ÇFARË MUND TË BËJË SHTETI ME GJUHËN?

nga Dr. Vincent W.J. van Gerven Oei

Qëkur mbërrita në Shqipëri në fund të vitit 2010, e kam ndjekur me interes debatin e këtushëm për gjuhën standard dhe imponimin, mbrojtjen dhe ndryshimet e mundshme të saj. Vjet madje përgatita një artikull të gjatë për revistën letrare hollandeze nY, të titulluar “Staatstaal en taalstaat” (“Gjuha e shtetit dhe gjendja [literalisht: shteti] i gjuhës”), që ishte një hulumtim i rolit që luajti njësimi i gjuhës shqipe, në konsolidimin e shtetit shqiptar.

Një nga idetë e mia ishte që, nëse në vendet fqinje feja e përbashkët ofronte një forcë lidhëse në ngjizjen e lëvizjeve kombëtariste, në rastin e Shqipërisë ky rol i kish mbetur shqipes si gjuhë e përbashkët. Kjo varësi nga gjuha e përbashkët si garanci e një kombi të njësuar ende përmendet në debatet e tanishme rreth gjuhës shqipe standard.

Tani vonë, një grup prej njëzet autorësh i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos miratojë ndryshimin e shqipes standard, por të ngulmojë për përdorimin e saj korrekt anembanë Shqipërisë. Kjo mund të shihet si përgjigje ndaj propozimeve që janë përsiatur në publik, mes të tjerash nga Akademia e Shkencave, për të përfshirë elemente të ashtuquajtura “gegë” në një gjuhë standard të re, me gjasë më të drejtpeshuar. Meqë blogu ku po del ky tekst i ka kushtuar kohë dhe hapësirë të madhe debatit për reformën gjuhësore, nuk është qëllimi im të ofroj edhe një opinion tjetër të radhës krahas atyre të autorëve të tjerë, shumë më të kualifikuar. Përkundrazi, do të doja të ofroj një studim të shkurtër dhe krahasues me gjendjen e gjuhës në Holandë, për t’i dhënë një përgjigje të mundshme pyetjes që shfaqet në titullin e këtij teksti: “Çfarë mund të bëjë shteti me gjuhën?” Mendoj se kjo është një nga çështjet kryesore që duhen prekur gjatë debatit të tanishëm në Shqipëri për reformën gjuhësore, dhe se holandishtja meriton të studiohet në këtë vështrim, meqë shumë paralele mund të hiqen midis gjendjes në Holandë dhe asaj në Shqipëri.

Dhe po e them që në fillim përgjigjen e pyetjes më sipër: fare pak.

Në Holandë, gjuha standard quhet holandishtja standard. Holandishtja standard flitet dhe shkruhet në Holandë, në Flandër (Belgjika veriore), Surinam dhe në pak koloni të mbetura në Karaibet. Një institucion i quajtur Bashkimi për Gjuhën Holandeze kujdeset për rregullat e holandishtes standard nëpërmjet konvencioneve ortografike, botimit të listave të fjalëve, fjalorëve dhe kështu me radhë. Kjo holandishte standard mund të krahasohet me shqipen standard të sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972.

Holandishtja standard është gjuha e folur nga, për shembull, spikerët e lajmeve në televizionin kombëtar, politikanët kombëtarë dhe në sistemin arsimor. Megjithatë, njëlloj sikurse shqipja standard bazohet në toskërishten, holandishtja standard flitet “natyrshëm” vetëm në provincën e Holandës Veriore, rreth qytetit të Haarlem-it. Kudo gjetiu në zonën e holandishtes, folësit rriten duke folur dialekte të ndryshme, edhe pse të gjithë e mësojnë holandishten standard në shkollë. Dhe, njëlloj si në çdo komunitet tjetër gjuhësor, gjen diferenca gramatikore dhe leksikore mes folësve, të cilat varen nga mjedisi social, arsimimi, prejardhja etnike, etj.

Holandishtja standard ndryshon shumë nga një grup dialektesh (të cilin disa madje e quajnë gjuhë) që flitet në Flandër. Këto dialekte, që njihen me emrin e përbashkët flamandishte, ndryshojnë po aq shumë nga holandishtja standard, sa edhe disa dialekte të gegërishtes në Kosovë ndryshojnë nga shqipja standard, dhe keqkuptime komike si ai midis Ramës dhe Thaçit së fundi (“A nirthte?…”) ndodhin po aq rëndom. Njëlloj si Kosova dhe Shqipëria, Holanda dhe Belgjika kanë qenë pjesë e një shteti të bashkuar për një periudhë të shkurtër historike dhe, për ta plotësuar analogjinë, ka edhe një grup kolonistësh holandezë që, si arbëreshët në Itali, u larguan nga Holanda për t’u vendosur në Afrikën e Jugut, ku ende sot e kësaj dite flitet një formë e veçantë e holandishtes, e njohur si afrikanishte (Afrikaans). Ka edhe një pakicë të vogël në veri të Holandës, të ngjashme me pakicën greke në Shqipërinë e Jugut, e cila flet një gjuhë krejt të ndryshme – frizishten. Të drejtat e kësaj pakice rregullohen me ligj dhe frizishtja, për shembull, mund të mësohet në shkolla dhe lejohet të përdoret si gjuhë në gjykatat lokale.

Tani le të përpiqemi të ngremë një numër analogjish të ndërlidhura me debatin e tanishëm për reformën gjuhësore të shqipes. E para do të lidhej me nevojën për ta “ndrequr” shqipen standard pas gjase të imponuar nga shteti, duke përfshirë në të “elemente të gegërishtes”. Këtu sillet zakonisht shembulli i ndërtimit të tipit me + pjesore si alternativë ndaj formës për të + pjesore, p.sh.: me punue në vend të për të punuar.

Le të përfytyrojmë sikur një grup intelektualësh flamandë të ngrihej dhe t’i sugjeronte shtetit holandez se holandishtja standard duhej pasuruar me disa ndërtime të flamandishtes, si dëshmi e pasurisë së holandishtes dhe ngaqë holandishtja standard është produkt i shtypjes së provincave jugore nga provincat më të pasura veriore.

Tani, argumentet e sjella nga intelektualët flamandë do të qëndronin, në vetvete; ndryshe nga holandishtja standard, flamandishtja ka ruajtur shumë elemente “arkaike” të holandishtes, të tilla si eptimin rasor; dhe më tej, e vërteta është se holandishtja standard u bazua në dialektin e Amsterdamit meqë ky qytet ishte më i fuqishmi, gjatë Rilindjes Holandeze.

Megjithatë, asnjë nga këto argumente nuk do të mjaftonte që shteti të bënte ndryshime në holandishten standard. Jo vetëm që ndërtimet “origjinale” të flamandishtes janë të panjohura për shumicën e folësve të holandishtes meqë ato nuk studiohen në shkolla; por edhe, pasi të pranohet një ndreqje e tillë, ajo do të vendoste një precedent për shumë ndryshime të tjera të mëvonshme. Për shembull, në qoftë se përfshijmë kallzoren në holandishten standard, pse të mos përfshijmë edhe format e zhdrejta të përemrave lidhorë (që i ka flamandishtja) ose edhe tonet (që i ka dialekti limburgian); ose pse të mos përfshijmë edhe një dallim në mënyrën si shqiptohen ch dhe g (mbi lumenjtë kryesorë të Holandës dhe në holandishten standard, këto shqiptohen njëlloj; nën lumenjtë, ndryshe).

Përpjekjet për të kënaqur preferencat individuale të (grupeve të) folësve të holandishtes nuk do të mbaronin kurrë. Duke lejuar ndryshime të tilla “rrënjësore” do të minonim funksionin e holandishtes standard, i cili është të ofrojë një standard – përmes sistemit arsimor dhe mediave kombëtare – në të cilin gjithkush që flet një variant të caktuar të holandishtes, të jetë në gjendje të komunikojë me të tjerët dhe me shtetin.

Edhe pse kjo mund të mos na pëlqejë, gjuha standard është nga gjërat më konservative në botë. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se nuk mund të ndryshojë. Për shembull, anembanë trojeve ku flitet holandishtja, duket se nyja shquese asnjanëse het po zhduket dalëngadalë. Fare mirë mund të presim që, pas pesëdhjetë ose njëqind vjetësh, kur shumica e folësve të holandishtes të mos e përdorë më het dhe ta ketë zëvendësuar me de, kjo rregull gramatikore të ndryshojë. Por kjo vetëm në qoftë se një ndryshim i tillë i rregullave zyrtare të mos ngrejë peshë për përdoruesin e gjuhës së përditshme. Në fakt, shteti nuk mund të ndërmarrë ndryshime të standardit, përveçse në rrethana të një regjimi shtypës.

Mund të përfytyrojmë një skenar tjetër, kur një gjuhëtar zbulon një thesar të mrekullueshëm fjalësh të harruara të holandishtes, të cilat mund të zëvendësojnë për bukuri neologjizmat e ndryshëm që kanë “ndotur” gjuhën holandeze gjatë shekujve. Për shembull, ky gjuhëtar zbulon fjalën flamande wentelwiek, e cila i referohet atij objekti, të cilin holandishtja standard e quan helikopter.Gjuhëtari ynë do të shpjegonte se wentelwiek është “shumë më tepër holandisht” se huazimi grek (përmes frëngjishtes) helikopter. Dhe ai mund të ketë të drejtë, në kuptimin se edhe wentelen (vërtit, përdredh) edhe wiek (flatër) kanë prejardhje gjermanike, pa çka se, ndryshe nga wentelwiek, fjala helikopter përdoret në të gjitha shkollat e vendit. Pra cila fjalë është, në analizë të fundit, “më holandeze”? (Fakt zbavitës: te zëri “helikopter”, në Fjalorin Etimologjik të Holandishtes, lexojmë: “Ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme për të futur purizmat hefschroefvliegtuig dhe wentelwiek.”) Kjo nuk do të thotë se holandishtja është e pambrojtur ndaj dyndjes së fjalëve të huaja, pa çka se, si gjuhë, ajo gjithnjë ka qenë shumë mikpritëse ndaj huazimeve prej gjuhëve të tjera. Mirëpo një fjalë e huazuar pushon së qeni huazim në momentin që hyn në ligjërimin e përditshëm dhe në tekstet; dhe në këtë kuptim, helikopter është fjalë e holandishtes, pavarësisht nga prejardhja e saj greko-franceze.

Për shembull, fjala holandishte beamer është huazim nga anglishtja, edhe pse kuptimi i saj (“projektor”) është tjetër nga ai me të cilin përdoret në anglishte. Një rast i ngjashëm, me shqipen, do të ishte famëkeqja kinge, e një huazim nga anglishtja tashmë i përshtatur me një prapashtesë të gjinisë femërore. Si mund të pretendohet se kinge nuk është fjalë shqipe? Gjithsesi, fjalë të reja krijohen përditë në holandishte. Shembuj të mirë do të ishin doemdenker (pesimist) dhe regelneef (ndërmjetës, sekser), dhe tani së voni otofoto (selfie). (Fakt zbavitës: të gjitha këto fjalë janë krijuar prej të njëjtit autor, Kees van Kooten.) Fjalët e reja nuk krijohen prej gjuhëtarëve hulumtues të emrave të bimëve të rralla ose pjesëve të një mulliri të vjetër me erë, por prej poetëve, autorëve, politikanëve dhe figurave të tjera publike që ndërhyjnë në debatet publike dhe sajojnë fjalë që “zënë vend.” Askush tjetër s’mund ta bëjë këtë, dhe aq më pak shteti!

Prandaj, në bazë të këtij ushtrimi të shkurtër në imagjinatë, mund të sugjerojmë se:

  1. Ndërmarrja e reformave me natyrë sintaksore ose morfologjike potencialisht jetërson një masë të madhe të popullsisë nga gjuha që ata përdorin përditë në komunikim me njëri-tjetrin dhe me shtetin; çka minon funksionin thelbësor të një gjuhe standard. Një reformë e thellë, siç do të ishte përfshirja e paskajores me punue mund të ketë sukses vetëm në qoftë se (pothuaj) të gjithë tashmë e përdorin këtë formë në të gjitha nivelet e komunikimit. Por nuk është ky rasti i tanishëm.
  2. Futja puriste e fjalëve të rralla “të humbura” për të zëvendësuar fjalët “e huaja” nuk mund të imponohet anembanë vendit nëse nuk ekzistojnë disa rrethana të caktuara, p.sh. në komunitete të vogla dhe të kufizuara me pak ndikime të huaja (Islanda) ose nga një institucion i respektuar dhe me status të padiskutueshëm, si Académie française në Francë. E vetmja rrethanë tjetër që vjen në vështrim, është diktatura, si në rastin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Përndryshe, fjalët e reja zënë vend vetëm kur mbushin një zbrazëti në ligjërimin e përditshëm, e cila ende nuk është zënë nga ndonjë fjalë tjetër. Këto dinamika duket se përkojnë shumë më tepër me nocionin e optimizimit, sesa me atë të imponimit nga shteti.

Po çfarë mund të bëjë shteti, kur vjen puna për reformën gjuhësore, pa iu kundërvënë komunitetit të përdoruesve të gjuhës? Ja, mund të punojë pak me drejtshkrimin. Në fakt, reformat arbitrare të drejtshkrimit janë bërë një nga engledisjet kombëtare në Holandë, teksa një numër ortografish “të rishikuara” janë propozuar gjatë njëzet viteve të fundit. Po çfarë reformohet në këtë rast? Siç mund të pritet, gjëra që askush nuk i vë re, kur e përdor gjuhën: nëse do të përdoren dy pika apo një vizë ndarëse me disa fjalë (zeeëend ose zee-eend), nëse do të shkruhet një n në emrat e përbërë apo jo (pannekoek ose pannenkoek), dhe të gjitha këto, natyrisht, të shoqëruara me lista të gjata përjashtimesh dhe rregullash që bien ndesh me intuitën. Kjo gatishmëri për reformë ka arritur një nivel të tillë absurditeti, saqë në Holandë aktualisht po përdoren dy (në mos më shumë) drejtshkrime: njëri i mbështetur nga shteti dhe nga Bashkimi për Gjuhën Holandeze (i quajtur “Librushka e gjelbër”) dhe tjetri i mbështetur nga botuesit e mëdhenj dhe gazetat (i quajtur “Librushka e bardhë”).

Duke pasur parasysh çka u tha më lart, nuk do të habitemi me faktin se propozimet kryesore për reformën drejtshkrimore të shqipes që kanë qarkulluar së fundi, lidhen me çështjen e ë-së së pazëshme.Çfarëdo që të vendoset për të, ne s’do ta dëgjonim dot! Megjithatë, le ta kemi të qartë: edhe kur vjen puna për një shkronjë relativisht të parëndësishme, si ë-ja e pazëshme, ajo është unike për shqipen dhe mbizotëruese në “imazhin e fjalës” për këtë gjuhë dhe në mënyrën si duken tekstet e shkruara. Edhe këtu do të ishte me vend, para se të merrej ndonjë vendim i nxituar, të mbaheshin parasysh shembuj nga historia tani së fundi e reformave (të dështuara) të drejtshkrimit në frëngjishte dhe në gjermanishte. Në Francë, edhe thjesht sugjerimi për të hequr theksin cirkumfleks në ô-në e fjalës hôtel gati shkaktoi një revoltë publike; dhe janë të shumtë gjermanët që ende vajtojnë humbjen e ß-së elegante dhe refuzojnë të pranojnë reformimin e saj në ss. Këto shkronja të pazakonshme janë bërë pjesë e identitetit kombëtar dhe kam një ndjesi se e njëjta gjë vlen edhe për ë-në e shqipes.

Pra, në mbyllje të kësaj eseje, arrijmë në një paradoks mahnitës: edhe pse gjuha standard është një nga forcat më konservative në shoqëri, ajo është aq konservative, sa edhe shteti nuk mund ta ndryshojë dhe as, përkundrazi, ta mbrojë. Dhe kështu duhet të jetë, meqë nuk është ky funksioni i një shteti ndaj një gjuhe kombëtare. Çfarë mund të bëjë shteti është ta përdorë gjuhën standard në mënyrë dinjitoze dhe gramatikisht korrekte. Kjo vlen për ligjëratat politike brenda dhe jashtë parlamentit, fjalimet presidenciale, konferencat e shtypit, etj. Çfarë mund të bëjë shteti, është edhe të sigurojë një infrastrukturë arsimore adekuate, e cila t’i japë mundësi çdo qytetari shqiptar, pavarësisht se ç’variant të shqipes flet në shtëpi, që të komunikojë me shqipfolësit e tjerë brenda dhe jashtë vendit dhe të gëzojë të drejtat e veta të plota si qytetar, në marrëdhënie me qeverinë dhe sistemin juridik. Kjo nuk ka fare të bëjë me “dashurinë për atdheun”, “rishikimin e historisë” ose ndonjë “detyrë të shenjtë”, por ka shumë të bëjë me kujdesin e shtetit për shoqërinë. Shteti nuk duhet të kujdeset, pra, për gjuhën; por për përdoruesit e saj.

[përktheu nga anglishtja: AV. Versioni origjinal mund të lexohet këtu.]

(c) 2014, autori. Për përkthimin shqip, (c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e autorit.

Nuk ka komente

  1. Edhe para më shumë se një shekulli,gjuhëtari zviceran Ferdinand de Saussure duket se këshilluar shkatërruesit kokëngjeshur shqiptarë:
    “E lëshuar në mëshirën e fatit të vet,gjuha ruan ndarjen në dialektet,prej të cilëve asnjeri nuk derdhet në tjetrin;dhe kështu mbetet e dënuar të jetë gjithmonë e copëtuar.Mirëpo,meqenëse përhapja e qytetërimit e shton komunikimin,me një MARRËVESHJE TË HESHTUR zgjidhet NJËRI PREJ DIALEKTEVE EKZISTUESE dhe ai bëhet transmetues i gjithë asaj që e intereson KOMBIN në tërësi.SHKAQET e një zgjidhjeje të këtillë janë të ndryshme:NJË herë i jepet përparësi dialektit të krahinës me qytetërim më të zhvilluar,HERËN tjetër dialektit të krahinës që ka hegjemoninë politike dhe ku gjendet pushteti qendror;herën e TRETË oborri ia imponon gjuhën e vet kombit (ndoshta si në rastin e pretenduar nga shqipot gegë:K.M).Por sido që të jetë vendosur standarti,çdo diskutim i mëvonshëm është ANTIKOMBËTAR”.
    Sa do të dëshiroja që kombëtaristët tanë akade-mykur të dëgjojnë zërat e korifejve të linguistikës botërore…

    1. Z. Misho keni bere nje perkthim “sipas midese” si i thone nga anet e Shqiperise. Por po ndaloj tek disa momente qe i ndryshojne drejtim citimit nga Saussure.

      “bëhet transmetues i gjithë asaj që e intereson KOMBIN në tërësi” Marreveshja e heshtur sic e perktheni ju, nuk ishte fare e heshtur (tacit convention- eng. te jep te kuptosh se kishte nje fare aprovimi… te pergjithshem), por ishte e zhurmeshme nen tam-tamet e nje kongresi drejteshkrimi dhe nuk rane dakord njerezia, por ai grusht njerezish qe e vendosen, ja ashtu… sic e dime te tere.

      Pjesa tjeter duhet te perkthehej si “nje lloj mjeti te gjithshkaje qe ndikon kombin ne teresi”. Pra nuk flitet se i intereson kombit, por qe ka efekt te gjithanshem ne nje komb, sic vertete edhe ka ndikuar tek shqiptaret ne pergjithesi…. pastaj per mire apo per keq eshte pune tjeter.

      “herën e TRETË oborri ia imponon gjuhën e vet kombit (ndoshta si në rastin e pretenduar nga shqipot gegë:K.M)”. Oborri mund te jete vertete “a court” mbreteror, por Saussure e ka fjalen mendoj per nje “gjykate”, pra vendim gjykate. Nuk e di pastaj se perse e keni kete tersellime ndaj gegeve, te cileve vecse iu eshte bere padrejtesi gjuhesore.

      Pastaj Saussure vazhdon, se megjithese nje dialekt mund te promovohet ne gjuhen dhe nivelin e nje gjuhe zyrtare dhe standardi, rralle mbetet e njejta, e pandryshuar, sepse huazon dhe asimilon nga dialektet e tjera dhe kthehet gjithnje e me shume ne nje gjuhe te perbere nga elemente te ndryshem, nje lloj konglomerati, kompostoje, por megjithate pa e humbur totalisht karakterin origjinal.

      Cfare po kerkohet ne Shqiperi, pervecse standardi te celi pak arkapijat, sepse po vazhdoi keshtu do te kthehet ne nje dinosaur zyrtar.

      Edhe une jam per te degjuar pleqte e urte te gjuhesise, korifenjte sic i quani ju, po te pakten t’i citojme sic duhet dhe te plote.

  2. Po i kthehem edhe nje here perkthimit, sepse nuk dua te tingelloj si dikush qe do te bej antagonistin por kur Saussure shkruan “pour en faire le véhicule de tout ce qui intéresse la nation dans son ensemble.” flet per gjerat qe kane te bejne me kombin ne teresi dhe qe e ndikojne ate.

    E perkthyer si “e intereson Kombin ne teresi” nuk i ben drejtesi mendimit te Saussure. Kjo edhe pasi u konsultova edhe me perkthimin ne anglisht te vitit 1959 “the vehicle of everything that affects the nation as a whole”.

  3. Argumenti i shkruar më lart,”gegeve, te cileve vecse iu eshte bere padrejtesi gjuhesore”,në Shqipëri është bërë BOZË.Jam kurioz të di,me qenë se jeni për të dëgjuar pleqtë e urtë të gjuhësisë,cili prej tyre flet për padrejtesi gjuhesore?

    1. Shumica ne mos te gjithe; kam ndermend linguistet e vertete si Saussure, jo politiberesit, apo njerezit qe gravitohen prej gjithshkaje dhe asgjeje. Cdo liber lingustik eshte i qarte, pa dilema rreth padrejtesive gjuhesore, bile ne ditet e sotme investohet qe te kthehet sadopak pluricentrizmi gjuhesor si pasuri kombetare, pa cenuar e rrezikuar asnje shtet apo komb ne lidhje me gjuhet zyrtare apo standardet e solidifikuara.

      Argumenti paraqitet “si i bere boze” nga njerez qe nuk duan te celen arkapijat, ne mohim te ekzistences te nje realiteti dhe procesi qe ka trokitur, ka kohe qe eshte prezent dhe se ndalon dot. Bile shkohet ne naivitet ne lidhje me proceset dialektike te nje kombi, te forcimit dhe te mbrujtjes te nje pasurie dhe krenarie kombetare te gjitheperfshirjes.

      A language is a dialect with an army and navy. Shprehja i atribohet nje hebreu, qe e pranon diku se i ishte cituar prej nje tjetri. Thenia citohet shpesh, por thote nje te vertete te thjeshte, gjuha si standard vendoset me diktat, me force. Eshte e vertete 100% pavarsisht cinizmit.

      Standardi i gjuhes shqipe ashtu sic kerkohet rigorozisht te ruhet, do te kishte dale fitues absolut, nese diktati dhe diktatura do te kishte vazhduar per nje kohe te gjate. E them keshtu se e shoh standardin ne nje beteje te humbur.

      Pjesa e gegerise, qe eshte 2/3, shumica e kombit shqiptar eshte ne kohe per te rivendikuar dicka. Nuk ka kaluar as 1/3 e shekullit per te thene qe standardi eshte nje done deal, case closed, prandaj eshte mire te mendohet nje zgjidhje para se ceshtja te dale jashte kontrolli, te kthehet ne komatoze apo me keq post-mortum per standardin. Deshiroj qe te mos marr pjese ne funeralin e standardit, pra duhet te behet dicka, me e pakta nje transfuzion gjaku.

      1. Read me, më duket sikur ke një kontradiktë te propozimet që bën – nga njëra anë mbron pluricentrizmin gjuhësor, nga ana tjetër përkrah, sikurse shprehesh, legjitimitetin e një rivendikimi të mundshëm të 2/3 të popullsisë shqiptare për të ndryshuar standardin. Po a nuk e përjashtojnë këto propozime njëra-tjetrën? Pluricentrizëm do të thotë që të fillojë të praktikohet publikisht edhe shkodranishtja letrare, edhe kosovarishtja, krahas standardit; ma merr mendja në nivelin letrar dhe mediatik-lokal, se nuk besoj që ke parasysh tri variante të kushtetutës, të një formulari aplikimi për vizë në konsullatën ruse, të një flete udhëzimesh të një pompe për klizmë, apo të një kontrate tip për shitjen me pakicë të biskotave për qen. Në një kohë që, rishikimi i standardit do të thotë shmangie e pluricentrizmit, nëpërmjet koncesioneve që i duhen bërë palës më pak të përfaqësuar, apo jo?

        1. Kur permenda pluricentrizmin nuk e lidha, nuk e mendova shume me situaten ne Shqiperi.

          Por e marre te mireqene verejtjen qe ben. Kemi pluricentrizmin gjuhesor dhe standardin, duke bere nje analogji te thjeshte me degezimet dhe rrjedhen kryesore te lumit. Te gjitha degezimet ruajne pavarsine derisa derdhin prurjet e tyre ne degen kryesore. Pra jane te dallueshme dhe pastaj kur gradienti dhe rilievi krijon kushte degezimi zhduket ne rrjedhen e fuqishme te lumit, standardit.

          Mendoj se pavarsisht rritjes se komunikimit, zvogelimit te distancave per shkak te teknologjise kjo marredhenie do te vazhdoje. Keshtu me rezulton edhe cfare kaloj ne duar si literature studimore, por edhe qofte edhe nga eksperiencat personale brenda nje metropoli si NYC, po ashtu edhe duke udhetuar nga nje breg ne tjetrin te kontinentit.

          Hapja e standardit mendoj se mund te lidhet pikerisht me prurjet e degezimeve, nuk e shoh si koncesion qe i ben standardi dialekteve, por si domosdoshmeri per te patur nje lum(standard) per te gjitha stinat dhe koherat.

          Ne rastin e Shqiperise analogjia tani mund te cohet edhe duke krahasuar rastin e dy degezimeve te fuqishme qe japin lumin e Misisipit te krijuar nga Misuri dhe Misisipi. Misuri e fillon rrugetimin e tij shume me heret, eshte me i gjate dhe ka prurjen me te madhe ne US dhe kalon ne 50 qendra te medha urbane. Por megjithate pas bashkimit njihet si Misisipi. 🙂

          Hapja e standardit(rishikimi) do te bente me resilient marredhenien standard-pluricentrizem, sepse ata nuk perjashtoje njeri-tjetrin ne kohe dhe hapsire ashtu si edhe lumi.

          Rivendikimi gjuhesor eshte realitet dhe nuk behet qellimisht ose per hakmarrje. Ndodh vetvetiu si nevoje reprezantimi e asaj pjese te popullsise qe mendon se standardi nuk e prezanton aq sa duhet. Keshtu ndodh vertete dhe kthehet vetvetiu ne nje proces politik ku ne fund te fundit vota ka fjalen e saj.

          Ne rastin tone votimi nuk behet ne qendren e votimit per te zgjedhur nje kandidat, por ndodh ne te perditeshmen kur njerezit shkembejne informacione, eksperienca ne format e shumellojshme te komunikimit duke perfshire artin dhe shkencen. Standardi nuk mund ta mbaje nen hudutin, hyqmin, hulline e tij, nese “nuk ben koncesione” si nje forme e matur, e zgjuar gjithperfshirese perqasjeje.

          Rishikimi i standardit do te zbuse(tame) cdo lloj resentment, emocioni negativ dhe do te gjeje me mirekuptim dhe gadishmeri per bashkepunim midis pluricentrizmit duke u bere me kohe pjese integrale e standardit te pranuar nga te gjitha palet.

  4. Shumë interesant artikulli. Më vjen mirë që gjeta kohë ta lexoj të gjithin. Në rastin tim, autori is preaching to the choir, duke qënë se bie tërësisht dakord me argumentet që parashtron. Por e veçanta këtu, është volumi i informacionit, madje dhe paralelizimet shumë të këndshme, me një vend që e kam shumë për zemër – Hollandën.

  5. Nje pergjigje zyrtare per situaten gjuhesore, standardin dhe rolin a KNA ka dalur sot nga ASHSH.

    Besoj se i jepet pergjigje shume hamendesimeve dhe pyetjeve dhe ka perputhje te konsiderueshme edhe me shqetesimet e 2xha.

    1. Lutem jepe edhe linkun përkatës, që t’i ndihmosh të interesuarit.

      Gjithsesi, unë e kam shumë të qartë pozicionin e ASHSH-së dhe nuk kam dyshim se propozimet e tyre për reformë janë të arsyetuara mirë nga pikëpamja thjesht linguistike – rezervat e mia janë të një natyre tjetër: unë besoj se është e gabuar që të ndërmerret një reformë drejtshkrimore, në momentet kur kërkohet e kundërta, ose konsolidimi i mësimdhënies së standardit në shkollë. Ti mund të shkosh në spital me dhimbje të forta apandeciti si dhe me mish në hundë; por do të ishte e pafalshme që mjekët të të operonin për shqetësimin e dytë, duke shpërfillur të parin.

      Shpresoj që tash e tutje të mos rrahim ujë në havan dhe të diskutojmë këtu duke ndjekur fillin e debatit, jo duke u kthyer në vend numëro, në premisa diskutimesh të paqena, ose të huazuara nga mediat.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin