NGA ZORI

Duke vazhduar udhëtimin – krejt të shkujdesur – në trojet e brishta të shqipes bisedore; atë udhëtim që patëm nisur me fjalën hiç; na vjen tani në vështrim një tjetër huazim i shqipes nga osmanishtja: zor, fjalë që ka pasur një farë prodhimtarie në gjuhë, me zorim, zorisht, zoris, zoritem, i zoritur dhe i zorshëm – po t’i besojmë Fjalorit të Gjuhës Shqipe; por që më shumë ngacmon për strukturën e vet kuptimore.

Në shqipen e sotme, emri zor del me tre kuptime kryesore: (1) shtrëngim, detyrim, detyrim me dhunë: nuk m’i mori lekët, por ia dhashë me zor; e kapi me zor (eufemizëm për përdhunoj); (2) mundim i madh për të kryer diçka, vështirësi, nevojë: merr frymë me zor, ngjit shkallët me zor; (3) drojë, turp: më vjen zor. Për t’u shënuar edhe përdorimi idiomatik zor se, në kuptimin vështirë se, si në u bë vonë, zor se vjen tani. Në Fjalorin e Orientalizmave të Shqipes, Dizdari shton edhe një kuptim të katërt: “dhimbje,” por që nuk hyn në perimetrin e interesit tonë, meqë ky kuptim duhet të jetë vjetëruar tashmë e të ketë dalë nga përdorimi.

Në kuptimin e parë, zor sinonimon me forcë (ia dhashë me forcë) ose pahir (ia dhashë me pahir); në kuptimin e dytë, sikurse e thamë, me vështirësi; dhe në të tretin me turp. Lidhja kuptimore mes nocioneve të tilla si forca (detyrimi), vështirësia dhe turpi kërkon gjithsesi shpjegim, aq më tepër që nuk del kaq rëndom në gjuhë të tjera.

Dizdari e nxjerr origjinën e fjalës nga turqishtja zor (origjinalisht persishtja zur), me kuptimin “forcë, fuqi, pushtet, shtërngesë, dhunë.” Dhe nëse është kështu, atëherë kuptimi i ruajtur në shprehjen me zor do të jetë edhe më i vjetri – sepse kur ia jep dikujt supën ose bakshishin me zor, në fakt je duke e detyruar, ose duke ushtruar forcë ndaj tij. Që këtej, ngaqë ushtrimi i forcës ose i detyrimit shoqërohet me vështirësi, zor merr kuptimin e vështirësisë; njëlloj siç merr mbiemri i rëndë, origjinalisht “që peshon shumë”, kuptimin “i vështirë” – meqë kërkon shumë forcë ose mundim (për t’u ngritur). Në mënyrë të ngjashme, latinishtja dificilis ka kuptimin non facilis, pra është e kundërta e mbiemrit fácilis, i cili nga ana e vjet është një kontraksion i facibilis, me kuptimin “që mund të bëhet”, nga folja fácere (it. fare).

Tani, po të përfytyrojmë për një moment transaksionin në pará midis një klienti dhe ustait, ku i pari ia jep të dytit bakshishin me zor – atëherë do të shohim edhe se zorin e përjetojnë të dy palët: dhënësi, që nuk e ka të lehtë t’ia japë tjetrit paratë; por edhe marrësi, që nuk e ka të lehtë t’i pranojë. Dhe që këtej, nga vështirësia e të dy palëve, kalojmë te kuptimi i tretë, ai i turpit ose i drojës: ustait i erdhi zor t’i merrte (paratë). Këtu zor futet në një paradigmë leksikore me keq, mirë, turp, vështirë, ndot, neveri, inat, etj. – meqë të gjitha këto, si ndajfolje ashtu edhe emra, përdoren me ndërtimin më vjen [X].

Zhvillimi e ka një paralel semantik po në shqipe: i rëndë, sikurse e pamë, ka jo vetëm kuptimin “që peshon shumë”, dhe që këtej edhe kuptimin “i vështirë” (punë e rëndë); por edhe kuptimin e turpit ose të zorit, të cilin e shpreh në ndërtime gjysmë idiomatike, si më erdhi rëndë, në kuptimin më erdhi turp (zor). Ky përdorim ka edhe sinonime të tjera, si u ndodha bosh, u ndodha ngushtë, u kapa keq, u vura në pozitë të vështirë, u zura ngushtë, etj. Në të gjitha rastet, është fjala për një gjendje emocionale të pakëndshme, për një “vështirësi” të vullnetit, ose pamundësi për të zgjedhur ose reaguar mirë, drejt ose arsyeshëm.

Çuditërisht – dhe këtë e gjej sërish te Dizdari, i cili i referohet Çabejt – kuptimi “turp, drojë” i fjalës zor nuk ndeshet në turqishten osmane, por është një zhvillim i brendshëm i shqipes – çka provon, mes të tjerash, se disa nga këto orientalizma shqipja i ka bërë të vetat, duke i përtypur aq sa t’u japë trajta të reja kuptimore.

Ky konceptim i turpit a i drojës si vështirësi dhe mundim afrohet me nocione të tilla si embarrassment apo awkwardness – për t’u mjaftuar me anglishten. Tek e fundit, edhe në shqipe, zor me kuptimin “turp” e ndeshim në ndërtime si më vjen zor nga njerëzit (një person që refuzon të dalë në publik me karrige me rrota); dhe më erdhi zor kur e pashë (për shkak të një incidenti të shkuar). Ka këtu një nuancë që e dallon zorin nga turpi; pa çka se në latinishte turpis ka kuptimin “i shëmtuar, i deformuar”, në trup dhe në shpirt; por dikush që thotë “më vjen zor t’i them” (ministrit, që jam kushërira e Azemit), nuk e ka tamam fjalën te “turpi” – çfarë po ngurron të bëjë, nuk është diçka e turpshme, por më tepër e pahijshme (indecent), ose që nuk përputhet mirë me normat sociale të përjetuara, në këtë kontekst, si shtrëngim ose detyrim (pra, si burim i zorit). Një femër ose një fëmijë mund të thotë lirisht më vjen zor të shkoj t’i jap dorën (mysafirit); një burrë më rrallë, të paktën në shoqëritë patriarkale – ku mashkulli e sheh veten edhe si burim të autoritetit social.

Ironikisht, zor këtu parakupton edhe dëshirën për ta kryer veprimin përkatës. Anglishten awkwardness e kanë përkufizuar, në Urban Dictionary, si “Passing a homeless person on your way to a Coin Star machine.” Kjo ndoshta kërkon një shpjegim: një makinë Coin Star të lejon të shndërrosh monedhat në kartëmonedha – supozojmë se ti ke mbledhur një kavanoz plot me qindarka, qe peshojnë 2-3 kg; makina i gëlltit këto, i numëron dhe pastaj të jep kartëmonedha (ose një dëftesë të këmbyeshme me kartëmonedha te sporteli i bankës).

Tani, përfytyroje veten duke shkuar te kjo makinë, me kavanozin nën sqetull, kur të del përpara lypësi, i cili të kërkon “change” – dhe ti bën sikur nuk e shikon. Zori, në këtë rast, ka të bëjë me vetëdijen se je duke transportuar disa kilogramë monedha. Lypësi nuk e di këtë, ndërsa ti po. Ndryshe nga turpi që mund të ndiejë dikush, kur e kapin duke rrahur qenin, zori përjetohet individualisht; meqë turpi i përket një komunikimi që tashmë ka ndodhur (ty të panë kur po e rrihje qenin), ndërsa zori një komunikimi që mund të kish ndodhur (sikur ta dinte lypësi…). Zori shërben, në këtë rast, si mjet për të parandaluar turpin. Por dallime të tilla nuk është se ndeshen gjithnjë.

Dhe, meqë ra fjala, ma merr mendja që disave prej nesh as që ua zë fare syri lypësat në rrugë; thjesht i shmangin duke i filtruar mendërisht. Të tjerë mendojnë se është moralisht e gabuar që t’u japësh atyre gjë (i duan për drogë, ua merr padroni, ata vetë nuk përfitojnë, mos u jep se mësohen); teksa një palë e tretë u japin rregullisht, përveçse kur nuk kanë vërtet. Ka edhe një kategori të katërt, që gjithnjë duan të japin (qoftë edhe për të fituar simpatinë e marrësve) por gjithsesi stepen, sepse mendojnë se mos kjo është diçka e tepruar – dhe kjo është kategoria e atyre që u vjen pak zor, por nga vetja.

Nga ana tjetër, siç shpjegon Elif Batuman te kjo ese, nga e mora edhe shembullin e makinës së monedhave, ky lloj zori nënkupton edhe solidaritet edhe implikim – meqë, në një kuptim, ti që po shkon të shndërrosh në para monedhat një-qindarkëshe te makina, nuk dallon shumë nga lypësi në trotuar (i cili është “në zor”, ose “në nevojë”). Edhe ti, edhe lypësi, pra, i përkisni të njëjtit univers social – ndryshe nga ata të tjerët.

Nuk ka komente

  1. TURPIS (lat.) është brenda zorit, dhe ka kontekste ku nënkupton dëshirë, p.sh. një nënë që shpjegon ngurrimin e fëmijës të kërkoj diçka: “E do mi e do, po ka turp. Po merre mi mam, mos të vijë zor.”

    Por ka situata të tjera si ato që përshkruhen më sipër që kujtojnë PUDOR (lat.) sidomos si folje ME PUDET (më vjen turp, më turpëron, me vë në zor), e dhënë në anglisht si “bashfulness”/”to feel abashed”, nuanca më të zbehta të një keqndjerjeje. Kjo thekson vërejtjen e mësipërme, që edhe pse e huazuar nga osmanishtja, zori përmbush nevoja e shpreh të tjera gjendje emocionale e psikologjike nga fjala mëmë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin