LULI DHE PLAKU

Kur kundërshtari politik arrin të mbijetojë duke ia përcjellë tjetrit trajtat e ligjërimit të vet prej humbësi, atëherë kushedi mund të fillojmë të flasim për shpagim.

Në një deklaratë (që nuk po e marr vesh se ku e ka bërë), deputetja e P.S.-së Esmeralda Shkjau u drejtohet kolegëve të vet Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, duke i quajtur, përkatësisht, “Luli” dhe “plaku”; dhe më pas, duke e quajtur kreun e opozitës “papagalli i katragjyshit.”

Këto stilema pijanecësh e gjetën njëfarësoj rrugën deri në gojën e një përfaqësueseje të popullit:

Ndërkohë që Policia e Shtetit bëri detyrën e saj dhe e arrestoi keqbërësin, Luli dhe plaku sulmuan policinë. Ndërkohë që Ministri i Brendshëm iu gjend pranë viktimës, Luli dhe plaku sulmuan ministrin e Brendshëm. Ndërkohë që zyra e deputetit e dënoi me forcë aktin e turpshëm të një punonjësi, Luli dhe plaku sulmuan deputetin,

deklaroi z. Shkjau.

Të poshtërosh tjetrin, kundërshtarin, duke e quajtur “ndryshe” – këtë e patën kthyer në art pikërisht eksponentët e opozitës, që nga vetë z. Berisha; çka edhe pastaj ua shkaktoi humbjen – së bashku me arrogancën, padijen dhe virtuozitetin në gënjeshtra.

Luli dhe plaku – këtu kemi dalë nga politika, për t’ia shkelur syrin rrugës, kafenesë dhe alabakërisë.

Pse askujt nuk i shijon më mirë përdhosja e emrit, sa atij që s’ka emër e që gjithnjë është ndier pjesë e turmës.

Në fakt, nga të zgjedhurit e vet, publiku nuk pret të bëjnë folklor, as estradë; por që të operojnë në pajtim me besimin që u është dhënë.

Luli dhe plaku – këto marka tregtare të lëvereve të medias dhe të anonimëve që shkruajnë atje me gishta – dashur pa dashur e rreshtojnë z. Shkjau në po atë turmë së cilës i përkasin edhe viktimat e retorikës së saj.

2 Komente

  1. “Luli dhe Plaku” eshte nje shprehje qe te jep idene se ka dale nga goja e Kryeministrit. Te pakten nga forma dhe permbajtja e batutes duket tipike “made by Edi Rama”. Gjithsesi mund edhe te gabohem, por me duhet ta pranoj qe shkakton nje doze te pranueshme humori tek degjuesit 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin