RRUGËTIMI I NJË IDEJE

nga Miliçi

Ndërsa në New York, PTF mblidhte mendimet e lexuesve dhe bashkëshkruesve rreth cilësisë së punës kërkimore në Shqipëri, e më tutje, aleancës së dëmshme me doktoraturën dhe inflacionit të titujve, derisa u hodh poshtë çifti doktoraturë-shkencë, në bregun tjetër të Amerikës, fara e një ideje rrugëtonte drejt një nevojtoreje. Më saktë, drejt nevojtoreve të Universitetit të Kalifornisë dhe dhjetë kampuseve që e përbëjnë.

Nuk bëhet fjalë për nevojtore dosido, por për një gjeneratë të re. Një banjo publike për të gjithë: femër, mashkull, gay, lesbike, trans, në-përcaktim-e-sipër, i mitur, i rritur, i ri, i vjetër, me këmbë a karrige me rrota –  siç e tregon edhe tabela karshi një banjoje në University of Irvine.

A gender neutral bathroom is seen at the University of California, Irvine

Nuk është e para e gjinisë së saj, gjini kjo neutrale dhe gjithëpërfshirëse, por e reja që solli ky shtator ishte vendimi i shpallur nga zyra e Presidentes së Universitetit të Kalifornisë, Janet Napolitano, për të metamorfozuar tualetet ekzistuese në struktura të tilla në të dhjetë kampuset e universitetit. Vendimi, si çdonjëri që shënon risi, ka partizanë e kritikues, dhe interesi im nuk rreh as tek vlera, as tek aveniri i këtij eksperimenti. Përkundrazi ma nxit mendimin më tepër e shkuara e tij, e kundruar, mespërmes diskutimeve që patëm në PTF rreth punës kërkimore, zbulimeve, doktoraturave dhe jetështrirjes së tyre në publikun e gjerë.

E kaluara e kësaj risie i ka rrënjët në historinë e feminizmit, e cila mund të përkufizohet e gjymtuar, nëpërmjet disa emrave të hershëm si, Christine de Pisan, Mary Astell, Olympes de Gouges, Mary Wollstonecraft, e disa më të rinj, Simone de Beauvoir, Luce Irigaray, Julia Kristeva, Carol Gilligan, Judith Butler, dhe Judith (Jack) Halberstam. Kjo ose ky i fundit, aktualisht profesor për Amerikanistikë dhe Etnicitet në University of Southern California, është pikënisja ime. Me të kristalizohet ideja se ndarja e banjove publike sipas gjinisë përkatëse, gjini e atashuar në lindje të individit, përtej pëlqyeshmërisë dhe autonomisë vetjake, është diskriminuese.

Imazhi 2Judith Halberstam, e ngasur nga eksperienca personale, formulon pakënaqësinë dhe vështirësitë që ka një femër me tipare, të ecur, gjestikulim e veshje mashkullore (the butch) kur përdor një banjo për femra, dhe shihet si trup i huaj, që depërton sferën intime femërore. Kështu, Halberstam problematizon këtë fenomen, duke e quajtur “bathroom problem” në monografinë e publikuar në 1998 nga prestigjiozi Duke University (sidomos në fushën e teorisë letrare dhe filozofike).

Problemi i banjos, sipas Halberstam, strehon, tradhëton dhe ushqen homofobinë e gjithëpranishme, frikën kundrejt tjetrit që kapërcen norma seksuale, estetike, e po ta shtysh më tej, etnike, raciale, besimtare, pse jo edhe njerëzore (çfarë është njerëzorja, do të ishte pyetja përfundimtare).

Nuk është rastësi që problemi i banjos ka dalë nga rezervuari i ideve të Halberstam-it. Veç shtatë vjetë para Female Sexuality, Halberstam kishte mbrojtur titullin philosophiae doctor me një studim mbi homofobinë dhe anti-semitizmin, si qëndrime dhe praktika që thërrasin në jetë konceptin e monstruozitetit. Një monografi si Female Sexuality, zor se do të ekzistonte pa ngjizjen dhe fermentimin që kërkonte dhe mundësoi kjo doktoraturë. Përpos, një pjesë e materialit që ajo përdor, po citoj vëzhgimet e saj rreth boksit të femrave, vjen nga disertacioni i Jeffrey Sammons mbi gratë dhe boksin në Amerikë.

Ndërsjelltazi, libri i saj diskutohet në kolokiume masteri, doktorale dhe post-doktorale të panumërta, citohet po në kaq disertacione dhe monografi, ka precipituar në vetëdijen edhe bisedat e komuniteteve queer dhe non-queer, derisa pas përhapjes nga poshtë, është ngjitur edhe më lart se Halberstam-i vetë, deri në zyrat drejtuese të akademisë, prej ku siç tregon vendimi i shpallur nga Napolitano, ka zbritur sërish, për të prekur jetët e mijërave studentëve, nëpërmjet një nevojtoreje të transformuar. E thashë edhe më lart, e ardhmja e këtij modeli mbetet për t’u parë e jetuar, por s’është ndonjë hata që të arrijë të predominojë, të paktën, në botën oksidentale.

Sigurisht, nënkuptohet një dozë e justifikuar skepticizmi: jo çdo doktoraturë ka këtë fat lulëzues, shumicës së doktoraturave, pas dhënies së titullit, nuk ua dëgjon më emrin as për mirë, as për keq. Por kur një doktoraturë përmbush kritere të cilësisë shkencore dhe akademike, ajo bën shkencë. Dhe vlera shkencore nuk mund të matet në kohë reale. Në fakt vetë nocioni i vlerës është më se i rrëshqitshëm dhe shprehje e një trashëgimnie utilitariste, që ngatërrohet sidomos nëpër këmbët e studentit të shkencave humane (humanities), i cili pyetet: “Mirë mjeku na shëron, astronauti na çon në hënë e përtej hënës, arkitekti dhe inxhinieri na venë strehë mbi kokë, gazetari na (ç)informon, po ti mor etnolog, filosof, antropolog, gjuhëtar, letrar, si e justifikon rrogën dhe ajrin që thith?”

Që të vësh një etiketë vlere mbi këto profesione e disiplina, presupozon punën herkuliane të përmbledhjes së historisë së njerëzimit në pak fjalë (s’bëhet as në vëllime). Kush arrin të tregojë me kthjelltësinë e tak-faktë, që vërtetohet puna e mjekut, vlerën e ndërrjetësimeve, gërshetimeve, të shtysave të ndërsjellta, implikimeve dhe degëzimeve të mendimit që e kanë shtyrë specien homo sapien në shekuj? Ja që asnjë mendje s’ mund të rrokë morinë e jehonave të një ideje, as të parashikojë rrugëtimin e saj prej studimeve të homofobisë drejt një banjoje publike gjithëpërfshirëse. Pra, shumicën e kohës, punojmë dhe kërkojmë në errësirë, por, them, se kjo është bukuria!

Nuk ka komente

  1. banjat si hapesira konflikti (contested spaces) ishin trajtuar edhe nga nytimes para disa ditesh (http://www.nytimes.com/2014/10/08/nyregion/lawyers-challenge-lewdness-arrests-at-port-authority-bus-terminal.html), si vende ku rojtar te moralit mbikqyrnin njerezit duke kryer nevojat dhe ndaluar ata qe shtrydhnin trupat per lengje te tjera te palejuara apo qe ftonin ne veprimtari te pacipta ..
    megjithate, besoj se per femrat do te ishte shqetesuese te realizonin nevojat nen veshtrimin e meshkujve te panjohur (se fundmi qe te cilesohesh “femer” ne new york nuk duhet te kesh gjinine seksuale – transgender, mjafton edhe nje deshmi nga nje psikolog e deri tek kryeinfermierja qe ne dokument te percaktohesh me gjinine femerore)… shkurt, burrat e martuar duhet te vigjilojne se kush hyn ne banjot e grave

  2. Shpresoj që banjot publike si “husbands’ contested spaces” mos të kthehen në problem, se bashkshortët modernë boll halle kanë pa iu shtuar listës edhe ky i fundit.

    Prindërit e seksit të kundër, sidomos baballarët e vajzave, them e mirëpresin, sepse ç’siklet kur sat bije, e zëmë, 5-vjeçare i bëhet të lirohet. Nga t’a çojë i ati? Në atë të meshkujve tenton t’i mbyllë sytë prej frikës se mos patakset me fizioligji të huaja, në atë të grave, e mban para vetes si mburojë për të siguruar popullatën femërore, që s’ka asnjë qëllim tjetër, përveç se dëshirës së pafajshme, që fëmija të kryejë një nevojë të natyrshme. Ne këtë prizëm ndoshta zgjidhet një vështirësi…

    1. Me sa kuptoj, ne keto banja do kete kabina personale te paemeruara femer/mashkull, etj. Dmth maksimumi eshte qe do shohesh si te tjeret lajne duart e freskohen ne lavaman. S’ma do mendja te sekelldiset njeri per kaq.

  3. Shumë kohë më parë masës së marrë nga J. Napolitano, është hedhur ideja se galanteria (formë e politesës) është vetvetiu e ngarkuar me një dozë të fortë seksualizmi, gjë ndaj të cilës sot ka kundërshtime të forta. Në thelb galanteria (ka të ngjarë të mbetet ende e panjohur ne Shqipëri) vjen si një trashëgimi e shoqërive patriarkale që e nënkupton femrën si seks i dobët, që shpreh nevojën e saj për mbrojtje dhe trajtim të veçantë. Pra një formë seksizmi dhe diskriminimi.
    Nuk e di nëse kjo nënkupton se shqiptarët duke mos bërë dallim në brutalitetin e tyre janë pararendës të ideve te Napolitanos dhe feminizmit te diteve tona?

  4. Nuk mendoj se patriarkalizmi shqiptar është pararendës.

    Edhe nëse presupozojmë se ky fenomeni i banjove dhe brutaliteti shqiptar rrethpriten në pikën e mungesës së diskriminimit (dhe alibisë së tij, që është politesa seksuale), nuk mund të flitet për pararendje, sepse evolucioni i ideve është i ndryshëm, paçka se përfundon momentalisht në një rezultat të ngjashëm. Kemi të bëjmë me dy terrene ideologjike të kundërta, që përtej kësaj afërsie të sipërfaqëshme, bëjnë në shoqëri punë të ndryshme ideologjike. P. sh.: patriarkalizmi shqiptar s’thotë s’e femra është e dobët, por njëkohësisht nuk pranon që kategoria e seksit “per se” është produkt kulturor (ky është thelbi ideor i këtyre banjove).

    Më tutje, dyshoj thellësisht që ka mungesë diskriminimi thjesht, sepse vrazhdësia s’na lë të jemi galant. Përkundrazi, dëgjon shpesh në shoqërinë shqiptare se vajzat janë më të mira për familjen, më të ndjeshme, më të thyeshme, etj. Këto janë degë të diskriminimit seksual. Jo vetëm kaq, por prej grave pritet një standard moral më i lartë se prej meshkujve. Po jap një rast nga rrethi im: një grua e martuar, gjatë një turneu me grupin e valleve në vitet e diktaturës, vendos të mbetet në Francë dhe lë burrë e fëmijë pas perdes së hekurt në TR. Pakënaqësia kyç e të njohurve ishte sa egoizmi edhe përdhosja e karakterit femëror (braktisje e tillë një burri edhe mund t’i falej, por gruas? Jazëk.)
    U larguam nga tema pak, por është pyetje interesante. S’di si e mendojnë e përjetojnë lexuesit/lexueset e PTF.

  5. “Nuk mendoj se patriarkalizmi shqiptar është pararendës…” Natyrisht qe jo, e thashe me humor. Nuk mund te kete asnje atom te se ardhmes ne mentalitetin e nje shoqerie qe e cilesonte gruan si “thes per te bajte…”

  6. Mizogjinira të tilla ka prodhuar perëndimi me kuintal, lexo të zezat e Jagos së Shekspirit, dhe të duket kjo e gruas thes thjesht fëminore.

    Për punën e ironisë: qëkur është quajtur Tirana e barrikaduar me kioska “Zvicër e vogël”, kam vendosur t’i marrë shqiptarët seriozisht…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin