EVOLUIMI I KAFENESË

Prej kohёsh kafeneja, ose mё modernisht lokali, ёshtё kthyer nё vendin gjeometrik tё shoqёrisё shqiptare. Tё gjitha llojet e marrёdhёnieve shoqёrore, herёt e vonё, takohen nё lokal pёrballё njё kafeje. Lokali, pit stop-i dhe skena e shoqёrisё shqiptare, atje ku marrёdhёniet marrin energji, atje ku marrёdhёniet marrin jetё e dukje.

Deri dje, lokalet e mbushura plot e pёr plot shiheshin si faqja e dukshme e papunёsisё, si pasojё e varfёrisё. Njerёzit nuk kanё punё, nuk dinё si ta kalojnё kohёn, nuk kanё ku shkojnё, marrin njё kafe dhe rrinё orё tё tёra duke biseduar me shokё e shoqe, ose thjesht duke lexuar gazetёn. Kёshtu thuhej. Mirёpo ky model interpretimi linte jashtё njё kategori tё majme klientёsh, ata qё punёn e kishin por e kalonin kohёn nё kafene. Zakonisht nё punё shteti, kёto e shndёrronin lokalin nё shtojcё tё zyrёs dhe me kafen pёrpara realizonin strategjinё e mprehtё tё public relations.

Askush nuk e fsheh dot se lokali e ka sharmin e vet. Ёshtё vend asnjanёs, e relakson bisedёn, ia heq formalitetin, i vajos mekanizmat e marrёdhёnies. Po e lёmё mёnjanё faktin se jo çdo takim ka nevojё pёr mjedis joformal.

Lokali ka edhe njё aspekt funksional qё lidhet me mjedisin e ofruar. Atje gjen karrige, tryezё, dikё qё tё shёrben, mjedis tё mirёmbajtur. Gjen ngrohtёsi, nё kuptimin fizik tё fjalёs, gjatё dimrit tw akullt dhe freskllёk, falё ajrit tё kondizionuar, gjatё vapёs sё gushtit. E po tё kujtojmё njё sketç tё vjetёr tё estradёs shqiptare, sipas burrit tё detyruar nga gruaja qё tё pinte nё shtёpi e jo nё klub, atje ke edhe me “kё tё zihesh”.

Kafeneja nuk ka pasur deri mё sot konkurrentё mes hapёsirave tё ndryshme qё i ofrohen shoqёrisё shqiptare pёr t’u kultivuar e riprodhuar. Madje aktualisht shёnon edhe njё pikё tjetёr nё favor tё saj, duke dёshmuar se ofensiva e saj ёshtё e pandalshme.

Deri pak kohё mё parё, vizitat nё shtёpitё shqiptare ishin njё must tё traditës. “Po ju vijmë nё shtёpi pёr njё kafe”, “Po dalim nga shtёpia”, “Po ju bёjmё njё vizitё”, “Do tё vijmё nga ju pasdite, tё pimё njё kafe rehat”. Vizitat priteshin e ktheheshin, nё kuptimin qё mirёpriteshin, sepse tregonin respekt, dhe nё rastin mё tё parё rolet shkёmbeheshin, tё vizituarit shkonin pёr vizitё tek ata qё erdhёn nё fillim. Vizitat bёheshin me sebeb e pa sebeb, varej nga shkalla e afёrsisё.

Kanё ikur kohёt kur nёna tё dёrgonte me vrap tё blije llokume ose pije grash (S’kemi asgjё pёr t’u nxjerrё!), ose kur shpallej alarm i pёrgjithshёm pёr rregullimin e shtёpisё (E kemi rrёmujё shtёpinё, do tё lёmё nam!); megjithatё njё farё mobilizmi kёrkohet edhe sot: rregullohet poltrona, sistemohen karriget, derdhet taketukja, largohen gazetat e lёna kuturu, vihet telekomanda nё vend…

Ky zakon nuk ёshtё se nuk pёrdoret mё, por njё traditё e re po ngre kokёn nё shoqёrinё shqiptare: pritjet nuk bёhen mё nё shtёpi, por nё lokalin afёr shtёpisё. Tani, gjithnjё e mё shumё, kur dikujt i thua se do t’i shkosh pёr vizitё, ai tё tregon vendndodhjen e barit afёr shtёpisё: “Takohemi tek lokali poshtё”, “Tё pres tek kafja pёrballё, aty mё gjen”. Madje shpeshherё jepet edhe arsyeja: “Tё flasim rehat, se kёtu bёn vapё, se aty pihet kafe e mirё”, e kёshtu me radhё. Tani pёr tani, kjo bёhet kryesisht me tё afёrm qё e njohin edhe gjeografinё e lagjes ku banon.

Nё fakt, ky rregull ёshtё paraprirё nga njё lloj hibridi qё nuk jetoi gjatё. Vizita bёhej nё shtёpi, por kafja pihej nё lokal, ja pёr mungesё dritash, ja pёr komoditetet e rastit. Qёndrohej pak nё shtёpi, pastaj kalohej poshtё. Pastaj, kafja nё shtёpi nuk del asnjёherё si nё lokal. Edhe po tё kesh Illy apo Lavazza.

Nuk mund tё flasim pёr traditё tё konsoliduar, jemi ende nё fillesat e saj e nuk ёshtё e thёnё tё hedhё rrёnjё gjithkund. Dukuria i pёrshtatet mё shumё qendrave tё mёdha urbane se sa fshatrave, ku tradita mbetet ende e fortё dhe lokalet nuk janё aq tё shumta. Megjithatё, kemi tё bёjmё me raste kuptimplote.

Çёshtja ёshtё se kafeneja, nga pikёpamja sociale, po merr gjithnjё mё hapёsirё nё shoqёrinё shqiptare. Nё qoftё se lokali do tё luante lojёn e vjetёr “shtetesh”, do tё ishte me siguri nё vend tё parё, sepse pak e nga pak po ia merr territoret hapёsirave tё tjera ku ushtrohet socializimi. Nё qoftё se deri dje hapёsira shtёpiake kishte pothuajse monopolin e socializimit, duke filluar nga oda e pleqve, deri tek vizitat pёr vitin e ri, nga festat e datёlindjeve tek rituali mortor, nga ahengu i martesave tek pritjet pёr tё nёntat, sot vihet re njё tkurrje e pёrdorimit tё shtёpisё. Ky delegim i rolit tё shtёpisё e familjes si hapёsirё socializimi, ose decentralizim nёse preferoni, ka kohё qё ёshtё verifikuar nё vende tё tjera, tё cilat ua kanё kaluar objekteve tё kultit, ku kremtohen fazat kryesore tё jetёs sё njeriut.

Sa pёr tё dhёnё tre shembuj krahasues. Nё vende tё tjera, ka raste qё trupi i tё ndjerit nuk kalon fare nga shtёpia, por drejtpёrdrejt nё kishё e qё andej nё varreza. Madje edhe ngushёllimet nuk bёhen mё nё shtёpi, pra nuk ka pritje, por mjaftohen me ato gjatё ceremonisё nё objektin e kultit. Edhe pёr rastin e martesave ёshtё pothuajse e njёjta gjё: pas ceremonisё nё kishё, urimeve, fjalimeve, pёrbetimeve e orizit mbi kokё, tё gjithё shkojnё, nёse janё tё ftuar, nё drekёn ose darkёn e shtruar nga çifti. Gjithashtu kur bёhet fjalё pёr shkёmbime familjare, drekash ndёr miqsh, shpeshherё preferohet zgjedhja e jashtme, edhe pse ende ka mbijeton dreka nё shtёpi. Nё tё trija kёto raste, bashkёsia ia ka dhёnё detyrёn e ritualeve objekteve jashtё shtёpisё.

Nё Shqipёri, roli i shtёpisё nё kёto raste tё lartpёrmendura vazhdon tё rezistojё (pritjet pёr urime, ngushёllime, etj.), megjithёse tani pothuajse tё gjitha drekat hahen nё lokal (pёr gёzim ose pёr mort), çka e ka çliruar shtёpinё nga njё mbingarkesё e madhe. Mirёpo kёtu po flasim pёr kafenenё, jo pёr lokalin si restorant, ku dobishmёria dallohet mё qartё, meqё gatimi e shtrimi i drekёs pёr shumё vetё pёrbёjnё problem serioz pёr shtёpinё. Mё pak e qartё rezulton dobia e kafenesё si zёvendёsim i shtёpisё nё raste vizitash, meqё vizita nёnkupton edhe hyrjen/pranimin nё hapёsirёn private, çka shenjon edhe shkёmbim informativ e miqёsor. Pritja nё shtёpi ka njё valencё tjetёr nga ajo nё bar, pavarёsisht se kjo e fundit ёshtё mё komode.

Gjithsesi, lokalet po e zgjerojnё sferёn e influencёs nё shoqёrinё e sotme shqiptare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin