SKENA, TELEKAMERA, TURIZËM

Vend tërheqës. Shqipëria së shpejti, thonë analistët e ekonomisë së pazarit, do të bëhet vendi më tërheqës në Europë. Jo vetëm për turistët, por edhe për një segment tepër të çmuar për operatorët turistikë anekënd botës: shkrimtarët. E jo për shkrimtarë dosido, po kryesisht për ata që shkruajnë romane të verdha, me detektivë, spiunazh, intriga, komplote, mistere. “Vendi ynë ofron çdo gjë, shprehet Era Vrapimi, menaxherja e agjencisë turistike Ecejake.

“Praktikisht përditshmëria jonë, ose vetë massmediat, japin falas çdo ditë fabula të mrekullueshme, histori të hatashme për tregime. Shqipëria është plot me plot, sa për të bërë një lloj loje fjalësh mes shqipes e anglishtes”. Znj. Vrapimi nuk e fsheh entuziazmin e vet. “Këtu do të vijnë me mijëra shkrimtarë e ghostwriter, nga ata të famshmit e nga ata të panjohurit, por që së shpejti do t’i shohim në ekrane. Kam dëgjuar se letërsia bazohet kryesisht tek këto tema: pushtet, parà, seks e mister. Në Shqipëri i ke me bollëk të gjitha”. Në fund, menaxherja zbulon mekanizmin zinxhir të zhvillimit: “Turizmi do të rrisë të ardhurat ekonomike në vend, çka do të thotë më shumë parà, dashuri, kuriozitete. Pra turistë të tjerë e kështu pafundësisht”.

Skena në rrugë. E njëjta ide qëndron në bazë të projektit kinematografik i regjisorit Foto Skenari, i cili ka shpikur rrymën të ashtuquajtur “kolazhi neosuperealist”, nëpërmjet disa veprave me karakter eksperimental. Ideja e tij novative qëndron në marrjen e filmimeve të vërteta dhe ngjitjen e tyre në seri. “Në Shqipëri dalin vetvetiu filma intrigues, për të cilët Hollivudi do të na ketë zili”, thotë regjisori. Madje, është ai vetë që na ndihmon ta kuptojmë teknikën e re, nëpërmjet një shembulli. Filmi i ri që po përgatit ka disa skena të njohura e të panjohura për publikun. Ja disa skena: avion misterioz që zbret në bregun e detit, diku nga Divjaka; punonjës banke që vjedh pa teklif miliona dollarë në qese anonime; bixhozçi që vë baste nga më të ndryshmet nëpër botë; killer që vret bankierin mu përballë bankës së vet, pasi e ka ndjekur nga shtëpia në punë me motor të shpejtë; zënkë në parlament me fjalor të ndyrë e grushte; akuza në shtyp për korrupsione politikanësh; deklarata shumëkuptimshme nga koha e regjimit; bunkerë përgjues e shtëpi strehuese; shpërthime me tritol, denoncime publike për porositje vrasjesh; filmime të fshehta, etj. “Siç e shikoni – buzëqesh Skenari – filmi është i tëri këtu. Nuk ka dallim midis realitetit e filmit. Kam vetëm problemin e rendit të pamjeve, nga ta filloj e si ta mbaroj, se mund ta fillosh me avion, por edhe ta mbarosh me avion”. Në fund, pas intervistës, regjisori i njohur rrëfen se mund të bëjë disa filma me të njëjtat pamje, sipas idesë së “filmit të hapur” sa për të parafrazuar një studiues të huaj.

Telekamerat e sigurisë. Në shtyp po flitet shumë kohët e fundit. Edhe marrëveshja midis Ministrit të Rregullit publik e Ministrit të Artit bashkëkohor shkon në këtë drejtim. Së shpejti, të gjitha telekamerat e sigurisë, shtetërore ose private, do të zëvendësohen me telekamera digjitale HD. Kostoja do të mbulohet nga biletat e shitura për hyrjen në Bllok, meqë do të rrethohet e do të përdoret si park dëfrimi me pagesë. Pak a shumë siç është sot, vetëm që bileta do të paguhet paraprakisht. Telekamerat e sigurisë do t’i filmojnë të gjitha ngjarjet interesante, që më pas do t’u shiten regjisorëve e artistëve të huaj e të jashtëm, në mënyrë që të bëjnë filma e libra. “Tirana do të jetë Hollivudi ose Bollivudi i parë në Europë, deklaroi Ministrja e artit bashkëkohor, Bukuroshe Poza, duke i treguar botës se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht nga e kaluara. Madje ne ftojmë të gjithë regjisorët e botës të vijnë e të investojnë në Shqipëri. Materialet kushtojnë pak, po kështu krahu i punës. Mund të bëhen telenovela fantastike”.

Reklama në CCN, CBB e La9. Disa deklarata qeveritare lanë të nënkuptohet se po përgatitet një reklamë e posaçme për promovimin e Shqipërisë filmike në televizionet satelitore. Slogani është “Ëndrra jote të bësh një film? Emri yt në kopertinë? Dëshiron ta shohësh veten në ekran? Eja në Shqipëri, atje ku ëndrra realizohet, ku historia bëhet roman dhe realiteti film. Shqipëria: vendi ku arti, letërsia e realiteti bashkëjetojnë në harmoni e shkrihen paqësisht”. Të njëjtat burime u shprehën se fjalimi programatik i qeverisë së ardhshme do të bazohet pikërisht në zhvillimin ekonomik të bazuar tek imazhet dhe misteret, të cilat Shqipëria i ka me bollëk, si ujin e mineralet. “Mendojmë se industria e re do të krijojë vende të shumta pune, kurse reklamat do t’ia përmirësojnë imazhin vendit”, u shpreh presidenti i Shoqatës së Teorive Konspirative. “Prapa këtyre rezultateve fshihet diçka”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin