NJË FENOMENOLOGJI E LEXIMIT

Për ta nisur me një pyetje gramatikore: lexoj a është gjithnjë folje kalimtare? A kërkon gjithnjë një kundrinë të drejtë: lexoj gazetën, lexoj Vëllezërit Karamazov, lexoj ditarin e tim shoqi…?

Që veprimi i shprehur nga folja është kalimtar, për këtë nuk ka nevojë të bindemi – por si ta shpjegojmë pastaj: ankohet se nuk i lexon djali? Si ta shpjegojmë e ka bërë zakon të lexojë para gjumit?

(Gramatikanët i quajnë këto folje ambitranzitive – dykalimtare; për kë kërkon të shtyhet më tej, lexoj hyn në grupin e foljeve agjentive).

1. Po lexoj – i shprehur kështu, leximi gjithnjë respektohet: lëre se po lexon. Një arsye e sjellë shpesh, për të mos e ndihmuar tjetrin që, bie fjala, po gatuan drekën ose po pastron banjën. Po lexoj. Të krahasohet kjo me Po shoh TV, që sot tingëllon gati e turpshme – po sheh TV?

2. Po e lexoj – që zakonisht ndiqet nga “por nuk shtyhet.” Çka do të thotë: ma qaj pak hallin, solidarizohu me mua – tek e fundit, a nuk ishe ti që ma rekomandove? Ja, po e lexoj.

3. E lexova – thuhet zakonisht për romanin e fundit, më të përfolurin, më të shiturin, më të nxehtin; atë që deri dje e kishin lexuar të gjithë, veç teje: e lexova, por s’m’u duk ndonjë gjë. Ose edhe për artikullin ku të kanë bërë për një lek: E lexova, por nuk do të përgjigjem menjëherë (nuk do t’i përgjigjem atij qeni). E kryera e thjeshtë këtu shënjon edhe një vendosmëri për ta mbyllur një kapitull dhe për të ecur përpara.

4. E lexove? – Këtë ta pyet autori i djegur për feedback, që nuk ka marrë deri më sot asnjë koment për librin e vet me poezi. E lexove? Si t’u duk? Por ta pyet edhe i eturi për thashetheme: E lexove të fundit të Kadriut? Ai që nuk dëshiron të ngatërrohet, në këto raste të përgjigjet: ah, po unë ka kohë që nuk e lexoj gazetën. Ose, edhe më keq akoma: sa mirë të del koha dhe i lexon të gjitha!

5. E ke lexuar…? Zakonisht, folja lexoj në ndërtime të tilla përdoret si kalimtare, me synimin për ta vënë tjetrin me shpatulla për muri: E ke lexuar Sein und Zeit të Heidegger-it? Po të fundit të Zhizhekut? Është një pyetje që, si çdo pyetje serioze, kërkon ta ndajë botën më dysh, një herë e mirë, duke të vënë ty, të marrin në pyetje, në vendin që të takon. E ke lexuar Etikën nikomakease? Dhe më në fund E ke lexuar Mesharin e Buzukut? Jo, vetëm Formulën e Pagëzimit

6. E kam lexuar. Çuditërisht, pakkush ta thotë këtë për Aventurat e Pinokut, ose Çufoja dhe bubi kaçurrel ose Dashuria e Mimozës. Zakonisht të thonë: E kam lexuar Freud-in ose më mirë akoma E kam lexuar ka vite. Çka do të thotë edhe: praktikisht, nuk mbaj mend asgjë. Për shembull, pak a shumë në të njëjtën periudhë, më ka qëlluar të lexoj edhe Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve të Parisit të Balzac-ut, edhe Ivanhoe-n, e sir Walter Scott-it: si shpjegohet, atëherë, që i pari pothuajse nuk më kujtohet më, ndërsa të dytin ende mund ta rrëfej me hollësi? Dhe mos më thoni ngaqë kam parë filmin… Jo. Edhe pse e kam parë filmin – ose më saktë, të dy filmat, atë të kinemasë dhe atë tjetrin, serialin televiziv. Çfarë tregon kjo për mua? Që kisha rënë në dashuri me Rebekën, jo me Esther van Gobseck-un? Dhe më tej akoma: a ka kuptim të thuash e kam lexuar, për diçka që nuk e mban mend më? A presupozon e kryera, në këtë rast, edhe mbamendjen, apo ka karakter thjesht kronologjik?

7. Do ta lexoj. Ka gjithnjë optimizëm te kjo e ardhme, sidomos kur ndodhesh përballë librave që i ke blerë, por që s’i ke lexuar akoma, edhe pse i ke vendosur tashmë në raft. Për shembull, Historinë e marrëzisë të Foucault-it, në versionin origjinal të vitit 1961: rreth 800 faqe. Do ta lexoj. Madje optimizmi mbetet, edhe kur takon dikë në rrugë, një mik të vjetër, që po të shmanget qëkur i dhurove librin tënd të fundit, dhe pyetjes sate i përgjigjet: do ta lexoj. Natyrisht. E njëjta shprehje, do ta lexoj, mund të përdorej edhe për të emërtuar çfarë ke futur, grykësisht, në Kindle.

8. Do ta kisha lexuar, sikur të mos ma merrte pa leje kunata. Refuzim i sheqerosur i një leximi të rekomanduar: do ta kisha lexuar, sikur të mos isha nisur me shërbim për Afganistan.

9. E kisha lexuar. Në kuptimin: Kur arrita diku nga mesi i romanit, e kuptova që e kisha lexuar. Fillimet e Alzheimer-it? Jo doemos, mund të ketë qenë fjala edhe për një libër “limonatë”, nga ata që nuk pretendojnë të mbahen mend, përkundrazi. Sa më shpejt që ta harrosh, aq më gjasa ka që ta blesh prapë. E kisha lexuar. Kjo mund të jetë edhe shenjë e dikujt që lexon shumë, ose që kërkon të lërë përshtypjen që lexon shumë: Po ku e gjen kohën, xhanëm?

10. E kisha pasë lexuar. Përveçse pasuron gramatikën e foljes shqipe në përgjithësi, ky ndërtim tradhton harresë edhe më rrënjësore se te (9).

11. Po lexoja. Si shfajësim për pasoja kriminale të hutimit, p.sh. po lexoja dhe s’e vura re që ishte derdhur gjella dhe kish fikur gazin; ose po lexoja dhe nuk e pashë beben që kish dalë nga rrethorja dhe po i afrohej instalacionit. Mund të jetë edhe fillimi i një fundi të paparalajmëruar: po lexoja, nuk e dëgjova që kish rënë telefoni.

12. Pata lexuar – kjo, për të gjitha ato lexime që do të kishim preferuar të mos i kishim bërë: E pata lexuar atëherë, se na i kërkonin në shkollë (librin Eurokomunizmi është antikomunizëm). Në fakt, krejt brezi im mund të përkufizohet si brezi që pat lexuar veprën: ashtu mbahet gjallë edhe një formë foljore pak e përdorur.

13. Nuk e paske lexuar…? Kjo pyetje sjell qortimin me vete. Tjetri, më “i lëçitur” se ty, dallon një boshllëk në formimin tënd intelektual: nuk e paske lexuar Traktatin e Wittgenstein-it? Kjo më kujton edhe një episod, nga një roman i Nabokovit – nëse nuk pomë bën lojëra kujtesa – ku profesorët e departamentit të letërsisë angleze, në një universitet të provincës amerikane, i rrëfehen njëri-tjetrit, në pije e sipër, për klasikët që nuk kanë lexuar.

14. Nuk e lexoj. Kështu i pat thënë Maoja kryeredaktorit të gazetës Zhenminzhibao, organi zyrtar i KQ të PKK-së. Unë nuk e lexoj gazetën tënde. Vrit veten tashi.

15. Po rilexoj. Meqë një intelektual publik supozohet se i ka lexuar të gjitha, ose më mirë të gjitha veprat e kanonit, atëherë ky është vetvetiu i detyruar të rilexojë: po rilexoj Rrëfimet e Shën Agustinit. Të thuash thjesht lexoj, në këto kontekste, do të thotë të pranosh se nuk e kishe lexuar më parë. Më rëndë akoma: po rilexoj Seminaret e Lacan-it (sipas numrit rendor). Dhe kjo, megjithë lezetet e fshehta të rikthimit te një vepër e dashur, që i dinë aq mirë fëmijët.

16, Me lexue. Kur klasikët e letërsisë në gegnishte përfundojnë të trajtuar si shkrime të shenjta, ose si monumente të gegnishtes, jo të letërsisë.

17. E kam lexuar një herë. Shih edhe (6), por këtu toni ndryshon krejt – meqë rileximi shoqërohet me shfajësimin përkatës: e kam lexuar një herë, por s’e mbaj mend fare/s’kam ç’të lexoj tjetër.

18. E kam lexuar, më duket. Vetëm mos ia thoni këtë autorit.

19. Pse lexoke, ti, Sule? Këtë pyetje – detyrimisht në habitore – ia bën shitësit të zarzavateve blerësja, që vetë nuk lexon gjë tjetër veç faturës së dritave. Shitësi i zarzavateve në fjalë po lexon Mein Kampf, meqë ra fjala (të përkthyer, ende jo në origjinal).

20. Lexoni! Kjo urdhërore tradhton atë që e ndien veten mësues, edhe kur nuk i kanë mbetur më nxënës: Lexoni Kantin, në vend që të humbni kohë me këta të sotmit.

21. Nuk lexohet, në kuptimin “nuk shtyhet”, është i mërzitshëm, është i palexueshëm. Për shembull: bleva këtë librin e fundit të Kadriut, por nuk lexohet. Njëlloj edhe: nuk u lexoka.

21. Lexon me zë. Huq i padëmshëm, i fëmijëve dhe i moshave të vjetra dhe i të lashtëve. Jo dhe aq i padëmshëm, kur e bën pasagjeri ulur përbri teje, në avionin e linjës New York (JFK) – Hong Kong. E njëjta shprehje mund të përdoret si eufemizëm për të gërhiturit.

1 Koment

  1. Me qe Xha Xhai beri nje lloj zgjedhimi sec m’u kujtua nje batute. Nga mesi i viteve 90te, mblidheshim shpesh ne nje kafe pas Piramides. Me duket se ishte ndertim pa leje. Aty pinim kafen e pasdites dhe qanim hallet e njeri tjetrit dhe te te tjereve por me teper hallet e kombit. T.N. vinte pak me rralle per kafe, po mungesat nuk i kishte shume te gjata. E permenda T.N. se ndryshe nga shume prej nesh, po bente nje lufte ne dy fronte, nderkohe qe po perpiqej te emigronte me dokumenta te rregullta, po mundohej ne te njejten kohe te fillonte ndonje ndermarrje private per te plotesuar rrogen e mjerueshme qe merrte ne nje institucion shteteror. Na vinte cdo jave me nga nje ide te re. Nje dite na paraqiti nje “model biznesi” shume fitimprures (sipas tij), me duket import shkrepsesh nga nje vend lindor. A.P. e degjonte dhe po digjej qe te thoshte dicka. Megjithate priti sa T.N. te largohej nga kafja dhe ia plasi: Sot zbulova nje kohe te re te foljes ne shqip : “T.N. do behet pasanik = Koha E Ardhme e Pamundur”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin