GAZAVAJ

Dy video-lajme pranë e pranë në sajtin e Repubblica.it më përftuan një sintaksë të përsosur të hipokrizisë në sjelljen tonë, prej njerëzish, ndaj kafshëve.

Nga njëra anë, një njoftim lotsjellës, për një breshkujcë të gjymtuar, në Izrael, e cila tash e tutje mund të notojë, falë një proteze revolucionare, që ka zhvilluar për të një student i dizajnit industrial.

Nga ana tjetër, një njoftim publicitar i PETA-s, që na kujton të gjithëve si, çdo vit, vetëm në Itali, rreth 30 milion zogj pulash eliminohen si mbeturina sapo lindin, ngaqë janë meshkuj dhe ashtu nuk i duhen industrisë së vezëve.

Jeta e këtyre krijesave zgjat gjithsej 41 sekonda.

Dikush do të shohë këtu një kontradiktë, dikush tjetër thjesht një provë – të mëtejshme – se ne të qytetëruarit nuk jemi në gjendje të vendosim një raport etik me gjallesat e tjera.

Dëshirat për të bërë mirë i kemi patetike, ndërsa para së keqes kthejmë kokën nga ana tjetër dhe bëjmë sikur nuk dimë.

Kjo, gjithë duke mbajtur parasysh se, sikur breshka sakate të ish eliminuar si mbetje, kjo mund të kish rrëzuar qeverinë në Izrael; ndërsa kujdesi i shtuar për 30 milion gjela mund të kish rrëzuar qeverinë në Itali.

Këto marifete janë të njohura, natyrisht – ishte pranëvënia e tyre që më shtyu të shkruaj; ose fakti që ne jemi mësuar tashmë t’i pranojmë së bashku, në të njëjtat kontekste; dhe të ndihemi mirë edhe kur gëzohemi për breshkujcën që noton sërish, edhe kur solidarizohemi – mendërisht – me protestën e PETA-s.

Nuk ka komente

  1. E shoh atë zog dhe them se çfare kuptoi ai nga kjo botë ne 41 sekonda. Ne te vertete pyetja nuk eshte shume e arsyeshme. Boten qe te gjithe e leme pak si ai…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin