EKZODE

Këto ditë, mu në mes të debatit dhe keqardhjes patriotike për ekzodin e shqiptarëve nga Kosova, ja ku ia behu edhe një hetim i Agon Channel, sipas të cilit vetëm gjatë vitit 2014, 46 mijë vetë janë larguar edhe nga Shqipëria – dhe kjo pa llogaritur orvatjen e dështuar të Vlorës, një përsëritje në formë farse të ekzodit masiv të vitit 1991.

Lapsi.com, që e përmend këtë lajm, thotë edhe se gjatë dhjetë viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar 400 mijë vetë. Sidoqë ta rrotullosh këtë shifër – duke e interpretuar sikur shqiptarët nuk e përballojnë dot varfërinë dhe papunësinë, ose nuk kanë shpresë te udhëheqësit e tyre politikë, ose nuk u pëlqen sistemi i korruptuar i administratës, ose mendojnë se mund të rregullohen më mirë gjetiu, ose në Shqipëri ka popullsi të tepërt, ose nuk duan të jetojnë bashkë – shifra vetë mbetet e rëndë.

Zhurma në media për investimet e huaja që do të derdhen në Shqipëri, edhe sikur të ketë bazë, sërish nuk zgjidh shumë; tek e fundit, po të jetë fjala për të punuar në një call center, apo në një sweat shop në Tiranë, Durrës a Vlorë, shqiptari parapëlqen ta bëjë të njëjtën punë përtej detit, nën të njëjtët padronë – meqë atje paguhet shumë më mirë. E njëjta forcë që i sjell investitorët e huaj tek ne, do t’i çojë qytetarët shqiptarë tek ata.

Midis të qenit shqiptarë etnikë dhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë, duket se shumë prej nesh mendojnë se u mjafton e para; ndërsa e dyta nuk u sjell asnjë përfitim. Dhe ky është dështimi më spektakular i elitave politike, ekonomike dhe kulturore të vendit; të cilat po humbin dita-ditës pikërisht atë masë njerëzish që i bën ato vetë të jenë elita.

Ironikisht, këtë ikje të shqiptarëve – jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova dhe për të njëjtat arsye – e ndihmojnë dy faktorë të papritur: mundësia e të ikurve për t’u kthyer në vendin e tyre kur të duan, ose lehtësia e zhvendosjes në kontinent, përfshi këtu edhe çmimin e lirë të biletës; dhe mundësia e të ikurve për të qenë në kontakt të përditshëm me familjen dhe farefisin e tyre, falë teknologjive të reja të komunikimit: celularit, Skype-it dhe SMS-ve.

Elitat, përfshi këtu edhe ata që janë në pushtet, duhet të gjejnë mënyra të reja, për t’i mbajtur qytetarët të lidhur pas truallit; sepse të vjetrat, përfshi këtu edhe retorikën patriotike ose atdhetarinë si formë dëfrimi, nuk po funksionojnë më. Dhe e them këtë jo sepse të jetosh në Shqipëri është ndonjë detyrim moral; meqë nuk është; por sepse në kushte normale – nuk po them ideale – një shqiptar do të jetonte gjithnjë më mirë në komunitetin e vet vendës; dhe se ikja është gjithnjë traumatike, madje edhe sikur nga ana tjetër të ta shtrojnë rrugën me qilima.

Dhe meqë flasim për ikje, argumentit i është kthyer këto ditë edhe një publicist që, kushedi për ç’arsye, e quajnë të gjithë “filozofi” Artan Fuga, me një shkrim konspirativ për shkaqet e ekzodit të vitit 1991, nxjerrë nga libri në punim e sipër “Mistere të historisë shqiptare.”

Shkrimi i Fugës mbështetet mbi disa përshtypje sipërfaqësore të autorit dhe disa arsyetime të vogla për anijet në molo, për të zbuluar një të vërtetë që, të paktën në Shqipëri, e di edhe bufi: që qeveria shqiptare në vitin 1991 vetëm sa bëri sikur po e pengonte dyndjen e qytetarëve të vet drejt portit të Durrësit; por në fakt e inkurajoi ekzodin, si një lloj valvule për të çliruar presionin social brenda vendit.

Por Fuga gabon – në mënyrë të pabesueshme – kur e zbaton të njëjtën teori konspirative ndaj palës pritëse, ose Italisë; meqë, sipas tij, edhe Italia veç “ka bërë sikur” nuk e dëshironte ekzodin, duke bërë, po e them me fjalët e “profesorit”: rezistencë sa për të thënë.

Shkruan Fuga:

Po të donin autoritetet e atëhershme italiane i kthenin anijet me rimorkiatorë qysh në det dhe me kaq historia mbyllej.

Dhe kështu i vë kapakun një arsyetimi që nuk qëndron, sidoqë t’i qasesh.

Filozofi ynë, për fat të keq, nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë; meqë për ekzodin e vitit 1991 ka një numër studimesh të hollësishme, mes të cilave edhe libri i shkruar prej Rando Devoles dhe meje, me titullin La Scoperta dell’Albania, Edizioni Paoline 1996; dhe ku paraqitet mjaft qartë – besoj unë – vështirësia, në mos kriza ku u ndodhën autoritetet italiane, para situatës së paprecedent të së drejtave të njeriut, që u krijua me dyndjen e shqiptarëve drejt brigjeve të Puglia-s, në mars të vitit 1991.

Autoritetet e atëhershme italiane nuk mund t’i kthenin anijet me rimorkiatorë qysh në det; sepse shteti italian kishte ligje për trajtimin e refugjatëve, të cilat ligje autoritetet italiane ishin të detyruara t’i zbatonin; madje prandaj edhe ishin në pozicionin e autoritetit, që t’i zbatonin ligjet.

Për ta kuptuar më mirë këtë, mjaft t’i referohemi dyndjeve të ngjashme të pak muajve më pas; kur ekzodi u përsërit në fillim të gushtit 1991, sërish me bashkëfajësinë e “autoriteteve” (nuk mund veçse ta vë këtë fjalë në thonjëza) të Tiranës; por ndërkohë italianët e kishin përpunuar një politikë të re administrative me refugjatët, të cilën e zbatuan pa hezitim dhe i kthyen këta praktikisht të gjithë me avion në Shqipëri – duke u dhuruar disave syresh edhe kënaqësinë e fluturimit të parë në jetë.

Të gjitha këto janë shkruar, analizuar dhe sqaruar prej kohësh, sa i përket Italisë.

Edhe nëse nuk e lëçit italishten, Fuga mund të kishte shfletuar një numër të posaçëm të revistës Përpjekja (26-27), të drejtuar nga Eda Derhemi dhe kushtuar emigracionit shqiptar të viteve 1990; ku janë botuar, të përkthyera, pjesë të librit tonë dhe shkrime të tjera, që do ta kishin ndihmuar autorin t’u rrinte larg gjepurave.

Ose mund të kish parë filmin dokumentar Anija (La Nave) të Roland Sejkos për ekzodin; fundja edhe filmin tjetër dokumentar La Nave Dolce të Daniele Vicari-t; në vend që të bënte këtë brain storming qesharak, në bazë të një muhabeti “me një zyrtar të lartë në bulevard” – të cilit nuk ia përmend as emrin.

Ky zyrtar i lartë, “personazh publik shumë i lartë i kohës” i paska thënë tonit:

Do të ketë të reja së shpejti, janë gjendur mundësi që Perëndimi të ofrojë rreth njëqind [sic!] vende pune për shqiptarë që duan të punojnë atje.

Doemos, shifra “njëqind” është lajthitje; do të ketë qenë fjala për “njëqind mijë” – se njëqind vende pune mund t’ua ofronte shqiptarëve deri edhe administrata e universitetit në Paris ku ka studiuar dikur filozofi Fuga.

Dhe kjo e tanishmja e profesorit nuk është e vetmja teori konspirative për ekzodin; disa të ngjashme janë përsiatur këto ditë edhe për dyndjet ikëse nga Kosova, të cilat ndonjëri ua ka faturuar serbëve (në Kosovë ndonjëherë edhe motin e keq ua faturojnë serbëve ose agjentëve të tyre në Prishtinë).

Pa çka se autori vëren, në trupin e esesë së tanishme, se “sigurisht, nuk jam ndonjë partizan i teorive komplotiste”…

Në fakt, sikur të gjente pak kohë, mes punëve të shumta dhe sfilitëse, për t’u marrë me shkaqet sociologjike dhe psikologjike që i shtyjnë shqiptarët për të ikur, masivisht dhe sot e kësaj dite, nga trojet e tyre, Artan Fuga do të ndihmonte, me kapacitetin dhe kompetencën e vet, për të kuptuar më mirë edhe se çfarë ndodhi pikërisht në vitin 1991.

Pastaj, gjithnjë sikur t’i mbetet akoma kohë dhe energji, mund t’u kthehet atyre që janë thënë dhe shkruar për krizën që shkaktuan refugjatët në Italinë e atyre viteve; madje edhe në kuadrin më të gjerë, të debatit në lidhje me politikën e Europës së atëhershme ndaj vendeve të Lindjes; meqë në vitin 1991 parimi i “dyerve të hapura” ende konsiderohej si i shenjtë nga Brukseli.

Nuk ka komente

  1. Megjithatë më pëlqeu metafora e “dorës organizuese / dorës së komplotit / dorës së Zotit” të Fugës, sikurse edhe simbolika e dorës së Maradonës për ta zbukuruar tortën e argumentit konspirativ.

    Filozofi Fuga të lë pa frymë kur e merr një argument quasi-logjik ekonomik të ndërtuar qysh në shekullin e 18-të për ta kthyer përtej origjinëns së vet mistike, dhe risjell në formën e një antikolonializmi konspirativ.

    Xha Xha, nuk i heq dot asnjë presje arsyetimit tuaj. Megjithatë po ia lejoj vetes të vazhdoj logjikën e Fugës, pra për të qëndruar brenda përbrenda një argumenti mistik, dhe po sjell një thënie po aq mistike të një tjetër ekonomisti të shekullit të 20-të, Milton Friedman, që thotë:  “liria ekonomike është … një kusht i domosdoshëm drejt arritjes së lirisë politike”

    (“economic freedom is … an indispensable means toward the achievement of political freedom” Milton Friedman, Capitalism and Freedom, 1962.)

    Ndoshta Fuga, por edhe gjithfarë personazhesh publike të rëndësishme bëjnë të pyesin se mos këto eskodet ndodhin pikërisht ngaqë siç thotë Friedman, shumica e shqiptarëve në vendin e tyre nuk e kanë arritur lirinë ekonomike, dhe për rrjedhojë as atë politike, dhe janë në kërkim të të dyjave diku tjetër.

    Më pas ato teoritë konspirative mbase do vlenin për ndonjë gjë.

  2. Tema e migracionit mbetet aktual sot e kësaj dite, dhe ashtu do të mbetet për shumë kohë të tjera, meqë shoqëria e sotme, më shumë se të tjerat në të kaluarën, karakterizohet nga lëvizshmëria e popullsive. Eksodet e shqiptarëve më 1991 e ikjet masive gjatë viteve të mëpasshme janë studiuar nga disa pikëpamje, çka nuk do të thotë se nuk mund t’ua tërheqin ende vëmendjen studiuesve. Ka ende gjëra për të analizuar, por duke mos injoruar çfarë është thënë deri dje. Xhaxhai i ka rënë pikës me vëzhgimet e veta. Edhe mua më bëri përshtypje shkrimi i prof. Artan Fugës, sidomos kur i përkushtohet teorive konspirative të mbështetura në batutat e një ish miku të vet në bulevardin e Tiranës. E kuptoj që shkrimi bën pjesë në një libër që flet për mistere, por disa të vërteta historike, tashmë të studiuara mirë, nuk mund të shiten si romane.

    Edhe pse rrezikoj të përsëritem, po e theksoj sërish se ardhja e shqiptarëve në fillim të viteve 1990 e gjeti Italinë krejt të papërgatitur, jo vetëm nga pikëpamja organizative e politike, por edhe nga ana kulturore; ngaqë Italia nuk e kishte kuptuar ende se nga një vend emigracioni (nga ku ikin emigrantë) ishte shndërruar tashmë në vend imigracioni (ku vijnë imigrantë). Kolektivisht vendi ynë fqinj nuk e kishte realizuar këtë ndryshim rrënjësor të proceseve sociale. Si rrjedhim, nuk ka nevojë të përmendim ngjarje të turpshme si ajo e stadiumit të Barit, për të hedhur poshtë idenë se eksodet ishin të organizuara e të mirëpritura.

    Sikur t’i ktheheshim vitit të mbrapshtë 1997 dhe tragjedisë në det të anijes Kater i Radës, do të kuptonim pa vështirësi se nuk është aq e thjeshtë, qoftë nga ana teknike, të rimorkiosh një anije e ta kthesh andej nga ka ardhur. Vetë historitë migratore të pas eksodeve nuk dëshmojnë për ndonjë organizim me detaje, deri në sistemimin e personave në punë.

    Mendoj se do të ishte më e vyeshme që të analizoheshin shkaqet e shumta që i shtyjnë shqiptarët edhe sot të lënë vendet e tyre. E meqë ra fjala, bën mirë Xhaxhai që e kujton, se migrimi si ikje nga vendlindja është gjithnjë akt traumatik për njeriun. Pikërisht për këtë arsye meriton vëmendjen serioze të studiuesve, duke i vënë politikanët përballë përgjegjësive të tyre.

  3. Mendoj se ne fragmentin e shkeputur nga libri qe pritet te publikhoet-“Misteret” e historise shqipare”-Fuga prezanton qasjen e tij ndaj eskodeve masive duke nenvizuar se cdo ngjarje historike duhet kyqrur si bashkeveprim i rrethanave, faktoreve social-ekonomike me faktoret subjektiv.Nqs nje ngjarje historike si ajo e eksodeve do te shikohet vetem si reagim spontan ndaj kushteve ekonomike, njerzit reduktohen ne objekte te cilet i merr “era” e historise.Historia eshte proces racional apo ircaional? Rezultantia historike eshte produkt i forcave te verbera, spontane apo realizohet sipas nje programi / komploti dhe derdhet ne nje “kallep” te paracaktuar? Keto jane pyetje filozofike, edhe kur behen ne fb ne nje format publicistik. Ja si thote Fuga:

    “Sipas meje, për aq sa ka fuqi teoria e dorës të një komploti për të shpjeguar historinë mund të thuhet se dora e komplotit nuk është një element irracional për të shpjeguar historinë jashtë një logjike shkencore, por është pikërisht plotësimi i historisë me elementin e vet veprues njerëzor, e paraqet historinë sikundër është, jo një mekanizëm vetëveprues, por si një matricë ku bashkëveprojnë kushte, rrethana dhe aktorë që veprojnë aktivisht.”(FB, 22.02.2014)

    Pra Fuga, mesa kuptohet, pertej kqyrjes sociologjike te dinamikes se ngjarjes /eksodit , pavaresisht teknikaliteteve (porti, distanca e anijeve, mundesia e bllokimit apo rimorkimit te tyre nga pala italiane) dhe identifikimit te shenjave te nje komploti apo akordi te heshtur mes autoriteteve shqiptare dhe italiane te kohes, futet ne terrenin e kuptimit filozofik te historise. Kam pershtypjen se me kete qasje inspirohet nga tezat e W.Benjamin ne esene “Mbi konecptin e historise”, teza te cilat kritikojne qasjet e ngecura mes marksizmit dhe misticizmit ne kqyrjen e procesit historik.
    Gjithsesi duhet pritur botimi libirit per te gjykuar “te teren” dhe jo fragmentin e postuar…ne fb. Duke thene sa me lart, me duket i habitshem dhe , me shqeto, krejt pa etike, vleresimi Xha Xhait per prof.Fugen
    (shprehje te tilla ” ky eshte publicist dhe nuk di per c’arsye e quajne filozof” “gjepura” “qesharak” ) dhe venia ne dyshim e aftesive metodologjike te akademik Fuges sepse …nuk ka cituar librin e Devole&Vehbiu ! Po La Scoperta dell’Albania, nuk eshte libri total dhe edicioni Perpjekjes nuk eshte fjala e fundit per emigracionin. Madje mund te beje tjetri nje studim integral dhe nuk eshte e thene te citoje gjithe burimet e konsultuara.

    1. Prof. Fuga nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë. Nuk është e thënë të citojë nga librat që përmend unë; por nuk mund të shkruajë edhe sikur të mos ketë studime të mëparshme për këto çështje – sepse ashtu bën një sharlatan, jo një studiues dhe profesor. Le të citojë botime të tjera, le t’i referohet asaj që ju e quani “fjala e fundit për emigracionin” (bujrum, ashtu mësojmë edhe ne) le të thotë se ky apo ai kontribut nuk ia vlen, ose ka gabime – por jo të injorojë. Dija ecën përpara duke marrë në konsideratë çfarë i ka paraprirë; jo duke zbuluar ujët e nxehtë sa herë që marrim penën të shkruajmë dhe pastaj duke i paraqitur elukubracionet tona si të ishin “fjala e fundit”. Dhe po – ka thënë gjepura te ky artikull, dhe tingëllon qesharak, dhe nuk i del zot titullit me të cilin e thërret masa e lexuesve. Dhe nuk është as hera e parë që e bën këtë. Devole dhe unë librin (që ia kemi DHURUAR profesorit) e kemi shkruar pikërisht që ta lexojnë njerëz të profilit të Fugës – dhe na dhimbset dhe nuk na vjen mirë kur na e shpërfillin kaq haptazi. Prandaj le të mos flasim për etikë; aq më tepër që ajo etikë së cilës i referoheni ju po më duket më tepër si koreografi pushtetesh të sajuara, që për mua ende nuk janë përligjur.

    2. Shpend, në trajtesën time kisha harruar të përdorja edhe shprehjen e bukur popullore llogje Kavaje (shpresoj se nuk do të ngrihet kush të më akuzojë se po shkel etikën ndaj qytetit në fjalë dhe qytetarëve përkatës, meqë shprehja nuk është imja).

  4. Mua më befasoi qasja e prof. Artan Fugës ndaj eksodeve të 1991-it. E njoh mirë prof. Fugën si nga ana personale (e kam mik të vjetër), ashtu edhe nga ana profesionale (ia kam blerë pothuajse të gjitha librat). E ndjek me shumë vëmendje e interes në veprimtarinë e tij publike.

    Mirëpo këtu po flasim për një ngjarje sociale të rëndësishme për historinë e shqiptarëve. Në qoftë se tezën e komplotit nga bregu shqiptar e kisha dëgjuar më parë, atë të organizimit nga ana e bregut tjetër nuk e kam hasur asnjëherë. Nuk janë paraqitur ende prova, por në atë kohë flitej sikur zërat i përhapte Sigurimi në mënyrë që njerëzit të iknin jashtë shtetit. Të mos harrojmë se eksodi i marsit ndodhi pas krizës së ambasadave në fund të vitit 1990. Me këtë nxitje të emigracionit regjimi i Alias nga një anë i bënte trysni Perëndimit, nga tjetra arrinte të shfrynte tensionin politik brenda vendit. Edhe pse mund të jetë afër të së vërtetës, sidomos duke parë qëndrimet e organeve të asaj kohe, deri më sot nuk kam parë dokumente historike që ta vërtetojnë këtë teori, pra të ndërhyrjeve aktive e të organizuara në tryezë.

    Atë që nuk kam dëgjuar kurrë është se eksodi ishte kurdisur nga Italia. Këtu mungojnë si arsyetimet ashtu edhe hamendësimet. Përse Italia duhet të kishte interes të organizonte eksode nga Shqipëria? Po të shihet historia e mëvonshme, pra ajo çka ndodhi më pas e që është studiuar në një farë mënyre, do të vihet re se Italia ishte fare e papërgatitur për imigracionin që iu shfaq papritur në brigjet puljeze. Kjo është aq e vërtetë se pak muaj më vonë nga eksodi i marsit, pra gjatë verës, u verifikuan ngjarjet e rënda të stadiumit të Barit. Për ata që nuk e mbajnë mend, shqiptarët u gënjyen nga autoritetet italiane kur i futën në autobusë, duke i thënë se po i shpinin në kampe refugjatësh, por në fakt i çuan në avionët me të cilët u kthyen (urë ajrore, u tha atëherë). Përse nuk i mbajtën përderisa i kishin dëshiruar e organizuar eksodet e shqiptarëve? Po flasim për fakte historike, jo për teori konspirative.

    Nuk më duket korrekte që teoria e organizimit të eksodeve të argumentohet me një batutë të një ish funksionari të dikurshëm e me integrimin e sotëm të shqiptarëve. Procesi i integrimit nuk ka marrë fund, sepse probleme ka sot e kësaj dite. Por mbi të gjitha nuk duhet të harrojmë se rrugëtimi i integrimit ka qenë plot vështirësi, çka përmendet me të drejtë edhe nga prof. Fuga. Por na duhet të përsërisim se vitet 1990 ishin ndër vitet më të vështira që kaluan shqiptarët në Itali, vitet kur paragjykimi e stigmatizimi arritën kulmin, pikërisht ai paragjykim që lindi në rrafshin mediatik disa ditë pas eksodeve. Po të kishte qenë fenomen i organizuar ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe.

    Megjithëse studimet nuk mungojnë, historia e eksodeve nuk është kapitull i mbyllur. Historianët e studiuesit mund të analizojnë komunikimet zyrtare të asaj kohe, mund të mbledhin dëshmi të tjera të protagonistëve, mund ta shohin atë dukuri në krahasim me ato të sotmet. Pra vend për studime e analiza ka plot.

  5. Shpend Bytyçi thotë:

    “Nqs nje ngjarje historike si ajo e eksodeve do te shikohet vetem si reagim spontan ndaj kushteve ekonomike, njerzit reduktohen ne objekte te cilet i merr “era” e historise.”

    Kurse unë them që është e kundërta. Ajo që i bën njërzit objekt, dhe i zhvesh nga individualiteti, ose nga vullneti individual si të thuash, është t’i nënshtrosh ata kundrejt një procesi historik të imagjinuar dhe të paverifikuar.

    Ku qëndron ndryshimi midis le të themi “materializmit historik” dhe “dorës së komplotit për të shpjeguar historinë”?

    Nëse ka ndonjë gjë të sigurt në gjithë historinë e eksodit, dhe jo vetëm atij shqiptar, nuk janë komplotet por afirmimi i dëshirës së individit për të qënë i lirë. Dhe sigurisht liria ekonomike është primordiale, po aq sa ç’është edhe liria e fjalës. Pa këto të dyja nuk ka liri as politike; që presupozon liri ndaj sistemit.

    Rëndësia minimale që shqiptarët i veshin lirisë ekonomike rrjedh së pari nga fakti që nuk e kanë pasur kurrë, dhe së dyti ngaqë përjetuam një regjim totalitar, ku përpjekjet e tij për privimin total të çdo lloj lirie duket se i ka sheshuar edhe dallimet midis llojeve të ndryshme të atyre lirive.

  6. Ujku i zi thote:
    “Nëse ka ndonjë gjë të sigurt në gjithë historinë e eksodit, dhe jo vetëm atij shqiptar, nuk janë komplotet por afirmimi i dëshirës së individit për të qënë i lirë. Dhe sigurisht liria ekonomike është primordiale, po aq sa ç’është edhe liria e fjalës.”
    Eksodi , i pare si pjese e nje procesi te gjere demokratik,(Levizja e Dhjetorit 1990) dhe produkt i tij, nuk ka si te jete komplot.”Lumi” i njerzve, ndryshe nga lumi qe e can verberisht rrugen e tij, u derdh ne nje pike, ne nje dite ne portin e Durrsit jo thjesht me intuite por sepse u orientua , nga nje thashethemnaje e perhapur me shpejtesi.Dhe se dyti, portat e portit u hapen lehtesisht . I ashtuquajturi “komplot” nenkupton orientimin dhe lehtesimin e procesit .Forcat subjektive mund te pershpejtojne ose pengojne procesin historik, ngjarjen pra ku perfshihen qindra mijra vullnete , por nuk mund ta prodhojne ose shpikin ate. Per palen shqiptare “dora e komplotit” ne termat e shpjeguar me lart pranohet (e di dhe bufi kete-thote Xha Xhai).Por kur themi se pala italiane u gjend e papergatitur per te stopuar valen e eksodit, a nuk pohojme se ky qendrim i autoriteteve ishte pikerisht “dora e Zotit” qe i ndihu njerzit te hidheshin matane ne “token e premtuar”?
    Rendom thuhet se njerzit emigrojne “per nje jete me te mire”, dmth te kene nje jete me komode, duke evidentuar keshtu shtysen ekonomike si faktorin vendimtar. Jo vetem ne levizjet migratore por edhe ne proceset e medha historike, ne ngjarjet revolucionare, pas motiveve ekonomike qendronjne motivet per nje jete me dinjitet, qendron deshira per tu pranuar si i barbarte dhe ky dinjitet mundesohet vetem nga liria. Pas eksodit, fillon historia e pudukshme e peripecive te eimgranteve per pranim, per dinijtet. Vetem shpendet shtegtojne nga nje vend ne tjetrin per te siguruar ushqim.Ne konceptin hegelian , historia eshte progres i stadeve te lirise, nga Poils ne shtetin modern liberal.

  7. Problemi me shkrimin e zotit Fuga ka të bëjë më shumë me personin e tij. Hipoteza e tij, që eksodi në fjalë ishte iniciuar nga/edhe jashtë, me qëllim që të mundësonte një punësim masiv të shtetasve shqiptarë, për të lehtësuar situatën e rënduar ekonomike në atë kohë në Shqipëri, është një histori që e pret ta dëgjosh në ndonjë qebaptore tymi në rrethanat e ndonjë ish-qyteti industrial, por jo të pretenduar botërisht nga një njeri publik, i cili merret në konsideratë si një përfaqësues i dijes akademike dhe i shkollës të të parit të gjërave në mënyrë kritike dhe analitike. Unë zotin Fuga e njoh pak, por për vendin që zë ai në opinionin publik shqiptar, ndjehem veçanërisht i hutuar (në rastin më të mirë kjo) të shikoj se si me një temë të tillë kaq të rëndësishme punohet me kaq pak përgjegjësi.

    Një opsion është që ai të jetë duke u tallur, ndërsa pretendon botërisht, se ky eksod mund të ketë pasur edhe një forcë lëvizëse të manipuluar nga shtetet perëndimore të asaj kohe.

    Sidoqoftë, unë e kam ndjekur nga shumë afër në vitet 90 ardhjen e refugjatëve shqiptarë përtej alpeve dhe kam mundur të vë re, që shtete si Gjermania, Zvicra apo Austria ardhjen e masave të refugjatëve shqiptare e perceptuan si diçka të padëshiruar. Nga pikëpamja e të drejtës administrative që rregullonte statusin ligjor të tyre u bënë përpjekjet maksimale, që këta refugjatë të mos e kishin fare të lehtë të qëndronin në këto vende. Kështu ata detyroheshin të jetonin me familjet e tyre për vite me rradhë nëpër fshatra të humbura, prej të cilave nuk mund të largoheshin më shumë se pak kilometra. Që herën e dytë që ata kapeshin duke shkelur këto kufizime ata merreshin në përgjegjësi penale dhe dënoheshin 2 – 3 herët e para më gjobë penale dhe shumë shpejt me heqje lirie. Proceset penale kanë qenë me dhjetëra mijë, aq sa çuan në mënyrë të dukshme nivelin statistikor të penalizimit të shtetasve të huaj në mënyrë artificiale në një tavan, që edhe vetë shtypit vendas qendror ju desh t’i kthehej disa herë më mënyrë kritikë. Në të njëjtën kohë shumë gjyqtarë, të detyruar sipas ligjit dhe në funksion të zbatimit të kompetencës së tyre territoriale, lëndore dhe funksionale të dënonin këta gjynahqarë, kishin probleme aq të mëdha me ndërgjegjen, saqë duke aplikuar një rregul të statusit të tyre zyrtar, sipas të cilit një gjyqtar nuk mund të detyrohet të veprojë në kundërshtim me bindjen e tij etike, i janë drejtuar gjykatave ndërkombëtare për të bërë një interpretim juridik të normës si dhe konstatuar, nëse këto rregullime nuk binin ndesh me të drejtat e njeriut.

    Përveç kësaj shtetasve e huaj që arrinin si refugjatë nuk ju lejohej të punonin në asnjë lloj pune në vitin e parë, ndërkohë që më pas nëse do të gjenin një vend pune, punëdhënësi potencial i ardhshëm ishte i detyruar që për të njëjtin vend pune të kishte marrë në konsideratë tre aplikime nga shtetas vendas, ose të Bashkimit Evropian.

    Po në vitin e parë, në këtë periudhë kaq restriktive, refugjatëve nuk ju jepej ndihmë sociale në të hodha por në të mira materiale. Ata merrnin paketa me ushqime, që duhet t’i gatuanin vetë dhe shumë pak para të thata në dorë për cigare.

    Por ka edhe diçka tjetër, që nuk është vënë re sa duhet në lidhje me temën e refugjatëve të eksodeve. Për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme të ikjeve të tilla është vënë re se niveli mesatar i shkollimit të këtyre turmave binte, sa më e madhe të ishte shkalla e rrezikut që ata njerëz do të merrnin në sy. Nuk dua të them që midis tyre nuk ka pasur njerëz të shkolluar, por shumica dërmuese ishte në një nivel nënmesatar shkollimi. Nëse shtetet perëndimore do të merrnin një sasi kaq të madhe shtetasish shqiptarë për shkaqet e mësipërme, ata me siguri që do të ndiqnin një strategji tjetër për të thithur atë fuqi punëtore, e cila nga pikëpamja ekonomike të ishte edhe për ata e vlefshme. Ankesat e organizatave përfaqësuese të interesit të punëdhënësve ishin më se evidente; njerëzit që po ju vinin nga jugu në rrugën dramatike të eksodeve nuk ishin të përshtatshëm për nevojat e tregut të punës.

    Me një fjalë, nëse Zoti Fuga nuk është tallur, nuk ka bërë tjetër gjë, vetëm se ka amplifikuar një teori konspiracioni, që normalisht do të duhej të ishte gjeneruar vetëm në një nivel tjetër, shumë më të ulët.

    Parë nga ky këndvështrim unë e shikoj acarimin e autorit me zotin Fuga si një kove me ujë të ftohtë që ky ja derdh atij në kokë për hir të një interesi publik madhor, atij të të parit me objektivitet të ca gjërave publike që janë veçanërisht të rëndësishme.

  8. Une jam kurioz te shikoj ndonje perpjekje per te interpretuar fenomenin e emigracionit masiv shqiptar ne Greqi.
    Greqia e toleroi emigracionin tone atje per shume arsye, e para, besoj une, paaftesia e shtetit per kontroll.
    Por dyshoj qe ka pasur edhe nje deshire per te mbyllur njerin sy, qe vete Greqia te mos kishte ne kufi nje vend super te varfer. Rezultati i arritur eshte i mire. Ne Jug te Shqiperise, uria u shmang, varferia ektreme dhe fenomenet shoqeruese te saj u zbut dhe pervec nesh shqiptareve, perfituesit ishin patjeter rajonet kufitare te Greqise, qe nuk kishin njerez te botes se trete vetem gjysem ore larg ne kembe.
    Uroj qe te lexoj dicka per keto pune ne nje te ardhme jo te larget.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin