KTHIM TE ZËRI

Debatet që pasuan vdekjen e Vaçe Zelës, përtej nivelit thjesht nekrologjik, u shquan dhe do të mbahen mend edhe për njëanshmërinë e argumentit; ose për hollimin e papërballueshëm të diskursit kulturor sot në mediat shqip.

Në fakt, shkrimin më të mirë për domethënien e kësaj artisteje dhe të veprës së saj ia lexova Lediana Stillos (Vaçja, muzika, zëri dhe teksti), meqë ajo e vetmja e vlerësoi këngëtaren në elementin e vet: zërin.

Tek argumenti i Stillos do të ndalem ndoshta një herë tjetër më në hollësi; tani për tani veç po dua ta përgatit pak truallin për argumentin tim.

Që niset, pikërisht, nga koncepti relativisht të zërit, në teorinë e Lacan-it, si rrethprerje të gjuhës dhe trupit, i cili është rimarrë më pas nga një numër autoresh feministe dhe jo vetëm (edhe pse parashtresën teorike konceptit ia ka bërë Mladen Dolar, të cilit i referohet edhe Stillo).

Natyrisht nuk merrem dot me teorinë këtu; por vetë ideja se ka diçka te kënga që e tejkalon tekstin dhe funksionin (ose funksionimin) social të gjuhës, më duket kyçe, për të vlerësuar magjinë e një artisteje vokale, si Vaçja.

Idenë e ilustron më së miri kontrasti, mitologjik, mes muzave dhe sirenave – meqë kënga e të parave është e artikuluar, në poezi; ndërsa e të dytave hipnotizon dhe magjeps, por pa qenë doemos e artikuluar.

Më saktë: muza magjeps me çfarë thotë, ndërsa sirena me si e thotë.

Ka shkrimtare feministe, si Hélène Cixous, që këtë si­-në e zërit e kërkojnë deri te komunikimi fillestar i nënës me fëmijën, ose kolona zanore e të ushqyerit në gji.[1]

Sërish, është fjala për diçka të përcjellë përmes gjuhës, por që e tejkalon gjuhën madje i nënvendoset; ose duke vendosur me logos-in një raport të tillë që, për disa, themelohet mbi kundërvënien e femërores me mashkulloren.

Kjo edhe do të shpjegonte, mes të tjerash, pse zëri këngëtar që na magjeps është zakonisht femëror.

Sikurse do të shpjegonte, nga ana tjetër, edhe pse shumë këngë na pëlqejnë, madje na prekin në shpirt e na sjellin lotët në sy, pa çka se nuk kuptojmë asgjë nga teksti – p.sh. një arie (kryeshembull këtu do të ishte “Erbarme dich”, nga Pasioni i Shën Mateut, i Bach-ut).

E megjithatë, konsumi i një kënge së cilës nuk ia kuptojmë tekstin nuk është i njëjtë me konsumin e një pjese thjesht orkestrale; pa çka se zëri mund të përdoret thjesht si instrument mes të tjerësh, ose i pangarkuar me përgjegjësinë e logos-it.

Për ta thënë me M. Dolar-in, “Zëri është të orienton drejt kuptimit, a thua se ka një shigjetë atje, të drejtuar për nga kuptimi; zëri është një dritare ndaj kuptimit.”[2]

Muzika pop e ka bërë të vetën këtë përftesë; dhe nuk po flas vetëm me disa kolona zanore të mirënjohura të Morricone-s, por edhe – për shembull – për një këngë si “The Great Gig in the Sky,” nga albumi The Dark Side of the Moon, i Pink Floyd. Për mua, impakti emocional i kësaj kënge pa tekst e tejkalon në masë eksponenciale impaktin e të gjitha këngëve të tjera, plot tekst, të albumit; dhe nuk po flas për eksperiencën live.

Të gjithë kemi dëgjuar dhe shijuar këngë pa ua kuptuar tekstin; madje edhe kur i kemi përdorur, të njëjtat këngë, për të mësuar gjuhët përkatëse (italishten, anglishten). Nëse ky tekst pastaj vepron, qoftë edhe me rrugë subliminale, në konsumin që ia bëjmë këngës në kohë – kjo është çështje tjetër. Kështu, nuk ka nevojë të dish anglishten, për ta pëlqyer Here Comes the Sun, të Beatles; pa çka se unë me dhjetëra herë e kam kapur veten duke e kënduar, kur më ka rënë dielli në dhomë.

Për dukurinë ka shkruar edhe Freud-i.

Ç’lidhje ka kjo e gjitha me Vaçen, do të më thonë. Ndoshta ka, në atë masë që tekstet e këngëve të Vaçes mund t’i interpretojmë si një suva, ose stuko, mbi një godinë vlera e të cilës qëndron tjetërkund: te përpjesëtimet, për shembull.

Publiku njëfarësoj e ka ndier këtë, edhe kur nuk e ka kuptuar; sepse nuk ka nevojë të kesh lexuar teoritë feministe të zërit, për t’u mahnitur me zërin e bukur të një gruaje, aq më tepër të moduluar muzikalisht; dhe ngaqë e ka ndier, e ka të vështirë ta kuptojë tani argumentin për tekstet e angazhuara të këngëve, ose për përdorimin ideologjik që i është bërë zërit.

Dhe kur flasim për zërin e bukur, të shkëputur nga logos-i, nuk lëmë dot pa përmendur një këngëtare si Lisa Gerrard, më parë e famshme si gjysma femërore e grupit Dead Can Dance, por që më pas ka regjistruar një numër të madh albumesh më vete, përveç punës që ka bërë si kompozitore për muzikë filmash.

Lisa Gerrard, e cila është ndikuar nga këngët tradicionale të Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, përfshi këtu edhe muzikën greke, sllave-ballkanike, arabe dhe persiane; por edhe muzikën “mesjetare” (e cila jo rrallë i vjen e filtruar sipas estetikës goth, ose përfytyrimit tonë të sotëm për Mesjetën europiane), përdor në këngët e veta një gjuhë të sajuar, ose idioglossia; dëgjojeni në videon më poshtë:

Ndryshe nga vokalizimet e tipit scat ose lalala ose oh-oh, idioglosia ka mveshjen zanore të një gjuhe, pa qenë e tillë; tingëllon si gjuhë, ose më mirë si një gjuhë që ia kanë hequr logosin; është trupi i këngëtares, i formësuar në tingull, të cilin ti e përfytyron si të mbarsur me kuptim, pa çka se ti vetë atë kuptim nuk e rrok dot; është kuptimi i mishëruar si ngashënjim. Në fakt, për skajin marrës të këngës, ose dëgjuesin ta zëmë shqiptar ose amerikan ose italian, praktikisht njëlloj do të kish qenë edhe sikur Lisa të kish kënduar, bie fjala, në baskishte ose në quechua.

Natyrisht, ky nuk është truk skenik, ose marifet kabareje; meqë idioglosia lidhet me disa praktika dhe procedura rituale, të shoqëruara me atë çfarë disa sekte fetare e quajnë speaking in tongues (ose glossolalia), dhe që ndonjëherë i ndihmon folësit të kalojnë në trance ose ekstazë dhe që konsiderohet si një formë sakrale e gjuhës.

Ideja këtu është që të çlirohet phoné-ja nga racionaliteti i logos-it, për t’u afruar me sublimen; ide që nuk mund ta diskutojmë këtu, por që kushedi mund të na ndihmojë të kuptojmë pse na hipnotizon Lisa Gerrard me gjuhën e saj sekrete dhe, në analizë të fundit, edhe Vaçja; pra jo me çfarë thonë këto zëra të kulluar, por me si e thonë.

Pa përmendur pastaj që, historikisht, edhe vetë muzika mund të përfytyrohet si e dalë nga ky ligjërim i çliruar nga logos-i, ose si ekspresivitet pa komunikativitet.


[1] Për këtë trajtesë  jam mbështetur në veprën e Adriana Cavarero-s, For More than One Voice: Towards a Philosophy of Vocal Expression, Stanford University Press, 2005.

[2] Dolar, Mladen, A Voice and Nothing More, MIT, 2006.

Nuk ka komente

  1. Me keqardhje shoh qe reagimet per kete shkrim maestral mungojne. Nuk ndeshet cdo dite nje analize e tille ne ambientet kopetente te Internetit (qe trajtojne keto tema), e persa i perket ambjenteve shqipfolese jam kategorikisht i sigurt qe gjendja eshte ku e me ku me keq.
    Per te bere nje paranteze te rastit do te thoja se zeri ka pasur nje rol te konsiderueshem ne gati te gjitha Ndertesat Teorike Hemetike te ketyre 6000 vjeteve te fundit.
    Jam i sigurte se Xhaxhai nuk do jete dakord me mua nese do citoja Gurdijeff ne kete mes.
    Sidoqofte, shembuj si Lisa Gerrard apo ajo pjese nga “Pink Floyd” jane elokuente.
    Eshte kenaqesi thjesht te mendosh se edhe mes nesh ka njerez qe shohin pertej kohes dhe hapesires!
    .

    1. Falemnderit! Dhe jo, nuk kam problem me Gurdjieff-in – të cilin megjithatë nuk e njoh aq sa, meqë jemi në temë, Jungun.

  2. Mendoj se fenomeni ka te beje me thelbin e artit si forme dhe jo si permbajtje. Ne mund te gjykojme nje ene prej balte te pjekur prej asaj qe ka brenda, por nuk do t’a benim kurre me nje ene ari.
    Ndoshta permbajtja e artit ka te beje me faktore jashte artistike te autorit apo te shoqerise.
    Kujtoj me mall kohen kur degjoja Deep Purple, Pink Floyd, Iron Maiden etj, pa i kuptuar tekstet.
    Muzika sherbente si nje platforme per te udhetuar ne fantazi qe ishin te prejardhura nga muzika, por qe jo gjithnje kishin lidhje te forta me tekstin.
    Dikur, ne vit te dyte gjimnaz bera nje esse ( e quanim hartim) per Shine on you crazy diamond te PF, ku flisja per nje udhetim kozmik drejt asgjese ne nje hapsire te trishte nga vetmia. Mesuesi, qe dinte dicka me shume se une, me spjegoi se ja kisha futur kot, sepse kenga ishte per nje shok te vdekur (Syd ne fakt ishte ende dhe ndoshta eshte ende gjalle)?!!!
    Kur e kuptova tekstin, bashke me historine e Syd Barett, zbulova se ne fakt kisha patur te drejte.

  3. E pakomentueshme, ajo qe eshte sublime nuk i pranon fjalet. Te me falni qe do perdhos temen me nje shqetsim te fundit-:
    Kakofonite e sotme -Gangsta Rap, Hip Hop Music, dhe perdredhjet e rastit me figura si Lady Gaga dhe Cyrus – a do e gjejne vendin sa nuk eshte vone ne vendin ku meritojne? (une mendoj se tashme eshte vertet vone).
    Enya apo Era, a nuk jane nje fije shprese?

    1. Druaj se eshte e pamundur. Ne cdo kohe ka art te bukur, por njeriu i zakonshem pergjithesisht njihet me artin komercial. Mozart ka qene komercial ne kohe te vet. Floyd jane banda me shitjet me te medha te historise. The dark side of the moon ka qene ne 100 albumet me te shitur nga 1974 deri ne 1982 psh.
      Sot eshte comerciale lady gagaga apo ndnj tjeter si ajo.
      Ceshtja nuk eshte se nuk ka patur lady ne vitet 70 apo se nuk ka Pink Floyd sot. Problemi qendron se ne vitet 70 shiteshin PF dhe sot LG.
      Muhabeti calon tek niveli intelektual i shoqerise qe ne kete rast pasqyrohet me blerjet qe ben.
      Ndoshta po jetojme perendimin e nje qyteterimi

  4. xhaxhai ka shkruar : “vetë ideja se ka diçka te kënga që e tejkalon tekstin dhe funksionin (ose funksionimin) social të gjuhës, më duket kyçe, për të vlerësuar magjinë e një artisteje vokale, si Vaçja”.

    Une do thosha se ky fenomen ngjet jo vetem tek kenga, por edhe tek artet e tjere. Po me vjen ne mend analiza qe i ben kinofilise nje filozof aktual francez. Sipas tij, ka tre nivele pozicionimi ndaj filmit : i pari, eshte ai i mases se gjere te spektatoreve te cilet e identifikojne nje film mbi te gjitha nepermjet filan aktori apo aktoreje qe luan ne te dhe nepermjet ngjarjes qe ai rrefen dhe kaq.
    Niveli i dyte sipas tij eshte ai i atyre qe quhen rendom kinofile, te cilet qe shkojne me larg dhe flasin per nje film duke ju referuar zhanrit qe ai i perket, regjizorit, epokes dhe kontekstit kur ai eshte realizuar etj etj. Megjithate, ka dhe nje nivel te trete (padyshim me i veshtiri per tu arritur) qe eshte nje fare zgjatimi i nivelit te dyte gjithe duke e tejkaluar ate : perjetimi i nje vepre filmike pertej referencave autoriale, aktoriale, gjithe duke i marre parasysh ato (ne menyre gati automatike).

    Besoj se te njejten gje mund te thuhet edhe per muziken, e ne rastin konkret, kengen e Vaçe Zeles. Me terhoqi vemendjen fakti qe xhaxhai citon “Pasionin e Shen Mateut” te Bach-ut. Edhe mua me eshte dhene ta degjoj dy here ne skene ate veper monumentale prej 2 ore e 45 minutash dhe jam kategorik: e konsideroj si vepren time te preferuar muzikore! Edhe pse, une jam me shume se koshient i ateizmit tim 24 karat!

    Nga ana tjeter, me ben pershtypje fakti se nese per kengetaren ne fjale (pra Vaçe Zelen), ne kohen kur kendonte nuk kam patur ndonje adhurim apo perkushtim te veçante, dashurine per artin dhe kengen e saj (e sigurisht, edhe per zerin e saj) e kam zbuluar shume me vone! A thua se me eshte dashur ‘detyrimisht’ te kaloj nepermjet disa ‘niveleve’.
    Por ndofta kete, Lubonja nuk ka mundur t’ja kultivoje vetes… . Pune e tij.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin