Ç’TË BËJMË?

Duke parë si janë punët me prodhimtarinë akademike, ndoshta duhet pyetur, me të madhe, se ç’vlerë kanë gjithë këto botime dhe angazhime “kërkimore-shkencore” për shoqërinë shqiptare, në përgjithësi.

A sjellin ndonjë risi në shkencë apo në dije? A i shtyjnë më tej kufijtë dhe horizontet?

Kam frikë se shpesh jo – dhe se, në masën dërrmuese, ato nuk vlejnë për asgjë, përveçse që janë botuar ose arkivuar tashmë.

Për nga funksioni dhe misioni, i ngjajnë punës angari, që duhej të bënin dikur bujqit për llogari të beut a të shtetit; ose edhe zborit.

Në rastin tonë, puna angari bëhet për hir të një kualifikimi profesional, i cili i shërben vetëm personit që e bën dhe ndonjëherë edhe tarafit përkates.

Natyrisht, pyetja ka të bëjë edhe me natyrën dhe cilësinë e veprimtarisë kërkimore-shkencore në Shqipëri.

Nuk kam asnjë dyshim që shkalla dhe intensiteti i kërkimit shkencor atje nuk kanë ndonjë lidhje me numrin e botimeve “shkencore” dhe të doktoraturave, dhe as me cilësinë e tyre.

Veçanërisht në rrethanat kur studiuesve (potencialë) dhe institucioneve kërkimore-akademike u mungojnë deri edhe fondet elementare (të themi, për të botuar një revistë të sektorit), as që mund të supozohet se ekzistojnë rrethanat për kërkim shkencor, sidomos në ato fusha ku kërkimi shkencor kërkon mbështetje financiare të konsiderueshme.

Shkenca shqiptare, dhe dija në përgjithësi – duke filluar nga akademia dhe duke vazhduar me universitetet, private dhe publike, janë në gjendje komatoze: vetëm sa mbijetojnë, me serume fondesh minimale.

Si do t’i përgjemi, pra pyetjes naive nëse bëhet apo jo shkencë sot në Shqipëri, nga institucionet shqiptare?

Po pyetjes tjetër, sërish naive, nëse ka studime të mirëfillta në fushat inxhinierike, mjekësore, farmaceutike, biologjike, bujqësore, ekologjike, gjeologjike?

Shumë prej veprimtarive për të cilat lexojmë e dëgjojmë në mediat ose kanë natyrë politike dhe celebrative, ose financohen prej fondacioneve të huaja.

Në lëmin e dijes albanologjike dhe në përgjithësi sociale, përpjekjet ndonjëherë të lavdërueshme kanë natyrë individuale dhe ushqehen nga pasionet dhe përkushtimet e autorëve, por nuk marrin mbështetjen e duhur institucionale; dhe anasjelltas, kjo mbështetje jo rrallë shkon për projekte me natyrë ideologjike dhe ikonografike – që nuk kanë lidhje me dijen as me përparimin e saj.

Mund të jem i keqinformuar, por – për mendimin tim fare modest në këtë pikë – ndoshta kriteret e botimit shkencor në revista të licencuara duhen shkëputur përfundimisht nga procedura e kualifikimit. Kjo do t’i shërbente edhe kualifikimit, edhe revistave vetë, që do të mund të merrnin frymë dhe t’i shërbenin shkëlqimit të dijes, jo nevojave të autorëve për të ruajtur vendet e punës, dhe as llogarive bankare të botuesve komercialë.

Sikurse do t’u shërbente edhe të gjithë atyre që kanë punuar dhe punojnë me seriozitet dhe përkushtim në fushat e tyre, i kanë mbrojtur doktoraturat me nder dhe sukses, kanë botuar dhe botojnë në revista akademike serioze dhe që, në rrethana të tjera, duhej të ishin në ballë të punëve; por që nuk arrijnë dot ta përballojnë konkurrencën dhe thjesht mizërinë e freeloaders-ëve.

Përndryshe, në rrethanat ku gjenden shqiptarët sot, kualifikimi profesional masiv mund të bëhet shumë më mirë nëpërmjet provimeve.

Artikujt shkencorë, tezat e masterit dhe doktoratat – që po prodhohen në seri dhe në shkallë industriale – në shumicën e tyre nuk vlejnë për asgjë: janë ushtrime të kota dhe vanitoze, rituale shoqërisht të kushtueshme për të përftuar elita agresive dhe inkompetente.

Veprimtaria kërkimore-shkencore dhe komunikimi i saj janë shkëputur, në masë të madhe, nga pasioni i njerëzve për dijen, për të vërtetën dhe për përparimin social; dhe tashmë po shkëputen, hap pas hapi, edhe nga nevojat aktuale të nxënësve dhe të studentëve për dije.

Edhe pse jetojmë në një epokë kur teknologjia na vë në dispozicion mjete të mrekullueshme për komunikimin dhe përditësimin e informacionit edhe në lëmin e dijes, kërkimi shkencor në Shqipëri duket sikur e ka humbur arsyen për të ekzistuar.

Dhe nëse arsimi i lartë në Shqipëri nuk arrin të krijojë kompetenca akademike të mirëfillta, atëherë çdo përpjekje për ta trajtuar dhe rregulluar atë, formalisht, në bazë kriteresh të përpunuara në vende, kontekste sociale dhe kultura të tjera do ta rëndonte edhe më shumë gjendjen, siç edhe e ka rënduar.

Të njëjtat ligje, procedura dhe formalitete, që gjetiu kanë dhënë rezultat, ndër shqiptarët kryesisht përfundojnë si përdorura për të prodhuar një masë me free-loaders – ose përfitues.

E kam fjalën për njerëz përndryshe inteligjentë dhe kushedi edhe me pasion të mirëfilltë për dijen, të cilëve institucionet përkatëse brenda vendit megjithatë nuk arrijnë t’u vënë në dispozicion mjetet e duhura për ta përfunduar përgatitjen e tyre profesionale dhe për të ndërmarrë një karrierë akademike dinjitoze, e cila përndryshe u kërkohet.

Vetë patriarkët akademikë dhe universitarë, disa produkte të një sistemi tjetër dhe disa të tjerë të ardhur nga “Europa”, duke dhënë miratimet e tyre për punime të tilla të padenja dhe duke i aftësuar autorët në karrierë, kanë edhe ata një përgjegjësi historike, të cilën nuk duhen lejuar që t’ia faturojnë sistemit.

Dhe e përsërit: kujt i vlen pikërisht ky shpërdorim kolosal i kohës, i energjisë së mendjeve përndryshe nga më të aftat e kombit dhe i burimeve financiare?

A i nget kush me dorë këto botime e dorëshkrime të arkivuara, a i shfleton kush për t’i shfrytëzuar dhe për ta çuar dijen më tutje?

A ka një progres të dijes ndër shqiptarë, hap pas hapi?

Kam frikë se jo. Shumë prej punimeve që kam parë, por edhe doktoratave, nuk kanë për synim që të lexohen nga të tretë, por vetëm që të depozitohen diku.

Edhe një herë, ato shërbejnë si garanci – në kuptimin financiar – për të ecur përpara në karrierë dhe për të riprodhuar një sistem që – në fakt – nuk arrin të dalë nga koma.

Dhe nëse e gjithë kjo veprimtari nuk sjell ndonjë vlerë publike, por vetëm u shërben autorëve dhe tarafeve përkatëse, a nuk është koha për t’i dhënë fund dhe për ta rishikuar sistemin e kualifikimit të kuadrit dhe për ta zëvendësuar me një tjetër, më praktik, më modest dhe më të përshtatshëm për kushtet tona?

Nuk ka komente

  1. Ç’të bëjmë? Të kuptojmë që shkenca, edhepse merret me numra, nuk është veprimtari shkencore, por kulturore. Si e tillë, ajo nuk i nënshtrohet kuantitetit, pra s’ja vlen të numrohen punimet, patentet e fituara, impakt faktori, etj, por i nënshtrohet kualitetit. Pak common sens dhe shije e hollë mjaftojnë për të na pri në këtë udhë.

    1. Kot, sa per kuriozitet, a mundesh me me sqarue qi nkjoftse shkenca vete nuk asht veprimtari shkencore, por kulturore (sic thue ti n’komentin tand), athere cfare asht veprimtari shkencore?!?

    2. Ardian, cdo gje duhet te behet sa te mundet me e thjeshte, por jo me teper se kaq(me thjeshte se kaq). 🙂

      Mendimi shkencor sado konstruktivist apo spekulativ, gjithmone mbeshtetet ne evidencen empirike(qofte hulumtim kualitativ apo kuantitativ) dhe nuk eshte ceshtje, apo veprimtari kultur(e)ore.

      Cka i dallon shkencetaret nga filozofet, apo te filozofuarit, eshte se te paret jane filozofe te dobet.

  2. Xhaxha,

    Ky eshte nje shembull i paster i transplantimit te nje institucioni perendimor ne Shqiperi pa u menduar fort per pershtatjen e tij me rrethanat vendase. Me sa duket dikujt diku iu kerkua qe te rriste standartet e akademise ne Shqiperi, hodhi syte pertej maleve dhe kopjoi te njejten formule edhe ne akademine Shqiptare, pa marre parasysh se pervec disa shkencave ekzakte dhe ndoshta ne gjuhesi, ne Shqiperi tradita e kerkimit shkencor eshte e dobet. Studentet e doktoratures nuk mund te shkruajne nje teze serioze nen mbikqyrjen e dikujt qe nuk eshte munduar ndonjehere te publikoje ne revista serioze. Ne kete vakum intelektual eshte me se e natyrshme qe “akademiket” te gjejne ndonje rruge anesore per te shmangur deri diku nje pergjegjesi qe u eshte dhene pa te drejte. Problemi eshte qe ky lloj orteku artikujsh eshte tejet i demshem per sistemin. Le te mendojme pak per nje studiues qe po mundohet te shkruaje dicka me te vertete dinjitoze. Per te bere kete duhet me te vertete mund kolosale dhe kohe e gjate perkushtimi. Dhe ne fund te fundit, nese artikulli botohet, ai botohet disa kohesh (shume shpesh vite) nqs do te botohet ne nje reviste prestigjioze. Nderkohe, dekani i fakultetit te vjen dhe te thote: “Shikon filani, ndersa ti pret per nje cope artikull, ai ka botuar 6 vetem ne maj.” Eshte e pamundur qe te mbijetosh ne kete lloj sistemi, sado i perkushtuar ndaj shkencesh te jesh. Eshte e pamundur sepse pervec fondeve qe te mundgojne, te mungojne dhe bashkeautoret, koleget, studentet dhe ne pergjithesi ambienti qe eshte i pazevendesueshem per nje kerkues shkencor. Keshtu qe kjo lloj pershtatje e sistemit perendimor ne menyre perverse arrin ate qe eshte diagonalisht e kundert me qellimin qe presupozohet te kete. E ben ndarjen e shapit nga sheqeri, ose ndarjen e akademikut te mire nga i keqi pothuajse te pamundur (bad money always drives out the good). Per me teper, dekurajon akademikun prodhimtar dhe nese ky i fundit ka ndonje mundesi per t’u larguar, largohet perfundimisht (kete nuk e kam me te thene, kam raste ne rrethin tim shoqeror kur kjo ka ndodhur). Ky eshte rast tipik i adverse selection, dhe po ndodh ne Shqiperi ne shkalle masive.

    Po perse nuk flasin ata qe jane brenda akademise dhe kunder kesaj lloj perdhosje te akademise? Deri ne nje fare mase pergjigjen e ke dhene vete tek “Te ngresh zerin”. Ky lloj ekuilibri ne akademine Shqiptare sado i keq, eshte deri diku racional. Neqofte se dikush mundohet te zbuloje raste te shperdorimit te sistemit akademik nepermjet doktoraturave dhe tezave te dhena kot, duhet ta beje kete duke denoncuar raste te vecanta, per te mbledhur keshtu nje tablo te nje sistemi te kalbur. Nese e ben kete, detyrimisht do te prishi karriera dhe do tu prishe pune individeve te vecante, si atyre qe kane marre doktoraturat kot, dhe atyre qe i kane dhene ato kot. Kostoja sociale per nje njeri te tille eshte shume e larte, sic e ke vene re edhe ti, sidomos ne Shqiperi, ku “te gjitheve nje lum na ndan”. Te mirat e ketij veprimi jane shume me abstrakte dhe te vagullta, sepse flasim per permiresimin e nje rrjeti edukimor qe mund te mos te ndodhe fare edhe sikur nje fare denoncimi i praktikave te tanishme te behet. Per me teper, nese sistemi vazhdon te infektohet dhe me tej, edhe ato pak pika ku kerkimet shkencore vazhdojne te jene serioze (kam parasysh disa te shkencave ekzakte qe prodhojne referate me vlere), do te pakesohen ne numer dhe do te ngordhin gradualisht.

    C’te bejme? Gjeja me kryesore per nje akademik eshte aksesi ne fondet financiare. Thaji ato departamente qe prodhojne pacavure nga fondet e shtetit. Thaji universitetet private pa kritere akademike nga fondet shteterore dhe akreditimi. Beje procesin e dhenies se fondeve te hapur dhe ne baze konkurrimi me standarte nderkombetare. Departamentet qe bejne me te vertete kerkime shkencore ne Shqiperi duhet te jene fare te pakta (dy ose tre per fushe). Nuk eshte e thene qe profesoret ne universitetet private te kene doktorature, Shume universitete private jane teaching universities dhe jo research universities, kjo eshte me se normale dhe e pranueshme. Procesi i akreditimit te nje universiteti duhet te shohe programin e ofruar dhe jo numrin e publikimeve te nje grupi akademik. Kam nje pershtypje qe me keto lloj masash numri i akademikeve te mirefillte do te zvogelohet ne menyre drastike.

  3. Dua te (ri)sjell ne vemendjen tone disa shkrime qe me duken me vlere per te plotesuar peizazhin e arsimit akademik ne Shqiperi dhe ne Kosove. Besoj se ky debat do te perfitonte nga keto kontribute. Dy prej artikujve jane botuar fillimisht ketu tek Peizazhe te Fjales dhe dy jane nga kolege qe jane perballur me realitetin absurd te konferencave dhe profesorlliqeve.

    PUBLIKO OSE HUP
    https://peizazhe.com/2014/02/07/publiko-ose-hup/

    KËRKIMI SHKENCOR – REFORMË APO CILËSI?
    https://peizazhe.com/2013/10/08/kerkimi-shkencor-reforme-apo-cilesi/

    KRONIKE E NJE BANALITETI TE SPECIALIZUAR
    http://www.panorama.com.al/2014/07/18/kronike-e-nje-banaliteti-te-specializuar/

    DEGRADIMI I KONFERENCAVE SHKENCORE
    http://www.indeksonline.net/?FaqeID=7&LajmID=113904

  4. ” Artikujt shkencorë, tezat e masterit dhe doktoratat – që po prodhohen në seri dhe në shkallë industriale – në shumicën e tyre nuk vlejnë për asgjë: janë ushtrime të kota dhe vanitoze, rituale shoqërisht të kushtueshme për të përftuar elita agresive dhe inkompetente”.- pergjithesimi qe jepet ne kete artikull nuk me duket bindes. Ne te vertete nuk kam pasur rastin per te shfletuar vecse disa doktoratura apo master nga shqiperia, madje kam shfqur mendimin autores per nje prej tyre dhe punimi ne fjale mu duk mjaft serioz, ndonse pak i politizuar si rezultat i influences se kastes se vjeter te doktrinuar. Duket sikur Xhai-xhai po u shpall lufte gjithe doktoranteve ne Shqiperi. Goditja frontale , pa vecuar prej tyre ato qe kane vlere, mendoj se eshte e gabuar. Aq me teper qe nje person nuk muk mund te njohe gjithe spektrin e tematikave dhe shkencave shoqerore, natyrore dhe teknike.
    Te kritikosh nje system te tere duhet te bazohesh ne argumenta te cilat ketu nuk kam rastin ti shoh (jo se nuk ka vend per kritika perderi sa japin doktorata dhe universitete private te pakonsoliduara).

    1. Ke të drejtë, përgjithësimi im është i pabazuar, mbështetet vetëm në të dhëna të pjesshme, shpesh anekdotike. Por besoj se, në këtë moment, kritika ndaj një sistemi që ka dështuar është më e rëndësishme sesa vëzhgimi me lente zmadhuese i shkrimit tim në blog, që nuk pretendon të jetë raport i ndonjë komisioni vlerësues parlamentar ose qeveritar. Të siguroj se, nëse do ta ndërmerrje ti një përpjekje të tillë titanike, mbështetja ime morale nuk do të të mungonte.

      Përndryshe, ti e ke kuptuar gabim qëllimin e shkrimit tim – sepse unë nuk u shpall gjë luftë doktorandëve, por sistemit që prodhon doktorandë dhe të doktoruar. Nuk kam dyshim se kushdo që dëshiron të shkruajë një doktoraturë dhe që e shijon këtë proces, ka gjasat që të nxjerrë nga duart punim të mirë, cilësor.

      Por, duhet pyetur: sa janë vërtet ata njerëz që duan, ëndërrojnë, u hanë duart, dhe mezi ç’presin që të shkruajnë doktoratën?

      Dhe më tej akoma: sistemi i doktoraturave masive u bën dëm, para së gjithash, pikërisht atyre njerëzve që duan të japin një kontribut të tyre për dijen – sepse, sikurse e tha edhe E. Dusha këtu, një studiues serioz nuk e përballon dot konkurrencën “formale” me atë tjetrin që boton shtatë artikuj në një numër reviste.

      Sugjerimi im – sepse për sugjerime bëhet fjalë – është që sistemi të modifikohet në mënyrë të tillë, ku doktoratat t’i shkruajnë vetëm ata që duan të shkruajnë doktorata: ose të shkëputet kërkesa për produktivitet “shkencor” nga procedura e kualifikimit të kuadrit. Nëse ti ke, bie fjala, 1000 doktorë shkencash ose vetëm 20, kjo nuk ndryshon gjë, sa kohë që cilësia e produktit shkencor nuk ndryshon; dhe sidomos kur konteksti social në Shqipëri është i tillë, ku kjo cilësi e produktit shkencor nuk matet, as vlerësohet publikisht.

      Puna studimore, kërkimore, akademike kërkon mendje të lira, inkuizitive, të përgatitura; fonde të mjaftueshme, laboratorë dhe personel ndihmës; forume ku të shkëmbehen arritjet, eksperienca dhe idetë; kulturë të punës studimore dhe pasion për të vërtetën. Nuk dyshoj se ka një pakicë njerëzish në Shqipëri që i plotësojnë këto kërkesa minimale – madje shkrimi im pikërisht këtyre u drejtohet; sepse, në qoftë se do të ndryshojë ndonjëherë sistemi, pikërisht këta do ta ndryshojnë.

      1. E kuptoj qe duke shkruar ne kete blog ju shprehni mendimin tuaj qe nuk e ka te domosdoshme te beje nje studim te plote te arritjeve te sistemit arsimor pasuniversitar ne Shqiperi per te dhene nje mendim. Por kur flitet per nje sistem mbase do te duhej ta bente dikush kete (qeveria me levat dhe instuticionet e saj apo faktore te pavarur), dhe as une e as ju nuk e keni kete detyre paresore. Aq me teper qe kjo presupozon qe duhet te kete nje data-base per gjithe doktoratat e realizuara ne shqiperi, ashtu sic e kane shume vende (nuk e di ne se ka nje te tille per Shqiperine-). Madje une psh do te meresha (ndoshta kur te dal ne pension) me ato qe lidhen me shkencen e materialeve, te tjere duhet te angazhohet sipas profileve.

        Por sidoqofte, nga kontaktet e mia, kam vene re se tani katedrat (flas per fushen e materialeve) kane kontakte me universitete dhe qendra kerkimore europiane, kane projekte te perbashketa me to dhe botime ne revista te njohura nderkombetare. Psh ne arkeologji jane kryer studime serioze me bashkeautore te huaj. Madje mjaft prej studjuesve mund te kene kryer doktoraten jashte vendit. Mendoj se situata ka evoluar. Prandaj jam pak i rezervuar me pergjithesimin kritik qe beni ju. Pa pasur ne dore te dhenat per keto projekte te perbashketa mund te arrijme ne konkluzione te gabuara.
        Por me ben pershtypje qe pjesemarrja ne diskutime e studjuesve (madje dhe atyre te atakuar) eshte e vogel.

        1. Bashkëpunimet me universitete të huaja dhe qendra kërkimore shkencore të huaja nuk janë pjesë e sistemit në Shqipëri, por e sistemit të atyre universiteteve dhe qendrave; u nënshtrohen standardeve të tjera dhe nuk kanë qenë asnjëherë objekt i këtyre shkrimeve të mia. Një studiues që bashkëpunon me një universitet të huaj nuk ka nevojë të botojë në revistat të tilla si këto që përmendëm këtu. Prandaj, Margarit, le të mos shpërndahemi në temë, sepse ashtu e zhvlerësojmë.

          Të sjell një shembull jo nga fusha ime (duke qenë kjo e fundit albanologjia). Më ka qëlluar të kaloj nëpër duar, këto kohë, një dossier materialesh për testimin e një bari (ilaçi) në Shqipëri – të përgatitur nga një universitet i madh në ShBA, me profil kërkimor, në bashkëpunim me firmën që e kish prodhuar atë barin. Testimi kërkonte natyrisht bashkëpunimin e mjekëve dhe të institucioneve përkatëse (spitaleve) në Shqipëri në të gjitha stadet. Një mjek shqiptar i përfshirë në këtë proces fare mirë mund të shkruajë një artikull ku të përmbledhë dhe të komentojë rezultatet e punës së tij brenda këtij projekti – i cili të botohet me kujdesin e universitetit të ShBA, mundësisht në një revistë që i ka të gjitha kartat në rregull atje.

          Por, natyrisht, vetë procesi i testimit të barit nuk ka fare lidhje me Shqipërinë – e cila zgjidhet për arsye të kostos të ulët ose ngaqë nuk është vend i BE-së ose ngaqë i mungon kuadri ligjor përkatës ose kushedi për çfarë arsyeje tjetër; edhe pse mjekët shqiptarë që marrin pjesë në këtë proces mund të përfitojnë profesionalisht. Por, e gjithë kjo, mbetet jashtë asaj që më shqetëson mua.

  5. Ne shkrimin pararendes komentuesi Margarit Gjoka, duke iu pergjigjur nje komenti tim, thote:

    “mendoj se kriteri per te botuar dy artikuj ne revista nderkombetare eshte me se normal. Nqs kandidatet per PhD nuk mund te botojne te pakten dy artikuj ne revista nderkombetare, atehere le te merren me ndonje pune tjeter. Irani psh e ka kete kusht 3 artikuj dhe jo dy. Madje mund te vihet dhe nje kusht i dyte, qe revistat ku botohen keta artikuj te kene impact factor psh >0.7.”

    Ta zeme se kemi dy doktorante: i pari po zhvillon nje kerkim mbi kryengritjen e Malesise se Madhe te vitit 1911; tjetri ka si objekt kerkimi metaforat ne liriken popullore shqiptare. Te dy keta doktorante kane shkruar nga nje artikull shume te mire me rezultatet e pjesshme te kerkimeve te tyre. Ne cilen reviste nderkombetare me faktor impakti mund t’i botojne artikujt? Cila reviste amerikane do te ishte e interesuar per keto studime? Ku me mire se ne “Studime Historike”, “Studia Albanica”, “Studime Filologjike” dhe revista te tjera albanologjike me impakt te larte nder studiuesit e fushave perkatese dhe me standarde te larta shkencore, por pa “impact factor”, mund te botohen keta artikuj? Ç’kuptim ka t’u kerkosh atyre te botojne medoemos dy artikuj ne revista nderkombetare?

    Ne nje nga revistat e MCSER lexova nje artikull gjashte faqesh qe merrte pesiper te krahasonte poezine e Zef Zorbes me poezine e hermetikeve italiane, kryesisht me ate te Ungaretti-t.

    Zef Zorba eshte nje nga poetet me te mire shqiptare te shek. XX dhe njeherazi nder me pak te njohurit dhe te studiuarit. Eshte nga ata autore shqiptare qe pret ende te studiohet dhe te njihet nga publiku i gjere. Ç’kuptim ka te botohet nje artikull gjashte faqesh ne anglisht per Zef Zorben ne nje “Journal of Educational and Social Research” qe nuk e lexon asnje nga studiuesit e letersise shqiptare? Cilet jane ata lexues nderkombetare te kesaj reviste qe do te interesoheshin per poezine e Zef Zorbes? Ku me mire se ne revistat e specializuara albanologjike mund te botohej nje artikull per Zef Zorben? Pse nuk u botua, fjala vjen, ne “Studia Albanica” qe boton anglisht, apo ne revista te tjera ne shqip?

    Arsyeja eshte e thjeshte: sepse revistat tona kane standarde shume me te larta se ato te MCSER. Aq me teper qe keto te fundit nuk figurojne fare ne indeksimet e revistave me impact factor. I vetmi kusht qe plotesojne eshte se jane ” revista te huaja”. Dhe rregulloret shqiptare te kualifikimit kerkojne pikerisht kete: botime ne revista te huaja!

    Pse duhet te genjejme veten ne kete menyre?

    1. Relapso, albanologjia eshte zhvilluar me se pari nga te huajte, kryesisht gjermane apo austriake. Ne cilen reviste i kane botuar ata valle studimet e tyre, ne “studime historike” te universitetit te Tiranes? Ka shume revista nderkombetare per historine apo gjuhesine dhe kulturen e vendeve te ndryshme (nuk mund tju them personalisht se ku duhet ti botoni, meqe une botoj ne fushen e shkencave ekzakte) . Psh Natali Clayer, Miranda Vicker , James Pettifer, apo Shmit (gjithe keta historiane qe shkruajne per historine e shqiperise) apo Robert Eslie (qe shkruan per historine e letersise shqipe) dhe autore te tjere te huaj kontemporane ku i botojne valle studimet e tyre?
      Nqs “studime filologjike” ka impakt te larte (por jo impact factor) kjo ne njefare menyre kontribon ne konsumin e brendshem te ideve pa i ballafaquar ato me mendimin boteror.
      Ndersa per pytjen tuaj “Ç’kuptim ka te botohet nje artikull gjashte faqesh ne anglisht per Zef Zorben ne nje “Journal of Educational and Social Research” qe nuk e lexon asnje nga studiuesit e letersise shqiptare?” do ti pergjigjesha: kur studjuesi shqiptar (i letersise ne kete rast ) nuk njeh bibliografine e autoreve shqiptare, dmth nuk lexon revistat nderkombetare, atehere ai eshte nje studjues me hapesire te kufizuar.

      Une nuk kam parasysh standarte te MCSER, por standarte te revistave nderkombetare te njohura si te tilla me impact factor (dmth qe te pakten nje studjues i referohet nje nga artikujve te publikuar ne kete reviste). Nqs revistat shqiptare qe permendi ju kane standarte te larta ato duhet te njihen si te tilla nga bota dhe jo nga katedrat e historise ne Universitetet shqiptare.

      1. E drejtë Margrit, një pjesë e mirë e studimeve albanologjike erdhi dhe vazhdon të vijë nga të huajë (siç del edhe nga materialet e vëna në dispozicion në këtë blog). Por rastet që përmend ti janë edhe dëshmi hegjemonie. Rastisën ose dënjuan të zhvillonin disa të huaj interes në këtë fushë, e derdhën dijen e tyre në kanalet e krijuara prej tyre, në revistat e tyre, në gjuhët e tyre, në të cilat shqiptarët mund të jenë miq. Në rregull, kjo është ftesë e vyer, por kur kthehet në detyrim, është hegjemoni. Dhe mua, komenti i Relapsos (ashtu si e kuptoj unë), më zgjoi dhe bën t’i rezistoj kësaj tendence.

        Për t’ju kthyer temës së XhaXhait, do ta përqafoja sygjerimin për ndarjen e botimeve nga kualifikime, madje me gjithë qejf, nëse në Evropën nga i kemi sytë ne, bëhej kështu (sigurisht këtu i nënshtrohem hegjemonisë, por për të gjetur një rrugë të ndërmjetme). Të doktoruarit pa botime janë në përgjithësi anomali, në perëndim botohet pa marrë frymë. Anglia prej disa vitesh impozon zgjedhën e REF (Research Excellence Framework) dhe studentët përgatiten me punime semestrale që në banka për maratonën që i pret.

        Imagjinoj atë rastin e doktorantit që shkruan për Zef Zorbën: një botim tek një nga enët tona akademike, mund t’i jepte këtij studjuesi disa pikë nëse p.sh. vendoste të aplikonte për bursa shkëmbimi pranë instituteve italian, me një projekt që propozon studim komparativ me atë të Ungaretti-t. Ose një student i sociologjisë mund të botojë fillimisht në Shqipëri gjetjet e tij rreth komuniteteve roma dhe më tutje ta përdorë këtë si katapultë për një bashkëpunim me qarqe të huaja. Ose një tjetër, rreth obezitetit në Shqipërinë post-komuniste, etj. etj. Me listën e publikimeve bosh, do e kishte shumë të vështirë të hapte në një stad të dytë horizontin përtej Shqipërisë, sepse është si të blesh macen në thes (siç thotë gjermani). Dhe horizonti duhet hapur, se ndryshe bëhemi ujë i ndenjur.

        Detyra e ndarjes së shapit nga sheqeri është e atyre që promovojnë e punësojnë këta studjues dhe pas leximit të thagmave të MCSER, nuk është as e pabëshme as krejt subjektive. Por do punë, të ulesh e të studjosh dosjet me syhapur, duke i bërë yzmetin shkencës, dhe as mikut as bakshishit,

      2. Margarit,

        Se pari, ndryshe nga shkencat e tjera, gjuha kryesore e albanologjise eshte shqipja, gjuhet e tjera jane dytesore. Kur mblidhen albanologet ne konferenca nderkombetare, ne Gjermani, Itali, Rusi, Shqiperi, Kosove etj. pjesemarresit kumtojne dhe komunikojne mes tyre ne gjuhen shqipe, pavaresisht se nga vijne dhe ç’gjuhe flasin ne vendet e tyre. Nje albanolog, per te qene i tille, duhet te dije patjeter shqip, se shqipja dhe punet e Shqiperise i bashkojne albanologet. Kjo vlen edhe per botimet albanologjike. Gjuha nderkombetare e albanologjise eshte shqipja, jo anglishtja.

        Se dyti, studiuesit e huaj qe permende ti, por edhe te tjere qe ti nuk i permende, botojne kryesisht ne revistat e huaja me prane tyre, si ne buletinet dhe revistat e departamenteve dhe qendrave kerkimore ku ata punojne. Pergjithesisht keto nuk kane impact factor.

        Se treti, studimet me te mira te tyre, pra studimet qe i kane bere ata te njohur ne albanologji, te gjitha pa asnje perjashtim, nuk jane rezultat leximi librash, por jane rezultat kerkimesh ne terren, neper arkiva dhe biblioteka vendesh te ndryshme. Kerkime te tilla kerkojne kushte te veçanta, mundesi levizjeje dhe sidomos mbeshtetje financiare, qe ata i kane.

        Te solla me siper shembullin e nje doktoranti qe studion kryengritjen e Malesise se Madhe te vitit 1911. Qe te kete sukses nje studim i tille, qe te sjelle gjera te reja, doktoranti yne duhet te kaloje disa muaj ne arkivat dhe bibliotekat e se paku kater vendeve: te Turqise, te ish-Jugosllavise, te Italise dhe te Austrise, e se fundi, po t’i mbetet kohe, edhe ne ato te Shqiperise. Po te bazohet vetem ne libra, nuk qullos gje.
        Kush e financon?

        Ti thua se boton ne revista te huaja te specializuara ne shkenca ekzakte, ne fiziken e materialeve. Ma do mendja se ato botimet e tua nuk jane vetem fryt leximesh, por edhe fryt kerkimesh ne laboratore, me pajisje dhe baze materiale te kushtueshme. A i kane shqiptaret keta laboratore dhe pajisje? A do t’i kishe bere ti ato botime po te kishe qene ne Shqiperi? Kam lexuar ne gazeta se kur ndodh ndonje krim i bujshem, policia shqiptare dergon per t’i bere analizat e ADN-se jashte Shqiperise, se te ne nuk ka pajisje. Te kujtoj se universitetet dhe qendrat kerkimore shqiptare nuk kane mundesi te blejne as libra dhe abonime revistash. E si mund te bejne shkence studiuesit tane ne keto kushte?

        Studiuesit shqiptare nuk jane me pak te afte e te motivuar se koleget e tyre te huaj, I vetmi dallim eshte sistemi. Me sistem kuptojme nje mori faktoresh qe nderveprojne ngushte dhe pazgjidhshem mes tyre, por per t’i rene shkurt qe te mos na shaje Xha Xhai, “sistemin” mund ta kuptosh edhe si nje eufemizem per “mundesi financiare”. Dihet se vendet me arritje me te larta ne kerkime shkencore jane ato qe vene ne dispozicion burime me te medha financiare. Arritjet jane ne raport te drejte me burimet financiare.

        Sistemi ne Shqiperi perpara se t’u kerkoje studiuesve rezultate, duhet t’u krijoje atyre kushte minimale per te punuar.

        Meqe ra fjala, a di kush te me thote sa perqind e buxhetit parashikohet per kerkime shkencore te ne?

        1. Relaspo, ne komentet e mia nuk kam parasysh nje rast te vecante sic eshte ai i albanalogjigjise. Mund te jete ashtu sic thoni ju por kjo dmth qe revista perkatese (nuk e di cilen konkretisht keni parasysh) te kete statusin e nje reviste nderkombetare. Megjithate jam pak konfuz lidhur me termin albanologji. Sipas faqes zyrtare te Qendres se Studimeve Albanologjike, aty perfshihen Instituti i Arkeologjise,Historise, Linguistikes dhe Literatures, Anthropologjise,
          Por po te flasim per historine e kulturen, apo anthropologjine, sociologjine, arkeologjine etj ka revista europiane te vecanta apo multidisiplinare si psh revista ” Anthropological Journal of European Cultures” ose “Balkanologji” etj (po ndalem vetem tek keta dy tituj) ku jane trajtuar mjaft artikuj edhe per Shqiperine, kryesisht nga te huajt me disa raste edhe nga autore shqiptare dhe ne kete rast nuk ka kuptim te perdoret ky status i vecante “albanologjik”. Studjuesit nuk mund ta konsiderojne te plote nje studim ne se ai cfaqet veten ne revisten ” Ilirya” , por jo ne reviste nderkombetare arkeologjike. Dhe botimet e kerkimeve te fundit arkeologjike te zhvilluara ne Shqiperi nga grupe te huajsh provojne me se mire kete gje, askush rej tyre nuk i botuar rezultatet ne revistat albanologjike. Madje po permend dy antropologe Gille de Rapper dhe N. Gregoric, artikujt e tyre rreth Shqiperise i kane botuar ne revista nderkombetare, (kjo e fundit i mblodhi te dhenat e saj ne Dhermi gjate qendrimit te saj 2 vjecar aty).
          (desheroj te theksoj me kete rast se mendimi qe doktoratat nuk prodhojne shkence eshte krejtesisht i gabuar-destinacioni i tyre eshte pikerisht avancimi i problemeve shkencore)

          Duke analizuar psh teresine e artikujve per ballkanin te botuar ne kete reviste (Balkanologie) del se:
          1. Mjaft prej artikujve jane botuar fillimisht ne revista apo libra te vendeve perkatese dhe mandej jane shfaqur ne revisten ” Balkanologie” me keshill nderkombetar botues, duke pranuar ne kete menyre nje status me te larte te saj se sa botimet lokale (ne France psh), kjo i jep praktikisht revistes nje shkalle me te larte se psh “studime historike”, pamvaresisht nga “impact factor”.
          2. nuk mund te pranohet se botimi ne kete reviste kondicionohet nga te qenit afer kesaj reviste apo afer nje katedre inisiatore per botimin e saj po te shohim se autoret qe trajtojne tematike shqiptare jane nga vende te ndryshme, nga Turqia deri ne Angli.

          Desheroj te theksoj se sigurisht jane kushte te rendesishme a) mbeshtetja financiare e studjuesve b) baza laboratorike c) accesi ne revistat shkencore on line, si ato qe qe jane te hapura per kedo ashtu edhe per te tjerat dhe kjo prape ka koston e saj pa te cilen studjuesit nuk mund te njihen me literaturen bashkekohore. Sot bibliotekat jane virtuale, elektronike dhe nuk eshte doemos kusht qe te shkosh ne Turqi apo itali per te studjuar kryengritjen ne malsine e madhe (nuk perjashtoj kerkimin direkt ne arkivat perkatese). Kjo mund te realizohet nepermjet projekteve europiane ku Shqiperia si vend i asocijuar me EU ka te drejte te marre pjese ne te tilla projekte. Vec kesaj ka dhe bursa individuale si fellowship Marie Curie, dhe studjuesi duhet te provoje se aplikimi i tij per nje burse te tille nuk bazohet vetem ne artikujt e botuar ne revista albanologjike shqiptare. Shkurt, sa me i lidhur te jete studjuesi me rrjetin europian aq me shume shance i jepen.
          Mund te jap gjithashtu shembujsh te kolegeve te mi qe punojne ne Shqiperi me bazen laboratorike egzistuese kane arritur te botojne artikuj per fiziken e materaialeve tani afer. Pasioni shpesh ben te kaperxehen mjaft veshtiresi materiale. Por psh mikroskop elektronik, difraktometer, aparate mossbauer etj ka ne Shqiperi. Ato aparatura duhet te vihen ne dispozicion te cdo studjuesi te interesuar dhe jo te konsiderohet prone e perdoruesit te tyre.

          Per kuriozitet po ju paraqes gjithe titujt e deritanishem te kesaj reviste me tematike lidhur me Shqiperine. Ketu gjendet dhe nje artikull i Natalie Clayer, si dhe nje titull ne “Anthropological Journal of European Cultures” (i pari ne liste) ,

          “Interreligious Cultural Practice as Lived Reality: The Case of Muslim and Orthodox Shepherds in Middle Albania”

          Author: Pistrick, Eckehard

          Source: Anthropological Journal of European Cultures, Volume 22, Number 2, Autumn 2013, pp. 72-90(19)

          Publisher: Berghahn Journals

          Nadine Akhund, « The Two Carnegie Reports: From the Balkan Expedition of 1913 to the Albanian Trip of 1921 », Balkanologie [En ligne], Vol. XIV, n° 1-2 | decembre 2012, mis en ligne le 31 decembre 2012, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/2365

          artikulli ka dy citime: a) Ugur Bahad?r Bayraktar, « Mythifying the Albanians : A Historiographical Discussion on Vasa Efendi’s “Albania and the Albanians” », Balkanologie [En ligne], Vol. XIII, n° 1-2 | decembre 2011, mis en ligne le 15 decembre 2011, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/2272
          112 Lubonja (Fatos), art.cit., p. 92.
          b) Clayer (Nathalie), « Review of The Crescent and the Eagle Ottoman Rule, Islam and the Albanians, 1874-1913 », Slavic Review, 67 (3), Fall 2008

          Anne-Marie Jouve ed., Transitions foncieres dans les Balkans. Roumanie, Albanie, Grece, Montpellier, CIHEAM, 2009, 105 p. (numero special d’Options mediterraneennes — Series A : Seminaires Mediterraneens, 2009, numero 82).

          Costas Mantzos et Athena Peglidou, « Lines in the Family. Aspects of Family-Related Migration in Greek-Albanian Border », Balkanologie [En ligne], Vol. XII, n° 2 | decembre 2010, mis en ligne le 31 decembre 2010, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/2221

          Nathalie Clayer, « Le meurtre du pretre », Balkanologie [En ligne], Vol. IX, n° 1-2 | decembre 2005, mis en ligne le 19 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/575

          Gilles de Rapper, « Gossiaux [Jean-Francois], Pouvoirs ethniques dans les Balkans », Balkanologie [En ligne], Vol. VIII, n° 1 | juin 2004, mis en ligne le 19 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/2076

          Mickael Wilmart, « Entre tolerance et concurrence », Balkanologie [En ligne], Vol. VIII, n° 2 | decembre 2004, mis en ligne le 19 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/541

          Nadege Ragaru et Amilda Dymi, « Les Albanais des Etats-Unis face aux conflits balkaniques des annees 1990 : recompositions identitaires et passage au politique », Balkanologie, Vol. VII, n° 1 | 2003, 87-109.
          Pierre Sintes, « Les albanais en Grece », Balkanologie [En ligne], Vol. VII, n° 1 | juin 2003, mis en ligne le 19 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/474

          Bulent Bilmez, « Sami Frasherior Semseddin Sami? », Balkanologie [En ligne], Vol. VII, n° 2 | decembre 2003, mis en ligne le 19 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/492

          Michel Roux, « Jean-Claude FAVEYRIAL, Histoire de l’Albanie », Balkanologie [En ligne], Vol. VII, n° 2 | decembre 2003, mis en ligne le 19 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/1967

          Michel Roux, « Qosja (Rexhep), La question albanaise », Balkanologie [En ligne], Vol. III, n° 1 | juillet 1999, mis en ligne le 01 decembre 2007, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/293

          Petrit Nathanaili, « L’ile de Sazan (Sasεno) ou la « Porte de l’Adriatique » », Balkanologie [En ligne], Vol. VI, n° 1-2 | decembre 2002, mis en ligne le 16 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/439

          Bernard Lory et Petrit Nathanaili, « Le monastere de Saint-Naum (Sveti Naum/Shen Naum) », Balkanologie [En ligne], Vol. VI, n° 1-2 | decembre 2002, mis en ligne le 16 mai 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/431

          Yves Tomic, « Kadare (Ismail), Il a fallu ce deuil pour se retrouver : journal de la guerre du Kosovo, », Balkanologie [En ligne], Vol. IV, n° 1 | septembre 2000, mis en ligne le 18 fevrier 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/2202

          Etienne Augris, « Korce dans la Grande Guerre », Balkanologie [En ligne], Vol. IV, n° 2 | decembre 2000, mis en ligne le 18 fevrier 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/315

          Albert Doja, « Formation nationale et nationalisme dans l’aire de peuplement albanais », Balkanologie [En ligne], Vol. III, n°2 | decembre 1999, mis en ligne le 30 avril 2008, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/738

          Guillaume Robert, « L’Albanie et la France dans l’entre-deux-guerres : une relation privilegiee ? », Balkanologie [En ligne], Vol. II, n° 2 | decembre 1998, mis en ligne le 30 novembre 2007, consulte le 04 octobre 2014. URL : http://balkanologie.revues.org/26

          1. Margarit, shanset e një doktorandi për të botuar te revista e mësipërme (që sjell ti në vështrim) janë pothuajse zero. Po t’u hedhësh një sy artikujve të botuar në revistat e përmendura në shkrimin më sipër, për tema të njëjta ose të ngjashme, e kupton menjëherë.

            Thua: “mendimi qe doktoratat nuk prodhojne shkence eshte krejtesisht i gabuar”; në fakt jo – shkencën e prodhon pasioni, përkushtimi, kurioziteti për botën, ekspertiza, ndershmëria intelektuale PLUS financimi përkatës. Nuk bëhet shkenca si të ishte detyrë shtëpie.

          2. Duke e mbyllur kete cikel diskutimesh duket se diku ka pika te perbashketa diku konvergojne mendimet tona. Sidoqofte pa pasion dhe perkushtim asgje nuk mund te behet. A me teper nje doktorate. Doktorata perben hapin e pare te futjes se nje personi ne tempulin e shkences, por shume hapa te tjera duhet te kryhen mandej. Por kjo nuk dmth qe vetem doktorata hap rruge per tek ky tempull. Presupozohet si forma me larte e organizuar qe ka shoqeria per te terhequr forca te reja ne rrugen e shkences.

  6. shihni junkscience.com .. edhe ne amerike bota akademike perballet me kete situate ne kerkimin shkencor.. edhe ketej shume studime perfundojne ne sirtare per te mos u konsultuar kurre ose jane ne nivelin medioker apo edhe keqinformues.. por ne Shqiperi, sikur edhe ne nje pjese te mire te universiteteve perendimore, per sa kohe promovimi eshte i lidhur me performancen e akademikeve (matur kjo nga publikimet si rezultat i kerkimit shkencor) atehere cilesia e ketyre publikimeve eshte tregues per cilesine e akademikeve tane.. e ky eshte problemi.. ato publikime jane pasqyra e vertete e cilesise (anglishtes, logjikes, njohurise se metodave te kerkimit, relevances me kontekstin etj.) … tani, kjo nuk do te thote qe te thyejme pasqyren e te mos publikohet asgje por akademiket tane, me shume si punetore shkencore sesa hulumtues, te zbukurohen me tituj profesore e associuar si kuajt hamall te arixhinjve..

    ne historine e shqiperise qe prej viteve te para te arsimit te larta titujt jane dhene ne saj te disa kriterve jashte akademike (politike, mosha etj.), kjo u pasua me vitet 90 ku te gjithe punonjesit shkencor te instituteve morren sipas takatit e miqesive titujt profesor etj. .. tani ka nodhur serish pas viteve 2000 me kerkesen per profesore pas rritjes se madhe te numrit te studenteve .. e po vazhdon me morine e dr.-ve (hapur programe Dr. mbi 16 institucione)..

  7. Për një moment desh rashë edhe unë në grackën e pyetjes suaj.
    Në fakt, asgjë s’mund të bëni, as ju, as kush tjetër. Nuk keni as fuqi vendimmarrëse, as pushtet politikëbërës, kështu që është e kotë të ëndërroni se mund të bëni ndonjë gjë për këtë problem. Ata që e kanë një pushtet të tillë, nuk shqetësohen nga kjo gjë, përkundrazi, le më të vizitojnë blogun tuaj – veç kur ndokush i njofton se u ka dalë diku emri, e vijnë këtu me ndonjë nofkë fantaste për të mbrojtur veten, më e pakta. Për kategorinë që ka mundësi të ndryshojë gjë, kjo punë është biznesi i jetës e ta prishin atë, është si të thyejnë tryezën ku hanë bukë. Sepse, besoj edhe ju e çdokush tjetër e kupton, këtu bëhet fjalë për biznes e jo për arsimim, kërkim shkencor dhe përgatitje, evidentim e diferencim vlerash. Përderisa kjo punë i është lënë biznesit në dorë, rezultatet këto do të jenë. E, nëse do të perifrazoja jashtë kontekstit një shprehje kreshnikësh që thuhet se e paska deklamuar kryeministri aktual në parlament, do të thosha: prisni, se s’keni parë gjë akoma. Nuk do jetë e largët dita kur për të garuar për një pozicion pastruesi a elektricisti në një institucion, do të kërkohet natyrshëm titulli “doktor”, e për t’ia nisur punës si lektor i thjeshtë në një institucion universitar do të kërkohet titulli “emeritus”. Në një vend që kthen përmbys gjithçka në mënyrë ciklike, kjo është udha e së ardhmes. Është mallkimi i Rozafatit. Ama, për t’u zgjedhur në krye të shtetit, aty ku merren vendimet, do të mjaftojë përvoja si kovaç. “Sepse është i zoti të mbledhë vota.”
    Një gjë mund ta bëni, veç – të vazhdoni të shkruani e të ndjeheni mirë me veten.

  8. Nuk besoj se shkenca eshte kaq e lehte sa te behet me doktoratura, as besoj se ndokush ketu pretendon seriozisht se doktoratura eshte punim qe prodhon shkence. Prodhon nje titull te nevojshem per mesimdhenie ne universitet, me tej lehteson marrjen e prof.asit e me radhe.
    Ne Shqiperi, ka ndodhur qe me ane te miqesise personale, familjare e partiake eshte gjetur vendi i punes, jane bere ato 5 vjet per profas, ca konferenca e artikuj, keshtu eshte anashkaluar doktoratura. Vitet e fundit po vijne me dr. nga jashte keshtu po vrapohet te garantohet vendi i punes me dr. te brendshme.
    Mesa di une, ne arkitekture ka aq pak pedagoge me titull dr. saqe numerohen me gishtat e dores. Ja ketu duhen doktoraturat per mesimdhenie, qofte edhe duke mbyllur syte per cilesine e punimeve.

    Nuk ngeli shkenca shqiptare ne duart e doktoranteve. Perndryshe universitetet kane nevoje urgjente per staf me titullin minimal doktor kerkimi shkencor. Kaq persa i perket ”skandalit” te doktoraturave.

  9. Duket se pyetjen “c’te bejme?” ja ka bere vetes edhe UET. Zgjidhja eshte nje certifikate!

    Ne intervisten me poshte dhene gazetes MAPO, Zv. Rektorja, Odeta Barbullushi flet per nje trajnim dyjavor ku mes te tjerash eshte ngitur dhe ceshtja e publikimeve dhe prezantimeve shkencore. Nje hap ne drejtimin e duhur meqe nje dore e mire e artikujve tek MCSER vinin nga pedagoge te UET.

    Krijohet certifikata e parë për mësimdhënie dhe kërkim shkencor
    http://mapo.al/2014/10/07/krijohet-certifikata-e-pare-per-mesimdhenie-dhe-kerkim-shkenco/

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin