TIPI NGA PORLOCK-U

Kubla Khan” (titulli i plotë: “Kubla Khan; or, A Vision in a Dream; A Fragment”) është një nga poemat më të njohura, dhe kushedi më të arrira, të Samuel Taylor Coleridge-it.

mmmVetë autori ka rrëfyer më pas se e shkroi atë një natë sapo u zgjua nga një ëndërr opiumi; dhe ashtu i përgjumur u vu të hidhte në letër vargjet ashtu siç i vinin prej ëndrrës, derisa u detyrua ta lërë punën përgjysmë, ngaqë e lajmëruan se kish ardhur “një person nga Porlock-u” – Porlock-u duke qenë, në këtë kontekst, një fshat i vogël bregdetar, afër vilës ku jetonte poeti.

Pasi ky person u largua, më kot u përpoq Coleridge-i që ta vazhdonte poemën – i ishte tretur nga vetëdija, si “imazhet në sipërfaqen e një rrëkeje, pasi ka rënë atje një gur.”

Para se ta zinte gjumi atë natë, Coleridge-i kish qenë duke lexuar një libër të klerikut dhe gjeografit anglez Samuel Purchas, ku gjendej edhe një përshkrim i shkurtër i Xanadu-së, kryeqytetit veror të sundimtarit mongol Kublai Khan.

Dhe fjalët që përdor Purchas-i atje, për të përshkruar pallatin e Khan-it, e kanë burimin në tekstin e Marco Polo-s, i cili e vizitoi Xanadu-në dikur në 1275.

Në esenë e tij kushtuar “ëndrrës së Coleridge-it” (El sueño de Coleridge, një version në anglishte këtu, menjëherë pas poemës), Borges-i përmend një vepër historiografike të shkrimtarit persian Rashid al-Din, ku ky shkruan se Kubla Khan-i “ndërtoi një pallat sipas një plani që ai e kish parë në ëndërr dhe që pastaj e kish ruajtur në kujtesë.”

Përballë kësaj koincidence, Borges-i vëren se ajo mund edhe t’i detyrohet një arketipi, që ende nuk i është përshfaqur njeriut në plotësinë e vet; “një objekti të amshuar, që po hyn gradualisht në botë – herën e parë si pallat, herën e dytë si poemë.”

Po ç’rol i mbetet këtu të luajë atij tipit nga Porlock-u, që nuk e lejoi Coleridge-in ta mbarojë poemën?

Ky vizitor, që pa dashur la gjurmë në historinë e letërsisë angleze, madje edhe atë botërore, ka mbetur edhe ai në histori – bash për këtë arsye; duke shënjuar një aksident ose rrethanë të rastit, që ndërhyn në ecurinë e krijimit të një vepre.

Këtu do të gjeni listën – me siguri të paplotë – të përmendjeve që ia kanë bërë këtij personazhi engimatik autorë të tjerë, të intriguar, për mirë e për keq, nga kjo ndërhyrje e rastësisë në domosdoshmëri.

E gjithsesi, po të kemi parasysh se e gjithë kjo dinamikë lidhet me objektin e amshuar, ose arketipin për të cilin flet Borges-i, atëherë personi nga Porlock-u – përndryshe i paidentifikuar – do të ketë pasur për detyrë divine pikërisht të pengojë, me mënyrën e vet, përfundimin e poemës; ose transkriptimin besnik të ëndrrës.

Një ndërhyrje nga lart, pra; dhe kjo vjen e i ndërlikon punët.

Kjo anekdotë m’u kujtua menjëherë, kur nisa të lexoja një roman fantashkencor të vëllezërve Arkady dhe Boris Strugackij, me titullin origjinal За миллиард лет до конца света (“Një miliard vjet para fundit të botës”, i vitit 1974), por të përkthyer tani rishtas në anglisht si Definitely Maybe (Melville House Publishing, 2014).

Protagonisti i romanit, Maljanovi, është një astrofizicist që studion “ndërveprimin e yjeve me materjen galaktike të shpërndarë”, dhe pikërisht në momentin kur ndjen se po i afrohet një zbulimi të kalibrit të çmimit Nobel, vëren se fillojnë t’i ndodhin në jetë gjëra të çuditshme, të papritura, të pashpjegueshme.

Fqinji i tij, një matematikan, i shpjegon këto aksidente me hipotezën se universi po përpiqet, me mënyrat e veta, që të mos e lejojë këtë zbulim; dhe se kjo përpjekje nuk është veçse një mënyrë e universit për t’u mbrojtur nga super-qytetërimet teknologjike.

Romani i vëllezërve Strugacki shtjellohet në një atmosferë tipike sovjetike – ku njerëzit e kalojnë kohën së bashku, të ulur në tryeza të varfra, duke gëlltitur sasi të pabesueshme alkooli dhe të përfshirë në debate filozofike dhe metafizike për kuptimin e jetës.

Mirëpo kjo ide – e njeriut që pengohet të arrijë potencialin e vet, pse ky potencial mund të jetë fatal për të ardhmen e botës, i tejkalon caqet e paranojës sovjetike, të viteve 1970.

Pesë vjet më parë, dy fizikanë të respektuar – Holger Bech Nielsen i Institutit Niels Bohr në Kopenhagen, dhe Masao Ninomiya i Institutit Yukawa për Fizikë Teorike në Kyoto, Japoni – në përgjigje të një serie defektesh që po i ndodhnin Përshpejtuesit LHC në Gjenevë, dolën me hipotezën se përshpejtuesi LHC në Gjenevë po sabotohet nga e ardhmja.

(Kam shkruar për këtë hipotezë këtu; në shkrim do të gjeni edhe linkun drejt artikullit në The New York Times.)

Sipas këtyre shkencëtarëve, është e mundur që një nga grimcat subatomike që do të përftohen në LHC, bozoni Higgs, mund të jetë kaq e padëshiruar dhe e papranueshme për natyrën, sa krijimi i saj do të pengohet vetvetiu nga e ardhmja, nëpërmjet një mekanizmi të ngjashëm me feedback-un (i njëjti mekanizëm, p.sh. që përdor termostati për të mos e lejuar furrën të tejkalojë një temperaturë të caktuar dhe ta përcëllojë kekun).

Dhe kjo teori ngjan më shumë se ç’mund të lejojë koincidenca, me teorinë e matematikanit Veçerovski në romanin e vëllezërve Strugackij, i cili flet për një “univers homeostatik.”

Të jetë edhe kjo teori, pra, një nga ato objekte të amshuara për të cilat flet Borges-i? Dhe nëse është kështu, a na lejohet ta quajmë personin nga Porlock-u si një nga levat themelore të universit, të kapur në veprim e sipër?

Nuk ka komente

  1. Ka pak shije ezoterike, por si i thone fjales, se non e vero e ben trovato. Personalisht mendoj se njeriu ka nisur ta ngacmoje natyren qe kur shpiku rroten apo leven. Bezdi te madhe do te kete patur e ardhmje nga Ratherfordi dhe Mari Kyri, qe i shkulen sekretet e radiacionit, kam qene gjithnje i mrekulluar nga zbulimi i Mendelejevit. Ai vendosi rendin e botes dhe foli per elemente qe nuk ekzistonin. E ardhmje jo vetem qe nuk e pengoi, por ia shfaqi te “gateshme” ne enderr. Cfare mund te bente me mire e ardhmja pervecse te ndalonte projektin Manhatan? Jo per hatane e Hiroshimes, por me fort per faktin se kur nisi procesi askush nuk e dinte ne te vertete se ai do te ndalej diku e nuk do te ndizte universin. Them se me shume se mekanizmat pengues e ardhmja operon me mekanizma mbrojtes. Asaj i pelqen çmenduria njerzore dhe krijon hapesira te pafundme per te.

  2. Ka arsye plauzible të mendohet se burri nga Porlock-u është krijim i vetë Coleridge, që njihej për jo i saktë me historitë e kompozimeve të poemave dhe tepër lojëcak me ndërhyrje të tilla, pra shpikjen e “personave”, p.sh. në “Bibliographia Litteraria” fut në lojë letrën e një miku, ku miku është vetë Coleridge. Në parathënien e “The Picture”, figura e Porlockut ka formën e një guri që bie në sipërfaqen e ujit dhe, duke hedhur valë, prish imazhin e reflektuar në ujin-pasqyrë, të cilën e kundronte një djalë i ri që më pas vajton humbjen e e imazhit të mundësuar prej ujit të qetë. Ngjashëm, edhe autori i “Kubla Khan” vajton humbjen dhe shkëputjen nga burimi i frymëzimit (ëndrra, tjetër medium imazhist), për shkak të një ndërhyrje së botës mondane të së përditshmes (a mere man on business). Atëherë mund të spekulohet se burri nga Porlock-u funskionon si alibi për natyrën fragementale të frymëzimit poetik apo njohjes/diturisë. Po ashtu nevoja për të shpikur një “Doppelgänger” i jep krahë delirit se, pa tipa si Porlocku, poeti do arrinte plotësinë e visionit. Të dyja interpretimet tradhëtojnë një farë paranoje se një instancë madhore i superimpozohet krijimtarisë njerëzore, dhe këtu shoh lidhje me paranojën e fantashkencës. Më kujton realen lakaniane…

  3. Pyetjes së parafundit unë do t’i përgjigjesha “Po”, kurse pyetjes së fundit “Ndoshta”. Tema ka sharmin e vet, që i vjen nga kompleksiteti, përveçse nga fakti se ka në bazë pyetjet kryesore të njerëzimit. Dy janë konceptet që më vijnë menjëherë në mend: ekuilibri si objektiv dhe ëndrra si mjet. Në qoftë se ai, që në shkrim quhet univers, ka si qëllim ekuilibrin e përgjithshëm, që realizohet nëpëmjet ligjeve fizike ose jo, atëherë duhet ta pranojmë se ndërhyrjet nga jashtë janë të shumta, pavarësisht se si i paraqiten mendjes njerëzore. Deri dje, në këndvështrimin materialist e frojdian, ëndrrën do ta shihnim vetëm si veprimtari neurocerebral, që lind e zhvillohet në aksh zonë paritetale oksipitale të kores së trurit. Kështu tabelën e Mendelejevit e shpjegonim lehtësisht me faktin se truri punon edhe kur flemë. Kur zgjohemi mjafton të hedhim në letër atë që pamë në ëndërr. Po pasojat?

    Po sikur ëndrra të jetë vetëm mjeti për të realizuar diçka tjetër, gjithnjë në funksion të ekuilibrit në nivel makro e mikro? Këtu, disa skena nga filmi “Inception” na vijnë natyrshëm. Sikurse ëndrra, ose ideja çfarëdo, edhe ai tipi nga Porlock-u është futur ose mbjellë me kujdes për të arritur diçka tjetër. Liria e mendimit na detyron ta lëmë të hapur çështjen nëse universi ka një mekanizëm që vepron automatikisht për rregullimin e ekuilibrit. Përndryshe kemi gjithnjë sugjerimin e tregimit të Philip K. Dick me titull “Adjustment Team”, nga ku është frymëzuar edhe filmi i suksesshëm “The Adjustment Bureau”. Në këtë kuptim, si anomalia ashtu edhe koincidenca janë thjesht funksionale, ose nuk ekzistojnë. Ai tipi i Porlock-ut mund të quhet levë por jo kryesore, varet gjithnjë nga roli që i është besuar. Por tani lind pyetja më e vështirë: Në një univers që kërkon të realizojë qëllimin e vet nëpërmjet levave të ndryshme, çfarë roli ka ky shkrim që na u dha sot për lexim? Që të pyesim veten për ekzistencën e tyre, apo që të vijojmë për të zhbiruar sensin e thellë të ekzistencës, përtej yjësive të dukshme?

  4. Interesante kjo historia e Porlock-ut.
    Endrrimi, imagjinata, fantazia perhere jane konsideruar si instrumenta ne punen krijuese te njeriut, qofte ky poet, konstruktor apo filozof.Nqs procesin e te enderruarit do ta mendonim ne funksion te projektimit te dickaje te dobishme per njeriun, atehere endrra vete duhet te nderpritet qe mund te jetersohet.Dalja nga endrra, nderpreja e te enderruarit, eshte edhe mundesia qe enderruesi te vetdijesohet per endrren e tij.Njeriu eshte i projektuar ne te ardhmen dhe, ne kete kuptim, Porlock-u simbolizon forcat e jetes te cilat e therresin njeriun per te dale nga endrra ne realitet.Porlock-u eshte filli qe ndrelidh enderruesin me realitetin.
    Ne narrativen biblike thuhet se Zoti e denoi Adamin duke e perjashtuar nga parajsa kur ai hengri nga pema e dijes.Pas kesaj, cdo perpjekje e gjinise njerzore per njohjen e botes, per zbulimin e sekreteve te saj, nuk dote ishte me i lehte. Ne cdo tentative per kapur vizionin e plote te botes, njeriut do ti cfaqej Porlock-u, penguesi, Djalli ziliqar, i derguari Zotit .Cdo hap i njeriut drejt te panjohures,cdo zgjerim i kufijve te njohjes se Universit, eshte ngushtim i hapsirave te ekzistences se Zotit
    Simbolika e Porlock-ut mund te vendoset fare mire ne kontekstin e konceptit popperian te njohjes, si proces i pjese-pjesshem.Njeriu eshte nje qenie ne kohe dhe perkohshmeria, barriera e kohes, eshte sfida kryesore e njeriut ne procesin e njohjes se universit. Kjo pamundeson hopin cilesor, nga e panjohura ne procesin e njohjes totale te Universit.Natyra perhere do te ngreje “kurthe” dhe pas cdo suksesi te shkences ,do te shfaqet “Porlock-u”, pengesa e radhes. Megjithate, jo te pakta jane epifanite, nga “Eureka” e Arkimendit tek Shurrtorja e Duchamp.
    Porlock-u, po te flasim me gjuhen e Popper, eshte deshmia e deshtimit te cdo utopie dhe qasje holiste ne shpjegimin e shoqerise , prej Hegelit apo Marksit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin