NGA LEKSIKU NË ETIKË

Para ca kohësh, nuk mbaj mend kush më pat pyetur nëse kisha ndonjë sugjerim si të jepeshin në shqip fjalët decent dhe decency të anglishtes.

Fjalë me peshë, në çdo diskurs për moralitetin; dhe vetë vështirësia jonë për t’i përcjellë në shqip mund të interpretohet si pjesë e problemit.

Pastaj, vetëm tani vonë, në një biografi të çuditshme që Emmanuel Carrère ka shkruar për politikanin dhe shkrimtarin Limonov, ndesha në një pasazh ku një profesoreshë e letërsisë ruse në Berkeley, Olga Matich, thotë për Limonovin se është “one of the most decent men I have met in my life”; dhe, vazhdon Carrère, në gojën e saj fjala decent kishte të njëjtin kuptim që ia jepte George Orwell-i kur fliste për common decency: atë virtyt të admirueshëm, që ndeshej, thoshte, më shpesh në popullin e thjeshtë se në klasat e larta dhe që është jashtëzakonisht e rrallë mes intelektualëve; dhe që është një përzierje e bonsensit dhe e mosbesimit ndaj fjalëve të mëdha dhe e besnikërisë ndaj fjalës së dhënë dhe e vlerësimit realist të realitetit dhe e respektit ndaj tjetrit.

Natyrisht, Carrère e njeh mirë Limonovin dhe e ka të vështirë ta përfytyrojë gjithnjë si mishërim të këtij virtyti plebe; por këtu na intereson pikërisht kjo decency, e promovuar prej Orwell-it, si antidot ndaj intelektualëve; ose më mirë, ndaj tradhtisë së intelektualëve (trahison des clercs).

Qëlloi ta lexoja këtë pasazh të librit të Carrère në mes të një refleksioni gjysmë-privat për degradimin moral të shoqërisë shqiptare; degradim të cilin e ndesh si rregull në politikë dhe në kronikën e zezë, por kjo veç ndodh ngaqë mediat flasin veç për politikë dhe kronikë të zezë; dhe në fakt degradimi moral shkon shumë më thellë se kaq, duke prekur çdo strukturë jetësore të shoqërisë, aq sa të vërë në pikëpyetje vetë mundësinë e saj për të ekzistuar, përtej parametrave të mbijetesës.

Dhe brenda këtij refleksioni, po më dukej gjithnjë e më tepër se shumë prej intelektualëve – që në fakt janë shndërruar tashmë në poseurs – e kanë humbur edhe ata orientimin etik, duke e konsideruar si të panevojshëm; dhe duke e identifikuar liberalizmin, ose qoftë edhe relativizmin me amoralitetin. Se pse ka ndodhur kështu, i tejkalon caqet e këtij diskutimi tani; por dua veç të vërej se intelektualët publikë tashmë, si klasë, nuk po tregojnë ndonjë interes për të marrë pjesë në rimëkëmbjen morale, ose të paktën në ndonjë përpjekje për rimëkëmbjen morale të shoqërisë shqiptare.

Me një fjalë, kanë tradhtuar; sikurse kanë tradhtuar edhe klerikët (të mos ngatërrohet kjo me clercs të Julien Benda-s) – dhe përjashtimet, si për njërin grup ashtu edhe për tjetrin, nuk më duket se kanë ndonjë domethënie. Paradoksalisht, edhe intelektualët publikë edhe klerikët duhej të ndihmonin për t’i nxjerrë masat nga modaliteti i mbijetesës; por në fakt ata vetë po e mishërojnë, në momentin e tanishëm, këtë model.

Dhe këtu rivjen në vështrim Orwell-i; sepse ky nuk i kish shumë për zemër intelektualët e kohës së vet – të cilët i shihte si të korruptuar shpirtërisht nga totalitarizmi, qoftë i djathtë qoftë i majtë; prandaj edhe ua kundërvinte atë që e quante common decency, pa çka se ai vetë i përkiste klasës së patricëve.

Po të kish jetuar sot autori i 1984-ës dhe Fermës së kafshëve, kushedi tradhtinë e intelektualëve do ta kish parë te gatishmëria e tyre për të përqafuar ekonominë e tregut dhe për të vënë shenjën e barazisë midis tregut të lirë dhe lirisë së individit; dhe me siguri atë common decency do ta kish gjetur sërish te njeriu i rrugës, që nuk merr pjesë në “debatet e mëdha”, as ato me shtrirje globale as ato në rrjetet sociale, përveçse si sfond i padukshëm, ose “materje e errët.”

Për Orwell-in kjo do të kish qenë e lehtë, qoftë edhe për shkak të traditës së gjatë aristokratike në kulturën britanike dhe në traditën njëlloj të gjatë të kundërvënies ndaj së parës; për ne që i referohemi Shqipërisë puna vështirësohet disi, pasi njeriu i thjeshtë, i popullit (“i tabanit”), u abuzua rregullisht si mishërim i anti-intelektualizmit nga regjimi totalitar; dhe jo vetëm në artet reprezentative.

Nëse në këtë mes ka diçka që jo vetëm mund të shpëtohet, por edhe të përdoret si bazë për një program, sado rudimentar, të rimëkëmbjes morale, për këtë mund të diskutojmë; duke filluar nga vetë ankorimi gjuhësor i konceptit. Si ta themi pra, decent, në shqipe? “I sjellshëm, i hijshëm, i ndershëm,” thotë fjalori i Qeskut; por natyrisht këto fjalë nuk godasin në shenjë. Ndoshta duhej shtuar “i moralshëm”, pa çka se tepër abstrakte. Dhe preokupimi me fjalën, në kontekstin e tanishëm, nuk ka natyrë thjesht leksikografike; meqë jemi duke kërkuar, në fakt, mënyra si ta nxjerrim në pah këtë “decency” të njeriut të rrugës, dhe që u mungon protagonistëve të jetës publike: politikanëve, celebriteteve, intelektualëve publikë, protagonistëve të mediave.

Dhe këtu më vjen në mend një shprehje e shqipes bisedore, që e dëgjoj shpesh në Tiranë, sa herë që duan të ma prezantojnë dikë me nota pozitive: “është çun për së mbari”, ose njëlloj “është gocë për së mbari” (njeri, etj.). Me sa kuptoj unë, kjo për së mbari e shpreh më mirë se konkurrenca sinonimike kuptimin – etikisht të rëndësishëm – të mbiemrit decent; sepse për së mbari nuk mjaftohet vetëm me pohimin e virtytit moral te dikush (drejtësia, ndershmëria, mbajtja e fjalës) por edhe të një personaliteti mjaftueshëm të pavarur dhe të sfiduar, që ky virtyt të jetë vërtet vlerë. Në kuptimin që modestia, te lepuri ose te miu, nuk do të ishte virtyt; sikurse nuk do të ishte virtyt trimëria te luani.

Prandaj këtë virtyt të të qenit “për së mbari” unë po dua ta interpretoj tani si një antidot jo vetëm ndaj tradhtisë së intelektualëve, por edhe dhe sidomos ndaj regjimit dhe parametrave të mbijetesës, të cilat duket sikur i kanë përqafuar të gjithë ata të cilëve, në teori, u bie barra e leadership-it moral (dhe këtu nuk mund të lë jashtë mësuesit – edhe pse e kam të vështirë t’i tregoj këta me gisht); por që përndryshe kanë ngecur në rrjetën e merimangës të një diskursi për suksesin, konfirmimin, popullaritetin, pasurimin dhe jargavitjen e hapur ndaj të fortit.

Njeriu “për së mbari” i qëndron larg kësaj lëtyre; por pa u shndërruar në indiferent dhe eremit. Vetëm se rezistenca e tij nuk është ballore, por anësore; ose gjen shprehje në përftimin e mikro-strukturave sociale ku kultivohet virtyti… duke filluar nga decency vetë, por edhe miqësia, solidariteti, mbajtja e fjalës, empatia, altruizmi dhe, nga ana tjetër, përbuzja ndaj kultit të pasurimit dhe konsumit për spikatje, përfshi këtu edhe spikatjen kulturore të intelektualëve që “kanë tradhtuar.”

Dhe nuk më shqetëson shumë mospërputhja e këtij imazhi me atë që mund të ketë pasur Orwell-i; tek e fundit, nuk ka veç një kriter a një mënyrë për të kategorizuar klasat në shoqërinë shqiptare sot dhe për të folur atje për patricë dhe për plebej; dhe aq më pak mund të shërbejë si kriter “vlera neto” e dikujt në bankë, ose shkëlqimi i kravatës. Madje, nëse do të quanim plebej të gjithë ata që nuk dinë tjetër, veçse të mbijetojnë, atëherë virtyti i “të qenit për së mbari” do t’u përkiste, me përkufizim, patricëve.

Nuk ka komente

  1. Meqë arsyetimi filloi nga fjala decent, duhet të kujtojmë se kjo fjalë ka detyrimisht një përmasë sociale që mund ta gjejmë në çdo fjalor që e shpjegon. Në fakt, edhe kur e përkthejmë në shqip si i moralshëm, fjala i referohet qëndrimit kolektiv dhe vlerave shoqërisht të pranuara. Prandaj edhe përkthimi me i hijshëm e i sjellshëm, që anon nga ana individuale, nuk shkon shumë. Një person decent, është ai që i respekton rregullat e etikës publike.
    Kështu duhet nënkuptuar edhe shprehja “për së mbari”, pra si njeri që respekton etikën e përbashkët dhe dinjitetin e tjetrit. Më lejoni ta nënvizoj fjalën dinjitet, sepse ka rëndësi meqë përkthimi i decent mund të ishte edhe dinjitoz. Ka rëndësi për mua, se ai që respekton dinjitetin e njeriut është patjetër decent.
    Këtu kemi problemin e parë me shoqërinë shqiptare, sepse dinjiteti nuk është kristalizuar mirë në etikën publike, aq sa nuk mendoj se mund ta përshkruash mirë si koncept. Çfarë do të thotë mos t’ia cenosh dinjitetin tjetrit? Do të thotë shumë gjëra, por edhe mos ta lësh tjetrin të lëngojë në zonën gri të mbijetesës, ku humbet automatikisht edhe koncepti i lirisë, përfshirë atë të fjalës e të mendimit.
    Shpeshherë fjala decency shoqërohet me fjalën kufiri ose kufijtë, sepse shoqëria ka gjithnjë problem me përcaktimin e asaj që është apo jo decente. Ky është problemi i dytë i shoqërisë shqiptare, sepse jo vetëm kufiri tejkalohet pa teklif, por edhe fjala decent për nga raportet e përmbysura e humbet vlerën e vet. Të flasësh harbutçe a është decent si akt? Jo, por praktika e ka tejkaluar tashmë si problem, si në politikë ashtu edhe në komunikimin publik.
    Në kushtet e shtetrrethimit të vlerave sociale, decency është e para që del në “ilegalitet”, por nuk zhduket. Edhe në Shqipëri, nuk besoj se ka mbaruar, por vetëm sa ka “dalë në mal”, është tkurrur në sferat familjare e të ngushta, ose ka mbijetuar tek personat “e padukshëm”, ngaqë vetë mjedisi publik ka ajër të pathithshëm për njerëzit decentë.

  2. “Po të kish jetuar sot autori i 1984-ës dhe Fermës së kafshëve, kushedi tradhtinë e intelektualëve do ta kish parë te gatishmëria e tyre për të përqafuar ekonominë e tregut dhe për të vënë shenjën e barazisë midis tregut të lirë dhe lirisë së individit;”

    Por cfarë alternativash ekonomike ka pasur në kohën e Orwell-it të ndryshme nga sot, sigurisht përveç ekonomisë së planifikuar të diskretituar tashmë?

    Besimi se kalbja e elitave sot ka të bëjë me gatishmërinë për të përqafuar ekeonominë e tregut të lirë, nuk mund të merret e pa-analizuar.

    Mos keni dashur të thoni që tregu i lirë duke qënë thjesht koncept, nuk është realitet? Ndaj edhe intelektualët bëjnë mirë të shohin dhe kundërvihen realitetit të elitave që “përqafojnë” tregun dhe i marrin frymën ekonomisë dhe shoqërisë nëpërmjet monopoleve?

    Them se kjo është më e saktë. Por edhe mund ta kem gabim.

    Gjithësesi le të marrim një shembull kutërbonjës, era e të cilit na ka zënë frymën prej javësh. Kush nga elita intelektuale ka bërë një analizë të shkaqeve ekonomike të mundshme të aferës Doshi, pa u merakosur se po shkel në kallo, apo edhe thjeshtë po thotë gjëra të paprovuara?

    Sepse analiza më e mirë deri më tash ka qënë ajo e Bes Kallakut, që thotë se kërcënimet për vrasje në Shqipëri bëhen për një gotë rakie, sharje nga nëna, dhe motive të dobta.

    Sado i hollë të jetë ky si humor është edhe mpirës sepse nuk guxon të flasë hapur, ashtu sikurse të tjetrët përfshi këtu edhe prokurorinë, për motivet ekonomike të kësaj zhurme. Të hetosh të vetëdeklaruarit “bombardues” për të zbuluar qëllimet e Doshit dhe klasës politike është njësoj si të hetosh derrat në Sicili për të zbuluar motivet e Mafies.

    Por kush nga prokuroria dhe analistët u ka hedhur ndonjë sy bizneseve dhe llogarive bankare të Doshit, Metës, Tahirit, Berishës, Bashës, dhe familjeve të tyre? Kush nga elita dhe prokuroria u tha “j’accuse” këtyre monstrave të krimit ekonomik në emer të tregut të lirë, dhe t’u zbulojë llogaritë bankare brenda dhe jashtë vendit? (Duket se prokuroria Shqiptare nuk jeton në kohën e informacionit)

    Vetëm të shohësh për më shumë se një vit përplasjet e Doshit me Ministrin e Brendshëm Tahiri, ngelesh me gojë hapur. Por kush nuk sheh dallimet politike midis Doshit dhe Tahirit, bën mirë të shohi dallimet ekonomike.

    Sepse në arenën e tregut të lirë Doshi dhe familja e Tahirit janë “konkurrent” në të njëjtin biznez: atë të tregtimit të barnave. Doshin i prodhon në vend meProfarma, familja e Tahirit i importon me “SAT-FARM” nga Kanadaja?

    Tani, mos duhet të shqetësohemi se po të flasim kështu u kërcënohet e drejta e tyre për të qënë qytetarë të lirë në biznes, apo largqoftë bëjmë shpifje? Po liria e gjithë ne të tjerëve që po trajtohet si një paçavure për të fshirë këmbët nga politika përfshi Doshi, Tahiri and Co.?

    Dhe po qe se do e imagjinonim se si e konceptojnë këta dy bisnesmen tregun e lirë, mund të ishte pak a shumë një garë e një forme të tillë: Doshi nuk paguan tatime; Tahir nuk paguan dogana. Megjithatë disa zëra të këqinj mund të thonë se Tahiri i sjell barnat më lirë sec i prodhon Doshi. Ndaj edhe Doshit i ka hypur inati. Ndërsa qyetatri i thjesht sheh filma me trilol në farmaci, dhe ngopet me ilacet që i shet Doshi dhe Tahiri.
    Po e them: unë nuk kam prova. Por a duhen prova të pakontestueshme për këtë?

    A është më mirë të bëjmë me fajë konceptin e tregut të lirë, përpara sesa të marrim mundimin të vëmë para akuzës dhe investigojmë këtë bandë kalbësirash?

    Por gjëja më e trishtueshme e lirisë së individit në Shqipëri është se e vetmja liri ekonomike që ka njeriu i thjeshtë është që të punësohet ose nga Doshi, ose nga shokët e Doshit, dhe implikuar indirekt në bisnesin e shantazhit me video dhe tritol.

    Ja dhe shënja e barazimit midis tregut të lirë dhe lirisë së individit.

    1. Orwell-i jetonte në një kohë kur common decency po futej në krizë nga dy totalitarizmat e kohës – fashizmi dhe komunizmi.

      Por sot unë – duke pasur parasysh Shqipërinë – e shoh rrezikun tek ekonomia e tregut, ashtu siç është zbatuar ajo dhe në raport me shtresat që kanë përfituar prej saj.

      Duke filluar që me shkatërrimin total të vendeve të punës; sepse një i papunë nuk i ka mjetet dhe fuqinë shpirtërore për ta ruajtur “decency”.

      Dhe duke vazhduar me rrafshimin shpirtëror të njerëzve: a nuk është ekonomia e tregut, e zbatuar në rrethanat e Shqipërisë, që i ka mbyllur libraritë, kinematë, teatrot; që e ka shndërruar sportin kompetitiv në një zgjatim të kompanive të basteve dhe në terren ku pastrohen paratë e pista?

      A nuk është ekonomia e tregut, e zbatuar në rrethanat e Shqipërisë, që ka shkatërruar raportin e njeriut me natyrën dhe natyrën vetë, në mënyrë të tillë që shqiptari sot jeton si në burg, ose i rrethuar nga armiqësia, shëmtia dhe mungesa e shpresës?

      Regjimi i tanishëm përfton ‘brutes.’ Nuk është rastësi që rrallë dëgjon të lëvdohet dikush se është “i ndershëm” ose “i sjellshëm”; përkundrazi, të gjithë duket se e admirojnë dikë që është “kopil”.

      Ekonomia e tregut, e zbatuar në rrethanat e Shqipërisë, ka kultivuar kopilin, si role model të rinisë së sotme.

      Dhe, meqë i erdhi radha rinisë, a nuk është ekonomia e tregut, e zbatuar në rrethanat e Shqipërisë, që i dha dërrmën përfundimisht sistemit universitar dhe atij të institucioneve kërkimore të Akademisë së Shkencave, për t’i zëvendësuar – të paktën universitetet – me vendparkime për të papunët e nesërm?

      Sikurse ia dha dërrmën sistemit arsimor masiv, duke bërë që tani të jenë gati për t’u bërë protagonistë një brez që është kushedi më i padituri në historinë e këtyre 100 vjetëve të fundit, që nuk di as të shkruajë, as të lexojë, as të mendojë, as të zgjidhë probleme – sepse nuk ia ka mësuar kush.

      Deri në fund të viteve 1980, Shqipëria ishte një vend vërtet i vdekur urie – fizike, materiale, intelektuale dhe shpirtërore – por ama i botës së dytë. Vend europian, i mbyllur në birucë. Një çerek shekulli ekonomi tregu mjaftuan dhe tepruan për të na degdisur përfundimisht në botën e tretë.

      Ekonomia e tregut, e zbatuar në rrethanat e Shqipërisë, kushedi edhe sipas recetës së terapisë së shokut dhe gjepurave të tjera të ngjashme, jo vetëm e vrau trupin kolektiv të mirëqenies dhe të pasurisë kombëtare, por edhe i ndërzeu pastaj qytetarët që ta kanibalizojnë këtë trup.

      Sot e kësaj dite, ose gati gjysmë shekulli më pas, ne vazhdojmë të plaçkitim dhe të kanibalizojmë arritjet – në fakt fare modeste dhe kallpe dhe të pamjaftueshme – të sistemit të mëparshëm, në ekonomi dhe në kulturë dhe në arsim.

      Pa folur pastaj për shprehjen “sublime” të ekonomisë së tregut dhe të demokracisë që buron prej andej – ose Parlamentin; i cili vështirë se e bën ndonjë prej nesh të thotë a të mendojë se është krenar që është shqiptar.

      Prandaj unë mendoj se ekonomia e tregut – gjithnjë ashtu siç është kuptuar dhe zbatuar në kushtet specifike të Shqipërisë – ka sjellë jo vetëm katastrofën mjedisore dhe sociale që shohim të gjithë, por edhe e ka çuar “përpara” degradimin moral total të njeriut shqiptar, të cilit ia kishte thyer të gjitha kockat totalitarizmi paraprakisht.

      Dhe në rrethanat sociale ku ligjin e bëjnë parimet e ekonomisë së tregut, ashtu siç janë kuptuar dhe zbatuar nga shqiptarët, nuk ka mbetur vend për kultivimin e vlerave shpirtërore, përfshi edhe ato etike të “common decency” që folëm këtu.

      Natyrisht, mund të themi edhe se ekonomia e tregut, ajo e vërteta, nuk është zbatuar kurrë në Shqipëri ashtu siç duhet; ose të sjellim një argument të ngjashëm me atë që dëgjon të sjellin të majtët, kur bie muhabeti për modelin komunist dhe materializimet e tij të përbindshme.

      Por unë këtë nuk e besoj; përkundrazi, besoj se shoqëria shqiptare nuk ishte gati për të adoptuar një model që ishte produkt historik i rrethanave shumë specifike të pak vendeve perëndimore.

      1. Katandisja e Shqipërisë në këtë gjendje – në një vend të botës së tretë, siç e quani ju me të drejtë – më tepër se dështim i ekonomisë së tregut, e zbatuar në rrethanat e Shqipërisë, është një dështim i institucioneve dhe i elitave shqiptare politike dhe atyre ekonomike. Dhe e parë më në përgjithësi, është dështim i modelit politik, të kopjuar dhe të zbatuar para kohe në Shqipëri.

        Më duket se ishte modeli politik, që Shqipëria zgjodhi papritur dhe e papërgatitur – ai i demokracisë liberale – që shoqëria shqiptare nuk ishte gati për të adoptuar. Dhe që kjo ekonomi e shpartalluar e tregut që është krijuar sot në Shqipëri, është pasojë e këtij modeli politik, të parakohshëm për Shqipërinë, dhe e kësaj klase politike të korruptuar, të paaftë dhe rregullisht të hardallosur. Dhe jo shkaku.

        Ekonomia e tregut, megjithë anët negative të padiskutueshme që ajo mbart, është vërtetuar në praktikë si sistemi më efikas për të gjeneruar zhvillim dhe mirëqenie, dhe jo vetëm kaq, por është dëshmuar si sistemi ekonomik i vetëm që mund t’u adoptohet sistemeve politike nga më të ndryshme, jo vetëm atyre perëndimore – aty ku ekonomia e tregut lindi dhe u përsos si sistem – por edhe sistemeve politike shumë të ndryshme, madje të kundërta me atë perëndimor: nga sistemet autokrate si Singapori, deri te rregjimet totalitare, si ai në Kinë apo në Vietnam.

        Kam frikë se alternativat përtej ekonomisë së tregut, janë monopate që na nxjerrin prapë aty ku ishim për 40 e kusur vjet, në një univers me Venezuelën e Hugo Chávez-it dhe me Korenë e Kim Yong-UN-it.

        Megjithë zhgënjimin, madje dëshpërimin, që ndjej për gjendjen e shoqërisë shqiptare sot, mendoj se alternativat ekonomike shoqëria duhet t’i kërkoj brenda ekonomisë së tregut; aq më tepër që nuk ka një model të vetëm të ekonomisë tregut, por variante nga më të ndryshmet, të përqafuara dhe të zbatuara nga shoqëri te ndryshme, si:

        modeli liberal anglo-sakson
        modeli i ekonomisë sociale të tregut (“die soziale Marktwirtschaft”)
        modeli aziatik, bazuar në investime masive në industri dhe ku shteti luan nje rol shumë aktiv në ekonomi
        modeli i ekonomive “monokultur” (vendet arabe, Rusia) etj.

        Modeli ekonomik ku ka përfunduar Shqipëria sot – madje e ka përqafuar fort – është modeli më rudimentar dhe më parazitar i ekonomisë së tregut, ai i ekonomisë së transfertave. Aty ku cikli ekonomik është aq i shkurtër, sa s’mund të flasësh dot më për cikel: fillon me dërgesat e emigrantëve dhe me paratë e drogës, vazhdon me konsumin, tregëtinë dhe kazinotë, dhe përfundon direkt tek importet. Nje model ky që nuk kërkon as industri, as bujqësi, as investim, as prodhim, as ‘added value’. Që rrjedhimisht, nuk kërkon as profesionistë të aftë, as shkollim për së mbari, as librari, as universitete të mira e as akademi shkencash. Që nuk kërkon njerëz të punës, as njerëz te sjellshëm, as të ndershëm, por kërkon kopilër, që të mund të zhvatin një llokmë sa më të madhe nga këto transferta dhe nga pasuria kombëtare.

        (Me përqëndrimin tek ekonomia a tregut sikur ia zhvendosëm pak fokusin shkrimit, i cili, për mua, është një nga nga shkrimet më të mira që kam lexuar në këtë blog, nga ato që të ngelen në mendje dhe që do t’i rikthesh prapë).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin