KLITHMA NË LUNA PARK

Klithma - Edvard MunchEkspozita me veprat e piktorit Edvard Munch, që vijon të mbetet e hapur në Palazzo Ducale në Genova të Italisë, deri nga fundi i këtij muaji, ngjalli kureshtje të madhe tek publiku. E realizuar për nder të 150 vjetorit të lindjes së piktorit të njohur, ekspozita rreket ta ripërshkojë rrugëtimin artistik të piktorit norvegjez, duke treguar kryesisht kapërcimin epokal nga natyralizmi impresionist në pikturën avangardiste ekzistenciale për të cilën u bë i njohur.

Nisma artistike në Genova ia tërhoqi vëmendjen publikut edhe për faktin se Edvard Munch është i famshëm IMG-20140215-00395në të gjithë botën për pikturën “Klithma”, por veprat e tjera, po aq të rëndësishme, kanë mbetur disi në hije. Kritikët mendojnë se “Klithma” në të vërtetë ishte një incident mediatik, në kuptimin që pati fatin të prekë ndjeshmërinë e publikut të gjerë e të mediatizohet në maksimum, por nuk është se përbënte ndonjë pikturë tejet të veçantë në galerinë e Munch-ut.

Përveç kureshtjes për ta parë Munch-un përtej “Klithmës”, meqë kjo vepër në realitet mungonte, publikut i tërhoqi vëmendjen edhe shtojca me disa vepra të artistit pop Andy Warhol, të frymëzuara nga piktori i ankthit. Praktikisht një ekspozitë brenda ekspozitës, me titull “Warhol after Munch“, një eksperiment i vërtetë, që në Europë është bërë për herë të parë, me objektivin për të nxitur një lloj “qarku të shkurtër “ – siç lexohet në skedën e ekspozitës – midis artistit të ndjenjave të errëta dhe artistit pop par excellence.

Për mendimin tim, eksperimenti e ndihmon gjithashtu publikun ta kuptojë lidhjen midis veprës kaq intime të Edvard Munch dhe potencën mediatike të saj, që pavarësisht se kap majat me “Klithmën” – vepra superstar e piktorit norvegjez – përçon një vibracion latent ndjenjash që sintonizohet me ankthet postmoderne të globalizimit, çka e shndërron atë detyrimisht në aktuale.

Për Edvard Munch-un dhe veprat e tij mund të flitet shumë, kritika nuk ka qenë asnjëherë indiferente ndaj tij. Por ajo që më intereson më shumë është aftësia e tij për të provuar gjuhë të reja komunikimi, inovuese, jo konvencionale. Në fakt, Munch është i njohur për thyerjen që krijoi me pikturën tradicionale, përveçse për penelatat e zymta të pikturës së tij. Megjithatë, nuk duhet harruar shumëllojshmëria e veprave (në brendi e formë) të krijuesit të “Klithmës”: piktura në vaj, tempera, vizatime me ngjyra, litografi, ksilografi… shpeshherë larg njeriut pa fytyrë mbi urë.

IMG-20140215-00394Nuk ka dyshim që Munch është artist modern e që shkon krah për krah me artin bashkëkohor, madje nuk stonon shumë kur përkthehet në artin pop. Mirëpo edhe interpretimi i modernitetit të këtij artisti të famshëm i ka caqet e veta. Në hyrje të pallatit të Dukës, gjithnjë në Genova, vura re një instalacion të çuditshëm. Ishte një lloj kabine me panele të bardha, e sponsorizuar nga një ndërmarrje njohur për sistemet e akustikës. Brenda gjendej një skulpturë që riprodhonte “Klithmën”, e përgatitur nga skenografi sicilian C. Inzerillo. Po të futeshe brenda në kabinën e insonorizuar (e veçuar nga zhurmat), mund ta dëgjoje realisht klithmën e pikturës së famshme, madje mund të bërtisje edhe ti, sipas këshillës që jepej mbi derë: “Klith me klithmën”. Për kureshtje u futa dhe unë. Më pas, prita jashtë derës, për të parë reagimet e njerëzve që futeshin në kabinën e bardhë.

Nisma pa dyshim niset nga qëllime shumë të mira, ndoshta nga ndonjë eksperiment i posaçëm, ndaj nuk mund të IMG-20140215-00391snobohet. Megjithatë vura re diçka që shkonte përtej veprës së Munch-ut, e ndoshta binte ndesh me mesazhin e tij. Nuk duhet të harrojmë se “Klithma” simbolizon gjendjen e njeriut modern, ankthin dhe vetminë e tij, që jepet edhe nga mungesa e fytyrës (pothuajse kafkë) dhe nga shoqëruesit silueta që janë diku më tutje. Madhështia e kësaj pikture, sipas kritikut italian Sgarbi, qëndron tek fakti se ka pararendur letërsinë (Kafka erdhi më pas) dhe psikanalizën (Freud gjithashtu). I njëjti kritik flet për sinestezinë e imazhit të “Klithmës”, ose më mirë, për aftësinë e saj për të evokuar zëra e tinguj, pra për të nxitur shqisa e perceptime të tjera.

Nuk është hera e parë që bëhen instalacione duke u bazuar në vepra klasike të pikturës dhe skulpturës. Artisti Peter Greenaway, për shembull, është përpjekur të kthejë në film vepra të Caravaggio, Rembrandt, Rubens e Velázquez. Tani, lexoj se po punon prej kohësh t’i japë lëvizje Guernica-s. Nisma të tjera, si në Moma të Nju Jorkut, synojnë që artet e ndryshme, përfshirë dizajni dhe grafika informatike, të ndërveprojnë me artin klasik. Porse në shembullin tonë, përshtypja është se kemi të bëjmë me ndërveprim të skajshëm, folklorizues, tejet pop, gati prej luna parku; njëlloj sikur të na fusnin në një dhomë për të provuar me ndonjë vajzë austriake “Puthjen” e Gustav Klimt.

IMG-20140215-00392Në qoftë se klithma është akt çlirues, atëherë eksperimenti i ulërimës në kabinën me panele mund të jetë pozitiv. Ndoshta për këtë arsye, disa prej atyre që u futën, djem e vajza të reja, dilnin duke buzëqeshur, ose duke qeshur me të madhe, me siguri pasi kishin provuar klithma nga më të fortat, ato që normalisht në rrugë nuk mund të provohen se të vjen policia ose ambulanca fill tek këmbët.

Mirëpo këtu kemi të bëjmë me një eksperiment psikologjik, me efekte të sigurta publicitare, veçse pak larg nga shijimi i veprës së piktorit norvegjez, i cili sipas gjasës e ka krijuar veprën e vet, me ngjyrat e forta vorbullore, për ta evokuar me penel klithmën, të bërtiturën, ulërimën, dhimbjen, e jo për ta komunikuar drejtpërdrejt me tinguj. Ndoshta qëllimi është që ankthi të përjetohet në heshtje, në vetmi, në frikë, çka ia shumëfishon efektin mbytës mbi shpirtin e njeriut.

Gjithsesi, nuk besoj se ata që klithën brenda kabinës e kuptuan më mirë pikturën e famshme të Edvard Munch. Por ndoshta kanë kuptuar gjëra që unë nuk arrita t’i kap, për faj të mungesës së kurajës.

 

(fotografitë janë të autorit)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin