NGA BREGU NË BREG E KTHIM

Ecejake pasaportash

Italia ka kohë që është shndërruar në vend imigrimi dhe emigrimi njëkohësisht. Që nga shfaqja e krizës e deri më sot, dukuria e ardhjes së imigrantëve është shoqëruar nga ikja e italianëve drejt vendeve të tjera. Mirëpo, kurrë më parë kjo bashkëjetesë moderne mes dy dukurish të kundërta nuk është ilustruar kaq mirë nga statistikat siç ndodhi me të fundit të ofruara nga Istat.

Le të fillojmë më të parën, pra me ardhjen e imigrantëve në Itali. Sipas institutit italian të statistikave ulja e imigracionit gjatë vitit të kaluar ka qenë e ndjeshme (12,3%), megjithëse numri i mbërritjeve mbetet i lartë. (1)

Komuniteti më i madh sipas fluksit të vitit të kaluar është ai rumun, më pas vijnë marokenët, kinezët, ukrainasit. Po të krahasohen këto të dhëna me vitin e mëparshëm del në pah se edhe rumunët janë në ulje si numër hyrjesh në Itali.

Për sa i përket dukurisë së kundërt, pra emigrimit drejt vendeve të tjera, del në pah se janë italianët ata që kapin shifra rekord. Në vitin 2013 kanë lënë vendin e tyre për të emigruar 82 mijë italianë, praktikisht 21% më shumë se viti paraardhës. Rritja si përqindje është mbresëlënëse. Vendet më të zgjedhura janë: Anglia, Gjermania, Zvicra, Franca. Të diplomuarit parapëlqejnë më shumë Anglinë.

Që kriza prek edhe të huajt që jetojnë në Itali, e ndoshta më shumë, e vërtetojnë numrat e emigrimit të të huajve, pra të atyre që vendosin të ikin nga Italia edhe pse e kanë zgjedhur si vend destinacioni. Qytetarët e huaj me rezidencë në Itali që emigrojnë ose kthehen në vendin e tyre janë rritur me 14% brenda një viti. (2)

Midis imigrimit dhe emigrimit ekziston një dukuri tjetër që ka të bëjë me lëvizshmërinë e qytetarëve brenda vendit, pra me migrimin brenda Italisë. Edhe kësaj radhe verifikohet migrimi drejt krahinave të veriut, që siç dihet prej kohësh ofrojnë mundësi më të mëdha punësimi. Migrojnë brenda vendit si italianë ashtu edhe të huaj (3). Këta të fundit, gjithnjë sipas Istat, janë rritur me 18,3%.

Nga të dhënat e Istat kuptohet qartë se Italia i tërheq gjithnjë e më pak imigrantët e huaj, pavarësisht se diferenca midis imigrimeve dhe emigrimeve është pozitive dhe se popullsia italiane është rritur falë prurjeve migratore. Këto të fundit janë në reduktim e sipër, porse e rrisin vazhdimisht numrin e të huajve në Itali.

 

Shqiptarët në trafikun demografik

Po shqiptarët si karakterizohen nga numrat e migrimeve të fundit? Nga 279 mijë të huajt që kanë kërkuar rezidencën në Itali gjatë vitit 2013, vetëm 12.165 kanë qenë shqiptarë. Kjo do të thotë se ata zënë vendin e pestë (me 4,3% të totalit), çka do të thotë shumë kur vendin e katërt e zë Ukraina dhe të dytin Maroku. Krahinat ku shqiptarët rezultojnë në tre kombësitë e para janë: Piemonte, Valle d’Aosta, Trentino Alto Adige, Liguria, Toskana, Marke, Abruco.

Po të shikojmë me kujdes numrin e shqiptarëve të regjistruar si rezidentë në Itali gjatë viteve të fundit, vëmë re pa vështirësi të madhe se numri, me një përjashtim të vogël, ka pësuar ulje konstante. Në 2007-n shqiptarët që kërkonin rezidencë në Itali ishin pothuajse dy herë më shumë se sot. Madje në 2008 kanë qenë edhe më shumë.

Shqiptarët e regjistruar e çregjistruar si rezidentë në Itali-2013-ok-DEVOLEAnaliza e të dhënave të shqiptarëve që janë çregjistruar nga gjendja civile si rezidentë tregon se numri i tyre është në rritje e sipër, në mënyrë të qëndrueshme e konstante. Praktikisht nga viti 2007 e deri vitin e kaluar numri i tyre është pothuajse katërfishuar. Një lloj shpërthimi i çregjistrimeve vihet re vitin e fundit. Natyrisht, në këtë numër përfshihen edhe ata që janë kthyer në atdhe, sikurse ata që kanë ndryshuar destinacionin e rrugëtimit si emigrant.

Me interes do të ishte të krahasonim ecurinë e imigracioneve të tjera, si marokenët për shembull, meqë kanë disa ngjashmëri me dukurinë shqiptare. Numri i marokenëve që ka kërkuar të regjistrohet si rezidentë në Itali është po ai i vitit 2007, pavarësisht se brenda këtyre viteve ka qenë më i lartë. Ky është edhe ndryshimi me shqiptarët, çka nuk vihet re për shembull tek çregjistrimet, që duken si të ishin fotokopje.

 

Të lëvizshëm, por jo shumë

Raporti i lëvizshmërisë së vendasve në krahasim me të huajt njihet përgjithësisht, megjithatë fakti që qytetarët e huaj lëvizin më shumë në territor se italianët tani mbështetet nga statistika të pamohueshme. Për ta fiksuar këtë të dhënë duhen parë numrat relativë dhe jo ata absolutë. Pavarësisht nga përmasat e popullsive të përfshira në këtë dukuri – thotë Istat italian – qytetarët e huaj janë më të prirur të lëvizin brenda kufijve se sa italianët vetë. Dy janë arsyet që i shtyjnë drejt kësaj zgjedhjeje: rrënjosja e dobët në territor dhe kërkimi i mundësive më të mira socioekonomike. Përqindja mesatare e lëvizshmërisë së të huajve është 54 në njëmijë vetë, tri herë më e lartë se sa ajo e italianëve.

Po komunitetet e ndryshme të imigrantëve si paraqiten nga kjo pikëpamje? Kinezët duket se janë më të lëvizshmit. Më pas vijnë moldavët, pakistanezët, marokenët, ukrainasit e kështu me radhë. Për t’u shënuar fakti se shqiptarët zënë vendin e fundit të listës prej dhjetë vendesh. Me 47,6 në njëmijë, shqiptarët tregojnë se lëvizin vërtet nga një qytet në tjetrin, nga një fshat në tjetrin në Itali, megjithatë nuk kanë lëvizshmërinë e kinezëve që arrijnë pothuajse dyfishin e tyre. Kjo mund të shpjegohet nga një anë me rrënjosjen e fortë të imigracionit shqiptar në territor, nga tjetra me stabilizimin socioekonomik të tyre që e kufizon disi urgjencën e kërkimit të mundësive të reja.

Raporti midis femrave dhe meshkujve që transferohen brenda vendit paraqitet mjaft i ekuilibruar, po të kemi parasysh komunitetet e tjera ku shifrat tregojnë një hendek më të madh. Zakonisht, ata që lëvizin kanë moshë të re, mesatarisht 35 vjeç.

Natyrisht, lëvizshmëria e burimeve njerëzore duhet të shihet padyshim si diçka pozitive, por pa harruar kundërshtitë e shumta që sjell kjo dukuri; kundërshti që dalin në pah më hapur kur lëvizjet bëhen midis shteteve, siç është çështja e pensioneve.

Të dhënat e mësipërme janë të rëndësishme, e jo vetëm për Italinë, por edhe për Shqipërinë, e cila duhet të përballet me fluksin e kthimit të emigrantëve të vet, përfshirë natyrisht problematikat pasuese. Statistikat për shqiptarët kanë besueshmëri të lartë, duke pasur parasysh metodologjinë e ndjekur (4), megjithatë lipsen hulumtime të tjera, krahasuese ose të tjera lloji.

Rasti i studimit të Instat-it shqiptar “Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri, 2013” është domethënës. Sipas tij gjatë viteve 2009 – 2013 janë kthyer në atdhe 133.544 emigrantë shqiptarë, 23,7% e të cilëve nga Italia. Siç është kërkuar edhe nga studiues të tjerë (5) dinamika e kthimit dhe riintegrimit në Shqipëri kundrejt lëvizshmërisë së migrantëve të punës nga Shqipëria drejt vendeve fqinjë, meriton kërkim të mëtejshëm. Siç pamë në rastin e Italisë, migracioni i kthimit në Shqipëri është i lidhur gjithashtu me migrimin e brendshëm të popullatës. Me fjalë të tjera, migracioni flet për vete, por edhe për gjithë Shqipërinë dhe situatën e saj sociale dhe ekonomike.

 

——————————————————

(1) Në vitin 2013 kanë ardhur në Itali si imigrantë 307 mijë vetë.
(2) Rezultojnë sipas Istat 44 mijë të huaj që janë hequr nga listat e rezidentëve, ndërkohë që vitin e kaluar ishin 38 mijë.
(3) Gjithsej kanë ndërruar rezidencë brenda vendit 1 milion e 362 mijë persona, nga të cilët 249 mijë janë të huaj.
(4) Sipas shënimeve metodologjike të Istat, regjistrimet merren nga zyrat e gjendjeve civile të komunave italiane, ku paraqiten qytetarë që vijnë nga jashtë ose nga komuna të tjera brenda vendit. Çregjistrimet u përkasin qytetarëve që kanë ikur në komunë ose vend tjetër. Transferimet nga jashtë shtetit ose drejt vendeve të huaja bëhen kur kërkohet vullnetarisht regjistrimi ose e kundërta. Edhe pse të dhënat u nënshtrohen kontrolleve automatike me metoda statistikore, mendojmë se mbetet ndonjë pasaktësi që nuk ka të bëjë me procedurat metodologjike. Nga përvoja e dimë se shumë shqiptarë kur kthehen në vendlindje ose kur emigrojnë drejt vendeve të treta perëndimore, nuk ia komunikojnë komunës çregjistrimin, por e lënë rezidencën atje ku e kishin më parë, të paktën për një periudhë të caktuar kohe.
(5) Teuta Grazhdani, “Migracioni i kthimit dhe riintegrimi në Shqipëri, 2013” IOM, Tiranë 7 Tetor 2014.

Nuk ka komente

  1. Pishak,

    meqenese i ke shkuar nder duar botimet e instituteve statistikore italiane dhe shqiptare, dy pyetje per kuriozitet:

    A dihet numri i pergjithshem i shtetasve shqiptare qe kane marre shtetesine italiane?

    Po instati yne a ka te dhena mbi numrin e pergjithshem te shtetasve shqiptare qe e kane hequr shtetesine per te marre ate te nje shteti tjeter?

  2. Relapso,

    të dhënat për shqiptarët që marrin shtetësinë italiane gjenden. I jep rregullisht edhe Ministria e Brendshme e Italisë ose institucione të tjera. Unë kam mbledhur disa materiale për këtë temë. Shpresoj të botoj diçka së shpejti.

    Megjithatë, e kam prekur argumentin herë pas here. Për shembull në shkrimin “Mbi gjysmë milioni” shkruaja se gjatë vitit 2012 kanë marrë shtetësinë italiane 9.493 shqiptarë. E reja e të dhënave qëndron në faktin se tani ka më shumë shqiptarë që marrin shtetësinë italiane se sa ata që vijnë çdo vit në vend.

    Gjithashtu nuk më duket e vështirë të gjendet numri i shqiptarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Instati mjafton t’i bëjë një telefon presidencës shqiptare, nga dalin edhe dekretet për heqjen e shtetësisë së shqiptarëve që e kërkojnë atë vullnetarisht, ose ngaqë ia kërkojnë ligjet e vendeve që nuk e lejojnë dyshtetësinë.

    Nuk besoj se Instati ynë ka të dhëna për numrin e përgjithshëm të shtetasve shqiptarë që janë bërë shtetas të huaj (përfshirë ata me dy pasaporta). Duhet të mblidhen të dhënat nga të gjitha vendet europiane e të tjera. Por nuk është e pamundur. Ato të Italisë ia jap unë. Pa problem :-).

    Në shkrimin tim të paradokohshëm me titull “Kleçkat e shtetësisë” do të gjesh jo vetëm disa shifra të sakta për marrjet e shtetësisë italiane në vitet 2003-2007, por edhe “implikacionet” e tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin