DETI KOS

I kemi ndjekur ngjarjet – skandalet dhe protestat – në Universitetin e Prishtinës ku, me ç’po duket e ç’po thuhet në mediat, një numër i madh profesorësh dhe drejtuesish të atij institucioni kanë mashtruar, me qëllim që të përparojnë në karrierën akademike.

Këta profesorë – që sot e kësaj dite ua bashkëngjitin gradat dhe titujt e fituar emrave të tyre – kanë botuar artikuj në revista fantazma dhe pa reputacion online, një pjesë edhe me pagesë, për të plotësuar kriteret formale të kualifikimit shkencor, të imponuara nga institucioni përkatës.

Dukuria mund të përshkruhet si një formë e free riding (ose freeloading), të cilën e patëm cekur para pak javësh në Peizazhet.

Dhe ja pse: ekziston një sistem akademik, në Perëndim, për organizimin e punës akademike, shkencore dhe didaktike në Universitetet – i cili rregullon, ndër të tjera, përparimin në karrierë, marrjen e gradave dhe të tenure-s, procesin e botimit në revista shkencore peer reviewed dhe, në përgjithësi, pritet të garantojë cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit në këto institucione.

Këtë sistem, në trajtë statutesh dhe rregulloresh gjithfarësh, e kanë adoptuar edhe në Kosovë, me shpresën dhe synimin e modernizimit të sistemit universitar atje.

Çfarë ndodh, në realitet, është se i njëjti sistem formal që në Perëndim jep pak a shumë rezultate të mira (me përjashtime të njohura), në Kosovë dështon, madje përfundon i shfrytëzuar nga free riders, të cilët përfitojnë duke i kalëruar rregullat dhe duke i përdorur privatisht.

Situata më kujton, incidentalisht, çfarë ka ndodhur dikur me një grup arkeologësh që kërkonin, në rrethinat e Detit të Vdekur, për dorëshkrimet e njohura më pas si The Dead Sea Scrolls. Për të nxitur beduinët vendës që të merrnin pjesë në kërkime, arkeologët shpallën se do të shpërblenin me një çmim fiks këdo që do t’u sillte një dorëshkrim të plotë ose fragment dorëshkrimi në kamp. Parimi i shpërbimit ishte i sprovuar, në vetvete; por çfarë arkeologët nuk parashikuan dot, ishte që beduinët do t’i shkatërronin dorëshkrimet që zhgroposnin, duke i ndarë në pjesë të vogla, për të maksimizuar shpërblimin.

Tani, për t’u kthyer në hallet tona, rregulla e botimit të një numri artikujsh në revista peer reviewed parakupton që botimit t’i paraprijë një punë kërkimore e mirëfilltë, e cila të pasqyrohet pastaj edhe në artikullin që do t’u jepet për vlerësim kolegëve të paanshëm dhe të kualifikuar.

Që të korruptohet ky sistem relativisht i thjeshtë, mjafton, nga njëra anë, amoraliteti i palës që kërkon të botohet, ose gatishmëria për të marrë një gradë të pamerituar me çdo kusht; dhe nga ana tjetër, gatishmëria e një institucioni fantazmë, për të botuar gjithçka, zakonisht kundrejt një pagese.

Në një shkrim shumë të mirë ku analizonte dukurinë në fjalë, Arbër Zaimi përmendte rastin e një gazetari të një të përditshmeje në Kosovë, i cili kishte arritur të botonte nën emrin Filan Fisteku, në të njëjtën revistë ku kishte botuar artikuj rektori i UP-së Gashi (Society for Science and Nature), një “punim shkencor” i cili konsistonte në pjesë të marra verbatim nga Manifesti i Partisë Komuniste, ku terma si “komunizëm”, “proletariat”, “parti” etj. ishin zëvendësuar me terma si “minerale”, “tregti”, “menaxhim”.

Pse ndodh kështu? Pse vallë i njëjti sistem që në Perëndim pak a shumë funksionon si duhet dhe arrin të japë rezultate në dije, mësimdhënie dhe kërkim shkencor bartet dhe instalohet në trojet tona veç për të përftuar mashtrim, parazitizëm dhe amoralitet, ose sipas avazit të fatta la legge trovato l’inganno?

Arsyeja, për mendimin tim, do kërkuar në shpresat tona naive se do të mund të arrinim standardet Perëndimore nëpërmjet kopjimit mekanik të institucioneve; ose në kultin e kargove, të cilin e kemi analizuar më se një herë këtu në Peizazhet.

Në të vërtetë, institucionet në shoqëritë Perëndimore themelohen nga njëra anë në statutet dhe rregulloret formale (p.sh. kërkesa që dikush duhet të ketë botuar pesë artikuj në revista shkencore peer reviewed, për të përfituar një gradë); dhe nga ana tjetër, në traditën e pashkruar ose kujtesën historike të institucionit.

Ne me lehtësi të papërgjegjshme importojmë strukturat formale të institucioneve, për t’i transplantuar ato në një truall ku tradita e pashkruar, ose tërësia e reflekseve kulturore institucionale nuk ekziston.

Ne e mbjellim farën në rërë dhe çuditemi kur ajo nuk çel.

Një nga arsyet e mëtejshme për këtë fiasko lidhet edhe me bashkëfajësinë, ose solidaritetin që lind mes free riders-ve dhe të tjerëve, të cilët nuk kanë mundur ose edhe kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij cirku pleshtash.

Në fakt, ata profesorë, dijetarë dhe kuadro të akademisë që përpiqen të arrijnë rezultate pa shkelur normat morale elementare, megjithatë druhen të ngrenë zërin dhe të denoncojnë parazitizmin e kolegëve të tyre.

Kjo bashkëfajësi, kjo omertà, pikërisht konfirmon atë që ne, si shoqëri, nuk jemi gati për institucione akademike të cilat të funksiononin siç funksionojnë në Perëndim: sepse mes nesh gjithnjë do të shquhen, për nga zelli i paparë dhe gatishmëria për të mashtruar, pikërisht free riders, ose ata që do ta shfrytëzojnë sistemin për interesat e tyre private.

Për fat të keq, një nga efektet më të hidhura të këtij mashtrimi me gradat dhe kualifikimin akademik ka të bëjë me zhvlerësimin total të gradave shkencore të fituara në institucionet në fjalë – madje edhe të atyre kolegëve që gradat e tyre i kanë fituar me ndershmëri dhe përkushtim.

Sikurse është një nga efektet më të hidhura edhe vetëdija e studentëve që do të diplomohen tash e tutje, se dija e nevojshme atyre mund t’u jetë përcjellë, në auditoret e Universitetit, prej profesorësh të cilëve u mungon, në mos dija vetë, së paku etika minimale e Akademisë.

Në një rrafsh më të gjerë, sistemet e kopjuara symbyllurazi dhe të imponuara edhe nën diktatin kokëtrashë të institucioneve ndërkombëtare mbikëqyrëse janë duke shërbyer, de facto, si makina të korrupsionit shoqëror dhe etik; meqë të gjitha aspektet dhe mekanizmat e tyre që, për të punuar si duhet, kanë nevojë për traditën e pashkruar të lirisë universitare, etikës akademike dhe dinjitetit intelektual, përfundojnë të manipuluara nga free riders.

Nga ky këndvështrim, skandali në Universitetin e Prishtinës vetëm sa dëshmon një të keqe të madhe që i ka pushtuar institucionet, në shoqërinë shqiptare, pas vitit 1990: uzurpimin e tyre nga defektorët.

Sa kohë që ne nuk i kontrollojmë dot defektorët, duke i izoluar, demaskuar dhe ndëshkuar brenda komuniteteve përkatëse, kopjimi naiv i strukturave formale institucionale vetëm sa do të garantojë sundimin e mëtejshëm të këtyre defektorëve, i cili realizohet nëpërmjet bashkëfajësisë.

Nuk ka komente

  1. Gjithcka mund te zgjidhet fare lehte, pa pritur krijimin e ngadalte te nje tradite akademike te llojit perendimor, nese kandidateve per tituj shkencore u kerkohet te botojne artikuj vetem ne revista te njohura per seriozitetin e tyre (te percaktohet nje liste me kriteret qe duhet te plotesojne revistat ku lejohet botimi i artikujve). Qe nje gje e tille nuk behet eshte me shume ceshtje e mungeses se vullnetit reformues prej drejtuesve te sistemit arsimor sesa nje pamundesi objektive e lidhur me stadin e ulet te zhvillimit te institucioneve akademike ne vendin tone.

    1. Këtë nuk e bëjnë, ma merr mendja, sepse shumica e kandidatëve nuk do të kenë asnjë shans që të botojnë në revista të njohura për seriozitet.

  2. Tani, kriteret per mbrojtjen e disertacionit, mes tyre edhe ai botimit te artikujve ne revista te huaja, do te zbythen pashmangshmerisht perballe forces madhore te numrave. E kam fjalen qe mijera pedagogeve te cdo universiteti (jane me dhjetera universitete anekend atdheut) fitimi i titullit “doktor i shkencave” u kerkohet si kusht i domosdoshem per ruajtjen e vendit te punes. Qe ketej rrjedhin edhe deformimet e te gjitha llojeve, qe nga fiktiviteti i vleresimeve deri tek falsifikimet e mirefillta. Duke ulur kuotat ne menyre drastike (jo disa mijera por disa dhjetera doktoratura ne vit) gjithcka mund te rregullohet fare kollaj. Megjithate, duket se sistemi arsimor shqiptar, i rritur ne menyre hipertrofike pertej cdo nevoje objektive qe ka tregu i punes per punonjes shkencore, qe te funksionoje ka nevoje per vajin e tarifave qe kandidatet per master e doktorature derdhin ne arkat e finances (per te mos folur per shumat e majme ne xhepat e pedagogeve).

  3. Nuk e njoh mire realitetin ne Kosove, por duke ndjekur ngjarjet e fundit besoj se eshte pak a shume si ketu ne Shqiperi. Ceshtja e doktoraturave, gradave shkencore, plagjiatures etj etj, eshte ngritur here pas here dhe ne fund ka prodhuar vetem nje vrime ne uje. Jam me 2Xha kur thote se problemi qendron pikerisht te kulti i kargos, dhe mosperputhja e realitit te ketushem me praktikat e perendimit.

    Cfare mund te them me siguri te plote, eshte se te pakten ne fushen e mjekesise, klasifikimi i botimeve shkencore eshte per te vene duart ne koke. Behen lloj lloj studimesh, te cilat ne fakt merren copy-paste prej studimeve te huaja qe i gjen fare thjesht ne internet, dhe te dhenat ( input ) nuk merren realisht prej terrenit ( kartelat mjekesore, matje, qendrave shendetesore, ushtrimeve fizike etj etj ) por simulohen neper zyra ne te tille forme qe te kenaqin rezultatet e studimit burim.

    Nje liste me revista shkencore me autoritet ne perendim nuk mendoj se do ishte zgjidhje, per shkaqe me se shumti pragmatike. Jo detyrimisht nje akademik ne Shqiperi duhet te jete konkurues me nje danez po them, do ishte luks. Une do isha per nje cilesi me realiste por ne cdo rast te mirekontrolluar.

    Ps : Xhaxha, me beso nuk dua te hyj ne polemike dhe te ta devijoj temen, por citimi i Zaimit ne shkrimin tend mu duk krejt i pavend. Thua se shkrimi i Zaimit ishte shume i mire, por cfare i citon eshte vetem nje pasazh mbi nje ngjarje te cilen as e ka prodhuar dhe as e ka zbuluar Zaimi, dhe mbi te cilen flet gjithe shtypi i ketyre diteve ne Kosove dhe Shqiperi ( pra provokimi i Dr. Filan Fistekut ). Mua ne fakt shkrimi i Zaimit, qe dua ta theksoj se here pas here me pelqen me shkrimet e veta, nuk me dha asgje te vecante. Mu duk si nje raportim i ftohte prej gazetari ; fare i pathelluar dhe qe nuk analizonte as shkaqe as zgjidhje. Mos te kishte qene per ate thirrjen ne fund, qe mu duk e sforcuar jashte se gjithes, as do e kisha dalluar dot firmen e tij.

  4. Studentet Kosovare me protestat e tyre kane meriten qe e bene publik, e nxoren mbi uje problemi, i cili perndryshe ne Shqiperi ka permasa edhe me te medha.
    Ketu nuk eshte çeshtje kriteresh, por vullneti per t’i bere gjerat siç duhet.
    Tektikisht, pasi kandidati te kete plotesuar kriteret per te kerkuar nje grade shkencore – botime monografish dhe artikujsh ne revista te vendit dhe te huaja – ato botime duhet t’i nenshrohen gjykimit dhe vleresimit te nje komisioni kualifikimi shkencor. Pra sipas ligjit botimet ne vetvete nuk te kualifikojne, por vetem te japin te drejten te kerkosh kuaifikimin. Pastaj duhet te jete komisioni qe ta jep ose nuk ta jep titullin.

    Ne fakt ne Kosove dhe Shqiperi kjo pjese e dyte nuk funksionon. Eshte arritur nje automatizim i procesit, i tille qe, me t’i plotesuar kriteret formale, vleresimi i komisionit mbetet vetem nje pasazh burokratik.
    Me sa di une, deri me sot ne Shqiperi asnje komision nuk ka hedhur poshte ndonje kandidature per profesor.

    Pak a shume sikurse ndodh me mbrojtjen e diplomave universitare: S’ka ndodhur ndonjehere te arrije studenti deri ne mbrojtjen e diplomes dhe te rrezohet nga komisioni gjate mbrojtjes. Kjo praktike eshte shtrire edhe ne dhenien e titujve akademike.

    Nderkohe qe kudo ne bote raporti mes kerkesave dhe pranimeve per tituj shkencore eshte shume i thelle. Per dhjetra kerkesa kalon vetem nje ose dy.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin