KANUNI DHE ZOMBIE-T

Ndesha këto ditë në një lajm për një mësuese (Liljana Luani), e cila kujdeset për fëmijët e ngujuar; lajm i cili më kujtoi plagën sociale kaq të dhimbshme, të fëmijëve të prekur drejtpërdrejt nga gjakmarrja.

Të marrësh vesh sot shifra të sakta për gratë dhe fëmijët e ngujuar ose edhe të ekzekutuar për gjakmarrje, në Shqipëri, është praktikisht e pamundur; shifrat e larta, të ofruara nga disa OJQ dhe palë të shoqërisë civile janë kundërshtuar nga palë të tjera, si të paqena dhe të sajuara qëllimisht për të marrë fonde; ndërkohë, edhe Brukseli ka tërhequr vëmendjen për numrin e lartë të certifikatave të rreme, që u lëshohen “viktimave” të gjakmarrjes për t’ua lehtësuar këtyre marrjen e statusit të azilantit në Perëndim.

Nuk është synim i këtij shkrimi të gjejë të vërtetën në këtë pyll gënjeshtrash, manipulimesh, teprimesh, minimizimesh, shtrembërimesh, akuzash dhe kundërakuzash.

Nga ana tjetër, nuk ka nevojë të verifikosh shifrat e të dhënat, për të nxjerrë përfundimin se zbatimi i normave të gjakmarrjes ndaj të miturve, qoftë edhe për profilaksi (ngujimi), është një nga dukuritë moralisht më të dënueshme në mbarë planetin.

Të gjithë indinjohen me këtë që ndodh; kushedi edhe gjakësit vetë – dhe ndërkohë fëmijët vijojnë të ngujohen në zonat ku ka vepruar tradicionalisht Kanuni, por edhe gjetiu. Madje disa njohës të mirë të këtyre punëve, të shpjegojnë se dukuria e ngujimit të fëmijëve ndeshet më shpesh në zona jo-tradicionale, p.sh. ka përpjesëtimisht raste më të shumta në Tiranë e në Durrës, sesa në Mirditë e në Kukës.

Dhe, natyrisht, kudo të ofrojnë shpjegimin se Kanuni nuk e parashikon marrjen e gjakut në të mitur dhe gra; dhe se çfarë po ndodh nuk është rezultat i rikthimit të Kanunit, por më tepër një shtrembërim i këtij; ose edhe një përpjekje për ta paraqitur hakmarrjen – impuls sa i natyrshëm aq edhe primitiv – si gjakmarrje; ose për ta fisnikëruar krimin ordiner (sublimim, e ka quajtur këtë deformim Çapajev Gjokutaj).

Një arsyetim i tillë bazohet në tekstin e Kanunit të Lekës të mbledhur dhe të botuar nga Shtjefën Gjeçovi, të cilin tekst publicistët, intelektualët dhe ndonjëherë edhe antropologët e trajtojnë si të ishte vetë Kodi dhe jo regjistrimi i tij.

Dhe me siguri tekstin e Gjeçovit e trajtojnë si kod të shkruar dhe i referohen sistematikisht edhe shkoqitësit e Kanunit dhe pajtuesit anembanë zonave të prekura nga kjo dukuri.

Por a nuk ka këtu një kontradiktë? Tek e fundit, Kanuni – gjatë shekujve por edhe në momentin e tanishëm – vepron si ligj zakonor, jo si kod i shkruar procedural; dhe thelbi i ligjit zakonor është që ai vepron në trajtë të pashkruar.

Mund të bëjmë një analogji me gramatikën: nuk ka nevojë ta kesh studiuar shqipen në shkollë, për ta përdorur në mënyrë korrekte rasën kallëzore ose nyjen e parme të gjinores.

Dua të them: Kanuni, në momentin e tanishëm, ekziston në dy trajta: (1) në trajtën e tekstit të mbledhur dhe të sistemuar nga Gjeçovi, të cilit i referohen dijetarët dhe shkoqitësit në nivelin komunitar; por që nuk është e thënë të jetë lexuar dhe aq më pak studiuar e përvetësuar nga të gjithë ata që i referohen, i binden dhe e përmendin si motivim ose justifikim suprem të sjelljeve të tyre; dhe (2) në trajtën e një sistemi rregullash të pashkruara, të cilat ndiqen nga anëtarët e një komuniteti në mënyrë kryesisht inerciale, si të ishin pjesë e identitetit të tyre, individual dhe kolektiv.

Nuk ka ndonjë arsye të fortë pse këto dy trajta të jenë identike mes tyre. Tek e fundit, edhe Gjeçovi nxori një fotografi të ligjit zakonor dhe e transpozoi atë duke i dhënë trajtat (artificiale) të një kodi të shkruar; por dokumenti i hartuar nga Gjeçovi përmban jo vetëm traditën e normave zakonore të zbatuara në zonat përkatëse, por edhe frymën e kohës kur i tejshkroi ato Gjeçovi vetë.

Kodi zakonor mund të jetë vërtet një dukuri e jashtëkohshme; por Kanuni i Gjeçovit, si tekst i shkruar, është edhe pjellë e kohës kur u hartua dhe botua.

Dallimi midis këtyre dy sistemeve normative është i ngjashëm me dallimin midis oralitetit dhe skripturalitetit; ose përmasës gojore dhe përmasës së shkruar të kulturës.

Me fjalë të tjera, ekzistenca e një “fotografie” të Kanunit, ashtu siç e ka nxjerrë Gjeçovi, nuk e përjashton evoluimin historik të këtij ligji të pashkruar; sepse është karakteristikë thelbësore e ligjeve zakonore që të mos u referohen, si rregull, teksteve të shkruara; por vetëm riprodhimit të normave në kujtesën dhe në praktikën kolektive të komunitetit.

Dhe nëse është kështu, atëherë pretendimi se “gjakmarrja ndaj fëmijëve dhe grave nuk është pjesë e Kanunit” vjen e dobësohet, në mos rrëzohet krejt; sepse njëlloj mund të pretendohet, nga palë të tjera, se Kanuni i Lekës ka evoluar me kohën, nën ndikimin edhe të “ringjalljes” që iu bë pas vitit 1990; dhe se sot i njëjti Kanun ekziston në forma të ndryshme nga ai që regjistroi dikur Gjeçovi.

Ashtu mund edhe të kuturisemi dhe të themi se Kanuni i sotëm, ashtu siç zbatohet nga ata që vrasin fëmijët dhe gratë dhe i detyrojnë këta të ngujohen, është një rikthim, në trajtë zombie, i atij të dikurshmit, në rrethanat e reja të krijuara pas rrëzimit të regjimit totalitar në Shqipëri; duke reflektuar pikërisht rrethanat e sotme sociale dhe juridike në të cilat vepron dhe të cilat ndihmon për t’i përftuar.

Zombifikimi i institucioneve të ringjallura, pas rrëzimit, sheshimit dhe shpërfytyrimit të tyre nga ana e regjimit totalitar, nuk kufizohet vetëm me Kanunin; por ky i fundit mund të shërbejë si shembull i një dukurie alarmante, e cila përndryshe prek edhe aspekte të pronës private, të institucioneve fetare dhe të autonomive lokale.

Njëkohësisht, përçudnimi i Kanunit të djeshëm mund të sugjerojë edhe një mënyrë për neutralizimin e tij; jo nëpërmjet kundërshtimit haptazi dhe me argumente racionale, por nëpërmjet kontaminimit viral, ose shumëfishimit artificial të varianteve të Kanunit, në komunitetet më problematike.

Punë për shërbimet sekrete.

Masës së atyre që i referohen Kanunit, si alibi për impulset e tyre kriminale dhe dëshirën për vetë-gjyqësi, i duhen ofruar – me teknika të posaçme të komunikimit viral – versione të shumta të këtij “Kanuni”, në mënyrë që ligji zakonor të paralizohet në thelb.

Kanuni ka funksionuar dikur si institucion jo vetëm për rregullimin e jetës në bashkësitë autonome të maleve, por edhe një sistem për disiplinimin dhe kufizimin e dhunës; në ç’kuptim gjakmarrja – si pjesë e këtij ligji zakonor – nuk është vetëm një lloj hakmarrjeje, por edhe e kundërta e hakmarrjes.

Sot nuk ndodh më kështu; pse – sikurse e ceka edhe më lart – gjakmarrja priret të shndërrohet në një etiketë fisnikëruese për hakmarrjen; ndërkohë që dhuna, reale dhe rituale, prek deri edhe fëmijët, çka është tejet turpëruese për komunitetet ku kjo ndodh dhe për autoritetet lokale dhe në Tiranë.

Tek e fundit, një shoqëri që torturon fëmijët e vet, është seriozisht e rrezikuar, në çdo aspekt.

Nuk ka komente

  1. Xha Xha, si ta kuptoj “me teknika të posaçme të komunikimit viral – versione të shumta të këtij “Kanuni”, në mënyrë që ligji zakonor të paralizohet në thelb”? Tip simulakra trojane? A ke ndonjë skenar ilustrues në mend?

    1. shume seriozisht eshte marre ky kanun deri me tani – duhet perqeshur, denigruar dhe dekonstruktuar ne media e ne sistemin arsimor. Me kujton fushate ndaj KKK ne amerike, kur komediane, shkrimtare etj. u versulen seriozisht per ta perqeshur ate levizje (kujtoni edhe filmin e fundit te Tarantinos). Nese pasojat e kanunit jane dhuna dhe policia merret me to, institucionet e socializimit duhet te merren me shkakun.

      Gjithashtu, ky institucioni i faljes se gjakrave ushqehet nga ky fenomen, duhet te iki edhe ai. Sikur jemi ne nje shtet feudal, dalkan ca katundare qe marrin persiper “faljen e gjakut” – dhe policia heq dore nga mbikqyrja, nderkohe qe psikologet e shkolluar per zgjidhje konfliktesh enden verdalle pa pune.

      Nje forme eshte edhe kjo e relativizimit qe propozon xhaxhai- problemi eshte se do te filloje sherri se kush e ka kanunin origjinal, do te ndahen ne fondamentaliste e moderuar. Nje batalion gazetaresh do te shkruajne se eshte pjese e identitetit kombetar, urithet do te nxjerrin perdite “dokumente origjinale” e deshmi te katra-gjysherve per kanunin e shekujve te kaluar, te tjere do te bezdisin arkivuesit e Vatikanit, Raguzes e pleqte e universiteteve ne Serbi.

    2. Kisha parasysh disa mënyra të sofistikuara, që përdoren për ta çrregulluar funksionimin e sistemit.

      Për shembull, supozojmë se ka grupe interesash që janë në luftë mes tyre, dhe këtë luftë e zhvillojnë duke i vënë tritol makinave dhe bizneseve të njëri-tjetrit.

      Tritolin nuk e vënë vetë, por duke pajtuar “freelancers”, ose njerëz që, përkundrejt pagesës, mund të ta shesin edhe gjyshen e tyre të veshur nuse.

      Tani, sa kohë që këta parazitë i ke me bollëk në treg, atëherë shërbimet sekrete ndërhyjnë për të çrregulluar sistemin e porosi-pagesave.

      Në ShBA këtyre u thonë “sting operations.” Një agjent under cover i qaset një freelancer-i potencial dhe i propozon që të vërë dinamit te një dyqan. Ose i afrohet një shitësi potencial të dinamitit dhe i kërkon që t’i blejë një sasi. Në përgjithësi, përpiqet të angazhojë tipa çfarëdo në një komplot për të hedhur në erë diçka.

      Pasi freelancer-i ka pranuar që ta kryejë operacionin, ndërhyjnë forcat e rendit dhe e arrestojnë. Në gjyq del në shesh se i gjithë operacioni ishte i sajuar: dhe se dinamiti ishte në fakt sapun, ndërsa porositësi ishte agjent i policisë.

      Qëllimi i këtyre operacioneve nuk është që të arrestojnë hajvanë të rastit (patsies); por pikërisht të komprometojnë teknikat e porositjes së krimit – sepse tash e tutje edhe ai që dëshiron të gjejë një freelancer për të vënë vërtet dinamit te nevojtorja e baxhanakut të vet do ta ketë vështirë që të luftojë me dyshimin e tjetrit.

      Kështu mund të veprojë shërbimi sekret edhe në rastin e Kanunit – jo me operacione under cover si në rastin e terrorizmit, por duke diskredituar Kanunin vetë; dhe jo atë të Gjeçovit, por Kanunin e projektuar në mendjet e atyre që vrasin në emër të Kanunit.

      Duhet ndërhyrë, besoj unë, për të prishur sistemin e solidaritetit që ngrihet mbi krimin, duke e diskredituar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin