JAZZ I STONUAR, POR ÇAKËRQEJF!

Sonte shkova të dëgjoja Markelian Kapidanin në një koncert në duo me basistin Flavio Piantoni. Për të gjithë ata që e njohin krijimtarinë e Markelianit është gjithmonë një kënaqësi ta dëgjosh të luajë, aq më tepër në ardhjet e tij të rralla në Shqipëri. Gjithsesi, përshtypjet e këtij koncerti parapëlqej t’i tregoj më mirë si një rrëfenjë, sesa si një recension kritike muzike.

Është, besoj, një mënyrë më mirë për të përshkruar atë çka pashë e dëgjova në një koncert që si fillim, nisi me plot 45 minuta vonesë dhe që ndërkohë pianisti Kapidani priste jo pa shqetësim që të vinte akorduesi i pianos. Ai nuk erdhi dhe dy muzikantët u ngjitën në skenë jo fort në qejf për të luajtur.

Nuk pretendoj të kritikoj askënd dhe asgjë; as prezantuesen e koncertit që u kujdes të reklamonte se ku e kishte marrë veshjen, por ndërkohë tha shumë pak për programin e mbrëmjes apo për artistët pjesëmarrës. Nuk dua të kritikoj as akorduesin e pianos. Të bësh punën që të takon apo që ke premtuar është gjëja më elementare në ditët e sotme dhe kur kjo nuk ndodh, atëherë të bie të dëgjosh një piano të stonuar, me taste që kërcasin vazhdimisht dhe dy muzikantë që nisin të përballen trishtueshëm me këtë situatë, por që përmes improvizimit, ritmit dhe energjisë që të jep vetëm jazz-i, arrijnë ta kalojnë duke u bërë më shpërfillës, shpotitës e çakërqejf.

Ndodh edhe kështu…

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin