SYRI DHE FAQJA

Ky shkrim nisi si koment për temën DY ANËT E PËRGJIMIT por mori formë tjetër. E vonova botimin pasi u lajmërua se Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro do të ishte e ftuar në emisionin Tonight Ilva Tare, krahas Ema Andreas, Ben Andonit dhe Alfred Lelajt për të diskutuar mbi “Kambanat e Kulturës”. Ju ftoj ta lexoni këtë kontribut timin në vazhdim të asaj bisede, që mua më vleu shumë.

Projekti për transformimin në një Muze të Përgjimeve, të godinës deri më sot të njohur si Shtëpia e Gjetheve, u prezantua më datë 24 Janar në ambientet e jashtme të kësaj ndërtese, me një ceremoni për diplomatë, përfaqësues të biznesit dhe mediat. Ky “One Day Show” u rrek të pasqyrojë “përmes stendave informative dhe elementeve të tjerë vizualë, konceptin kreativ se si mund të shndërrohet “shtëpia e gjetheve” në një Muze të Përgjimeve.” Nga faqja e Ministrisë së Kulturës mësojmë se projekti do të realizohet në 3 faza:

Prezantuam FAZËN E PARË të një pune nisur muaj më parë nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me një grup ekspertësh si Bashkim Shehu (shkrimtar, studiues, hulumtues, skenarist), Elisabetta Terragni (arkitekte muzeografe), Agron Tufa (shkrimtar, studiues, drejtor i Institutit të Kujtesës), Eduard Zaloshnja (publicist, studiues, ekspert i statistikave), e të tjerë kolegë, si dhe në bashkëpunim me ekspertë të SHISH dhe të Ministrisë së Brendshme, për të mbledhur dokumentacion dhe objekte, për të përgatitur konceptin, përmbajtjen dhe projektin e muzealizimit.

Do të hyjmë tani në FAZËN E DYTË të punës që do të jetë konsolidimi i ngrehinës së dëmtuar rëndë nga mospërdorimi prej më shumë se 10 vjetësh i saj.
Për të vijuar më tej me FAZËN E FUNDIT që do të jetë muzealizimi dhe përgatitja e muzeut për publikun vendas dhe të huaj.

Faza e parë dhe e dytë është kryer dhe do të kryhet me mjetet financiare të buxhetit të Ministrisë së Kulturës dhe me shumë angazhim të ekipit hartues të projektit.

 Çka u prezantua më 24 janar ishte pra vetëm faza e parë e projektit, edhe pse media e paraqiti atë si hapjen e shtëpisë muze. Ja disa prej titujve në gazetat e kanalet televizive kryesore kombëtare. Njihet prirja e gazetave për të shitur sensacion, por kjo paraqitje e eventit si vetë hapja e muzeut/shtëpisë vjen erë dizinformim, ndoshta jo i qëllimshëm, meqë më 20 janar disa gazeta botuan një paraqitje paraprake të projekt-idesë për muzeun e përgjimeve, “Shtëpia e Gjetheve”.

Muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, Muzeu i përgjimit të policisë sekrete – Ministria e Kulturës 1/19/15
Hapet shtëpia me gjethe kryeqendra e sigurimit ne Tirane – Gazeta Panorama 1/20/15
Muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, Muzeu i përgjimit të policisë sekrete – Shqiptarja 1/20/15
Muzeu i Sigurimit të Shtetit do të hapet për qytetarët – Shekulli 1/21/15
Prezantohet projekti i Muzeut të përgjimeve “Shtëpia e gjetheve”– ATA 1/24/15
Hapet për publikun “Shtëpia e Gjetheve” – Top Channel 1/24/15
Hapet për publikun “Shtëpia e Gjetheve”. Rama falënderon Visho Ajazin për bashkëpunimin – Gazeta Dita 1/24/15
“Shtëpia me gjethe” , sot pret vizitorët- Gazeta Shqip – 1/24/15
Hapet “Shtëpia me Gjethe”, Rama: Do zbulojmë Nen dheun – Gazeta Panorama 1/25/15
“Shtëpia e Gjetheve”, ja qelitë e tmerrit që përdorte Gazidede – Shqiptarja 1/25/15
Gjethet e “Shtëpisë së Gjetheve” merren nga Liqeni – Shqiptarja 1/25/15

“Sot pret vizitorët” lajmëronte Gazeta Shqip, vetëm se askush nuk mund të futej brenda në “objekt” për të parë nga afër punën e grupit të punës dhe aparatet misterioze, pse muzeu akoma nuk është hapur për publikun! Askush përveç ndonjë ambasadori kurioz, që me ngulm arriti të sigurojë leje-hyrjen e nevojshme. Ndërtesa, siç shprehet gazetari i Top Channel, është akoma off-limits meqë gjatë viteve ajo ka pësuar dëmtime dhe nuk mund të përballojë fluksin e vizitorëve dhe nuk ështe nisur akoma puna për transformimin e saj në nje muze të mirëfilltë.

Natyrisht më vjen të pyes se përse gjithë ky SHOW, pikërisht tani e vetëm për një ditë për t’u zhdukur pastaj nga vëmendja e publikut. Një strategji e ngjashme u ndoq edhe për BunkArt, që qëndroi i hapur për vizitorët vetëm për një muaj. Praktika e preview njihet botërisht si mënyrë e pranueshme për të “testuar” e përgatitur terrenin e publikun rreth një projekti, dhe në shumë raste shërben për të ftuar mendime e reagime – a la stakeholder engagement – siç po veprohet për çështjen e Komanit. Por meqë kjo preview nuk ishte për publikun e gjerë, pavarësisht deklaratave të medias, atëherë kujt i drejtohej? Donatorëve? Turistit të ardhshëm?  Në këtë fazë të projektit kushedi do të kishte mjaftuar një konferencë për shtyp ku të bëhej publik propozimi për shndërrimin e ndërtesës në muze dhe të ishte shpjeguar se do të punohet me faza. Më korrigjoni nëse ka patur deklaratë të tillë nga pala qeveritare, pasi nuk mjafton përmendja e projekt-idesë që bëri KM Rama në fjalën e tij mbajtur gjatë ceremonisë së “hapjes” të BunkArt.  Atëherë kjo preview edhe mund të kishte një kuptim e një rrjedhë të natyrshme dhe publikut nuk do t’i kërkohej të kapërcejë një hendek kaq të madh, nga hiçi në një instaMusem.

Publiku që ka pritur mëse 25 vjet për një përballje kurajoze më të shkuarën, do të priste edhe 25 të tjera për të. Edhe thirrjet e elitave drejtuar popullit për t’u përballur me të kaluarën tingëllojnë ironike, sa kohë që pikërisht këto elita i kanë në dorë mjetet për ta bërë këtë, pa çka se deri tani kanë refuzuar ose kanë dështuar. Ato i drejtohen popullit, edhe pse populli me mënyrat e veta e ka kryer tashmë këtë katarsis, ndërkohë që elitat ngulin këmbë se ai ka mbetur peng i së shkuarës, sepse vetëm ashtu do mund të vazhdojnë të përfitojnë legjitimitet për betejat e tyre për muzealizim (lexo: kontroll) e pushtet kulturor. Kështu, hapja e dosjeve dhe e objekteve të nëndheshme po paraqitet si dhuratë që elitat po ia bëjnë popullit që ky të përballet me “hijet e së shkuarës të terrorit komunist, për të treguar se e keqja nuk duhet fshehur, për të mos mbajtur as ngrehina dhe as dosje të mbyllura, për të mos luajtur me mistere të përdorura poshtërsisht e politikisht” pa çka se realisht kjo dëshirë e paplotësuar e popullit po përdoret për të projektuar aspirata të reja që kanë më shumë të bëjnë me potenciale turistike dhe imazhin e Shqipërisë sot, si të çliruar nga brengat e kohës, sesa me përgjimet dhe torturat dje.

Më tej akoma, gjuha për “faza” e “projekt idesh” është gjuhë donatorësh. Edhe prezantimi tanishëm, pavarësisht se fliste për popullin e në emër të dëshirave të popullit, i drejtohej në fakt një audience të huaj, asaj të donatorëve të shumtë të ambasadave e organizatave ndërkombëtare (këtë e pohoi deri diku dhe ministrja e Kulturës në intervistën me Ilva Taren, duke thënë se preventivi prej 1 milion euro ishte përpiluar me donatorët në mendje). Siç ndodh rëndom, mediat spekuluan, nga injoranca apo dashakeqësia, se kjo shumë është investuar tashmë ose është akorduar nga shteti shqiptar, ndërkohë që preventivi vetëm paraqet një shumë paraprake për kostot e projektuara të të gjithë Muzeut, meqë mund të ndodhë që projekti të kushtojë me pak ose më shumë se ç’parashikon preventivi. Një shumë prej 300 mijë eurosh do të sigurohet nga Ministria e Kulturës (deri tani sipas deklaratës së ministres janë shpenzuar vetëm 10 milionë lekë të vjetra për ekspertizën) por pjesa më e madhe do duhet të sigurohet nga burime të tjera, si donatorë e financues privatë, të cilët deri tani kanë mbetur anonimë.

Mbështetja në donatorë të huaj dhe bashkëpunimi me ta nuk kanë të sharë në vetvete sa kohë që ata behen publikë. Por kam frikë mos ky muze, ose më mirë kjo strategji e përdorimit të trashëgimisë komuniste për të nxitur turizmin, ka ardhur si propozim nga jashtë (elitat tona nuk janë aspak pasive dhe kanë qëlluar të kenë zellin e duhur për të vepruar në kohë rekord e pa gjykuar drejt) sikurse është rekomanduar në të gjithë rajonin. Realisht, qeveria shqiptare nuk ka këllqe të ndërtojë muzeun që meritojmë pa ndihmën e donatorëve; dhe financiarisht e moralisht, ky muze do të vinte i fundit në vështrim, në krahasim me nevojat më imediate. Dhe këtu nuk e kam fjalën për nevojat për mbijetesë por për ato të kulturës, sepse nëse ka një gjë që jam në një mëndje me z. Kumbaro është se kultura nuk është diçka që bëhet pasi të kemi zgjidhur hallet e tjera. Aty ku ndoshta nuk do të bija dakord është se ku duhet të përqendrohemi kur flasim për nevojat imediate të kulturës dhe ç’kriter do duhet të përdorim për t’i vlerësuar këto: t’i japim përparësi turistit apo publikut shqiptar? Aty ku nuk do të bija dakord është nëse do dalim të trokasim në portat e Europës pikërisht për këto projekte dhe jo, bie fjala, për të ngritur profilin e atyre aktiviteteve, institucioneve e praktikave vërtetë jetike për skenën tonë kulturore (një apel nga kompozitori Limos Dizdari këtu) . Dhe me një përkushtim të tillë natyrisht skena dhe prodhimtaria gradualisht do të lulëzojë aq sa të përligjë investime reale për të thithur turistët. Imagjinoni një turist që vjen ngaqë ka dëgjuar jehonën e trashëgimisë sonë komuniste por që kur futet në Galerinë Kombëtare të Arteve vë re mospërputhjen midis luksit si janë branduar të parat dhe mjerimit të kësaj së dytës, që buxhetin vjetor e ka rreth 40,000 euro ose po ndjek një shfaqje në Teatrin Kombëtar dhe papritur fiken dritat. E përmenda GKA meqë pikërisht këtë javë është “diskutuar” dhe vazhdon të diskutohet fati i konkursit/ekspozitës “Onufri”.

“One day show”

M’u kujtua ky titull kur ndiqja intervistën e shkrimtarit Bashkim Shehu dhënë gazetarit Aleksandër Furxhi në emisionin “Kapital” (pjesa 1, pjesa 2, pjesa 3). Mes të tjerash, siç pritet në një bisedë më një shkrimtar, iu kushtua vëmendje edhe skenës letrare në Shqipëri. Shehu ndan përshtypjen se mungojnë hapësira të dialogut dhe kritikës letrare, si revistat. Një përshtypje që i përket një realiteti për të cilin është shkruar e debatuar gjerë e gjatë këtu në blog e nga të tjerë që i janë përkushtuar letrave shqip.

Furxhiu, ndoshta sinqerisht i habitur për këtë peizazh kaq të errët që i paraqiti Shehu, e pyeti këtë se për çfarë e kishte fjalën, kur flet për mungesë hapësirash, meqë publiku i paspecializuar (lexo: i thjeshtë) sheh e dëgjon shpesh (ndoshta tepër shpesh) për mbledhje, aktivitete e promovime librash, çka të krijon përshtypjen e një skene të shëndetshme letrare, sidomos pas përfshirjes së Shqipërisë në rrjetin Traduki e Creative Europe dhe krijimit të fondit special për të nxitur përkthimet. Shehu shpjegoi, se promovimi i një libri është publicitet e lajm ku vëmendja ndaj librit përqendrohet në një ditë të vetme, për të ushqyer edicionet e lajmeve e faqet e gazetave por kjo nuk mund të quhet kritikë. Kritika, vazhdoi Shehu, duhet të ndërhyjë e të përcaktojë se cilat vepra meritojnë më shumë vëmendje përtej promovimit, dhe që do të zënë vend në një raft imagjinar të letrave shqipe.

Kjo intervistë e pikërisht kjo përpjekje për të kthjelluar disi skenën letrare më përforcoi reagimin e parë që pata, kur pashë figurën e Bashkim Shehut krahas kryeministrit Rama dhe ministres Kumbaro gjatë ceremonisë për “hapjen” e Muzeut të Përgjimeve; si anëtar i grupit të punës ku bën pjesë edhe shkrimtari Agron Tufa. Dhe jo për shkak të lidhjeve të Bashkimit me regjimin e kaluar, por më tepër në lidhje me gatishmërinë ose lehtësinë me të cilën artistët e shkrimtarët thirren të mbështesin një projekt të inskenuar nga politika, edhe pse me qëllime të mira: në fakt, pres që Shehu dhe Tufa të mbështeten, prej institucioneve publike, për krijimtari që të ndriçojë publikun për të kaluarën në atë masë sa vetë muzeu nuk mund ta pretendojë kurrë. Natyrisht, Tufa ka një përkushtim të qartë ndaj çështjes së dosjeve dhe këto ditë ka qarkulluar një peticion ku kërkon hapjen e tyre; ndërsa Shehu, nga ana e tij, sapo ka hedhur në treg librin Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve. Në fakt, që një shkrimtar i bashkëngjitet një projekti të tillë nuk paraqet ndonjë problem në vetvete, për aq kohë sa e thotë dhe jep kontributin e vet fillimisht në letër, dhe ky kontribut letrar i njihet dhe i popullarizohet po aq sa kontributi si këshilltar.Marrë nga NewsBomb

Dhe pikërisht te pesha e shkrimtarit dua të ndalem: u dëshpërova kur lexova se salla e Akademisë së Shkencave ishte pothuajse bosh, gjatë promovimit të librit të fundit të Bashkim Shehut. Ndoshta as më shumë e as më pak se dhe në promovime të tjera të ngjashme (përjashto Fevziun), por dëshpërimi i tanishëm më lidhet me lehtësinë me të cilën një shkrimtar nga më të mirët që ka sot shqipja nxirret në skenë nga politika pikërisht për çështjen e dosjeve dhe të muzeut, ndërkohë që ndërhyrjes së tij me cilësinë e shkrimtarit në këtë debat nuk i jepet e njëjta vëmendje.  Çka më konfirmon se interesi për dosjet nuk buron nga poshtë por nga lart.

Ne bisedën me Ilva Taren u fol për librin si kulturë dhe ministrja përmendi disa prej arritjeve të institucionit të saj për të mundësuar përkrahjen e librit, shkrimtarëve, përkthyesve e botuesve. Arritje për t’u përgëzuar, por që edhe rrezikojnë ta shndërrojnë shkrimtarin në një qenie që shkruan aplikime për grante full time dhe shkrimtar part time dhe që në rastin më të mirë varet nga gatishmëria e shtëpive botuese për të marrë përsipër këtë lloj iniciative në emër të tij. Kjo skemë privilegjon ata më të shkathëtit që aplikojnë, por nuk bën asgjë për ruajtjen e cilësisë së vetë skenës dhe për promovimin e autorëve dhe artistëve të rinj. Në anën tjetër, tregu nuk mjafton, kur është fjala për të përmirësuar prurjet dhe cilësinë, dhe shkrimtarëve u mungon edhe institucioni i barasvlershëm me Galerinë e Arteve, Teatrin Kombëtar apo atë të Operës dhe Baletit, pa përmendur institucione të tjera publike që përfaqësojnë “cilësinë”.

Dua të përdor një argument të ministres që “Shqipëria është më e madhe se Komani” për të vërejtur se trashëgimia komuniste është më shumë se objektet e nëndheshme! Si ta kuptosh që investimi zyrtar me shuma marramendëse fokusohet vetëm tek objektet dhe gërmadhat (Shtëpia e Gjetheve dhe Bunkeri) që kemi trashëguar e që i ofrohen një turisti imagjinar, ndërkohë që trashëgimia dhe krijimtaria jomateriale mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimeve të hapura për fonde, kur nuk shpërfillet krejt? Ku e si u vendos që kjo lloj trashëgimie e muzealizuar e “branduar” qenka më “e vlefshme” për përballjen me të kaluarën sesa letërsia, arti e teatri? Pse nuk iu nënshtruan të njëjtit proces aplikimesh të hapura edhe këto dy iniciativa siç është vepruar me shumë kërkesa e oferta të ngjashme në skenën kulturore?

Kultura nuk është diçka që bëhet vetëm pasi të kemi zgjidhur nevojat politike. Duhet të hartohen politika që fillimisht synojnë rimëkëmbjen, forcimin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve e praktikave bazë ndërkohë që paralelisht krijohen mundësi për hapësira e praktika alternative. Është absurde të hiqet dorë nga mbështetja e institucioneve bazë me shpresën se alternativja do të plotësojë boshllëkun. Alternativja vjen si përgjigje ndaj një skene të fortë institucionale, por kurrë si shpëtimtarja e saj. Sot për sot e gjithë skena kulturore më duket si një wild west ku secili rend për të zaptuar një fond, hapësirë, taktikë e ide për veten e vet; dhe praktikat e ndarjes së fondeve deri tani më ngjajnë me ato gjethet që ishin marrë nga liqeni e transplantuar në oborrin e shtëpisë pa gjethe.

Prandaj mundohuni të imagjinoni një skenar ku Ministria e Kulturës vë në dispozicion 300 mijë euro për të mbështetur rrjetin e mbetur të kujtesës së nënbotës komuniste përmes letërsisë. Mundohuni të imagjinoni edhe një skenar ku Ministria me një fond prej 300 mijë eurosh zotohet të përkthejë gjithë letërsinë më të mirë shqipe kushtuar periudhës së errët totalitare. Zonja Kumbaro po ju ndihmoj këtu: sikur t’i kushtonit një përqindje të kujdesit që keni treguar për Muzeun përkthimit të 66 Rrëfimeve të Maks Gjerazit (përmend këtë vepër edhe pasi e njoh më mirë se të tjera) jam e sigurt se donatorët do t’i jepnin paratë edhe pa ua kërkuar atyre ju për muzeun. Nuk mund të besoj se sinqerisht mendoni se një muze me aparatura të ftohta do mund t’i përcjellë Europës atë që kemi përjetuar! Këtë e bën vetëm arti, muzika e letërsia kur këto burojnë nga shpirti e përvoja, jo nga nevoja për të thithur turistë apo për t’u ndier europianë.

Mundohuni të imagjinoni një skenar ku kryeministri Rama dhe ministrja Kumbaro të jenë të pranishëm në prezantimin e librit të Bashkim Shehut në Akademinë e Shkencave; jo për photo ops e rikthim favoresh, por sepse libri i tij kushtuar dosjeve do lexuar si një mënyrë po aq kurajoze sa “hapja” e bunkerëve. Sepse bunkerët më të frikshëm janë ata të subkoshiencës e jo ata të nëndheshmit!

Mundohuni të imagjinoni një skenar ku Ministria premton një buxhet prej 300 mijë eurosh për Galerinë Kombëtare të Artit sepse edhe aty do qëllojë të hyjnë turistë të huaj.

Mundohuni të imagjinoni një skenar ku të argumentohet po aq me pasion për letërsinë si mënyra qe e “integron Shqipërinë në itinerarin Europian të kujtesës kolektive duke e çliruar shoqërinë shqiptare nga një vazhdimësi e logjikës vetizoluese dhe ndarjes që prodhoi diktatura” sa ç’u arsyetua për Muzeun e Gjethit, që me gjithë retorikën e klasit të parë, nuk ka shanse ta realizojë këtë. Tjetrit i flitet me një gjuhë imazhesh të gjalla, e jo me lodra të inskenuara në mure që akoma përgjojnë.

Mundohuni të imagjinoni një skenar ku turisti i radhës që ka lexuar mbi vuajtjet e njerëzve nën regjimin totalitar vjen në Shqipëri të komunikojë me ta e t’i shohë realisht si vëllezër europianë e jo t’i “shohë” ato në një dhomë muzeu si të ishin specie të rralla të Ripley’s Believe It or Not.

Nuk ka komente

  1. Kam përshtypjen se politika po asfikson artin te ne, duket sikur nga bunkerizimi po shkojmë në bunkartizim. Domosdoshmëria e kujtesës popullore dhe gërrmimi i së shkuarës komuniste ka vendin e vet, por në formatin interpelativ që po merr deri tek “o burra të krijojmë fonde për artin që përpunon të kaluarën”, në një kohë që sopranot dhe balerinat s’kanë drita, e kthen komunizmin në fetish, si për ne, si për turistët-spektatorë. Për më tepër, inkurajon njërrymësi (streamlining) ideologjike, e cila që nga ditët e Rilindsave s’po i ndahet estetikës shqiptare.

    Komunizmi po nis t’i ngjajë formulave me të cilat mbyllnim hartimet në tetëvjeçare, që doemos duhet të përfundonin me eulogji të Partisë dhe Enverit, edhe sikur tema të ishte për borën e parë në bjeshkët e Pukës. Tani për të siguruar fonde kap ndonjë temë ekzotikomuniste dhe ke shans të shpresosh. A mund të vendosin syzet politike se cilat vepra përkthehen? Patjetër që “Rrëfimet e Maks Gjerazit” duhen përkthyer, por ato do meritonin përkthim edhe sikur Maksi të rrëfente për jashtëtokësorë. Politika në fakt ka instrumente në dorë (ajo duket të jetë dora e dukshme dhe e padukshme në Shqipëri, por nuk duhet të instrumentalizoj artin. Duhet të mundësoj truallin, ku pastaj arti të ndjekë jetën e tij sipas ligjeve të tija.

    Struktura të tilla duan kohë të maturohen dhe ne na mungon eksperienca, që nuk është vetëm përvojë por edhe mentalitet. Nga kjo mungesë vuajnë më keq artistët e rinj, sepse ju mungojnë lidhjet, mentorët, plus edhe mbase dëshira për t’u rradhitur në vargun e aplikantëve që çgroposin komunizmin. Për shembull, nuk kam dëgjuar nga asnjë përveçse prej autorëve të këtij blogu (madje Parulla ti më duket e rekomandove) të komentohet filmi “Pharmakon”. Mund të jetë perceptimi im, por reklamat për “Der Albaner” më erdhën në vesh. Pse? Shpjegimi që i jap unë është sepse nuk shfrytëzon haptazi narrativën madhore të emigracionit apo komunizmit, por ndjek trajektoren e një drame vetëm në dukje familjare, pra larg shabloneve të aprovuara nga elitat, ministritë, politikat.

  2. Kur me genjeu mendja perpara disa muajsh dhe shkova te kerkoja nje financim te kjo e ashtuquajtur Munistri, kam ikur me nje ndjenje neverie prej pritjes qe me beri i ashtuquajtur drejtor i perkthimit ne kete ministri, i cili e vetmja gje qe me tha ishte kjo; – perderisa jemi djegur ne kokat e medha, perse te mos digjesh dhe ti, pse ti me e mire se ne je qe dashke te perkthehesh jashte???… Ate dite kam dale me lot ne sy prej asaj dere… por nuk e paskesha ditur qe ky
    drejtoruc i paskrsh ruajtur fondet per nje farse te tille…. turp… turp… turp! Pse na fyejne inteligjencen me keto dokrra?

    1. Në fakt dokrrat janë të “artistëve” apo “intelektualëve” si puna jote që kërkojnë të marrin para publike me forcën e taksës. (Çfarë po shkruaj më poshtë nuk të drejtohen ty personalisht, por të gjiithë atyre që kërkojnë të marrin para publike, të cilat përndryshe nuk do t’i merrnin dot vullnetarisht nga njerëzit..)

      Përse nuk shkon që ta kërkosh finacimin tek një ent privat? E thjeshtë sepse enti privat me shumë gjasa do të të refuzojnë nëse ai mendon se ti nuk ke potencial për ta rikthyer investimin… Ja pra kjo është arsyeje më se legjitime e refuzimit. Po këtu na del edhe një problem tjetër: ç’është arti i mirë dhe kush e vendos se cili art është më i mirë se tjetri? A është një copë shkëmbi art?

      Në këtë aspekt ai/ajo që ke takuar ka bërë gjë më të mirë të mundshme, dhe ka refuzuar të shpërdorojë paratë e njerzve në një gjë që nuk di nëse sjell ndonjë të mirë afatshkurtër apo afatgjatë. E marrim si të mirëqenë se arti ka të mira afatgjata… edhe pse personalsiht nuk jam totalisht dakord. Pra ai person i ka shërbyer më së miri funksionit të vet.

      Kuptohet që të vetshpallurit artisët, intelektualë etj do të pretendojnë me sofizma gjithëfarëshe se arti nuk duhet doemos të ketë ndonjë utilitet apo të sjelli fitim. Në fakt duhet. Për një fakt të thjeshtë: pavarësisht se fitimi nuk tregon gjë që arti yt është i mirë – gjykuar sipas disa kritereve objektive klasike dhe që i kalojnë modat e kohëve përkatëse -, fitimi tregon se ti nuk po u imponohesh njerëzve të thjeshtë por që ata për një arsye ose një tjetër e financojnë atë vllnetarisht. Në të kundërt, kur ti kërkon financime, që rëndom quhen publike, në të vërtet po kërkon që paratë e një fshatari, të një shitësi gjize, apo një prostitute të të jepen ty vetëm sepse ti apo ata që trumpetojnë ty dhe të tjerët artistë apo intelektualë nëpër media, e mendoni veten dhe atë që bëni si më të rëndësishme se ajo që bëjnë të tjerët…

      Por, ka mundësi që ky të mos jetë rasti me ty, apo me artistët elitarët shqiptarë. Me shumë gjasa paratë publike të Ministrisë së Kulturës, të marra me dhunë edhe nga fshatarët e Tepelenës, janë kapur nga klika e rradhës dhe po shfrytëzohen për qëllimet e tyre meskine duke lënë jahstë artin e vërtetë. Le të presim, punojmë e shpresojmë se me ndryshimin e kokave të këtyre institucioneve, do të ndryshojë diçka…

      1. Faleminderit per sugjerimet por mos u sekelldis te me kthesh pergjigje mua, ruaj tensionin se une e gjeta financimin, libri im nderkohe eshte duke u perkthyer. Komenti im ishte ne lidhje me bujen e madhe gjoja ne perkrahje te artit nderkohe qe punonjesit qe merren me kete gje ne ate Ministri jane krejt te plogesht, meskine dhe medioker…

    2. Ky libri yt perse duhet te poerkthehet medoemos jashte? E ka kaluar “testin e brendshem”, eshte bere bestseller ketu ? Po kritika e ka vleresuar si me te mirin liber ?Sa cmime ka fituar? Apo mendon se lexuesi brendshem nuk e kupton artin e intelektualeve te rinj dhe vetem ata jashte jane te predestinuar te shijojne dhe vleresojne nje art te tille?

      1. E di qe nuk duhet te kem asnje pretendim per rrjedhen e komenteve por po bej nje nderhyrje te vogel dhe po kerkoj qe te mos fokusohemi tek individe te caktuar pasi nuk eshte ky thelbi i shkrimit. Une flokenajen nuk e njoh personalisht e nuk ve dore ne zjarr per punen dhe nevojat e saj per financim. Gezohem qe ka gjetur perkrahje dhe i uroj mbaresi.

        Kjo teme prek disa ceshtje njekohesisht por nje gje eshte e vertete: askush ketu nuk pretendon te marr financim me force! Flokenaja, si dhe une e shume te tjere, per cdo pretendim per mbeshtetje me financim publik do duhet ti nenshtrohet nje aplikimi e vleresimi. Pyetja qendron se persa i takon dy projekteve te trashegimnise komuniste i njejti proces nuk vihet ne zbatim, aq me teper ne nje kohe kur politikat rreth ketyre objekteve dhe artit e kultures ne pergjithesi nuk jane hartuar e debatuar gjeresisht ne publik.

        Me tutje mund te flasim pastaj per kapacitetet e punojesve te ministrise per te vleresuar projektet si dhe kualitetin e vete projekteve qe propozohet e mbeshteten. Kualiteti i projekteve qe po ofrohen eshte diskutuar ketu dhe me pare dhe sic u vu re atehere ka nje tendence qe praktika e institucione kyce te lihen ne meshire te fatit nderkohe qe lloj lloj amatoresh financohen nga ministria per te vepruar ne hapsira per te cilat nuk kane asnje lloj eksperience apo ekspertize.

      2. Best seller hahaha, jo nuk eshte bere best seller zoti realizmi socialist, jam e lumtur per kete, jam gjithashtu e lumtur edhe qe nuk jam rekomanduar nga jurite e tallavase, por ti mos u shqeteso se une e kam gjetur ne rruge private financimin… per fat te mire ka botues te huaj qe te vleresojne nga talenti dhe jo nga miqte qe ke ne juri…

  3. Parrulla ka ngritur një sërë problemesh me shkrimin e saj. Qasja ndaj totalitarizmit, ballafaqimi ynë me të kaluarën, programi qeveritar për kulturën, financimi i artit dhe i letërsisë, marrëdhëniet e elitave me publikun, kultura e turizmi, kritika letrare, trashëgimia kulturore, etj. Temat ndërthuren e preken mes tyre. Një nga fijet e kuqe që i lidh ato është padyshim raporti midis politikës e kulturës. Madje në Shqipëri kjo përkthehet si raporti midis pushtetit e kulturës. Me fjalën pushtet nuk duhet të kuptojmë vetëm atë politik, por edhe atë ekonomik.

    Përshtypja ime është se pushteti, kur del nga përgjumja e indiferentizmit ose filozofia e qokave, e konsideron kulturën në mënyrë instrumentale, në kuptimin e dikurshëm të mjetit, pra si një farë leve për arritjen e objektivave të veta. Pushteti rreket ta përdorë kulturën në mënyrë të rëndomtë, si të ishte pjesë e mediave. Ndërkohë duket se mungon një platformë kombëtare për kulturën, meqë disa nisma dallohen për nga improvizimi dhe mungesa e karakterit organik. Nuk e përjashtoj që të ketë dokumente të shkëlqyera programatike, por në fazën e zbatimit nuk shoh ndonjë filozofi e angazhim të strukturuar.

  4. ndoshta duhet pare me esell ky problem. Ka nje arsye ekonomike, sic e ka permendur me siper Risus S. Ceshtje prioritetesh – ndoshta duan te gjenerojne mjaft te ardhura per te investuar me tej ne art, i kane dhene perparesi turizmit etj. Dmth. qeveria e Rames ka nje kapital te fituar nga perpjekjet e meparshme per artin, qe i jep te drejten te mos paragjykohet.

    E megjithate, nese ka nje arsye te tille ekonomike, le te behet e ditur me plane fizibiliteti, perllogaritje ekonomike te kostos e perfitimit etj. Ne gazeta kemi pare vec brockulla e asnje arsyetim ekonomik perse duhet investuar ne kesi shfaqjesh.

    Krahasoni faqen e internetit te ministrise sone te kutures me ate te Kosoves. E Kosoves ka nje lidhje te vecante per projektet, konkurset e tenderat. Asgjekundi nje lidhje e tille ne ate te ministrise sone. Ne raportet, ka vetem nje per komisionin parlamentar. Une si qytetar i informuar dua te di jo vetem numrin e vizitoreve te bunkartit (ne gazeta), por raportin financiar – koston, fitimin, planin disa vjecar te biznesit etj. Me foto te ish-byros politike nuk e blen vemendjen time.

    Nga ana tjeter, edhe kjo pune, qe te investohet ne projekte fitimprurese afatshkurter – sikur nuk shkon. Le shije te keqe, se do te thote se dikush tjeter po perfiton, jo per artin, as per ministrine, e aq me pak per popullin kur eshte i perjashtuar nga perjetimi i ketyre te mirave kulturore qe prodhohen me paret e veta. Prandaj edhe une kam dyshime se keto nismat muzeale te fundit jane privatizuar jo vetem ne aspektin manaxherial e administrativ.

    1. ndoshta duan te gjenerojne mjaft te ardhura per te investuar me tej ne art, i kane dhene perparesi turizmit etj. Dmth. qeveria e Rames ka nje kapital te fituar nga perpjekjet e meparshme per artin, qe i jep te drejten te mos paragjykohet.

      Nuk jam doemos kunder Muzeut te Pergjimeve apo edhe BunkArt e te tjera kerpurdha qe do te mbine nga nentoka komuniste per aq kohe sa jemi te vetdishem per cka do sherbejne. Ajo cka po protestoj eshte vemendja dhe investimi marramendes ne keto objekte kur perfitimitet nuk dihen, edhe pse nuk pretendoj se cdo investim ne kulture duhet detyrimisht te kete nje perfitim te menjehereshem. Te mos harrojme se njekohesisht po investohet rendshem ne Vlore, Korce e Gjirokaster e se fundi ne Pogradec po me turizmin. Duke perdorur kete llogjike, le te hapej e te vertetonte suksesin BunkArt per nje kohe te caktuar dhe te mesohej prej kesaj pervoje (cka u pelqen/terheq turistet) dhe mesimet te aplikoheshin ne hapsirat e tjera. Te ardhurat e BunkArt-it mund te shkonin drejt Muzeut te Pergjimeve e keshtu me rradhe.

      Per Ramen, turizmi dhe e bukura jane formula magjike e “trickle down economics”. Por, dyshoj fort se turizmi po perdoret si front per spekullime territoriale.

      Me siguri kete sezon turistik do jene me te shumte se asnjehere vizitoret dhe kete ndjesi te bukur do ta shijojne qe te gjithe ‪#‎Rilindje
      ‬ – Edi Rama, 1/30/15 ne nje status ne FB per Pogradecin

      “Ai qe shkruante dua buke jo bukuri ta mesoje se e bukura shton jeten energjine punen e buken! Ska mireqenie ne shemti”
      Edi Rama, 12/21/14 ne nje status ne FB per Korcen

      Sa per kapitalin e fituar me ler te te rikujtoj se ky kapital u fitua me nderhyrje siperfaqesore zbukurimesh sepse aq ishte projekti i pallateve me ngjyra dhe pastrimi i Lanes. Kjo narrative e artistit politikan dhe ky kapital vazhdon ti sherbej Rames ne arenen nderkombetare, kapital qe natyrisht do ta vere ne sherbim te thithjes se donatoreve, nderkohe qe skena artistike po tkurret nga nje zhgenjim i madh.

      A kemi realisht shembuj konkrete te vertetojne se arti ka marre nje perkrahje serioze gjate ketij viti qe lidhet drejt per drejt me KM artist? Ne Bienalet e Venecias kemi marre pjese dhe me pare. Koncerte me pop star te huaj kemi patur dhe me pare. Sa per arritjet e tjera, marreveshje me Traduki e Creative Europe, keto jane gjera qe duhet te ishin bere me kohe nga qeveria e kaluar prandaj nuk i quaj dot arritje perpjekjet qe jane pjese e angazhimit institucional. Fakti qe qeveria e kaluar ka fjetur nuk e ben kete vetvetiu me te afte pertej asaj cka pritej.

      Ben mire qe e permend Kosoven. GKA e Kosoves, nen drejtimin e Erzen Shkolollit, ja merr ne kthese jo vetem GKA-se tone por gjithe Ministrise se Kultures per nga pergatitja dhe paraqitja profesionale. Te jap vetem shembullin e kalendarit te ekspozitave per vitin 2015 qe e publikuan ne krye te vitit. Keta tanet i lajmerojne ekspozitat 3 dite, ne mos diten qe hapen. Nderkohe qe mesoj se Muzeu i Gjetheve do te pajiset me nje sistem modern biletarie e me touch screens! Ua mami…

      Nuk pretendoj ta njoh nga afer skenen e Kosoves (dhe me aq sa e njoh di qe ka problemet e saj) por me mjafton shembulli i DokuFest per te treguar se mund te investosh ne kulture dhe turizem njekohesisht dhe te besh dicka te bukur. Por Kosova e arriti kete avash avash e sot po gezon njohje e vleresim nga te gjitha anet. Dhe keta tanet le te benin nje analize te aktivitete qe ekzistojne dhe te investonin ne njeren prej tyre e ta ngrinin ne kembe e ti jepnin nje profil me te madh. Qe aty mund te replikonin suksesin e te ndertonin nje rrjet aktivitetesh e hapsirash qe gjallerojne skenen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin