KJO TRADHTI PO NA MBAN GJALLË

Këto ditë akademiku dr. Rexhep Qosja u takua, në selinë e Institutit Albanologjik në Prishtinë, me dr. Shefqet Krasniqin; takim ky që do të ketë qenë i rëndësishëm, pse u përcoll nga një mori mediash.

Më duhet ta them që në fillim se mua nuk më intereson veçanërisht se me kë takohen Dr. Qosja ose Dr. Krasniqi, prandaj lajmi me siguri nuk ka qenë për mua; prandaj po e komentoj këtu për një arsye tjetër.

Dhe pikërisht ngaqë Tema rimorri një shkrim të Express-it (të cilin tek Express nuk po e gjej dot), me titull “A duhet ta marrim më seriozisht Rexhep Qosen”, ku qortohej akademiku për elozhet që i kish bërë dr. Krasniqit.

Një doktor që lëvdon një doktor tjetër: a ka gjë më normale dhe më të mërzitshme se kaq?

Sipas këtij shkrimi të dytë, dr. Qosja, të cilin disa e kanë quajtur “baba të kombit” teksa të tjerë i kanë kënduar rapsodisht “mjekrës së tij të bardhë”, është shquar këto dekadat e fundit për betejat e tij të mëdha me kundërshtarët personalë.

Kështu, ai e paska shpallur “tradhtar” Ibrahim Rugovën, dhe njëlloj ka stigmatizuar, mes të tjerëve, Sali Berishën, Ismail Kadarenë, Rexhep Ismailin, Shkëlzen Maliqin dhe Veton Surroin.

Liderë shpirtërorë që quajnë njëri-tjetrin tradhtar me lehtësi të papërballueshme: kjo nuk është më e mërzitshme, por flet shumë, mes të tjerash, për shkallën e pjekurisë së kombit – për të mos folur për atë të liderëve.

Do të më thonë: një komb që ka heronj, do të ketë edhe tradhtarë. Dakord. Por ka edhe më keq akoma: mund të ndodhë që heroi yt të jetë tradhtar për mua, dhe anasjelltas.

Mirë se po vijmë, pra, në gostinë e debateve “kombëtare”, në epokën e Web 2.0.

Këtë ta konfirmojnë edhe komentet te Tema, ku konceptet e tradhtisë dhe tradhtarëve rafinohen si kurrë ndonjëherë, duke u pasuruar me shembuj dhe kundërshembuj.

Kështu, jo vetëm Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha janë “tradhtarë”, por edhe ata që i mbrojnë “këta të dy”.

Për ca e ca, Rexhep Qosja është “një përzierje komunisto-islamike”’ – një tjetër lloj tradhtie.

Këtu ka vend të rivizitohet pastaj edhe çështja e tradhtisë së Fadil Hoxhës, sikurse edhe ndodh.

Ndonjë komentues e pranon se Qosja ka pasur të drejtë, kur e ka shpallur Kadarenë “tradhtar” (po a e ka shpallur vërtet?). Ndonjë tjetër, mendon se vetë gazeta Tema ka tradhtuar.

Për të tjerë, tradhtarët e vërtetë fshihen te gazeta Express.

Një i tretë, mendon se “po të kishte kombi ynë intelektualë shqiptarë, do të mblidheshin këta urgjentisht dhe do të kërkonin nga Kombet e Bashkuara qartësi se kush e paguan kënd në qeverinë shqiptare dhe për dobinë e kujt.”

Qosja, nga ana tjetër, është këtu “rilindës,” atje “fondamentalist islamik.”

Edhe Krasniqi rezulton “imam antishqiptar”, i cili është kundër Skënderbeut, kundër Rilindjes Kombëtare, kundër Lidhjes Shqiptare – dhe “adhurues i pushtimit dhe i pushtuesve.”

Tradhtia merr tani përmasa të tjera: fetare dhe historike, meqë duke takuar imam Krasniqin, Rugova tregohet “islamist.”

Mulla Shefqetit antishqiptar i kundërvihet patrioti shqiptar Mulla Kokrruki.

Shpjegohet edhe pse dhe si tradhtoi Kadareja: “ai kur ju desht kombit iku në egzil dhe prej atje na porosiste se ne duhet të kthehemi në fe katolike.”

Ndërkohë, dr. Shefqet Krasniqi është “misionar i popullit musliman.”

Nga një këndvështrim tjetër, “dihet se një pjesë e mirë e intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë kufirit janë me një sy në Mekë dhe tjetrin në Bruksel.”

Debatit nuk i mungojnë Enver Hoxha, George W. Bush-i dhe Milosheviçi (edhe sa duhet të presim për Hamza Kastriotin?). Hap pas hapi, krejt historia e shqiptarëve në kohët moderne riderdhet në format e një dialektike të tradhtisë.

Kush tradhton, kush tradhtohet?

Dikush i shërben serbit dhe paguhet prej Beogradit; dikush tjetër Erdoganit e dikush tjetër Vatikanit e dikush tjetër Athinës; një i tretë arabëve; një i katërt Brukselit; një i pestë komunizmit.

Edhe pse shqiptaria, në këto dritëhije, vjen e përkufizohet si kundërvënie totale ndaj tradhtisë dhe së keqes, megjithatë asaj duket sikur i mjafton lufta kundër tradhtisë, për të triumfuar së paku moralisht.

Vetë tradhtia vjen e shndërrohet në një prani metafizike, ose faktor të ngjizjes së identitetit, si një lloj epërsie morale: ju të tjerët keni tradhtuar, pra unë jam shqiptar.

Sikur të mos ndodhte që këto akuza dhe mëri të hatashme të mos përktheheshin, sporadikisht, në përleshje dhe të vrarë rrugëve, gati-gati do të priresha t’i merrja si shenja se pluralizmin po e marrin më në fund seriozisht në këto trojet tona…

Nuk ka komente

  1. Sikur çështja të mbetej veç në rrafshin komentues të “Tema” e gjitha kjo do të shkaktonte veç buzagaz.
    Fatkeqësia nis e bëhet e tillë, kur të përfolurit dhe përfolësit nuk mund të shkoqen nga njëri-tjetri, pra si tradhtarë dhe antitradhtarë, pasi janë po ata që, në fund të fundit, i hedhin dru prej dekadash këtij zjarri kinse “kombëtarist”.
    Kujtoj këtu duelin absurd për identitetin “shqiptar” mes Kadaresë e Qoses, për t’u “rënë” së pari më të mirëve dhe “Mosmarrëveshja” e të parit, libër që për nga emocionet me të cilat i qaset historisë, hymnit, kombit e “qenies shqiptare” veçse qetësues gjakrash që nuk mund të jetë.
    E të mendosh se këtu po flasim vetëm për shkrimtarë….

  2. Nuk dua te futem ne diskutimin e pafund se cili eshte tradhetari e cili I tradhetuari… bazuar ne kete situate, apo ate libe,r apo ate ngjarje, por me bindje te plote them qe politikanet e udheheqesit e grupeve te vogla, feve te ndryshme, apo edhe shteteve te ndryshme ne boten qe jetojme nuk jane me atdhetaret e dikurshem. Ky mendoj do te ishte nje diskutim I teri me vehte (atdhedashuria dhe ndershmeria politike). Keta udheheqes e mbulojne vehten me nje petk te mjergullt, dhe I ngritur vehtes nje piedestal dhe te gjithe shohin drejt tyre….. pa e ditur se cfare e si ti quajne: te thone qe ata jane me ta (njerezit) apo jane me dike tjeter dhe sebashku po I demtojne keta njerez mjerane e te verbuar nga petku dhe piedestali i tyre….. dhe ketu nuk dua te vecoj asnje nga figurat e permendura ne shkrim. Kjo vjen se petku dhe piedestali jane te veshtire per tu decifruar, apo se njerezit nuk tregojne vemendje per ti decifruar, besoj pak nga te dyja.

    Eh per sa kohe njerezit do ti kushtojne vemendje gjerave boshe si kultures “pop”, modes, dhe “reality stars” kjo do te ndodhe. Cdokush duhet te lexoje me shume dhe per me teper duhet te studjoje ligjet e vendimet qe diskutohen ne parlament e kudo tjeter. Duhet te informohen cndodh rreth tyre, te bejne te pergjegjshem cdokend qe me fjalet, veprat, fushatat elektorale premtojne e me pas pretendojne te punojne per ta. Me shume duhet lexuar historia e jeta e ketyre figurave, te cilat edhe ato histori apo biografi jane shkruar nga nje kendveshtrim I caktuar, por pjekuria dhe maturia historike e qytetare te ben te vecosh e te kuptosh me mire kush eshte tradhetari e kush eshte I tradhetuari.

  3. Realiteti eshte i madh, si hyqmi i padishahut, qe i qofshim fale. T’i dij te gjitha s’mundet, e keshtu qe i ben i ngrati njeri pyetje vetes – por edhe miqve – ne menyre qe te kete haberin se c’behet ne kete dynjah.

    Me perulje pyet qe te butesoj arrogancen dhe injorancen qe e ka nen hyqem si dhokani miun.
    Ka lexuar dhe pelqyer shpjegimin dikur, gjekundi, se cdo pyetje, e vlefshme qofte, dritarizon realitetin ne drejtkendeshin e rradhes dhe si e tille mbart anshmerine e rradhes.

    Pyetja qe me ndjek, si fantazma e Dho Qines Kosta Ndinin, eshte e thjeshte:
    Pse xhanem eshte Kontributi Shqiptar Ne Kulturen Boterore me i paperfillshem nga c’i takon te jete?

    Ne fakt e formuloj me delikatese, sepse po te jem i ndershem – dhe pse te mos jem – pyetja qe kam eshte:
    Si Shpjegohet Qe Kontributi Shqiptar Ne Kulturen Boterore Eshte ZERO me xhufke?

    Ne c’do librari gjysem serioze qe njoh une, ne shtetet e bashkume te amerikes ka goxha te ngjare te gjesh disa libra te Kadarese. Dhe asgje tjeter.

    Ah, mund te permendesh ketu kollaj mungesen e thellesie se njohurive te libraristes qe ka qemtuar gjetjet, dhe ta quash mediokre perpjekjen e saj, ngase prezantimin shqiptar s’e ka perfaqesuar denjesisht, por e verteta per mua e rendesishme mbetet ne ate qe Kadareja e beri detyren, e dha kontributin e tij.

    Kush tjeter????

    Une jo se jo.

    Per sa kjo eshte e vertete, te tjerat jane kinkalerizma.

  4. Nder te tjera te ben pershtypje fakti qe Sali Berisha neper komentet e internauteve, sidomos tek Tema, etiketohet vazhdimisht si “serb”. Te konceptuarit e historise si nje lloj fabule e thjeshtezuar ku kombit te virtytshem shqiptar i duhet te luftoje pa pushim, pervecse me armiqte e jashtem, edhe me agjentet e tyre te infiltruar brenda vendit, perben nje lloj naiviteti ideologjik qe, per cudi, nuk po sheh terheqje, megjithe lirine e pakufizuar te informacionit ne boten e sotme. Duket se shumekush jeton ende me psikologjine paranojake, “te punojme e te jetojme si ne rrethim”. Psikoza e cjerrjes se maskave dhe zbulimit te tradhetarve shkon me se miri me mendesine konspirativiste qe prapa cdo ndodhie (se fundmi vdekja aksidentale e Olldashit) sheh nje dore te fshehte djallezore qe e kontrollon realitetin po aq lehte sa regjizori i nje shfaqjeje teatrale kete te fundit.

  5. Ne pergjigje te Sezano Karbonit: Te falenderoj qe e solle kete diskutim, se kete pyetje e kam bere edhe une me 100 here, dhe gjithmone me mundon. Jo vetem qe jashte Shqiperie gjenden vetem librat e Kadarese, edhe ato vetem ne disa bibloteka. Jam e bindur qe bota do te admironte Petro Markon po ta lexonte. Pse njihet vetem Kadareja ne bote? Ndofta Kadareja pati mundesite e kushtet qe ta prezantoje vehten e tij edhe neper bote, nderkohe qe shkrimtaret e artistet e tjere ose ishin e jane te rene moralisht e te mbaruar nga presioni komunist, ose jane te pafuqishem ekonomikisht ta lancojne vehten e tyre ne bote.

    Dua te shtoj ketu qe jo vetem arti letrar vuan nga kjo gje, por edhe ai figurativ. Po te kish pare bota veprat e Kol Idremos, me siguri do te kish organizuar ankand, e galerite do te ishin vene ne gare kush ti blinte me pare.

    Ne te njejten kohe gjuha shqipe jepet si lende e rregullt ne disa universitete ne amerike, si: ne San Diego, Chicago, Detroit, Tampa (Florida) e disa qytete te tjera.

    Para disa kohesh vizitova nje blog turizmi per Dalmacine. Autorja e blogut kishte pushuar ne Dalmaci. Kishte qendruar kryesisht ne Kroaci, por kishte vizituar edhe vende te tjera gjate bregdetit Dalmat. Tregonte per mbreat e saj dhe fliste me superlativa per ato vende. Ftonte te gjithe ti vizitonin ato vende, dhe bente pyetjen pse nuk e dinte me pare qe ekzistonte nje vend kaq I bukur ne bote me njerez kaq mikprites, te dashur e shume te qyteteruar. Gjeta nje blog te ngjashem per Shqiperine. Fliste me te njejtat supelativa per bukurine e natyres, mikrpitjen e njerezve e ushqimin. Ne fund te informacionit shkruhet numri I krimeve eshte shume I larte…… Pse ndodh kjo? Me vjen ne mend fjala e popullit “Si lopa qe e ben qumeshtin dhe e derdh me kembe”.

    Mendoj qe ne nuk jemi ende te lartesuar si qytetare dhe nenshtetas qe te kemi forcen dhe kurajon te luftojme kedo, qofte ky individ, politikan apo drejtues ne institucion shteteror ose privat, qe favorizon dhe lehteson kete gje: qe emri yne, jeta e kultura jone te asnjanesohen e te kthehen ne zero nga disa statistika te shemtuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin