SPEKTRI DHE STETOSKOPI

Si duhet të sillet mjeku personal i një sundimtari despotik? Nga njëra anë, etika mjekësore e detyron t’i shërbejë trupit të sundimtarit, nga ana tjetër, etika njerëzore e detyron të denoncojë të keqen publike që buron nga padroni i tij.

Këtë temë e risolli në aktualitet dr. Isuf Kaloja, mjek personal i Enver Hoxhës; edhe pse spesori i saj etik duket se nuk ia ka nxjerrë gjumin njeriu, dhe aq më pak protagonistit vetë.

Shkruam për këtëPeizazhe të Fjalës; por pastaj edhe Militschi, në një prozë të vetën, iu referua filmit The Last King of Scotland, të mbështetur në romanin me të njëjtin titull, të Giles Foden; ku skocezi Nicholas Garrigan, mjeku personal i diktatorit ugandez Idi Amin, e përjeton dilemën etike të rolit të vet si dramë personale.

Mjekët i duam t’i kemi figura morale shembullore, të tillë që tërthorazi të kujdesen edhe për “shpirtin”; dhe për fatin tonë dhe të pacientëve të tyre, një pjesë e mjekëve, sado e vogël, i përmbushin pritmëritë tona. Por kjo dëshirë nuk mjafton, megjithatë, për t’u shndërruar në imperativ dhe aq më pak në normë.

Dhe kjo, doemos, jo vetëm në raport me dr. Kalon, i cili tek e fundit nuk ka qenë dhe as mbetet i vetmi shqiptar që e ka admiruar Enver Hoxhën; edhe pse ndryshe nga shumë bashkatdhetarë të tij që e kanë kundruar idhullin e tyre për së largu dhe të filtruar nga propaganda, ka pasur akses intim në raportin njeri/diktator, sa i përket pacientit të vet të shquar.

Një koleg i dr. Kalos, mjeku personal i Kryetarit Mao, Li Zhisui, ndoqi një rrugë tjetër, pas vdekjes së padronit të vet, duke botuar librin The Private Life of Chairman Mao, që disa e konsiderojnë si burim të çmuar për historinë e oborrit totalitar në Pekin, por të tjerë e kanë kritikuar për teprime dhe pasaktësi.

Gjithsesi, Zhisui shembëllzon mjekun që i shërbeu trupit të pacientit, por duke u distancuar prej mendjes dhe shpirtit të këtij; njëlloj si mjeku i Idi Amin-it, edhe pse duke rrezikuar shumë më pak.

Tema mund të zgjerohet edhe më, për të përfshirë rolin që mund të luajnë miqtë dhe të afërmit e një diktatori, në zbutjen e politikave të tij, nëpërmjet ndikimit privat.

Shkrimtari I. Kadare, që nuk ka qenë as mik as i afërm i Hoxhës, por është lexuar me ëndje prej tij, ka parashtruar në 1990 një teori që, në mos gabohem, e quan të “maskës për Princin”. Duke e rekrutuar Hoxhën si personazh të veprave të tij fiction (veçanërisht Dimrit të vetmisë së madhe dhe më pas Koncertit në fund të dimrit), I.K. e pat portretizuar në mënyrë të tillë, që t’i ofronte liderit totalitar shqiptar jo një pasqyrë, as një dithiramb, por më shumë një model të sjelljes, ose maskë. Proza e shkrimtarit pritej ta ngashënjente kështu Hoxhën, duke e qytetëruar.

Një projekt që, sikurse e dimë, dështoi në mënyrë spektakulare, pa çka se jo për faj të shkrimtarit: heroi i zymtë i Mbledhjes së Moskës, fill pas botimit të Dimrit, filloi të likuidojë, me mizori të pashembullt për kohën, kolegët dhe bashkëpunëtorët e vet në krye të shtetit dhe të Partisë.

Nga ana tjetër, shembullin e një mjeku oborri, që arrin të transformojë politikën dhe profilin e mbretit të vet e gjejmë te romani i mrekullueshëm The Royal Physician’s Visit, i Per Olov Enquist; ku mjeku gjerman Johann Friedrich Struensee, i thirrur t’i shërbejë mbretit të Danimarkës Christian VII, arrin të hedhë në dorë pushtetin ekzekutiv të mbretërisë dhe të zbatojë një program iluminist nga më të ndriçuarit e kohës (në shekullin XVIII, para Revolucionit Frëng).

Iluminizmi mund të interpretohet edhe kështu: dijetari ndriçon sundimtarin.

Ka diçka arketipale në të gjitha këto histori; ndoshta ngaqë mjeku është dëshmitar i asaj zone të brishtë, shpesh të molepsur dhe më shpesh akoma të barsur me dramë të parrëfyer, ku sundimtari publik dhe vdekëtari privat negociojnë njëri-tjetrin pareshtur.

Tek e fundit, sikurse e konfirmojnë shumë përralla dhe rrëfenja tradicionale, mjeku mbretëror ka qenë gjithnjë me kokën në torbë – për shkak të intimitetit që vendos jo vetëm me jetën, por edhe me vdekjen e padronit të vet; çka e afron, ironikisht, me berberin dhe kuzhinierin e mbretit.

Përndryshe, në shumë prej historive që rrëfejnë protagonistët e heshtur të kupolës komuniste, mungon drama; vetë dhuna totalitare, edhe kur shfaqet në plotësinë e vet absurde, ka natyrë eksploitative, ose i shërben impresionimit të publikut.

Të mirët dhe viktimat vijnë e koincidojnë si të ishte kjo ndonjë rregull hyjnore; njëlloj sikurse koincidojnë të këqinjtë dhe xhelatët – në emër të një manikeizmi që mund të jetë shenjë foshnjërie, sikurse mund të tradhtojë amoralitetin.

Nuk ka komente

  1. ai libri i olov eshte bere film, por ndoshta u dashka lexuar. Filmi percjell pak a shume idene se mjeket mund te diagnostikojne problemin por nuk mund te jene vete ilaci (miti i “medicine man” qe nuk mund te nderhyje ne fatin qe u lexon vdekatareve, nderhyrja eshte e politikaneve; ose se filozofi kur kurorezohet mbret, shnderrohet ne despot se eshte natyra e mbreterimit e atille; apo ne politike triumfon ai qe zoteron armet e saje etj.).

    A zgjidhet kjo ceshtje: a ka qene Kalo pjese e intrigave te oborrit? Sa faktor ka qene ai? (duke e mbajtur me zor ne jete, sic pretendojne disa; duke leshuar diagnoza e fjale larte e poshte per te krijuar besim tek konkurruesit dhe shpejtuar fatin e tyre per ne skuadren e pushkatimit apo byrone politike etj.). Ta ftojme te marre pjese ne kuvend, keto pune u interesojne historianeve.

    1. Libri më ka pëlqyer shumë – filmin s’e kam parë dhe nuk besoj se do ta shoh. Natyrisht, marrëdhënia që vendos Struensee me mbretin Christian aty është unike dhe nuk mund të përgjithësohet, përveçse simbolikisht. Hoxha besoj se vazhdonte ta luante rolin e “prindit” edhe kur ishte pacient, ndryshe nga mbreti i Danimarkës, i cili e pranoi mjekun e vet si baba surrogato. Edhe më komplekse është marrëdhënia e mjekut skocez me diktatorin Idi Amin…

      1. Tamam Xha Xha, keshtu e kam kuptuar edhe une En kongelig Affære. Mjeku u be reformator, jastek mbrojtes per nje komb te tere dhe prind per sundimtarin, sa qe per hir te babes arrije te meshiroje e pranoje disi edhe birin despot. Tjeter gje historia e Kalos, totalisht tjeter dhe pas intervistave te tij, duket qe i ka pelqyer jeta nen flatrat e ngrohta te Atit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin