SHËNIME TË FUNDVITIT 2013

nga Zike Pallaska

Unë i urrej pasqyrat e u bënë dhjetra e dhjetra dhjetra vjet që nuk shihem më në to! Por më ngjan, ama, se nuk kam ndryshuar fare. Jam po ai që kam qenë dikur. Veç njerëzit që përqafoj e që u ulem pranë të pi me ta kafe, tani janë krejt krejt ndryshe. Kanë qëlluar të jenë të gjithë të thinjur, tullacë dhe shumica mbajnë syza optike… Si ta kenë bërë me fjalë!…

* * *

Edvin Rama është parë në disa maternitete. I shoqëruar nga drejtoreshat ai viziton kryesisht pavionet e bebeve-vajza . Meraku i tij për të vënë në rrugë të mbarë administratën shtetërore postberishiste është fare i dukshëm.

* * *

Në kishën e fshatit tonë deshin të na hiqnin priftin. Por prifti u tregua i zgjuar: kaloi fëtefët me LSI-në, dhe mbeti prapë prifti ynë!

* * *

Një merak i Berishës në fund të shtatorit që shkoi: pa shikoni një herë pas djema! A i hodhëm në erë tërë urat kur u tërhoqëm, apo kemi lënë ndonjërën?!

* * *

Po mendohet që përfundimisht t’u lihet prona atyre që e kanë vjedhur dhe uzurpuar, pasi mund të shkaktohen trazira sociale, ngaqë përvetësuesit janë shumë. Trazira sociale nuk shkaktojnë pronarët, sepse ata janë pak. Nga kjo, o vend i bekuar, del se ti ke më shumë hajdutë, se njerëz që duan drejtësinë.

* * *

E nga të mos e ndjej veten të fyer aty, në stadium? Kur skuadrat dalin në fushë të fillojnë ndeshjen, në tërë ato shkallë dhe tribuna, vetëm unë nuk e dij se si do të përfundojë! E dijnë lojtarët, komentatorët, gjyqtarët… Sinqerisht më vjen turp nga vetja!

* * *

Ime shoqe mua më ka kujdesin e saj të parë. Nuk pyet as për veten ajo! Çdo gjë e imja për të është e shenjtë! Ja, përshembull: më shumë kujdeset për vjehrrën time, se për vjehrrën e saj.

* * *

Tani në qytetin tonë e kanë kuptuar të gjithë që të zaptosh një truall dhe të ngresh një ndërtesë pa lejë, në vend që të të dënojnë, të pajisin me tapi!

* * *

Flitet se sigurimi i lëvizjes së lirë u prishte llogaritë skafeve dhe kur u arrit lëvizja e lirë, skafet patën mbaruar punë me dëbimet masive të shqiptarëve.

* * *

Një shoku ynë bënte aq shumë gabime në të folur, saqë, u detyrua dhe nisi të mësonte gjuhë të huaja.

* * *

Atdheu ynë është i vetmi vend në botë, ku kriminelët i kërkon populli dhe i fsheh policia!

* * *

Në vendin tonë po triumfon mënçuria: prindërit u urojnë fëmijëve të tyre, jo që të bëhen shkencëtarë, por doganierë!

Nuk ka komente

  1. Çdo lider duhet të marrë shëmbull nga Ilir Meta, pasi që të forcohet partia, duhet të dobësohet lideri.

    ***

    E dashura nuk më kupton asnjëherë. Ndoshta ngaqë kur flet ajo, unë hesht; ndërsa kur hesht une, ajo flet.

    ***

    E ç’vështirësi kanë 100 ditët e para të kësaj qeverisjeje? Pjesa më e vështirë ishte si të kalonte stafeta nga dora e djathtë e Ilirit në dorën e majtë të Metës.

    ***

    Kompiuterat personalë nuk janë të mirë vetëm në vetvete, por edhe pasojat të mira i kanë. Ja psh., qëkurse bleva laptop, m’u kthye divani në bankë kursimesh për monedha metalike.

    ***

    Me sa duket metoda që ka zgjedhur kjo qeveri për të mposhtur korrupsionin dhe informalitetin ngjason me strategjitë e një pushtuesi që vjen nga deti: në fillim Vlorën, dhe në fund rrethimi i kryeqytetit në Lazarat.

    ***

    Kompiuterat personalë nuk janë të keqinj vetëm në vetvete, por edhe pasojat të këqija i kanë. Ja psh., më erdhi me postë një kartolinë urimi për vit të ri nga një mik, dhe të gjitha ë-të i kishte pa pika.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin