RED PERIL

Dje një numër mediash shqip online përcollën lajmin për dy vëllezër barinj, nga Kalaja e Dodës, të kafshuar nga “miu i kuq” – për ç’arsye njëri prej tyre kish vdekur nga ethet hemorragjike, ndërsa tjetri në gjendje të rëndë në spital.

Lajmi gjendet, mes të tjerash, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu.

E zgjodha këtë lajm të rastit – edhe pse të dhimbshëm për personat e prekur nga ngjarja – për të ilustruar si mediat elektronike të Tiranës janë duke shpërfillur ABC-në e gazetarisë dhe të marrëdhënieve me lexuesin.

Para së gjithash, edhe pse një krahasim i teksteve mjafton për të parë se bëhet fjalë për të njëjtin lajm që është përcjellë nga një media në tjetrën, asnjë prej faqeve që pashë nuk e citonte burimin e lajmit.

Ka vërtet disa agjenci lajmesh, në Shqipëri; por kam frikë se pjesa më e madhe e informacionit që jepet sot në mediat elektronike dhe, besoj edhe në ato të printuara, është televizioni.

Televizionet e Tiranës i kanë mjetet financiare dhe gazetarët e nevojshëm për të qëmtuar dhe ndjekur lajme të tilla; edhe pse nuk e bëjnë gjithnjë ashtu siç duhet.

Edhe mund ta kuptoj që një lajm të merret nga televizioni; por gazeta – dhe faqja e saj online – duhet t’ia përshtatin tekstin mediumit; duke i dhënë publikut atë çfarë shtypi ia jep më mirë se ekrani.

miu i kuqLajmi flet për dy njerëz që i kafshuar një shtazë relativisht e panjohur: “miu i kuq”; dhe për një sëmundje të rëndë të transmetuar nëpërmjet kafshimit: “ethet hemorragjike”.

Në këto rrethana, gazetari i mirë menjëherë do të kish bërë dy-tre intervista telefonike: me një profesor universitar të zoologjisë (nuk po pretendoj për rodentolog); me mjekun e zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe, më në fund, me kryetarin e komunës ose një autoritet lokal të ngjashëm.

Lajmet për kafshime, minj, sëmundje dhe epidemi kanë prirjen të dizinformojnë dhe të shkaktojnë panik; që këtej, një faqe e kuruar nga profesionistë duhet të japë informacion me natyrë enciklopedike.

Të sqarojë, bie fjala, se ç’është ky “mi i kuq”, ku jeton dhe çfarë rreziku paraqet për popullatën.

Një prej faqeve të cituara më lart përcillte një intervistë me mjekun infeksionist P.Pipero, edhe ajo e marrë nga televizioni; por ai mjek fliste për gjendjen e pacientit që kishte në duar, jo për “miun e kuq.”

Në fakt, lajmi për incidentin mund të kish shërbyer si pretekst për informacionin e mirëfilltë – informacion që mund të përmbante edhe të dhëna për miun në fjalë, por edhe për shndërrimet e mjedisit, që jo rrallë lidhen me incidente të tilla; dhe më tej, për sëmundjen, mënyrën si përhapet, mënyrën si kurohet ose parandalohet; dhe më në fund për raste të ngjashme sëmundjesh që përhapen nga minjtë dhe kafshë të tjera.

Kështu do të mbushet edhe faqja e gazetës, dhe nuk do të ketë nevojë për gjigantografi femrash të përsëritura me bikini.

Ka kaluar ajo kohë, kur një gazetë prestigjioze mund të financonte, me mjetet e veta, një ekspeditë zoologjike në Kalanë e Dodës, për ta kapur “miun e kuq”, për të dalë në fotografi me të dhe për t’ia vënë pastaj në dispozicion shkencës.

Çfarë mund të bëjnë gazetat sot është, përkundrazi, të tregojnë respekt për lexuesin, duke e informuar, në vend që ta hutojnë me budallallëqe.

Janë derdhur miliona euro dhe dollarë, për të kualifikuar personelin e mediave; por po të shohësh si bëhen lajmet, në gazetat kryesore të Tiranës, nuk gjen asnjë gjurmë të këtyre investimeve, sikurse nuk gjen profesionalizëm dhe seriozitet.

 

7 Komente

  1. Që kur e pashë lajmin e dallova menjëherë se diçka nuk shkonte. E di pse? Sepse “etja” për informacion nuk m’u shua, por m’u shtua nga mediat shqiptare. Ky lajm është nga ata që të detyrojnë t’u hysh vetë kërkimeve nëpër internet, praktikisht duke zëvendësuar gazetarin ose redaktorin e gazetës. Mirëpo unë jam lexues në këtë rast, duhet të pretendoj profesionalizëm në dhënien e lajmeve.

    A ka vështirësi? Aspak. Të gjithë kanë celularë, mjafton t’i bien infeksionistit të specializuar. Mos vallë e marrin si të mirëqenë faktin që lexuesi e njeh “miun e kuq” dhe efektet e kafshimit të tij? Nuk besoj, as vetë nuk e dinë se kush është miu “komunist”.

    Kësisoj lajmesh e mbartin patjetër rrezikun e përhapjes së panikut. Pra janë me zarar, e nuk është vështirë ta kapësh si detaj. Prandaj nuk e kuptoj përse informacioni i jepet kaq keq publikut shqiptar. Nuk mund ta shpjegojmë as me rritjen e leximeve, pra nëpërmjet marketingut, sepse do të realizoheshin edhe sikur lajmi të jepej sipas rregullave të gazetarisë normale.

  2. Une e lexova lajmin per here te pare tek TV News 24. Me beri pershtypje se nuk kisha degjuar ndonjehere per miun e kuq. Intuita e shtyre nga pervoja si konsumues i medias shqiptare me thoshte se ishte nje lajthitje e rradhes. E kerkova ne internet dhe ja cfare gjeta. Kjo specie jetoka vetem ne Kinen jugore dhe ne Miajnmarin (Birmanine) veriore. Tani edhe ne Peshkopi…

    http://en.wikipedia.org/wiki/Red_climbing_mouse
    http://www.planet-mammiferes.org/drupal/node/27?indice2=Photos%2FRongeur%2FMyomo%2FMurine%2FVernFul1.jpg

    1. Ka shumë të ngjarë (bank vole). Duke lexuar për sëmundjet e llojit ethe hemorragjike të ndërmjetësuara nga brejtësit, përfshi edhe nefropatinë epidemike për të cilën po bëhet fjalë, vura re se sëmundja transmetohet zakonisht nëpërmjet frymëthithjes së pluhurit që përmban mbeturina kakërdhish dhe urine. Ka të ngjarë që dy viktimat në Kalanë e Dodës të jenë infektuar kur po pastronin ndonjë bodrum, depo, silos, bunker ose hapësirë tjetër të kolonizuar prej brejtësve. Por të flasësh për kafshim sikur tingëllon më bukur?

  3. E vertete. Kur lexova se ishin dy vellezer pyetja e pare qe me erdhi ne mendje qe “si i ka kafshuar nje mi dy burra njeheresh?”. Duket si skenar filmi.

  4. Trekendeshi, kerkimi yt neser do jete ne faqe te pare te gazetave ma ha mendja, me gjithe versionin e xhaxhait per infektim respirator.

    Ps. te dinin gazetaret e tirones si behet gazetari nuk do kishim gazeta thashethemesh, buletine qeveritare dhe kronika te zeza. Njerezit do e lexonin me qef gazeten ne mengjes se do mesonin dhe nje gje te re ne jete.

  5. jane bere gallate, mjaft te veresh sesi percillet lajmi i vjedhjes se bankes se shqiperise: njera medie thote se jane vjedhur miliona euro (Dita), njera se jane vjedhur miliona dollare (Panorama) kur ne fakt personi ne te njejtat gazeta citohet te kete thene se ka vjedhur leke dhe ka vendosur libra.. keta e varrosin lekun per se gjalli… ka rene cilesia qe kur ka fituar PS-ja qeverine, Dita-Tema & opozitare Co. nuk lexohen me ..

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin