DREJTSHKRIMI I KOASH-IT

Duke lexuar sot një letër kolektive që një grup klerikësh ortodoksë ia kishin dërguar gazetës Dita, më ra në sy një dukuri për të cilën kam dashur të shkruaj prej kohësh – dhe që me siguri e kanë vënë re dhe shumë të tjerë krahas dhe para meje. E kam fjalën për drejtshkrimin që ndjek zyrtarisht KOASH-i, për fjalë si ortodoks dhe ortodoksi, të cilat nuk i shkruan sikurse përcaktohet në rregullat e drejtshkrimit të shqipes, por duke ndjekur një drejtshkrim tjetër: orthodhoks, orthodhoksi.

Çështja mund të duket e vogël, kështu në vështrim të parë, por nuk është e tillë; sepse klerikët e lartë ortodoksë në Shqipëri dhe sekretaritë e tyre e njohin mirë drejtshkrimin e shqipes; dhe nëse vendosin të devijojnë, e bëjnë këtë sepse kanë arsye të fortë për të vepruar kështu.

logoTema është diskutuar, vite më parë, në Forumin Shqiptar; aty është sjellë, mes të tjerash, edhe një artikull i Kristina Jorgaqit (që e rekomandoj për lexim krahas trajtimit tim këtu), ku ajo shpjegon jo vetëm pse duhen ndjekur në drejtshkrim trajtat ortodoks dhe ortodoksi, por edhe disa çështje të tjera të lidhura me drejtshkrimin e huazimeve të shqipes nga greqishtja së voni.

Në fakt, sa kohë që shqipja pranon si normative trajta të tilla si ortoskop, ortoped, ortopedi, ortografi (dhe jo orthoskop, orthoped(h), orthoped(h)i, orthografi); dhe paradoks, paradoksal (jo paradhoks, paradhoksal), atëherë nuk ka ndonjë arsye brendagjuhësore për t’i hapur (ose frikatizuar) bashkëtingëlloret e fjalëve ortodoks dhe ortodoksi dhe për t’u shmangur nga norma drejtshkrimore.

Atëherë arsyet janë jashtë-gjuhësore dhe, pas gjase, ideologjike.

Shqiptimi dhe drejtshkrimi i fjalëve të tilla si orthodhoks ndjekin greqishten e re; dhe ata që i përdorin këto forma në regjistrin formal, me vetëdije refuzojnë normën e shqipes për të ndjekur një normë tjetër – të greqishtes së re, ose të zhargonit të tyre specifik. Por specifika e shqiptimit të fjalëve në greqishten e re, madje edhe sikur ato të kenë hyrë në shqipe nga ajo gjuhë, nuk është arsye e mjaftueshme për të ndryshuar një rregull drejtshkrimore jashtëzakonisht të qartë.

Nuk besojmë se përdoruesit e trajtave jo-standard, si orthodhoks dhe orthodhoksi, e kanë të vështirë të shkruajnë dhe të shqiptojnë përgjegjëset e tyre normative në gjuhën shqipe standarde; dhe këmbëngulja e tyre për t’iu shmangur normës, në këtë rast, lë shteg për t’u interpretuar si shprehje e vullnetit të tyre për t’iu referuar greqishtes – si gjuhë burimore e këtyre termave dhe kushedi, me metonimi, edhe si gjuhë e teksteve dhe modeleve burimore të ortodoksisë shqiptare.

Nuk mund të futem në çështje doktrinare; por as që është nevoja. Shqipja ka një normë drejtshkrimore, e cila duhet ndjekur. Shmangiet nga norma ndodhin shpesh nga pakujdesia ose nga alfabetizimi i mangët; por kur këto janë sistematike dhe vijnë nga njerëz dhe institucione të ditura, atëherë ato bëhen me qëllim.

Po ç’interes do të kishte KOASH-i të minojë integritetin e drejtshkrimit të shqipes, dhe aq më tepër vetëm në disa fjalë që shqipja i ka huazuar nga greqishtja mesjetare dhe ajo e reja?

Për këtë vetëm mund të spekulohet.

Ndërkohë, nuk ka nevojë të spekulohet për efektet e këtij “atentati” drejtshkrimor, sepse i kemi përpara syve. Dhe pikërisht, nëpërmjet drejtshkrimit jo-standard të disa termave kyç, krijohet një bashkësi specifike tekstesh pak a shumë zyrtare, ku ortodoksit i thonë orthodhoks dhe ortodoksisë orthodhoksi (pa çka se kishës i thonë kishë dhe jo qishë); dhe përdoruesit sistematikë të këtyre teksteve duan të dallohen, edhe në shqipen që përdorin, nga shqiptarët e tjerë.

Dhe kjo meriton vëmendje; veçanërisht në kontekstin e debateve, polemikave dhe protestave, rreth ndikimit të kishës dhe të kulturës greke në ortodoksinë shqiptare moderne dhe, veçanërisht, në veprimtarinë dhe udhëheqësinë e KOASH-it.

Nga ana tjetër, çdo debat për drejtshkrimin e fjalëve të tilla mund dhe duhet të mbahet veç nga debati për motivet pse ky drejtshkrim është vendosur kështu dhe jo ashtu. Nëse ne sot ndjekim një normë të caktuar, e bëjmë këtë jo duke zgjedhur midis alternativave sa herë që e përdorim një fjalë të caktuar, por thjesht duke ndjekur trajtën normative. Përdorimi nuk mund të jetë njëkohësisht edhe trualli ku të debatohet për normën – është fjala për instanca të ndryshme, që kërkojnë të trajtohen ndryshe.

Edhe sikur të ketë, pra, arsye të forta filologjike a kulturore në favor të trajtave orthodhoks dhe orthodhoksi, këto nuk ngrenë peshë dhe as mund të sillen si fakte të kryera, në instancën e përdorimit; por duhen shtjelluar dhe mbrojtur në ato instanca të tjera ku debatohet për ndryshimin ose rishikimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standard – dhe kushedi atje mund të arrijnë që të miratohen jo vetëm këto dy forma, por edhe të tjera të ngjashme, si psikollog, idheollog dhe simpathi të cilat i përkasin një sistemi drejtshkrimor të kapërcyer.

Në faqen zyrtare të KOASH-it, unë megjithatë ndesha në trajta të tilla si teolog (jo theollog), sinod (jo sinodh), arkimandrit (jo arqimandhrit) krahas kryepiskop (jo kryepeshkop).

Gjëra të vogla vërtet, por siç e thotë edhe një fjalë, shpesh djalli fshihet në detajet. KOASH-i nuk mund të ndryshojë sistematikisht drejtshkrimin e një fjale kyç, pa marrë në pyetje sistemin drejtshkrimor të shqipes: autoqefalia nuk shtrihet deri në drejtshkrim.

Nuk ka komente

  1. Fjalia e fundit i thotë të gjitha, dhe jam dakord. Por vetëm në parim, ama. Sepse, mbetet diçka tjetër për t’u diskutuar. Kur u mblodh Kongresi i ’72shit, Shqipëria ishte de facto ateiste dhe format e religjionit nuk ekzistonin. Kësisoj, nuk u pyet ndonjë autoritet fetar a i pëlqente që emërtimi zyrtar i komunitetit fetar që ai përfaqësonte të shkruhej sipas asaj forme që u njoh si standard. Sikur të lëmë mënjanë autoritetin fetar, mbetet të shohim pak historinë e përdorimit të po këtyre fjalëve, që jepen si shembuj më sipër, në ca vite më të hershme. Kështu, më 1922, 1929, 1950, kur datojnë dhe statutet e mëparshme të KOASh, kemi përdorimin “Kisha Orthodhokse”. Kemi “sinodh” për “sinod”, “Jisu” për “Jezu”, “dhioqezë” për “dioqezë”, e kështu me radhë. Disa prej këtyre formave vazhdojnë të ekzistojnë edhe në statutin e fundit, atë të vitit 2009, që u njoh edhe prej shtetit të shqiptarëve zyrtarisht. Mund t’i shihni statutet e njëpasnjëshëm në:

    http://www.shqiptarortodoks.com/Kisha/kisha.html#Legjislacioni.

    Po ashtu, këtë standard gjuhe ka përdorur edhe Fan Noli në përkthimet e veta liturgjike. Edhe Petro Luarasi. Edhe më herët, Kristoforidhi dhe Meksi, këtë gjuhë përdorin. Tani, si do bëjmë: Kongresi vs. Tradita. Do ta rishikojmë, apo do gjykojmë duke marrë parasysh vetëm një realitet? Personalisht, nuk di të propozoj një zgjidhje të vetme, sepse nuk arrij të mbështes dot vetëm njërën hulli të arsyetuari. Në foljen time të përditshme dhe në të shkruarit tim, përdor gjuhën standarde. Por kjo është zgjedhja ime, ndoshta edhe sepse jam formuar kështu.

    Shkruaj këtu jo për të kundërshtuar gjuhën standarte me ca argumenta, që, në thelb, nuk janë standard i arsyes. Por kur grupi i klerikëve shkruan shqipen “autoqefale”, kam përshtypjes se ka parasysh edhe historinë e përdorimit të shqipes në Kishën Ortodokse ndër vite (jo doemos ndër sheku).

    1. Vërtetë që pas përmbysjeve të njëzet viteve të fundit dhe një gjysëm shekulli pas Kongresit të ’72, mund t’i ketë ardhur koha një pleqërimi të ri të shumë fenomeneve dhe vendimeve gjuhësore. Por kisha ortodokse nuk ka pse të jetë instanca ku duhet të falen studjuesit e gjuhës për të miratuar, ta zëmë, “tët” apo “thët” e shqipes. Sepse në pyesim kishën, për të qënë të drejtë, duhet të pyesim p.sh. edhe mjekët se si preferojnë ta trajtojnë kapërcimin e termave të huaj (dilemë jo e vogël ky në tekstet e sotme të mjekësisë), por ndoshta dhe arkeologët, matematicienët, etj., etj.

      Po përtej arsyeve logjistike, a nuk është ky i Ortodokses shqiptare, që e trajton standartin sikur të jetë një “Wunschkonzert” (Koncert sipas dëshirave të dëgjuesve/përdoruesve), një qëndrim jo-i-krishterë? Në predikimin në mal, Krishti e mëson turmën “Në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të” (Mat. 5.41). Ku bëhet fjalë për milje, kisha ortodokse e ka të vështirë të ecë më “tët” dhe “dët” e standardit. Ndaj, në këtë mes, ka synime ideologjike që komunikojnë diferencë, veçim, në mos qëntë, përçarje.

  2. Është mjaft e njohur përgjigjja: “Kam ende kohë për me u koritë”, që i ka dhënë një malësor shumë i moshuar, pyetjes rituale përshëndetëse të dikujt: “Si je?”. Kjo do të thotë se për atë njeri ka ende kohë, që gjersa ta mbulojnë me dhe, të turpërohet (mos o Zot!) dhe ta humbë nderin. Nga kjo përgjigje e mençur e plakut të moçëm mësojmë se motoja e tij në luftën për jetë ka qenë vetëm një, ajo që e kam dëgjuar edhe unë në Elbasan apo Korçë, të formuluar: “Sa gjallë e me nder!”. Kur kishte ardhur në këtë botë, të parët e plakut, duket se e kishin pasur merak t’ia ngulitnin mirë në mendje që kur ishte fëmijë këtë gjë dhe ai jetonte me ankthin për t’i mbyllur me nder ditët e fundit mbi tokë. Pa pasur, sigurisht, asnjë njohje me Schopenhauer -in (1788 – 1860) që ka shkruar dhe shtjelluar gjerë e gjatë në esetë e tij këto dy nocione (famën dhe nderin) dhe që ka dalë në përfundimin se, “fama dhe nderi janë binjakë. Fama është vëllai i pavdekshëm i nderit jetëshkurtër… Fama është një gjë që duhet të fitohet, ndërsa nderi, veçse një gjë që nuk duhet ta humbim”. Në mënyrë intuitive, malësori shqiptar e kishte të qartë se nderi është një gjë që vetëm duhet ruajtur për të mos e humbur deri sa të vdesësh. Për plakun në fjalë, edhe nëse e njeh fenomenin famë dhe përjetësinë e tij, interesi për të kalon në plan të dytë apo të tretë.

    Le ta lemë për pak malësorin e moshuar në shenjtërinë e tij dhe të shohim se ç’na sollën Pashkët që sapo kaluan. Një shkrepje aparati ka fiksuar portretin e njohur të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Mbi kokën e tij vërehet shtylla që mban dy tabela. Njëra shkruan: “Bulevardi Republika”, ndërsa tjetra: “Rruga Kryepiskopi ANASTAS”. Nga tabela e parë që emërton bulevardin e kuptojmë se jemi në Korçën e Themistokli Gërmenjit, që bashkë me shokët e tij shpalli më 10 shkurt 1916, Republikën Autonome të Korçës. Ndërsa nga tjetra mësojmë se mu aty në Korçë, vazhdimin e bulevardit “Republika”, e kanë emërtuar, duke shkelur dhunshëm drejtshkrimin, me emrin e Kryepeshkopit. Patjetër që për këtë kanë marrë vendim pushtetarët e zgjedhur lokalë të Korçës. Mënyra se si është shkruar kjo tabelë, ku gjysma e parë e kompozitës “Krye: është shqip dhe gjysma tjetër, “piskopi” tingëllon greqisht, jo vetëm që është një turp për çdo njeri që ka njohuri elementare për drejtshkrimin, por edhe komprometon propozuesit e këtij vendimi dhe të gjithë ata që kanë gisht në këtë histori. Meqenëse kombësia e Kryepeshkopit është greke, mendja ta do që, zanafilla e këtij vendimi mund të jenë këshilltarët e minoritetit grek në Bashkinë e Korçës. Edhe për ata që kanë njohuri elementare për greqishten, është e pafalshme që të mos e dinë se, bashkimi i dy pjesëve të një kompozite nga dy gjuhë të ndryshme nuk shkon aspak. Madje, pjesa e dytë “piskopi”, as greqisht nuk është, por vetëm transkiptim me shkronja latine i asaj që afërsisht tingëllon kur flitet greqisht. Emri Anastas i shkruar i gjithë me shkronja të mëdha, “ANASTAS”?! Me pak fjalë, vihet re se edhe ata minoritarë grekë që mund të ketë Bashkia apo qarku i Korçës, nuk kanë mjaftueshëm njohuri nga greqishtja e re. Por, që në Korçën e mësonjëtores së parë, të mos ketë mbetur asnjë që të dallojë dhunimin e drejtshkrimit në atë tabelë, është e pafalshme.

    Si ka mundësi që asnjërit prej profesorëve të gjuhës shqipe në Universitetin “Fan Noli”, të mos ua vrasë syrin kjo tabelë?! Të mos harrojmë se askund nuk tolerohen të tilla gjëra. As në Greqi. Sa fëmijë shqiptarë kanë lindur në Greqi dhe nuk e kalojnë dot kufirin vetëm pse në pasaportat e tyre (dhe aspak për faj të tyre), emrat e vendlindjeve janë shkruar në variantin jogreqisht? Përsëri ne shqiptarët vazhdojmë në papërgjegjësinë tonë dhe nuk nxjerrim kurrë mësime. Ja që edhe fama e toponimeve greke u harrua ende pa u mbyllur problemi. Në të vërtetë, toponimet “e famshme”, janë harruar vetëm nga ata që e kanë në dorë ta zgjidhin këtë çështje dhe aspak nga familjet e varfra të emigrantëve shqiptarë në Greqi, që vuajnë mbi shpinë gabimin drejtshkrimor që e kanë peshqesh nga pushtetarët e tyre. Por le të kthehemi te malësori ynë i moshuar dhe te përgjigjja e tij: “Kam ende kohë për me u koritë”, dhe te tabela me mbishkrimin e gabuar: “Rruga Kryepiskopi ANASTAS”. Duke i uruar jetë të gjatë Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Hirësisë së tij, Anastas Janullatosit, dua të shpreh mendimin tim se, edhe dëshira e mirë për ta nderuar për së gjalli atë dhe veprën e tij, duke emërtuar një rrugë në Korçë, është e nxituar. Lavdi Zotit, Hirësia është akoma gjallë dhe për të gjallët nuk ka vend për nderime të tilla. Kurrë! Merrni dhe lexoni Schopenhauer-in, filozofin idealist që të bindeni. Lexoni edhe librat e shenjtë po të doni.

    Për sa i përket nocioneve për jetën, vdekjen, përjetësinë, nderin dhe famën, mbështetin plotësisht atë që po shtjellojmë. Interesant është ky fragment nga Bibla: “ 20. Në të vërtetë, kur ishit robër të mëkatit, ishit të “lirë” nga drejtësia. 21. E ç’të mirë kishit atëherë? Tani turpëroheni për atë gjendje, sepse fundi i saj është vdekja. 22. Tani, pasi jeni të liruar nga mëkati e u bëtë shërbëtorët e Hyjit, jepni fryte që ju çojnë në shenjtërim, e si rrjedhim është jeta e pasosur. 23. Pra, paga e mëkatit është vdekja, ndërsa jeta e pasosur është dhuratë e Hyjit, në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Pra, nuk është vetëm “djalli” i materializmit dialektik që ka frikë nga ndryshueshmëria e materies, ku bën pjesë dhe truri i gjallë i njeriut dhe e shpjegon përse nuk duhet të ngutemi për të nderuar të gjallët në këto forma. Janë edhe filozofët idealistë dhe librat e shenjtë që na udhëzojnë që të kemi durim e të presim për të marrë vendime me shkrim për të nderuar cilindo që e meriton, por vetëm kur ai të marrë pagën e mëkatit, që është vdekja, përjetësia dhe e vërteta. U zgjata pak me shembujt e mësipërm për të bindur njerëzit me pushtet që i kanë në dorë këto gjëra, se për njerëzit e thjeshtë do të mjaftonte vetëm përgjigjja e plakut: “Kam ende kohë për me u koritë”. Megjithatë, unë përsëri jam i prirur të dyshoj se mund ta kem edhe unë gabim dhe ai veprim (nderimi për së gjalli, duke emërtuar një rrugë me emrin e Tij) mund të jetë i drejtë dhe në përputhje me logjikën fetare. Po të jetë kështu, atëherë unë i kërkoj ndjesë Zotit. Përndryshe, nëse unë kam të drejtë dhe ai veprim nuk zhbëhet, unë prapë do t’i lutem Zotit që ta ruajë nga mëkati Atë, gjersa Ai të mbërrijë në jetën e pasosur. Gjithsesi, ju të bashkisë duhet ta korrigjoni atë tabelë. Për këtë, për drejtshkrimin e shqipes, nuk kam asnjë dyshim në njohuritë e mia…

    Ilir Mborja/ Gazeta “Shekulli” 29.04.2014

  3. Observimi i Xha-Xhait dhe fotografia ilustruese me coi ne nje shkrim te F.Cicit

    “Emri zyrtar i kishës sonë është Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Me th-të dhe me dh-të e Korçës së viteve 20, siç ripërdoren sot tek mbiemri Orthodhoks). Mund të quhet edhe “Kisha ortodokse shqiptare”, në një referencë kuptimplote, por këtë të fundit ne nuk e shkruajmë zyrtarisht me shkonjë të madhe (Shqiptare), jo vetëm se mbiemrat e kësaj kategorie në shqipe shkruhen me të vogël, por pikërisht se në kontekstin kulturor të standardit të sotëm kjo do të keqkuptohej.”

    Eshte nje “twist” interesant, sidomos kur mendon se cfare kerkon te paraprije ky paragraf pasi lexon artikullin ne vazhdim. Duket, sipas Cicit, se shqiptimi dhe e shkruara e “orthodhoksise” jane pasoje e “nje lobimi te forte korcar” qe nga shekulli i shkuar. Pavarsisht se e shkruara ne formen e nje “toskerishte jugore korcare”, koincidon me te shkruaren e fjales greke me alfabetin latin. Eshte Cici qe na ben me dije se si edhe mund te shkruhet duke respektuar standardin, drejtshkrimin shqip, ku fjala autoqefale nuk perfshihet me, dhe per te kuptuar se drejt ku po na udheheq, kureshtare, lexojme me poshte:

    “Kjo pikë mund të konsiderohet si një stacion konfesimi/rrëfimtarie midis besimtarëve dhe jo kishtarëve, kur këta të fundit ndërhyjnë dhe shkelin etikën përkatëse.”

    Gjerat nuk jane kaq te thjeshta (edhe per vete Cicin). Ka nje arsye (madhore) per kete menyre te prezantuari dhe proceduari te kishes ortodokse ne territorin shqiptar.

    “Tej përkohshmërisë së ideve, e vërteta jetëgjatë është se kisha duhet të fusë në gjirin e saj dhe ata qytetarë shqiptarë që janë të kombësive të tjera, por që Zoti nuk na pyeti kur lejoi që ata të lindin e të banojnë në Shqipëri. Në qoftë se pranohet kjo nga të gjithë si qëndrim në veprim, dhe në qoftë se paralelët kuptimorë puqen me ata kulturorë, atëherë kisha jonë nuk ka pse të mos quhet edhe “Shqiptare”, në alternim me atë “e Shqipërisë”.

    Cfare shkruan me poshte Cici, ka shume te beje me verejtjen e Xha-Xhait “…por siç e thotë edhe një fjalë, shpesh djalli fshihet në detajet.” E pikerisht “djalli” ka nje parzmore demokratizuese, nje shprehje kyce “gjuha e adhurimit” e besimtarit, e cila bie ne flagrance te hapur me nje nga nenet kyce te kishes shqiptare: “Statuti i vitit 1929 duket se kushtëzon shqipen si të vetmen gjuhë zyrtare – “Gjuha zyrtare e Kishës ësht Shqipja”[1].

    Cfare mesojme me tej nga Cici? Shpjegon, por nuk eshte kollaj te behesh avokati i djallit. Duhet te bashkepunosh dhe te kerkosh per aleate kudo, duke rievokuar edhe kohen e komunizmit, kur nacionalizmi ishte kthyer kokeposhte. 🙂

    Tingellon e pabesueshme por duhet te lexohet me qetesi; Cici ne vazhdim si me poshte:

    “Ai(Statuti) i vitit 1929 u shkrua me udhëzime qeveritare, por në izolim kishtar, ndërsa statuti i vitit 1950 u hartua me dijeninë dhe frymën e kishave të tjera autoqefale, sidomos asaj ruse, të cilat kishin gjetur gjuhën e bashkëpunimit me regjimet e vendeve përkatëse. Një nga përparësitë e statutit të vitit 1950 është pikërisht dhe qartësimi/përmendja e gjuhës së adhurimit, gjë që shpreh frymën tolerante të kishave autoqefale: “Gjuha zyrtare e Kishës është Shqipja, por në shërbimet fetare mund të përdoren edhe gjuhë të tjera”.

    Stalini nderkohe, patriarkanen e Moskes, e kishte “ringjallur” vete, duke e kthyer ne nje kukull, dhe konsakruar me bekimin e autoriteteve shteterore. Toleranca e Stalinit, aplikohej vecse kur kisha ortodokse ishte totalisht e kontrolluar nga sovjetet, dhe bente lojen e tyre; ishte kthyer ne nje kishe ortodokse sovietike.

    Enveri u perpoq te bente te njejten gje, te kontrollonte kishen, por e pa se rruga me efikase, ishte shkaterrimi total i saj. Ate qe kishte bere fillimisht Stalini. Komunizmi i EH na e ka lene si peshqesh edhe modifikimin, “djallin” ne fjale, nen petkun e gjuhes se adhuruesve ne sherbimet fetare, ku shqipja per ironi, ka humbur statusin e vitit zyrtar te 1929, per tu zevendesuar nga “gjuha helenike e adhurimit” ne shekullin e 21-te.

    Artikulli i Foto Cicit:

    http://bizantin.wordpress.com/2007/09/10/kur-zyrtarizohet-gjuha-ne-rajon/

    1. E shkrova më lart, po e shkruaj prapë sepse më duket me rëndësi – le të mos i ngatërrojmë punët. Një gjë është nëse duhet shkruar ortodoks apo orthodhoks në faqen zyrtare të një institucioni – kjo ka lidhje me detyrimin formal për të ndjekur rregullat, sado arbitrare, të drejtshkrimit të shqipes. Një gjë tjetër është të diskutosh për arsyet pse njëri drejtshkrim duhej të ishte zgjedhur ndaj tjetrit. Se si drejtshkruhet një fjalë, këtë nuk e vendos përdoruesi – njëlloj siç nuk vendos përdoruesi se ku do ta kapërcejë një rrugë me shumë trafik (duhet të shkojë te vijat e bardha), ose sa centimetra duhet të jetë distanca midis vrimave të prizës elektrike. Pra, zbatimi i rregullave, si çështje, duhet trajtuar veçan nga formulimi dhe miratimi i rregullave – çka nuk vlen vetëm për rregullat e standardit gjuhësor. Për këtë arsye edhe shkrova që shmangia me vetëdije prej rregullave, sidomos për një fjalë kyçe, tregon (konoton) qëndrim ideologjik. Le të supozojmë se unë dua të shes gëlqere dhe për këtë bëj gati një reklamë për një gazetë, ku produktin tim ta quaj jo gëlqere, por gërqele – formë që ndeshet në Jug të Shqipërisë. Konsumatori ka të drejtë të mendojë, në këtë mes, se unë po përpiqem ta shes produktin tim në një zonë gjeografike të caktuar; ose po përpiqem të theksoj origjinën gjeografike të kompanisë ose të produktit tim. Le të supozojmë edhe se dikush që tregton gjalpë vendos ta quajë produktin e vet tlyn – në këtë rast, konsumatori menjëherë do të pyesë se ku dallon ky produkt nga gjalpi. Më tej akoma, nëse një parti nacionaliste do të vendoste ta quante Shqipërinë Shqypni, kjo do të krijonte një mini-skandal; jo se ka ndonjë problem me formën Shqypni, por sepse publiku do të përpiqej të gjente arsyet e shmangies nga standardi në këtë rast. Sepse në fakt, standardi ekzistues vepron edhe kur nuk përdoret; në kuptimin që, sa kohë që një shoqëri e ka pranuar standardin, atëherë shmangia do të vlerësohet dhe do të interpretohet jo vetëm në vetvete, por edhe në raport me standardin. Një poet që shkruante gegnisht në vitet 1930 thjesht shkruante gegnisht; por një poet që shkruan gegnisht në vitin 2010 edhe po refuzon standardin – pavarësisht nga qëllimet që ia ka vënë vetes.

      1. Kot po e sjell, ndoshta ka lidhje me diskutimin e ketushem, por rastesisht lexova ne faqen personale te kreut te Bashkesise Fetare Islame te Maqedonise, Sulejman Rexhepit, nje shkrim te dates 17 korrik te ketij viti. Ceshtja eshte per nje marreveshje qe kane nenshkruar te tre komunitetet myslimane te trevave shqiptare per hartimin e nje Fjalori Terminologjik Islam ne gjuhen shqipe. Do te ishte nje produkt shume interesant dhe shume i dobishem, mendoj une. Ne nje paragraf Rexhepi thote se:

        “Në trevat shqiptare, gjithnjë e më shumë po shtohet numri i kuadrove tona të shkolluar nëpër qendrat e ndryshme islame; çdo njëri prej tyre po intepreton çështje fetare sipas doktrinave dhe filozofive të qendrave prej nga kanë ardhur, sipas shkollave përkatëse juridike islame, sipas mentaliteteve dhe kulturave ku janë formuar si akademikë. Përpjekjet për të ndikuar dhe për të krijuar xhemat të vetin, secila shkollë më vete, sado të pranueshme në islam, po shkaktojnë mjaft telashe në rrafshin kombëtar. Në fjalorin e përditshëm kemi nisur të përdorim fjalë joadekuate për të shpjeguar probleme islame, kemi futur fjalë me të cilat, në fakt, e ofendojmë fenë islame, po na përvjelen fjalë greke e latine për t’i zbërthyer nocionet islame e që, në të vërtetë, as për së afërmi nuk përngjasohen me ato”. Pra kemi tehuajezimin e nje tradite te re ne truallin e nje tradite kombetare sic e quan Rexhepi, qe shtron pra ketu ceshtjen se problemi i termave, si ne rastin e KOASh, eshte i perbashket per te gjitha besimet. Pastaj me poshte Rexhepi flet sic duhet te flitet:
        “Standardit të gjuhës sonë, kujtojmë ne, prijësit e tri komuniteteve, i lipset edhe standardizimi i shprehjeve islame në gjuhën shqipe. Një fjalor unik i terminologjisë islame në gjuhën shqipe është nevojë urgjente dhe e patjetërsueshme. Problemet tona të natyrës drejtshkrimore duhet të tejkalohen sa më parë. Diku kam nënvizuar se, nëpër shkrimet e teologëve tanë, shpesh hasim nëpër fjalë që na fusin në dilema. Në mungesë të atij standardizimi të gjuhës shqipe islame, në letrat shqipe ndeshim herë fjalën mysliman e herë musliman. Përdoret herë si Allah e herë si All-llah! Herë si Muhamed e herë si Muhammed! “Nuk dimë” si ta pagëzojmë fëmijën: Ymer, Omer, Umer! Ta përdorim fjalën Ummet, Umet apo Ymet…Të gjithë shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, duhet me çdo kusht ta ruajmë gjuhën e standardizuar si thesarin tonë më të çmueshëm. Por, pa dyshim, kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ato fjalë që na vijnë nga Gjuha e Krijuesit tonë, nga ato fjalë islame të cilat janë të pashpjegueshme me cilatdo fjalë të tjera dhe nga cilado gjuhë tjetër”.
        Pra ndoshta ka nje mungese ne kete leme, perpos tradites.

  4. Ju keni të drejtë, ky është mosrespektim apo devijim i qëllimshëm nga norma e standardit. Dhe sigurisht që arsyet janë ideologjike. Po ta mendosh pak më tutje, janë të ngjashme në qëllime me arsyet që plot njerëz të ngritur sot e shkruajnë Evropën dhe evropianin “Europë” dhe “europian” e po e shtrëngojnë edhe pjesën tjetër të popullsisë ta bëjë; për ta çuar këtë shtysë qesharake ideologjike në maskarallëk, gjer një kuvend gjuhëtarësh shkoi e u mblodh ca muaj më parë për ta bërë normë gjuhësore këtë pretendim ideologjik. Gjynah që s’tërhoqën edhe mendimin e popullit. Mua, për shembull, do më pëlqente Ojrop. Kushedi, me votim edhe mund të kishte fituar. Sidoqoftë, ju keni të drejtë për KOASH-in.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin