishte tetë planetë?

Në fakt, përshtypja e parë që marrim nga argumenti i Bacon-it është se ky po thotë budallallëqe – mirëpo mjafton pastaj një vështrim në biografinë e tij, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një nga mendjet më të shquara të kohës.

Të tjerë prej nesh, më të dijshëm, do të vërejnë se gabimi i Bacon-it lidhet me metodën shkencore, ose kriterin e së vërtetës: Bacon-i procedonte në mënyrë analogjike dhe deduktive (edhe fytyra edhe planetet i binden së njëjtës domosdoshmërie numerike bazë), ndërsa Galileu po përdorte metodën eksperimentale.

Me fjalë të tjera, nëse Bacon-i “e dinte” sa sa planetë duhej të kishte, Galileu parapëlqeu të kontrollonte me teleskop për të parë sa kishte.

Nga ana tjetër, në një kuptim Bacon-i kishte të drejtë – Jupiteri nuk ka katër satelitë, por 67 (të paktën kaq ia kanë numëruar deri më sot). Teorikisht, numri i satelitëve të një planeti nuk mund të përcaktohet me saktësi – sepse varet nga parametrat fillestarë të kërkimit: pohim që vlen edhe për satelitët natyrorë të Tokës.

Ndryshimi themelor – ku bazohet edhe ngrehina e shkencës moderne – është se Bacon-i e dinte se sa duhej të ishte numri i “planetëve”; ndërsa Galileu thjesht numëroi planetët që pa.

Që nuk mund ta hedhim kaq lehtë në shportë modelin deduktiv të Bacon-it, këtë e dëshmon, mes të tjerash, teoria kozmologjike e Kepler-it, një tjetër i madh i atyre kohëve. Sipas këtij astronomi, struktura e universit diktohet nga pesë polihedrët e rregullt pitagoreanë, të cilët pasqyrojnë planin e Zotit përmes gjeometrisë.

geometry_0185

Teoria e Kepler-it mbahet si zhvillim dhe modernizim i teorisë së Kopernikut; pa çka se pesë polihedrët pitagoreanë nuk kanë ndonjë lidhje specifike me strukturën e sistemit diellor.

Argumenti i Bacon-it se numri i planetëve nuk mund të jetë i ndryshëm nga shtatë, ngaqë shtatë janë edhe dritaret e kokës, i përket së njëjtës kategori me këtë të Keplerit, për pesë polihedrët.

Edhe Koperniku ka pasë shpjeguar, në kohën e vet, se trupat qiellorë sferikë, si planetët, duhej të lëviznin në formë rrethore – meqë lëvizja e një trupi (orbita, në këtë rast) duhej t’i ngjante formës së tij (deduksion, analogji).

Prandaj edhe gabimet e këtyre dijetarëve, për ne të sotmit, janë sa të çuditshme aq edhe spektakulare; në një kohë që gabimet e të tjerëve, si ato të Galileut, na duken më të ngjashme me ato tonat; dhe i pranojmë si të pashmangshme dhe të varura nga kushtet e vrojtimit ose të eksperimentit, ose si pjesë e procesit të njohjes.

(Çfarë nuk ka të bëjë me faktin, sa për të sjellë një shembull, se polihedrët e rregullt i ndesh rëndom në natyrë, që nga viruset dhe kristalografia deri te modelet klimatologjike.)

Në të njëjtën mënyrë, mjekësia tradicionale kineze flet për “pesë organe të brendshme”, numri i të cilave pasqyron konceptin e pesë elementeve: druri, zjarri, dheu, metali dhe uji (një skemë konceptuale që dija kineze e gjente në ciklet kozmike, në histori dhe në vetitë e barnave mjekësore – mes të tjerash).

Kinezët tradicionalisht e përshkruanin trupin e njeriut së brendshmi njëlloj siç përshkruanin dijetarët në Mesjetë kozmosin: nëpërmjet deduksioneve, analogjive dhe skemave kozmologjike – askujt nuk i shkonte mendja të përdorte të dhëna nga vëzhgimet autoptike dhe, aq më pak, kirurgjikale.

Tregojnë se kur holandezët ranë në kontakt me kulturën japoneze në Dejima dhe dijetarë nga Vendet e Ulëta patën mundësi të shkëmbenin njohuri dhe pikëpamje me kolegët e tyre në Lindjen e Largme (shih rangaku), të dyja palët konstatuan se kishin përfytyrime krejt të ndryshme për organet e trupit të njeriut.

Megjithatë, të dishmit japonezë u detyruan më në fund të pranojnë se “teorive” të europianëve u përgjigjej realiteti; dhe se ato funksiononin më mirë në praktikë.

Ejani, shihni dhe numërojini vetë “planetët” e rinj, thoshte Galileu. Duket sikur më thjesht se kaq nuk bëhet – por kjo dukje i bën pastaj kolegët dhe kundërshtarët e Galileut të duken pak të rënduar nga trutë.

Ç’lidhje ka numri i trupave qiellorë ose numri i polihedrave pitagoreanë me numrin e vrimave në kokë? Po numri i stinëve (të kalendarit kinez) me numrin e organeve të brendshme?

Epo, do të thotë matematikani, lidhja është njëlloj e thjeshtë: në të gjitha rastet është fjala për numra.

Pastaj, kur ne shohim qiellin natën me sy të lirë në drejtim të Jupiterit, shquajmë veç planetin; ndërsa po të vëmë syrin te teleskopi i Galileut, do të dallojmë edhe katër satelitët e mëdhenj. Me optikë tjetër, më të sofistikuar, do të gjejmë edhe satelitë të tjerë: 67 deri më sot.

Bacon-i thoshte se nuk mund të kishte më shumë se shtatë trupa qiellorë; ne sot ende diskutojmë sa planete ka sistemi diellor (është apo nuk është i tillë Plutoni? po të ashtuquajturit planetë trans-plutonikë? po asteroidi Ceres?), por të paktën kemi pranuar se ky numër është i rastit, nuk i bindet ndonjë ligjësie ose rregullsie deduktive.[1]

Kinezët, nga ana e tyre, lodhen së shpjeguari se pesë “organet” e mjekësisë tradicionale kineze nuk kanë drejtpërdrejt lidhje me ato sende që shohim, kur i bëjmë njeriut autopsinë – është fjala më tepër për “rrjete organesh”, ose sisteme që funksionojnë me pjesët që komunikojnë mes tyre.

Por edhe këtu, gabimi nuk është te numri i organeve të brendshme – kushedi nesër fiziologët mund të vendosin se, bie fjala, edhe pleksusi solar është organ më vete (siç e kanë shpjeguar me kohë indianët), njëlloj si shpretka ose fshikëza e tëmthit. Rëndësi ka që, për ne sot, numri i këtyre organeve nuk është i përcaktuar “nga lart”, as i deduktuar nga ndonjë pushtet teorik ose teologjik.

Në një kuptim, ky “progres” i dijes moderne ka ndodhur jo vetëm duke iu larguar gjeometrisë së kulluar (çka lidhet edhe me shpikjen e kalkulusit); por edhe duke rehabilituar gabimin, si pjesë sado të vogël të së vërtetës.

[1] Bashkimi ndërkombëtar astronomik (IAU) ka dhënë një përkufizim të vetin për “planet”; nëse një trup qiellor e kënaq këtë përkufizim, atëherë ai duhet llogaritur si planet me të drejta të plota. Por kjo metodë është, në fakt, deduktive – sepse varet nga përkufizimi, i cili është relativisht arbitrar; dhe pastaj vetë përkufizimi është vendimtar për të konkluduar rreth numrit të saktë të planetëve në sistemin diellor. Në thelb, kjo metodë nuk ndryshon shumë nga ajo e Bacon-it, meqë edhe ky i kish numëruar shtatë vrimat e kokës para se t’i binte kokës Galileut për “zbulimin” e tij. Në të njëjtën mënyrë, “tensioni i lartë i gjakut” në ShBA përcaktohet nga një shifër e vendosur pak a shumë arbitrarisht nga një institucion me autoritet; fakti që kjo shifër ka ndryshuar me kalimin e kohës e konfirmon natyrën e saj subjektive.

Nuk ka komente

  1. Do të qe gjysma e së keqes po qe se ky model gjykimi do të qe mbyllur me shekullin e Becon-it. Krijimi i disiplinave të tëra, nisur nga një sistem të themi pattern (si puna e kokës së Bacon-it) ka lodhur për një shekull të tërë edhe mendjet më të mëdha të kohës “sonë”.
    Kam parasysh antropologjinë strukturale që u ngrit nga një hipotesë linguistike e F. de Saussure. Ndonëse ky i fundit kurrë nuk del ta ketë përdorur termin strukturë, megjithatë është ai që propozon studimin e gjuhës si një system (ky është termi që ai përdor) tërësor në të cilin çdo element përcaktohet veçse nga marrëdhëniet e ekuivalencës dhe kundërvënies që ruan me elementët e tjerë. Kjo tërësi do të formojë atë që më pas do të quhet (nga të tjerët) strukturë.
    Zot i madh çfarë kështjellash “shkencore” e metodologjike që u ngritën me këtë ide! Që të gjitha synonin të shpjegonin botën me elementë strukturalë brendshëm, sikundër kishte bërë F. De Saussure me gjuhën. Dhe kjo duke filluar me E. Durkheimin (një Becon i vërtetë kohës sonë) e duke vazhduar me Levi Shtraus-in, F. Brentanon (strukturalizmi fenomenologjik), R. Thom me teorinë e tij të çuditshme të katastrofave,por edhe ndonjë akoma më i respektueshëm sot e gjithë ditën si R. Barthes-in me semiologjinë e tij.
    Qe një valë “metodash” shkencorë (që u tentua të trajtoheshin edhe si sisteme shkencorë) që krijuan diskutime të ashpra, por që sot me sa vërej, janë lënë në harresë.
    Mua më bën përshtypje se të tilla ide krijuan jo vetëm katedra të tëra universitare (që sot janë zhdukur), por edhe një numër të madh personalitetesh, si një pjesë e këtyre që përmendëm, ku ndonëse teoritë e tyre janë shkërmoqur fare, emri i tyre ka mbetur i pacenuar.
    Natyrisht, kjo i detyrohet edhe faktik se ata lëvruan edhe degë të tëra (ku patën më shumë sukses), por këtu dua të përmend se midis tyre ajo që evoluoi deri në përçudnim është teoria strukturaliste e Levi Shtrauss-it (sa gjatë e kam mbajtur në dorë Tropikun e tij të trishtuar!), i cili riprodhoi skemën profetike të monoteizmit për të dalë në përfundimin se fati i njeriut nuk drejtohej nga një Zot por nga “Inkoshienti struktural!!!
    Dhe e gjitha kjo ndodhi sepse, sikundër shembulli që sjell 2xh në këtë shkrim simpatik dhe shembull antologjik i nevojës për një qasje racionale, ata që në fillim iu shmangën rregullave elementare të praktikës shkencore

  2. Në një dokumentar për fizikën kuantike kam dëgjuar se, përkundër të dhënave eksperimentale, Ajnshtajni e pati kundërshtuar teorinë e valëve të propabilitetit të copëzave nënatomike ngaqë kjo teori binte ndesh me parashikimet e tij që niseshin nga ideja që kishte Ajnshtajni për urtësinë e Zotit në krijim. “Zoti nuk hedh zare” thoshte ai, kurse Niels Bohr (fizikanti rival) i përgjigjej: “Mjaft i tregove Zotit çfarë duhet të bëjë!”

    “Njeriu është krijuar i nxituar. Unë do t’jua tregoj shenjat e mia, ndaj mos u ngutni!” (Kur’an 21; 37)

    Mund të thuhet se kozmologjia numerike është bashkëshoqëruese universale e botëkuptimit religjioz, dhe po aq universal është perceptimi paradoksal i saj si një botëkuptim mistik, siç perceptohen rëndom kabalizmi, hurufizmi, etj. Perceptim paradoksal sepse në fakt të tilla botëkuptime janë kryekëput antimistike. Sepse, të paktën siç kuptoj unë nisur nga termi, misticizëm do të thotë ta respektosh të fshehtën dhe t’i qasesh me përulje në përpjekjen për ta zbuluar, duke “dëgjuar” e jo duke “folur”, kurse qasja numerologjike është e vrazhdë e arrogante. Dhe në fakt ato çka rëndom njihen si qasje mistiko-religjioze, po ta shohësh jo shumë hollë, janë tendenca tejet antietike, sipërfaqësore e antireligjioze, bashkëshoqëruese të religjionit si shtrembërime religjioze, kurse mistika apo kozmologjia e mirëfilltë religjioze është thellësisht etike.

    Në ditën kur Profetit Muhammed (hiri i Zotit qoftë mbi të) i vdiq djali, ndodhi një eklips diellor dhe njerëzia filluan të komentonin se kjo ishte për shkak të vdekjes të djalit të Profetit. Pasi u priu njerëzve në falje gjatë eklipsit, Profeti iu drejtua njerëzve me këto fjalë: “Dielli dhe hëna janë dy shenja nga shenjat e Zotit dhe nuk eklipsohen për vdekjen apo lindjen e askujt, ndaj kur ta shihni një gjë të tillë, kujtojeni Zotin dhe faljuni Atij.”

  3. Xhaxhai: “Të tjerë prej nesh, më të dijshëm, do të vërejnë se gabimi i Bacon-it lidhet me metodën shkencore, ose kriterin e së vërtetës: Bacon-i procedonte në mënyrë analogjike dhe deduktive (edhe fytyra edhe planetet i binden së njëjtës domosdoshmërie numerike bazë), ndërsa Galileu po përdorte metodën eksperimentale.”

    Xhaxha shkrime te tilla jane me interes dhe shkojne pertej zbavitjes te momentit. Paragrafi i siper mendoj se duhet te sqarohet.

    Galileo ishte nje mendje matematike, nje lloj “wizard” dhe ai e shihte boten dhe fenomen natyrale si produkte te marredhenieve te sakta matematikore, nje sistem matematikor: Ligjet e natyres duhet te paraqiten ne forma matimatikore.

    Duke thene kete, matematika e cfaredo lloji eshte ne esence analogji, ose analogjira te vazhdueshme, qe bejne deduksioneve mbi karakteristikat esenciale te sendeve.

    Nderkohe, Bacon megjithese shume deficient ne matematike, ishte nder proponentet kryesore te metodes shkencore dhe eksperimentale, po ashtu sic edhe Galileo. Ndryshimi ishte menyra se si e shihnin dhe e aplikonin ata metoden shkencore. Mos te harrojme qe Bacon ishte nje nga partizanet dhe proponentet e metodes eksperimentale. Por roli i eksperimentimit dhe perdorimi i eksperimenteve ishte i ndryshem.

    Po te bazohemi ne shkrimet e te dyve del se Galileo ishte me teper “a priori” se sa pragmatisti Bacon. Galileo si shume mendje te shkences, e nisen rrugetimin e tyre nga ajo qe quhet “pure reasoning” nje lloj “believe”, besueshmerie ne arsyetimin shkencore. Te kujtojme shprehjen “e pur si muove…”. Por besueshmeria mund te kete nisjen e gabuar, bazuar ne nje “fallacy” te arsyetimit, keshtu qe edhe gjithe ndertesa shkencore mund t’i kete themelet mbi nje konceptim te gabuar kozmologjik, ta zeme.

    Tycho Brahe, te dhenat matematikore te te cilit Kepleri perdori, ishte nje mendje e ndritur matematikore dhe shkencore, por sistemi ne te cilen ai besonte ishte i gabuar: planetet vertet rrotulloheshin rreth diellit, por jo toka.

    Kepleri kur formuloi ligjin e tij te pare qe planetet rrotullohen rreth yllit(diellit) te tyre ne orbita eliptike, ishte me teper se gjithshka nje konluzion intuitiv, nje lloj mesazhi mistik i lindur ne mendjen e tij(kjo edhe sipas pohimeve te tij, te ngjashme me te Galileut).

    Njutoni qe ishte nje Bacon-ist provoi vertetesine e tij, orbitave eliptike si nje ligjesi e natyres te objekteve qiellore. Te kthehemi tek Galileo; ai besonte ne gjenialitetin e mendjes njerezore per te bere deduksione matematikore qe modelojne fenomenet natyrale, pra qe ligjesite e natyres formulohen hipotetikisht ne mendjen e njeriut, dhe jo te nje njeriu te zakonshem, por te nje gjeniu.

    Kurse persa i perket Bacon-it, metoda shkencore e tij me shume i perngjasonte menyres te nje statiticeni te sotem, qe mbledh te dhena vazhdimisht, nje observues i rendomte, por i sakte dhe ne kete menyre arrihet ne zbulime shkencore. Ai shihte mundesine e masivizimit te shkences dhe te zbulimeve shkencore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin