EC E VDIS, PO DESHE!

 Më vijnë gjithnjë në mëndje fjalët që u përhapën fill pas vdekjes së drejtorit të shkollës sime fillore. U tha se e kishin varrosur të gjallë. Nuk ishte fjala për një krim. E varrosën se kujtuan se kishte vdekur. Fill pasi u mbulua varri nisi të flitet se ai në të vërtetë nuk kishte vdekur. Këtu nuk dua të kujtoj mënyrën se si lakohej e përthyhej kjo ngjarje në mendjen time, netët pa gjumë duke përfytyruar të pranishmit në funeral që shihnin njëri tjetrin në sy dhe bënin sikur nuk dëgjonin ca goditje të mbytura që vinin nga poshtë, prifti që bënte kryqin me lëvizje të ekzagjeruara tek shihte ca shuka të vogla dheu të shkrifët që rrëshqisnin teposhtë varrit të sapombuluar…

E mbaj mend si tani atë njëri shtatgjatë, të krehur dhe elegant, gjithnjë me kostum gri. Thuhej se ishte pak i rreptë. Pastaj përfytyroja mësuesit e mi që e kishin shoqëruar në banesën e fundit, kolegët e tij. Pasi i kishin hedhur nga një grusht dhé, ata nisin e bisedojnë me zë gjithnjë e më të lartë që të mos dëgjoheshin protestat e atij aty poshtë. Ndonjëri kishte nisur të mendonte për lirinë e rifituar, perspektivën e ardhjes pak me vonesë dhe pa plane mësimorë të përgatitur, ndokush mbase atë mëngjes i kishte thënë së shoqes se shihte fare mirë veten në karrigen e drejtorit të ndjerë, në atë karrigen bosh pra. Shkurt, askush nuk gjente dot ndonjë arsye të mirë për t’u kthyer dhe rihapur varrin. Të gjithë çanë e ikën.

Kur qëllonte që një histori të tillë e harroja për disa kohë, sistematikisht do të ndodhte diçka që do ma kujtonte, që do më kujtonte se në çdo kohë e në çdo vend ka njerëz që i varrosin të gjallë. Po të lë mënjanë lajmin e një gazete lokale të disa muajve më parë, kur një infermier kishte mbetur i tmerruar tek hapte frigoriferin e morgun dhe gjeti dikë të gjallë, dikë që e kishin deklaruar të vdekur, pra po të lë mënjanë këtë histori të trishtuar, nuk kam si t’i kaloj anash rrëfimit të një gruaje të re që tregonte ne Tv (emisioni kryesor i lajmeve) se çfarë kishte ndjerë kur dëgjoi që pas një aksidenti kardiak e deklaruan të vdekur në një spital modern francez. Ndërkohë që me shumë kujdes një mjek po i hapte të atit temën delikate të marrjes së organeve të saj (duke abuzuar me idenë se një pjesë e së bijës do të jetonte te dikush tjetër etj.), ajo e tronditur nga dhimbja e të atit, që atje ku ishte, në vdekje, gjeti forca dhe i shtrëngoi atij gishtat me të cilat ai mbante dorën e saj.

Mjeku pastaj shkroi në libër me titull pak a shumë: Të vdekurit na dëgjojnë… Megjithatë, këtu dua të flas për një libër tjetër, librin e një mjeku të njohur në transplantimin e organeve. Ai thotë se nuk është fort i bindur se kur bën një punë të tillë po hap vërtet trupin e një të vdekuri dhe pohon se pikërisht kjo pasiguri e ka shtyrë që gjithnjë para se të bëjë prelevimin e një organi, nuk harron t’i injektojë trupit që ka përpara ca substanca anestizuese. Se nuk i dihet. Të paktën t’i kursejë dhimbjet e mundëshme.

Meqë këtu problemi komplikohet, po e kap pak më lart këtë temë për të kuptuar më mirë kur një njeri deklarohet i vdekur. Për këtë më duhet të flas akoma për një libër tjetër, për atë më titull Kufijtë e vdekjes, të neurologes franceze L. Bossi, e cila idetë e veta i parashtroi edhe në një intervistë të kohëve të fundit të revistës Sciences Humaines.

Në të vërtetë, kriteret për të përcaktuar një njeri si të vdekur kanë lëvizur në kohë. Frika se mos i varrosin njerëzit të gjallë duhet të ketë qenë një shqetësim i madh për qytetërime të ndryshme. Për mua, zakoni i përgjimit, aq i përhapur ndër shqiptarët si edhe në vendet e Lindjes, në orgjinë do të ketë lindur nga ndonjë ekpseriencë “kthimi” e të vdekurve. Nuk jam shumë i sigurt, por kam përshtypjen se një ngjarje e tillë si ajo që tregova në fillim (a një tjetër si ajo) në vitet gjashtëdhjetë bëri të merret vendimi i mbajtjes pa varrosur për njëzet e katër orë të të gjithë personave që deklaroheshin të vdekur.

Edhe në kulturat tjera shqetësimi ka qenë i njëjtë. Disa gjurmë të atyre përvojave kanë mbetur edhe në gjuhë. Edhe sot, njerëzit që merren më të vdekurit, trajtimin dhe varrimin e tyre, në frëngjisht quhen croque-morts, sepse sipas zakonit ata kishin për detyrë t’u kafshonin fort gishtin të vdekurve. Po qe se ishin ende të gjallë ata do të këlthisnin nga dhimbja.

Megjithatë vetëm në periudhën e Përndritjes (Les Lumieres) njerëzit e shkencës guxuan të ngrihet mbi paragjykimet dhe misticizmin që ngjallte vdekja. Ndodhte që dikush vetëm sa dukej “i vdekur” dhe për të shmangur varrosjen e njerëzve të gjallë, u zgjat së tepërmi koha midis çastit të vdekjes dhe varrimit. Eshtë tamam në këtë kohë që u realizuan frymëmarrjet e para artificiale gojë më gojë. Ka dëshmi nga më të habitshmet. Në këtë periudhë u zbulua se vdekja është një “proces”, se njeriu vdes pak nga pak dhe vetë vdekja si e tillë është faza e fundit e një procesi.

Vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar mbesin një fazë mjaft e rëndësishme, sepse me realizimin e transplantimit të parë të zemrës, njëzimi u ndodh gati i papërgatitur para një fenomeni që dikur as që imagjinohej. Të vdekurit ishin tashmë lënda e e parë e një procesi të jashtëzakonshëm, ishin rezervuari i pjesëve të këmbimit, i organeve për të cilat kishin nevojë njerëz të tjerë. Kjo kërkonte edhe ridimensionimin e përcaktimit të vdekjes.

Duket se për të na ofruar vdekjet më të tmerrshme që mund të bëhen, mjekët kanë nevojë të bashkëpunojnë me ligjvënësit. Dhe nga ky bashkëpunim u bënë ndryshime të rëndësishme. Nëse më parë si kriter bazë i përcaktimit të vdekjes ishte ndalimi i zemrës, që nga ajo periudhë u vendos që një person do të përcaktohej si juridikisht i vdekur që në çastin e ndalimit të funksioneve cerebrale.

Në ato vite, disa ekipe mjekësh francezë nisën të flasin për një formë të re të komas, ku jeta vegjetative e pacientëve mbahet në saje të reanimacionit kardiorespirator. Në fillim kjo u quajt “koma e tejkaluar”, “komë e pakthyeshme” (në Shqipëri dëgjoja të flitej për koma të thellë) dhe më tej u gjet termi “vdekje cerebrale”. Ky është momenti kur mund të ndërpritet mbajtja artificialisht në jetë. Në të vërtetë është transplantimi i parë i zemrës ai që bëri që atë periudhë Franca dhe Amerika të përcaktonin si kriter të vdekjes “vdekjen cerebrale”, “komën e pakthyeshme”. Zemra nga ana e saj mund të vazhdonte të funksiononte, por tashmë kjo nuk ishte gjësendi fort e rëndësishme për trupin të cilit i përkiste.

Nuk ishte gjësendi e thjeshtë, qoftë në planin shkencor por edhe në atë etik. Si mund të pranosh se dikush që ka ende një fytyrë në ngjyrë rozë, që merr frymë dhe duket sikur po fle, në të vërtetë ka vdekur?

L. Bossi e shpie më tej këtë dyshim duke përmendur raste kur tamam në këtë gjendje në disa raste është bërë e mundur të mbahet barra (fetusi) deri në çastin e lindjes. Si mund të thuash se një bebe lindi nga një kufomë? Me sa shoh në shtyp, edhe këto ditë Amerika është e përfshirë nga një diskutim delikat se kush e ka të drejtën të vendosë për fikjen e aparateve që i japin frymë Marilizës, një gruaje të re shtatzënë që është në gjendje vdekjeje cerebrale.

Përtej polemikës së konflikteve të interesave terapeutike (Filozofi H. Jonas flet për një konflikt të qartë midis detyrimit për të mjekuar një pacient deri në çastin e fundit dhe nevojës së shoqërisë për t’i marrë organet në një çast të caktuar), ndryshimi i kritereve të vdekjes ngre edhe probleme të tjera shkencore dhe filozofike.

Të deklarosh një pacient të vdekur në çastin që reshtin funksionet e tij cerebrale, do të thotë të pranosh që personi vetë gjen strehim te ndërgjegjja. Por çfarë është më e panjohur se sa ndërgjegjja e njeriut, pyesin dijetarët.

Në plan fiziologjik nuk është asnjëherë e lehtë të thuash me siguri se procesi i vdekjes është i pakthyeshëm. Edhe pse një pacient në gjendje të vdekjes encefalite është pa ndërgjegje (koshiencë), për shkencëtarë të ndryshëm është mjaft e vështirë të thuash se ndërgjegjja është sinonim i jetës dhe se një pacient pa ndërgjegje është një pacient i vdekur. Kjo me sa duket është burim dyshimesh, që sikundër përmendëm më sipër, i shtyn mjekë të ndryshëm të këshillojnë anestezimin e trupit para se ti marrin organet.

Kohët e fundit flitet për një protokoll në fazë eksperimentale për të marrë organet ndërkohë që zemra ka ndaluar. L. Bossi e sheh edhe më të papranueshme një gjë të tillë. Në fakt nuk është fjala për kthim te kriteret e mëparshme, te kriteret e përcaktimit të vdekjes në çastin e ndalimit kardiak. Nevojat për organe i shtyjnë mjekët në kërkim të burimeve të tjera. Me sa kuptoj është fjala për një protokoll “të kontrolluar” dhe “të pakontrolluar”. Në rastin e parë (në fakt vetëm ky praktikohet) është fjala për një pushim zemre të papritur që mund të ndodhë në rrugë apo në spital. Në këtë rast mjekët urgjentistë duhet të provojnë për tridhjetë minuta ta sjellin pacientin në jetë. Tridhjetë minuta. Nëse pas tridhjetë minutash zemra nuk vihet në punë, çdo përpjekje ndalohet. Pastaj për një periudhë të caktuar pacienti nuk preket fare me dorë. Kjo periudhë ndryshon nga një vend te tjetri. Rekomandimet ndërkombëtare janë për dhjetë minuta. Italia si vend konservator e ka shtyrë në njëzet minuta, ndërsa në Francë janë të mjaftueshëm vetëm pesë minuta. Pas këtyre pesë minutave pacienti cilësohet i vdekur.

Për të ruajtur organet, menjëherë në trupin e personit injektohet një sasi gati njëzet litrash lëngu ftohës, i fusin antikoagulantë dhe në disa raste i bllokojnë kalimin e gjakut në tru.

Pra kuptohet se është një procedurë që e përgatit pacientin për t’i dhënë statusin e “dhuruesit” të organeve. Pikërisht kjo shihet si konflikt interesi dhe bëhet shkas për debate në nivele të ndryshme.

Megjithatë si më problematik shihet protokolli i “kontrolluar” që praktikohet në USA dhe Kanada dhe që e fut në një proces industrializimi materialin njerëzor. Në këtë rast, pacientëve që mbahen në jetë artificialisht u përshpejtohet ndalimi i zemrës dhe normalisht u propozohet familjeve marrja e organeve, gjë që duhet të bëhet dy deri në pesë minuta pas “heqjes së prizës”.

Atyre që nuk shohin asgjë skandaloze në një praktikë të tillë dhe që pyesin nëse vërtet është e denjë për t’u jetuar një jetë vegjetative me funksione cerebrale inekzistuese, Bossi u përgjigjet se ta masësh cilësinë e jetës me një logjikë industriale është në kundërshti me vetë jetën. Ta shohësh problemin me këtë sy do të thotë ta shohësh një individ si të strehuar në trurin e tij, si një “shpirt kartezian” që vë në lëvizje trupin mekanik, pjesët e të cilit janë të ndashme e që mund të marrin statusin e objektit. Dhe pikërisht kjo gjë është në kundërshti të plotë me biologjinë bashkëkohore e cila është një biologji kontinuiste. Në thelb të gjithë lindin nga një qelizë e vetme e fekonduar që kthehet në një organizëm shumëqelizor e që me kohë pajiset me ndërgjegje.

Duket një problematikë e tillë shtyn shumë vetë të mbështesin metodat alternative, uljen e kostos së dializës për rastin e problemeve të veshkave, krijimin e organeve artificiale, mekanikë, apo zhvillimin e teknikave të reja të riprogramimit të celulave, në rastin e problemeve të mëlçisë etj.

Zhvillimi i këtyre teknikave, thonë specialistët, do të bëjnë që një ditë periudhën e transplantimit (shartimit) të organeve ta kujtojmë si një periudhë mjaft barbare.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin