MË JEPNI NJË GJILPËRË

Në Galerinë e Belvederes të Vjenës shkova për të parë vepra të famshme të pikturës botërore. Kjo galeri ka fatin të ketë në koleksionin e vet vepra të periudhave të ndryshme: mesjeta, baroku, romanticizmi, impresionizmi, e kështu me radhë. Atje mund të admirohen autorë si Paul Cézanne, Vincent van Gogh, Claude Monet, Egon Schiele, Oskar Kokoschka, Gustav Klimt, por edhe të tjerë big nga arti i djeshëm dhe ai bashkëkohor.

Mirëpo, mirëseardhjen në hyrje të galerisë së sipërme të Belvedere (Upper Belvedere) ma dha një send i çuditshëm, që ishte vendosur në hollin qendror të ndërtesës (Sala Terrena). Në fillim nuk e kuptova përse gjendej ai objekt në hyrje të ndërtesës. Të them të vërtetën nuk e mora seriozisht. Më ngjasoi pak si ato figura-tullumbace të fryra, që shiten zakonisht në raste festash. Mbaj mend që u kam blerë shpesh fëmijëve lodra të tilla, të cilat përfundonin rregullisht në dysheme: të shfryra ose të çara, kur nuk merrnin rrugën drejt qiellit të kaltër, ngaqë këputej fija që i lidhte me tokën.

Hulk-Jeff-Koons-BelvedereNë të vërtetë bëhej fjalë për një vepër arti të Jeff Koons me titull Hulk (Friends). Jeff Koons-in unë e kam njohur, për fat të keq, jo nga veprat e tij të artit, por nga fama që i dha, në një pjesë të botës, martesa e tij me pornostaren e njohur Ilona Staller (Cicciolina), e cila ka qenë edhe deputete e partisë radikale në Parlamentin italian. Kjo martesë ka ndikuar e ka lënë pa dyshim gjurmë të forta në veprimtarinë e ndezur të artistit amerikan. Mirëpo, fama e vërtetë e artistit Jeff Koons varet pa dyshim nga veprat e tij, të cilat janë të njohura në botë si përfaqësuese të artit neo-pop.

Sipas Enciklopedisë Treccani, artisti amerikan konsiderohet si trashëgimtar i A. Warhol-it në njohuritë e tij për të shfrytëzuar efektet e masifikimit e në arritjen e pëlqimit të publikut. I njëjti burim pohon se Koons i ka aplikuar artit rregullat e tregut dhe të marketingut, falë edhe përvojës së mëparshme në këtë fushë. Jeff Koons ka arritur të përpunojë një gjuhë të tillë me anë të së cilës e ka shndërruar kitsch-in në vepra arti me karakter pop.

Pa iu referuar veprës së lartcituar, mendoj se një pjesë e artit bashkëkohor është trash. Shumë vepra “artistike” meritojnë koshin e plehrave dhe jo galeritë e botës. Kemi shkruar gjetiu se kritika ndaj artit modern ka ardhur gjithashtu nga ekspertë të brendshëm me zë të artit, të cilët kanë folur hapur për artistë, kuratorë e galeristë injorantë, për instalacione post-konceptuale të pakuptueshme, për kritikë autoreferencialë, për konsumatorë arti që nxiten nga mekanizmat e tregut e të modës.

Problemi i këtyre veprave është se shpeshherë janë shkëputur nga sensi estetik dhe veprojnë vetëm në rrafshin provokativ. Herë të tjera shndërrohen në art vetëm falë kornizës së muzeut ose galerisë. Publiku shqiptar ndaj veprave bashkëkohore nuk është i pajisur as me mjetet e kritikës – e cila mungon në thelb si nga pikëpamja fizike ashtu edhe konceptuale – as me antikorpet për ta ndarë artin nga pseudoarti.

Në shkrimin e vet “Dilema e pastruesit“, Xhaxhai përmendte dy incidente të ndodhura në Itali. Në Ravena disa muratorë stukuan një vrimë në mur që ishte vepër e një artisti të njohur, kurse në Bari, një pastruese e muzeut mblodhi gabimisht disa vepra arti dhe i hodhi në kazanët e plehrave. Këto ndodhi të pasqyruara edhe në media u bënë shkas për të hetuar natyrën kontekstuale të disa instalacioneve artistike bashkëkohore. Seç ndodh gjatë ndërveprimit të spektatorit dhe veprës artistike e trajtuam në artikullin “Bojaxhiu në art“, ku hulumtuam rolin vendimtar të kontekstit, i cili nga një anë na shfaqet si ekspozitë arti, nga tjetri si vend pune.

Për t’iu kthyer veprës së mësipërme të Jeff Koons, desha të shtoj se vepra e tij sikur të kishte qenë vetëm disa metra më larg, pra jashtë derës, ose diku afër dyqanit ku shiten souvenire të ndryshme të galerisë, unë do ta kisha marrë thjesht si lodër për fëmijë, por sipas gjasës nuk do ta kisha blerë sepse të ngjashme gjenden rëndom kudo. Atje ku ishte vendosur “Hulku” i Koons-it, disi i dekontekstualizuar e i pavend, nuk merrej vesh mirë nëse ishte vepër arti e mirëfilltë, apo një shaka simpatike për t’i dhënë mirëseardhjen vizituesit. Të paktën kështu m’u duk mua, pa i lexuar ende udhëzimet përkatëse.

Ndenja pak çaste përballë Hulkut prej plasmasi për t’ia marrë vesh kuptimin si vepër arti, ose thjesht për ta shijuar, por për të qenë i sinqertë pa shumë sukses, megjithëse ia kapa evokimin e heronjve të fëmijërisë dhe emocionet që ata ngjallin. Por ndoshta fëmijërore ishte edhe dëshira ime, e mposhtur në çast, për të pasur një gjilpërë, ose çdo gjë me majë të mprehtë, në dorë.

[fotografia është e autorit]

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin