ZGJERONI FJALORIN TUAJ

Aerofagi – Një lloj kanibalizmi, kryesisht ndaj stuardesave në avion.

Agorafobi – Frikë e tepruar nga rrënoja qytetesh greke antike.

Alabastër – Platformë bastesh për alabakë.

Anestezi – Paaftësia e dikujt për të reaguar estetikisht gjatë kohës që dergjet në shtrat.

Arkeomarksist – Dijetar që zbaton mësimet e Marksit në arkeologji.

Armadillo – (1) Syndyk tradicional aztek për ruajtjen e stolive nusërore; (2) Qendër ambulante për grumbullimin e emigrantëve meksikanë në Texas.

Ballkanizim – Teknikë artizanale e copëtimit të bakllavasë.

Barbarí – Dukuria e shëmtuar e ngrënies së barit nga vetë barinjtë.

Binjakëzim – Ngushëllim i fundit për ata që nuk u klonuan dot.

Cimbal – Instrument kirurgjikal në trajtë pincash të pjerrëta, që përdoret për të këputur ligamentet që mbajnë të mbyllur një sfinkter çfarëdo.

Cirkumferencë – Konferencë për probleme të cirkut.

Defloracion – Akti i çrrënjosjes së luleve nga një lëndinë.

Desalinizim – Çfarë mund të ndodhë një ditë në PD.

Elektroshok – Mik elektricist.

Encefalit – Helikopter për transportim elefantësh brenda një parku safari.

Eurosocializëm – Ortakëri për koleksionistë eurosh.

Evangjelizim – Promovim agresiv i emrit Vangjel për fëmijë meshkuj.

Fotosintezë – Teknikë e përftimit të dritës në kushte laboratorike.

Futurizëm – Rrymë letrare e karakterizuar nga përdorimi sistematik e obsesiv i foljeve në kohën e ardhme. Shih edhe: Pasivitet.

Gauleiter – (1) Ruajtës patash në Galinë pararomake; (2) Qen udhërrëfyes për gjermanë të verbër.

Gjirokastroj – tredh simbolikisht dikë duke ia refuzuar paratë.

Goniometër – Instrument matës i potencës seksuale të demave ndërzimtarë.

Gorgonxola – Dhi mitologjike që thuhej se jetonte në Alpet në kufirin franko-zviceran.

Helmetë – Pilulë e sheqerosur, por me helm brenda.

Heroinoman – Maniak seksual që lektiset pas grave të Realizmit Socialist.

Hipnozë – Marrëdhënie jashtëmartesore midis një psikanalisti dhe një pacienteje.

Hipospadi – Dorë në letra e karakterizuar nga një mungesë shqetësuese maçi.

Histerektomi – Ndarje më dysh e historisë, zakonisht për shkak të një femre.

Kabal – Valle e fshehtë burrash në Përmet a Kolonjë, e shoqëruar me gërnetë.

Kaligrafi – Beletristikë kuajsh.

Kazuistikë – Festa tradicionale e mbjelljes së pishave ndër jezuitët.

Kinostudio – Laborator shkencor për studimin e qenit si të tillë.

Kokainë – Kokore e trashë leshi, në dotacion të ushtrisë maqedonase.

Kolecist – Ithtar a dishepull i një personi të quajtur Kolec.

Kolonoskopi – Vendosje teleskopësh në kolonë, për qëllime relativisht proktologjike.

Kombinacion – (1) Komb, nacion; (2) Kombinat shumëkombësh.

Kompakt – Thuhet për diçka që është a bëhet në pajtim me një pakt a marrëveshje.

Konkubinazh – Lëvizje për të lejuar gra të pilotojnë avionë civilë kryesisht në Zvicër.

Konkubinë – Femër pilote; shih edhe Mantenutë.

Kontrabufe – Grua rivale në dashuri, shemër.

Koreografi – Arti i të vizatuarit në koren e bukës.

Korno engleze – Vegël seksuale e preferuar prej gay-ve britanikë.

Korporatë – Nevojtore për përdorim vetëm nga korporalët.

Kriptografi – Art i të mbishkruarit në kristale të kripës së gjellës.

Kriptozoologji – Arti i të ushqyerit të kafshëve me kripë gjelle.

Kromatizëm – Helmim kronik nga kripra të kromit.

Laureat – Dikush që ka nevojë të lahet, person i bërë shumë pis.

Manipulim – Teknikë tanimë e vjetëruar e mbytjes së pulave me duar.

Manometër – Aparat matës i frekuencës së masturbimit.

Mantenutë – Në kabinën e fluturimit të një avioni, levë që duhet mbajtur gjithnjë në pozicion horizontal.

Megafon – Hiper-telefon, për përdorim protokollar nga burra shteti.

Mekonium – Elementi i katërt transuranik.

Meteorologji – Art i parashikimit të motit nëpërmjet studimit të meteorëve.

Metronom – Përgjegjës për ruajtjen e rregullit publik në metro.

Ministër – shih Portofol.

Monarkist – Person që beson se monarkët ekzistojnë.

Mononukleozë – Doktrinë gjeopolitike sipas së cilës çdo shtet duhet të ketë të paktën një bombë atomike.

Nanoteknologji – Teknologji e posaçme në shërbim të personave me probleme të shtatit.

Nazalizëm – Në Kanunin e Lekës, sanksionim i ndëshkimit me një grusht hundëve.

Nostalgji – Dhimbje në hundë; formë e lehtë e sinusitit.

Obstetrikë – Art i vjetër gjerman i ndarjes së frutit më katërsh.

Olivinë – Koncetrat bërsish nga punishtet që prodhojnë vaj ulliri.

Oposum – Kundërshtar a rival, zakonisht gjatë një fushate elektorale.

Ovacion – Shprehje e entuziazmit për dikë duke e goditur me vezë.

Pagodë – Omeletë me vezë palloi.

Parlamentarizëm – Delir i dikujt që e pandeh veten deputet.

Pasivitet – Përdorim i tepruar i diatezës pësore të foljeve nga një burrë shteti.

Pasterizim – Pastrim i kujdesshëm i një hoteli ose i një shtëpie pritjeje.

Pastoral – Djathë gjerman i pasterizuar.

Pentagram – Njësi matëse e peshës në Kishën Ortodokse, e barasvlershme me pesë gram.

Perimetër – Cirkumferencë e matur me pe.

Poligon – Politikan që e sheh një problem nga disa këndvështrime njëherësh.

Poliomielit – Shkëmb metamorfik, i formuar kur fosile të panumërta bletësh punëtore u nënshtrohen trysnive të larta të mantelit.

Portofol – shih Ministër.

Post-feminizëm – Doktrinë apologjetike e martesës së vonë.

Post-modernizëm – Psikozë senile që haset mes autorësh modernistë.

Purgativ – Në vendet borgjezo-revizioniste, punonjës i policisë i ngarkuar për të marrë në pyetje të arrestuarit më kokëfortë.

Radioaktiv – Personalitet radiofonik.

Rakitizëm – Dobësim i kockave si pasojë e konsumit të tepruar të rakisë ose të kikirikëve.

Republikan – Promotor ribotimi librash përndryshe të harruar.

Retrospektivë – (1) Parapëlqim i sëmurë për filma italianë bardhezi; (2) Ekzaminim me sy të lirë i orificit anal nga ana e mjekut specialist.

Rrospital – Qendër për kurimin e sëmundjeve veneriane (zakonisht në Itali).

Sekspert – trajner i erotizmit aerobik.

Shah-sheh – Ceremoni tradicionale e monarkisë persiane, gjatë së cilës mbreti dhe mbretëresha parakalonin të hipur të dy në të njëjtin kalë.

Sinkopë – Momenti kur i bie të fikët dirigjentit të një orkestre.

Sklerodermi – Sklerozë së cilës nuk i gjendet dermani.

Skoliozë – Dëshirë a trill i papritur i një personi të moshuar për t’u rikthyer në bangot e shkollës.

Splenomegali – Pseudoteori nacionaliste, sipas së cilës grekët e vërtetë njihen nga shpretka.

Stereofoni – Bisedë telefonike me dy persona njëherësh.

Stratigrafi – Studim i bëmave të strategëve të shquar.

Tabula rasa – Rezultat i dobët në qitje.

Teserakt – Akt i dorëzimit të teserës anëtarit të sapopranuar të një partie.

Tiramisu – Një lloj zharretiere e fshehtë për kuzhiniere të mbipesha.

Tonazh – Njësi matëse për sasinë bruto të makijazhit të përdorur.

Topologji – Degë e balistikës që studion trajektoren jo të predhës, por të topit vetë gjatë qitjes.

Vaginizëm – Efekt anësor i rezeksionit të nervit vagus.

Vazokonstriktor – Gjarpër shtëpiak, që e ka zakon të shtrëngohet rreth saksive.

Vivipare – Gra të cilave u rrojnë vetëm fëmijët e parë.

Zodiak – Rojtar mitologjik i parkut zoologjik në Olimp.

MaGje

Nuk ka komente

  1. Maks, po i shtoj edhe këto fjalë listës tënde që i kam ndeshur dhe përdor shpesh në disa lloj regjistrash:

    Addendum – huazim nga latinishtja që rezulton në “hajde jepi dum” të shqipes bisedore.

    Kakofoni – emër mjekësor për jashtqitje të zhurmshme, simptom diarreje të rëndë.

    Kërpush – qimet e fytyrës ose të mjekrrës së parë të adoleshentit mashkull.

    Skalp – fjalë-kod për “s’ka gjalp” e përdorur gjatë viteve të tollonave, ku jo vetëm ushqimet por edhe gjuha njohu shkurtime të papara.

    ps: Maks, you’ve been missed! Uroj të na ofrosh edhe më shpesh të tilla kontribute konstruktive.

    1. Më fal për korrigjimin por në fjalorin e Maksit nuk përfshihet ende termi “destalinizim”, por “desalinizim”. Apo duhet të konsultojmë zërat “psikanalizë” e “lapsus”? Nuk qenkan. Po presim botimin e përditësuar…

  2. Prokuror- zanatci martesash dhe bisturi – i thone binjakeve. President mund te kete qene koleksionist maniakal i dhembeve qe hidheshin ne cati. Komune – i thoshin dikur toke e xanun.
    Gjeraz – qeras vetem kur ka pire.

  3. Ne nje perkthim te Tropikut te Kancerit nga H. Miller ne shqip kam ndeshur fjalen “fyriane” me qindra here. Me duket se nga konteksti eshte dicka seksuale, po nuk jam i sigurte. E lashe ne mes librin se nuk po kuptoja fjelen….

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin