SA I PËRGJUAR JE?

pergjuesPas hetimit të Parlamentit shqiptar për përgjimet telefonike të politikanëve më të rëndësishëm në vend, tashmë diskutimet i kanë kaluar kufijtë e politikës. Si gjithnjë, në kësi rastesh, ithtarët e teorive konspirative janë të parët që hidhen me kokë në ujërat e internetit.

Shkak u bë fillimisht një batutë e socio-ekonomistit Prof. Dr. As. Dekan Plagjati, sipas të cilit përgjimet janë shndërruar në status symbol të shoqërisë moderne. “Deri dje rëndësia e personit varej nga madhësia e veturës që ngiste, deri diku nga veshjet firmato, por sot gjërat kanë ndryshuar. Ai që bridhte dje me ARO ecën sot me Porche, ai që sorollatej dje me biçikletë krekoset sot me fuori strada fuori serie. Të tjerët siç bënin sehir, bëjnë sehir aktualisht, veçse me internet përpara. Mos kujtoni se rëndësia e juaj matet sot me pëlqimet që ju japin në rrjetet sociale, ose me ndjekësit e cicërimave tuaja? E keni gabim. Sot, po nuk u përgjove nuk je askush, je kot, je pa vlerë, je hiç”.

U tha se deklarata e Plagjatit bazohej në një farë mënyre si nga reagimi i një politikani shqiptar, ashtu edhe nga kujtimet e pashkruara në letër të hakerit më të njohur të botës, i cili paska thënë diku në internet: “Nëse nuk je dikush, nuk ke shanse të ta hakerojnë postën elektronike. Edhe sikur ta botosh fjalëkalimin, asnjë nuk do ta marrë mundimin t’i lexojë mesazhet e tua”. Fjalia u bë e famshme ngaqë një grua nga fshati Dredh, ia lexoi ad litteram mesazhin dhe e botoi fjalëkalimin, duke harruar se atje kishte postën që kishte shkëmbyer me jaranin. Kur burri ia zbuloi të fshehtat, ajo i tha se ishte faji i hakerit, se nuk i kishte parë kurrë ato mesazhe dashurie. Ishte pra një kurth i vërtetë. Burri nuk i bëri asgjë por, duke bërë valixhen e duke i kërkuar falje për hapjen e postës, e “vrau” me një fjali dashurie: “Ti për shërbimet sekrete mund të mos jesh askush, por për mua je e gjithë bota”.

Në Shqipëri fenomeni i përgjimeve pushtoi faqet e gazetave. Por nuk u mor vesh asgjë. Treguan se ka pasur me qindra e mijëra përgjime, astaj akuza, kundërakuza, thashetheme, zhurmë. Tani, siç e vuri re me të drejtë juristi dr. Justin Penali, i diplomuar në Universitetin Universitar të Tiranës, të fjalësh për përgjime nuk është e saktë. “Akti i përgjimit – tha ai – nënkupton veprimet e dikujt që rri fshehur e dëgjon apo vëzhgon dikë për të marrë vesh çfarë thotë, çfarë bën etj. Shikoni fjalorin po deshët. Aty jepen shembuj domethënës si Përgjonte prapa derës (prapa shkurreve)”. Më tej dr. Penali vijoi me formulën “çdo referim është absolutisht rastësor…” të cilin e tha nëpër dhëmbë. Në fund u tregua më i qartë: “Akuzat për përgjime nuk kanë asnjë vlerë juridike, në qoftë se nuk flitet për përgjime telefonike, të cilat janë kategori tjetër e përgjimeve, sepse shkojnë përtej karakterit fizik të shkurreve…”. Përsëri formula e referimeve rastësore…

Kështu, meqë përgjimet ta rrisin autoritetin, në opinionin publik shqiptar u hap fjala se përgjimet mund të porositen. Thuhet se shërbimet e ndryshme të informacionit informativ do të hapin faqe të posaçme në internet me tarifat përkatëse. P.sh. 100 përgjime telefonike 1000 euro. Botimi i tyre nëpër gazeta kërkon një shtesë tjetër, sepse duhen lexuar me mijëra faqe për të gjetur një frazë të hairit. Puna është e jashtëzakonshme. E thjeshtë por gjeniale shitja e paketës “Përgjim Kit”, ku gjendet një aparaturë përgjuese që mund të përdoret në mënyrë amatoriale. Reklama e thoshte qartë: “Tani edhe ti mund të përgjohesh në çdo çast. Dhuroja dikujt e do të jesh gjithnjë i dëgjuar!”.

Ndërkohë, të përjashtuarit e përgjimeve, pra ata që nuk janë përgjuar nga asnjë shërbim, do të njoftojnë këto ditë krijimin e “Shoqata e të papërgjuarve”, nëpërmjet të cilës do të protestojnë për mungesën e vëmendjes ndaj tyre. “Përderisa deri dje më përgjonte edhe Manushaqja, fqinja e moshuar, që dinte edhe kur haja bamje, nuk e kuptoj pse institucionet vendase dhe europiane rrinë duarkryq?”, theksoi Kryetari i shoqatës.

Porse kjo protestë do të shuhet shpejt, sepse në momentin kur të gjithë mund të përgjohen e të përgjojnë njëkohësisht, çfarë rëndësie ka përgjimi në vetvete? Është njëlloj sikur të gjithë të kenë Ferrari në trafik të bllokuar. E kush ta var?

Nuk ka komente

  1. duket sikur eshte dr. plagjiati ka marre gjeresisht nga emisioni i b. fevziut “opinion”, nje kazan thashethemesh ne formati e nje TV Show ku herazi shikuesit kane fatin te qerasen me bon-bone metrazh te shkurter bicim dokumentaresh (te quajtuar ne stilin pornografik “inserte”, pasi penetrojne rendshem vemendjen e shikuesit) mbi p.sh. “si te mbrohemi nga pergjimi”, “si te tradhetojme grate pa marre vesh komshijte”, “si te veshim geta te kuqe pa u komentuar se jemi baxhella” e te tjera keshilla qe targetojne kryesisht gjinine femerore, por ka atje si ne nje mapo socialiste edhe per meshkuj, por te profesionit te gazetarit apo analistit

  2. Ah ah, po kujdes me këtë “Përgjim Kit-in”. Unë e bleva dhe ja dhurova kunatës që të më përgjonte ditë e natë e do ti? E pësova si atëherë kur i çova një shoqes se kolektivit nje çentro që i kisha bërë me grep kur u martua dhe që ja pashë pastaj gruas së drejtorit kur kjo na ftoi në shtëpi për një liko për Vit të Ri. Kunata ja bëri peshqesh së ëmës që kjo ta përgjonte kur të takohej me shoqet dhe si përfundim tani mua më përgjon vjehrra sa herë që e marr nëpër gojë kur flas me time ëmë. Po gjene, më mirë kështu se atë nusen tjetër që është shushkë fare nuk e përgjon as i shoqi, jo më vjehrra jo e jo…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin